E premte, 19.04.2024, 12:28 PM (GMT+1)

Mendime

Arben Idrizi: Një altar laik

E marte, 22.06.2010, 09:03 PM


Një altar laik

 

Rreth sloganit: ‘Mbulesa nuk është simbol, është obligim’. Për fanatikët e religjioneve të ndryshme, përkatës të një shteti të vetëm, institucionet laike janë i vetmi vend i një bashkëjetese të mundshme qytetare njerëzore.

 

Nga Arben Idrizi

 

Paramendoni sikur, në një shtet laik, një grup apo komunitet qytetarësh t’i përkiste, ta zëmë, një kulture, sekti apo edhe tamam një religjioni nudistësh. Sipas tyre, u kuptua tashmë, ekspozimi i organeve gjenitale ‘nuk është simbol, është obligim’, ngase, këtë e dëshmon edhe Libri i Shenjtë i Nudizmit. Apo, ta zëmë, një sekt kanibalësh, të cilët, duke rrjedhur nga një traditë e lindur ose fituar kanibalizmi, do ta quanin kanibalizmin obligim dhe do ta ushtronin atë publikisht, e në rast të mohimit të së drejtës së tyre obligative, do të kërkonin ta rivendikojnë bindjen e tyre me çdo kusht. Apo edhe më tej, sikur një grup etnik i lidhur mes vete nga urrejtja ndaj etnive ‘të tjera’, të rivendikonte ‘obligimin’ e pjesëtarëve të vet për t’i nënshtruar ‘të tjerët’, e bile edhe për t’i asgjësuar; e këtë ta manifestonin publikisht, sigurisht edhe duke bartur uniforma që i bëjnë ata të dallohen nga ‘të tjerët’ e patolerueshëm.

Mund të duket se krahasimet që bëra janë dashakeqe. Mirëpo, puna është se këtu s’kemi të bëjmë me asfarë krahasimi.

 

Në të vërtetë, siç e ka vërejtur edhe një laik si J.S. Mill, ‘feja nuk është e drejtë, është obligim’, përkundër deklarimit maskues dhe kontradiktor të vetë feve se ‘është vetëm një e drejtë’. Pastaj, kjo premisë s’është se kufizohet vetëm me religjionin. I përket edhe çdo ideologjie dhe dogme. Pothuajse njikështu, në të vërtetë, edhe shteti laik mbron veten dhe idealet e tij për institucione dhe jetë publike civile, duke e mbajtur laicizmin jo për simbol, por për obligim.

 

Ndoshta keq të thuhet, por në këtë përleshje (të çfarëdo natyre), fiton ai që është më i fortë (edhe në kuptimin më të keq).

Sigurisht, protestave të kota nëpër rrugë (me ulërima e kërcënime) rreth shamisë (simbol apo obligim?) do të duhej t’ua zinte vendin debati i gjerë. E megjithatë, pa dashur të paragjykoj, më duket se as ai debat s’do të zgjidhte gjë. E parimisht, mendoj, përfundimi do të ishte kthimi në gjendjen fillestare: jemi një shtet laik!

Ka arsye për këtë mosbesim ndaj debatit.

 

Qëndrimi i mbrojtësve të idesë së bartjes së shamisë është dogmatik (për ne laikët). Andaj, duke qenë se ‘feja është një obligim’, zor se do të hiqnin dorë nga obligimi ndaj mbulesës. Në skajin tjetër, shteti laik e ka për obligim ta mbrojë paraqitjen civile në institucionet publike dhe ta kundërshtojë me çdo kusht bartjen e simboleve (‘obligimeve’?) fetare.

Çfarë kompromisi mund të bëhet në këtë mes?

 

E megjithatë, përplasjet s’kanë të bëjnë në lidhje me të gjitha institucionet publike, ose të paktën jo deri më tani. Kanë të bëjnë më tepër me institucionet arsimore.

Ndalesa vjen përmes urdhëresave të Ministrisë së Arsimit, të bazuara në Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Dhe ajo Kushtetutë është hartuar për t’i mbrojtur të gjitha të drejtat e të gjitha komuniteteve etnike, fetare, etj. Në të njëjtën kohë, edhe për t’i ndaluar të gjitha ‘obligimet’ (simbolet) etnike e fetare që e shohin ‘tjetrin’ të patolerueshëm.

 

Pikërisht në bazë të kësaj Kushtetute kemi hequr dorë nga simbolet kombëtare (që dikush edhe do të thoshte se do të na obligonin t’i shkatërrojmë simbolet kombëtare të ‘të tjerëve’) për t’ua lënë vendin simboleve të reja shtetërore. Në këtë vazhdë, nuk kërkohet të hiqet dorë nga simbolet fetare, por vetëm sanksionohet bartja e tyre në vende të caktuara.

Cilat ‘obligime’ na ‘obligojnë’ t’i kundërshtojmë këto parime kushtetuese humane dhe demokratike?

 

Slogani ‘mbulesa është obligim’ është, në një prapavijë, edhe kërcënim i shtetit laik. Ngase, duket se nuk rivendikohet e drejta e individit për ta mbajtur një simbol fetar, më shumë rivendikohet shkelja e një rregullimi kushtetues. Në gjithë këtë katrahurë, e pësojnë ata nxënës, bartës të simboleve fetare, që nën moshën e pjekurisë, ndoshta pa dashjen e sigurisht pa dijen e tyre bëhen bartës të problemeve që pas arritjes së pjekurisë edhe mund të mos iu përkasin. Dua të them: kush duhet t’i ketë nën kujdesin edhe edukativ ata persona që s’e kanë arritur pjekurinë? Sigurisht se edhe familja (e cila mundet se e pranon vullnetin (nëse!) e tyre për t’u mbuluar, mundet se edhe i obligon). Por duke qenë në shkollë, në një institucion shtetëror laik, do të thotë se janë edhe nën kujdesin edhe edukativ edhe të atij institucioni, që është institucion laik, i përbashkët për të gjitha komunitetet fetare me bindje dhe simbole të ndryshme, kundërshtuese (për të mos thënë urrejtëse, refuzuese).

 

Kështu që për fanatikët e religjioneve të ndryshme, përkatës të një shteti të vetëm, këto institucione laike janë i vetmi vend i një bashkëjetese të mundshme qytetare njerëzore.

 

A s’do të duhej t’i ruajmë? Jo me fanatizmin tipik për religjionet, por me humanizmin e mundshëm të demokracisë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora