E enjte, 28.03.2024, 05:52 PM (GMT)

Mendime

Arbën Xhaferri: Kriza e Kosovës

E shtune, 01.12.2007, 04:26 PM


Kriza e Kosovës

Nga Arbën Xhaferri*

Arbën Xhaferi
Formacionet shoqërore janë organizma dinamike që objektivisht pësojnë ndryshime në varësi nga faktorët që e përbëjnë atë, qofshin ata ekonomik; etnik, kulturor, linguistik, religjioz, civilizues, apo që kanë të bëjnë në përgjithësi me sistemin e vlerave.

Komunizmi ishte një ideologji, një botëkuptim që me propotencë synoi ta sundojë historinë, faktorët që e nxisin procesin historik, ta shpallë fundin e historisë.

Postkomunizmi ndërkaq është hakmarrja e historisë kundër ideologjisë, shpalimi tragjik i problemeve të pazgjidhura, që u strukën nga ideologët që mendonin se përfundimisht kanë bërë zap antagonizmat shoqërore që e zhvillonin procesin historik dhe ndikonin në perfeksionimin e formacioneve shoqërore.

Inplozioni i sistemeve komuniste, rishfaqja e problemeve etnike, ekonomike, sociale, legalizimi i mentalitetit tribalist që përfundon me themelimin e shteteve etnocentrike, si suplemente të shteteve ideologjike, hyjnizimi i etnosit dhe rrënimi i vlerave të tjera njerëzore dhe morale janë fenomene që këtë periudhë historike e cilësojnë si vonesë, retardim historik apo anakronizëm.

Vonesa historike, hakmarrja e historisë mbi ideologjinë, në shtetet postkomuniste shfaqet në dy dimensione:

•në krijimin e etno- shteteve dhe

•në krijimin e raporteve koloniale në mes të grupeve të ndryshme etnike, pra si neokolonializëm.

Krijimi e shteteve nacionale ishte fenomen i shekullit të 19-të kur ky projekt mund të realizohej të paktën për shkak të:

- niveleve të ndryshme të vetëdijes kombëtare, të formimit kombëtar që si proces përfundoi në favor të kombeve me vetëdije më të formuar nacionale dhe

- zhvillimit të ulët të mediumeve informative, të interaksionit të ulët, fragmentar të sistemit informativ.

Në prag të shekullit 21, kur vetëdijet kombëtare janë ngritur në nivel që tashmë e pamundëson asimilimin, kur i tërë planeti është shndërruar në "fshat global", kur sistemet globale informative depërtojnë kudo dhe çdo krizë e globalizojnë, thuajse është e pamundshme të ngrihen shtetet etnike në hapsirat multietnike, të shkelen të drejtat e njeriut pa krijuar indinjatë dhe reagim të opinionit, të bëhen pastrime etnike të territoreve, apo të vendosen raporte koloniale, apartheidi në mes të bashkësive të ndryshme etnike, religjioze, linguistike apo kulturore në përgjithësi.

Në shtetet postkomuniste, por në të ardhmen edhe lindje në përgjithësi, kemi dhe do të kemi probleme, kundërshti mestendencës për afirmim, kultivim të diversiteteve dhe të asaj për hegjemoni, dominim etnik, religjioz, ideologjik apo qytetërues.Për legalizim të kolonializmit që garanton të drejtën e dominimit të idesë që konkuron brutalisht për hegjemoni, do të shfaqen poashtu tendenca për keqpërdorim të vlerave oksidentale, si bie fjala të demokracisë, për shndërrim të saj në procedurë eliminimi, në instrument margjinalizimi të etnikumeve jodominante, për talegalizuar kështu të drejtën e dominimit të mazhorancës mbi minorancën etj.

Këto probleme janë globale dhe zakonisht mund të shpjegohen me tendencën për dominim dhe me luftën për çlirim, për emancipim. Në këtë vijë, në sferën e së drejtës ndërkombëtare konfrontohen dy kategori ideshë:

-e drejta për vetëvendosje, çlirim, emancipim, dekolonizim dhe

-e drejta për sovranitet të shteteve, për mosndryshëshmëri të kufijve.

E drejta e parë është burimore, e patjetërsueshme, e natyrshme.

E drejta e dyte nuk e apsolutizon të drejtën për sovranitet, por i përkufizon mjetet, mënyrën se si munden ose nuk munden të ndryshohen kufijt

Zhdarravitja e këtij konfuzioni është punë e rëndë ngaqë në arenën politike, shkencore, në mediumet informative veprojnë lobitë etnike, propagandat e shfrenuara etnike sa që është krijuar një huti e përgjithshme lidhur me zbatimin e këtyre dy parimevetë së drejtës ndërkombëtare.

Pa e njohur tendencën historike, kontekstin konkret historik, teorinë politike, sistemin e ri të vlerave nuk mund të ofrohet zgjidhja për problemet që i rihapi hakmarrja e historisë mbi ideologjinë.

II. TENDENCA HISTORIKE

Duke u nisur nga fakti se numri i shteteve të reja dita- ditës shtohet, duke e analizuar tërësinë e fenomenit të dekolonizmit, duke gjetur afri në mes kërkesave për secesion në Azi, Afrikë, Evropë, duke hulumtuar faktorët që i shkatërruan sistemet totalitare mund të konkludohet se karakteristikë e tendencës historike është afirmimi i diversiteteve, pra detyrimisht edhe shthurrja e totalitarizmave ideologjik, apo të shteteve - amallgame etnike, religjioze, linguistike, kulturore që ngrihen mbi interesa gjeostrategjike.

Rezistenca kundër kësaj tendence historike manifestohet si rikrijim i totalitarizmave tënivelit të ulët, në sistemet parciale. Në vijë të këtij mendimi, duke analizuar fenomenin ericiklimit të totalitarizmit, mund të gjenden konkordanca në mes të eksluzivizmit në shteteve të reja etnocentrike, të autoritarzmit në familjet patriakale apo të manifestimit të lojalitetit të skajshëm të punëtorëve ndaj bosëve në fabrikat japoneze.

Ne të gjitha këto raste suspendohet me represion, apo me vullnet, tipik për mendjen e robëruar, për vetëdijen e suspenduar, e drejta për diversitet , për individualitet ideor, kulturor apo thjesht personal.

Karakteristikë dominante e kësaj mendësie, pra rrjedhimisht e këtyre strukturave dhe substrukturave ( shtet - fabrikë - familje) ku mbijeton totalitarizmi është, krahas autoritarizmit edhe eksluzivizmi. Këto sisteme e eksludojnë tjetrin, të ndryshmen. Në sistemet e mëparshme ideologjike, kundërshtari i idesë primare, asaj komuniste, bie fjala i planifikimit të qendërsuar të ekonomisë, eksludohej, dërgohej në gulagët e shumtë, në kampet e përqëndrimit apo të redukimit. Në kohën e sotme kur totalitarizmi ideologjik u zëvendësua me atë etnikparaqitet i njëjti fenomen i eksluzivizmit: tash eksludohen, ndahen, margjinalizohen, dënohen kundërshtarët, konkurentët etnik. Prandaj kemi pastrime etnike në Bosnje, apartheid në Kosovë dhe margjinalizim apo getoizim të shqiptarëve në IRJM.

Kjo mendësi totalitariste, autoritare, ekskluzive është e lidhur ngushtë edhe me fenomenin etik, pjekurinë morale. Karakteristikë e principeve morale është validiteti i tyre universal. Në sistemet totalitare, ekskluzive principet morale kanë vlerë parciale: vlejnë vetëm për bashkëmendimtarët , pjesëtarët e familjes, gangut, fisit, etnosit. Sëkëndejmi principi "mos vrit"vlen vetëm për elementet e sistemit, ndërkaq për ata që janë jashtë atij sistemi nuk vlen. Në Bosnje, në Kosovë kjo papjekuri morale krijoi tragjedi për popujtjashtë sistemit etno-militar.

Kjo papjekuri politike e ka përshkuar edhe diplomacinë ruse: ajo nuk i mbron principet, por aleaten e saj tradicionale, Serbinë, përkatësisht sllavofilinë.

Këto manifestime janë kundër tendencës historike ngaqë ajo e afirmon diversitetin dhe sistemet inkluzive, ku tjetri, e ndryshmja nuk figuron detyrimisht si rrezik që duhet eliminuar.

Në kulturat që janë në kuadër të tendencës historike, ku pjekuria morale është në nivel, individi dhe vetë sistemi jo vetëm që kanë përgjegjësi për tjetrin, por pas paraqitjes së lëvizjeve ekologjiste kjo përgjegjësi tregohet edhe ndaj ambientit.

Nëse karakteristikë e tendencës historike është afirmimi i së drejtës për individualitet, i së drejtës për kultivim të veçorive etnike, kulturore, religjioze, linguistike apo individuale, atëherë tendencë anakronike janë të gjitha ato projekte që pengojnë këtë proces.

Pengimi i këtij procesi zakonisht legjitimohet përmes argumenteve:

•legaliste, së drejtës për mosndryshmëri të kufijve;

•komplotiste që problemin nuk e paraqet në spektrumin real por e fut në atë të spekulimit, të imagjinatës që prodhon kategorinë e armikut të jashtëm;

•raciste, fundamentaliste, naciste, etnocentriste;

•historiciste kur jokritikisht zgjidhet, apo shpiket një fazë e lavdishme historike dhe këkohet që realiteti i sotëm të ndryshojë, të përputhet me të kaluarën;

•globaliste, përgjithësimit të problemit, krijimit të anologjive të pakuptimta, bie fjalanë mes të kërkesave, të pozitave të hispanikëve në SHBA, të aborixhinëve në Australi, të baskëve në Spanjë, të oksitonëve dhe arabëve në Francë(Marsejë), apo të shqiptarëve në ish- Jugosllavi;

•kataklizmatike, që respektimin e të drejës për diversitet e paraqesin si agens të kataklizmave planetare

Në këtë vijë është tejet transparente politika e shtabit të presidentit serb Millosheviq që i përdor të gjitha këto argumente për ta mbrojtur projektin e tij anakronik, ndërkaq duken tejet joserioze kur përmenden faktorët që ndikuan në shkatërrimin e Jugosllavisë. Në fillim përmenden agjenturat e huaja, perendimore në përgjithësi, më konkretisht Gensheri , ish ministri i jashtëm gjerman, apo kongresmeni i njohur amerikan Robert Doll, si shkaktar të shthurrjes, për ta paraqitur më pastaj veten, Serbinë, në kuadër të naci-teorive të vullgarizuara si bastion të orthodoksisë që do të pengojë penetrimin e katolicizmit në Lindje, të islamizmit në Perendimin apo mëkëmbjen e Reich-ut të Katërt.

Poaq transparente janë teoritë globalizuese ku shpesh bëhen analogji groteske, bie fjala në mes të IRJM- së( FYROM-it) dhe SHBA- të.Kur shqiptarët e IRJM- së kërkuan përdorim më optimal të gjuhës shqipe apo zyrtarizimin e Universitetit shqip të Tetovës në kuadër të sistemit arsimor të IRJM- së, atëherë ideologët e etnocentrizmit përdorën argumentin e kushtëzimit global: po qe se këto të drejta u jepen shqiptarëve atëherë doemosdo duhet t' u jepen hispanikëve në Teksas a Kaliforni apo arabëve në Marsejë.

Argumentet historike poaq janë të cekëta. Për ta arsyetuar hegjemoninë, ideologët serbë herë e përdorin argumentin etnik( Bosnje e Hercegovinë) herë argumentin historik(Kosovë). Kosovën duan ta aneksojnë duke shpallur si Jerusalem të Serbisë edhe pse në asnjë mënyrë s' është ashtu. Nga ana tjetër, përmes këtij argumenti askush nga bota krishtere nuk synon ta pushtojë Betlehemin, vendin e shenjtë ku lindi Jezu Krishti. Kjo mendësi i takon periudhës së kryqzatave. A thua Serbia gjendet në këtë kohë?

Për t' i ikur konfuzionit që krijohet qëllimisht për ta penguar tendencën e pandalshme historike duhet analizuar kontekstet e veçanta historike ku shfaqen këto probleme.

KONTEKSTI HISTORIK

Për ta kuptuar drejt fenomenin, për t' i ikur analogjive shterpe, globalizimeve pretencioze, krizat që shfaqen në formacionet e ndryshme shoqërore në botë duhet analizuar në kontekstin kohor dhe hapsinor.

Kriza aktualisht ndodh në sistemet e të ashtuquajturit ish kamp socialist për shkak të dështimit të konceptit komunist të formacionit shoqëror, të shtetit.

Komunizmi u shfaq në skenën historike me pretenciozitet të madh. Ofroi projektin utopik për shuarjen e antagonizmave shoqërore, ekonomike, etnike, civilizuese në përgjithësi, ofroi metodën e sundimit mbi faktorët që e përshpejtojnë procesin historik, pra mbi vetë historinë.

Thanë se prona nuk do të jetë e askujt, por e gjithëkujt, nuk do të jetë private, por popullore. Rrjedhimisht edhe territoret nuk do të jenë etnike, por popullore, e proletarëve të liruar nga mbeturinat borgjeze, prona, etnia, konfesioni, mëvetësitë kulturore etj.

Ky përkufizim i ri ndodhi kur shkatërroheshin perandoritë, Austro-Hungareze, Turko- Otomane dhe Ruso- Cariste. Në këtë kohë duhej të përfundonte procesi historik, i filluar në shekullin e 19- të, shkatërrimi i perandorive dhe krijimi i shteteve nacionale, pra shpërbërja e amallgameve, kompozitave magmatike dhe ndarja e elementeve. Por, kjo nuk ndodhi, procesi historik u ndërpre me krijimin e disa federatave të panatyrshme, të Bashkimit Sovjetik dhe të asaj jugosllave, në fillim si mbretëri serbe-kroate- sllovene.

Cinikët thonë se komunizmi ishte paravan i pansllavizmit ngaqë në fillim territoret e dikujt i bënë të gjithëkujt, të proleterëve të zhveshur nga identiteti, që në fund të procesit, kur ideologjia komuniste zëvendësohet me atë nacionaliste, territori, fabrika, ushtria e përbashkët në mënyrë precize bëhet vetëm e dikujt, e dominantëve në shoqëri, qoftë si grup etnik apo nomenklaturë politike. Bie fjala Kosova që gjithnjë ka qenë entitet e veçantë, si Dardani, Vilaet i Kosovës etj, bëhet pjesë e Sërbisë(ndërrimi i statusit kushtetues i vitit 1989), armata popullore (APJ) bëhet pronë serbe, ndërkaq Republika Socialiste e Maqedonisë , republikë e përbashkët e maqedonasve, e shqiptarëve dhe të tjerëve, bëhet shtet i mëvetësishëm i maqedonasve( shih amandamentetXXIV- LVI të vitit 1989 dhe Kushtetutën e vitit 1991).

Këto fenomene fare nuk kanë të bëjnë me botën virtuale të konventave ndërkombëtare që rregullojnë marrëdhëniet në mes të shteteve, që vlejnë për kushte normale, ngaqë jemi në fillim të krijimit të shteteve, jemi para një realiteti unikal historik: disolucionit të federatave, separacionit të elementeve dhe hyrjes në fuqi, në skenën historike të drejtës për vetëvendosje.

Në këtë kontekst e drejta për vetëvendosje, çlirim, dekolonizim duhet të ketë përparësi mbi principin e mosndryshimit të kufijve. Poashtu, ndryshimi i kufijve në këtë zonë të përfshirë me krizën nuk do të thotë ndryshim të kufijve kudo në botë, ngaqë zonat tjera nuk janë të përfshira me krizën. Fundja, nëpër rrugë ka shumë të sëmurë, por mjeku i kuron vetëm ata që i vijnë në ordinancë. Sëkëndejmi çështja shqiptare s' ka asgjë të përbashkët me pozitën e aborixhëneve në Australi, hispanikëve nëSHBA, arabëve në Francë, madje, nga aspekti strukturor as me atë të baskëve, irlandezëve,bretonëve etj. Konteksti hapsinor dhe kohor është udhërëfyes që shpie kah zgjidhja e kontesteve, ndërkaq qasja globaliste vetëm i komplikon punët, shërben si paravan për kolonializëm dhe hegjemoni.

Në këtë kontekst historik duhet marrë parasysh edhe fenomenin aksiologjik, sistemin e vlerave në formacionet e reja shoqërore. Duhet shtruar pyetjen: a garantojnë entitetet e reja vlerat e pakontestueshme njerëzore, lirinë, barazinë, paqjen, demokracinë apo në vete ngërthejnë parime eksluzive që e reciklojnë krizën që shkatërroi sistemet e mëparshme?

Nëse entitetet e reja që në start nuk garantojnë këto vlera atëherë institucionet ndërkombëtareduhet t' i kontestojnë ato. Shtetet e reja duhet krijohen duke e respektuar sistemin e ri të vlerave.

JUGOSLLAVIA

Jugosllavia e parë dhe dytë ishte fryt i marrëveshjeve, kontratave që lidhnin në mes vete kombet që e krijonin atë por edhe me kontekstin ndërkombëtar.

Këto kontrata kryesisht prisheshin për shkak të tendencave hegjemoniste serbe që manifestoheshin qoftë kur ndërrohej kushtetuta qoftë kur ndërrohej struktura etnike e popullsisë, përmes spastrimeve etnike apo të kolonizimeve. Në njerën anë josllavët, shqiptarët, hungarezët , gjermanët ( folksdojçerët) etj. shpërnguleshin nga territoret e tyre dhe ato, nga ana tjetër kolonizoheshin me serbë nga Lika, Hercegovina apo Mali i Zi. Këto dukuri e përmbanin vetëm majën e icebergut(akullnajës) të hegjemonisë brutale serbe. Zakonisht këto mënyra ndikonin në dobësimin e lojalitetit të qytetarëve ndaj shtetit, Jugosllavisë, si lebensraum( hapsirë jete ) serb. Në situata të krizës, ky dislojalitet spikatej edhe më shumë. Këtë Jugosllavi të serbizuar askush s' deshi ta mbrojë kur u sulmua nga Gjermania naciste. Në vitin 1941 gjermanët, në shumë vise të Jugosllavisë u pritën si çlirimtarë ashtu si sot trupat e NATO- s në Bosnje, ndonëse kjo analogji nuk është gjithaq e përshtatshme.

Jugosllavia e dyte, ajo Titos u ngrit mbi principe që duhej përgjithmonë ta parandalonin hegjemoninë serbe. U formuan tetë njësi federale, 6 republika dhe dy krahina autonome, gjithnjë duke respektuar strukturën etnike dhe trashigiminë historike.

Titoja ngriti një sistem që pamundësonte hegjemoninë, dominimin e popullit të madh mbi popullin e vogël. Sekreti i këtij sistemi ishte mekanizmi i konsensusit. Ky mekanizëm funksiononte si më mirë kur sistemi ishte monist dhe udhëhiqej nga komunistët. Në këtë kohë çdo e drejtë ishte formale.

Problemet lindën kur komunistët u bënë nacionalistë. I pari që e manifestoi brutalisht këtë transformim ishte ish birokrati i nomenklaturës komuniste, tashti presidenti aktual serb Sllobodan Millosheviq. Ai, në semantikën politike simbolizon një deformitet, pra transformimin e komunistit jo në demokrat, por në nacionalist. Ai dhe në përgjithësi mendësia që e krijoi atë e shkatërroi shansën për demokratizim të këtyre hapësirave.

Projekti i tij nisi me tentativën për prishje të mekanizmit të konsensusit në vendosje. Atë deshi ta zëvendësojë, gjithnjë në vijë të afirmimit të hegjemonisë serbe, me principin "një njeri një votë", pra pricipit të majorizimit, ku serbët si shumicë në Jugosllavi do të kishin të drejtë legale për të vendosur për veten dhe të tjerët. Me këtë pricip natyrisht nuk u pajtuan popujt e tjerë të Jugosllavisë dhe kështu filloi konflikti etnik dhe shthurrja definitive e Jugosllavisë.

Nacionalistët serb, gjithnjë në vijë të intencës së brendshme nacionale, demokracinë, vlerën e re qytetëruese e degjeneruan në procedurë eliminimi ku populli i madh e eliminon popullin e vogël. Në këtë dimension nuk ka dallim në mes të politikës së Millosheviqit dhe të asaj që duket më soft, e Gligorovit në Maqedoni. Të dyja këto politika mbështeten mbi parimin "një njeri një votë".

Jugosllavia pra u shkatërrua ngaqë Millosheviqi deshi në të ta përhapë hegjemoninë serbe dhe çështë më e rëndësishme në këtë politikë nuk zgjodhi mjete qofshin ato propagandisitike vullgare apo represive brutale. U përdorën të gjitha mjetet që vinin ndesh edhe me standardet minimale të drejtave të njeriut.

Nacionalizmi serb ishte fajtori i shkatërrimit të Jugosllavisë. Ai i treti dhe i keqpërdori të gjitha investimet, shansat që komuniteti ndërkombëtar i ofroi Jugosllavisë së parë dhe asaj të dytës, madje edhe kësaj të tretës, për zgjidhjen plauzabile të kontesteve ndëretnike. Prandaj kjo e drejtë, ky besim që iu dha historikisht popullit serb që t'i zgjidhë kontestet etnike në mënyrë civilizuese duhet definitivisht t'u merret, ngaqë ata u treguan të paaftë për krijimin e kushteve për bashkëjetësë të barabartë. Ata nuk manifestuan gadishmëri që të ndërtojnë sisteme inkluzive, ngaqë këtë rigjiditet, këtë paradispozitë për ekskluzivizëm nacional e manifestuan edhe me projektet konkret për pastrime etnike, për krijim të kushteve për dominim të papenguar të serbëve mbi të tjerët. Në këtë kontekst janë me interes edhe shkencor projektet e shkenctarëve serb, Garashanin, Çubrilloviq, nobelistit Andriq që me plot gojë mund të cilësohen si gjenocidale, veçmas kundër shqiptarëve si dhe Memorandumi i Akademnisë së Shkencave dhe të Arteve serbe që e përshpejtoi shkatërrimin e Jugosllavisë së dytë.

Në vazhdë të këtij konstatimi mund të thuhet se fajësia serbe për tragjedinë jugosllave nuk mund të bjerë vetëm mbi një person, Millosheviqin, as mbi ekipin e tij, por në tërë shoqërinë serbe, klasën politike, shkencëtarët, mediumet, madje edhe krijuesit. Kjo fajësi u manifestua edhe në të gjitha periudhat kohore të bashkëjetesës.

Shqiptarët as me argumente legaliste as me argumente morale e as me ato gjeostrategjike nuk mund të pranojnë, as që të lejohet të pranojnë të mbeten nën dominimin serb.

Bashkësia ndërkombëtare, pas tërë kësaj përvoje të hidhur, duhet shqiptarëve t' ua japë shansën historike, që serbët s' e shfrytëzuan dot, që të krijojnë dhe të qeverisin me shoqëri inkluzive, tolerante, demokratike që do t' i respektojë vlerat qytetëruese.

KOSOVA

Kosova gjithmonë ka qenë entitet në vete, qoftë si përmbajtje gjeografike , administrative apo etnike. Ajo dikur ka qenë Dardani që ka patur përkufizim gjeografik e administrativ, pastaj Vilajet i Kosovës dhe në kohët e fundit krahinë autonomi.

Autonomia iu dha Kosovës për shkak të shqiptarëve e jo për shkak të sërbëve.

Kosova ka qenë element përbërës i Jugosllavisë, ka pasë të drejtën e vetos dhe me shkatërrimin e Jugosllavisë e fitoi automatikisht të drejtën për secesion, ashtu si elementet e tjerë përbërës të federatës.

Argumentet për pavarësi të Kosovës janë këto:

•ish sistemi, Jugosllavia u shkatërrua vetëvetiu ngaqë nuk funksionoi formula e bashkjetesës dhe të drejtën për vetëvendosje e fituan të gjithë elementët konstituiv;

•Kosova ishte element konstituiv i federatës jugosllave;

•Kosova i ka kufijt e vet administrativ;

•Kosova ka kompaktësi etnike, gjeografike, ekonomike dhe infrastrukturore, ajo është organizëm në vete;

•Mbi 90 % të kosovarëve me referendum u përcaktuan për pavarësi;

•Kosova është e okupuar nga një forcë e huaj që ka vendosur sistem të apartheidit dhe eksploatohet si koloni, prandaj duhet të dekolonizohet;

•Kosova ka të drejtë për secesion edhe mbi bazë të presedencës;

•Pvarësia e Kosovës e stabilizon rajonin, paqën. Okupimi i saj, mbetja në kuadër të Jugosllavisë e destabilizon rajonin, paqen dhe vlerat qytetëruese.

Pavarësia e Kosovës mund të mbështet me tërë spektrin e argumenteve, legale, legjitime, supstanciale, historike, ekonomike, gjeostrategjike dhe qytetëruese.

Mbetja e Kosovës në kuadër të Serbisë, apo të Jugosllavisë nuk mund të arsyetohet me asnjë argument, pos atyre që e arsyetojnë dominimin, hegjemoninë, ekspansionizmin, kolonializmin, apartheidin.

*Kjo trajtesë e z Xhaferri për çështjen e Kosovës, është një fragment i shkeputur prej një elaborati më të gjere për çështjen shqiptare, i shkruar nga fundi i vitit 1998 dhe i publikuar në vitin 1999, para nderhyrjes se Natos, nga Instituti për Paqe i SHBA. Në këtë artikull jepen pergjigjet për kunderargumentat serbo-ruse për Kosovën. Sot politika shqiptare kryesisht zhvillohet ne relacionin elementar, pro, apo kunder pavarwsise,pa shtuar argumenta qe e aryetojne kerkesen per mëvetësi.

Ndonese teksti ngërthen ne vete frymen e asaj periudhe, vleresojmë se mesazhet janë aktuale.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora