E shtune, 20.04.2024, 05:52 AM (GMT+1)

Faleminderit

Xhemaledin Salihu: Nuk është më zotni Adem Ahmeti!?

E marte, 22.06.2010, 09:58 PM


KUJTIM PER MESIMDHENESIN TIM

 

NUK ËSHTË MË ZOTNI ADEM AHMETI!?

 

Shkruan: Xhemaledin Salihu

 

Të enjtën, më 17 qershor , në orët e hershme të mëngjesit cingërroi telefoni dhe u lajmërua shoku im Hasani, i cili më njoftoi me  një lajm të hidhur, por jo edhe të pa pritur, mbrëmë, më 16 qershor ndërroi jetë mësimdhënësi i jonë, i dashur i gjuhës dhe letërsisë shqipe, Adem Ahmeti. Edhe më hërët isha në dijeni se mësimdhënësi im ishte rëndë i sëmutë. Vdiq në Prishtine, tek djali i tij, Shefkiu, i cili shumë u kujdes dhe e këqyri gjatë kohë babën e tij. Hallall të qoftë.

Me të marrë lajmin mbi vdekjen më kaploi një ndjenjë dhimbjeje dhe krenarie. U përzinë.

E para se humbëm mësimdhënësin e dashur, altruistin, iluministin, patriotin dhe veteranin e Arsimir Shqip të Luginës së Preshevës, zotni Adem Ahmetin.

E dyta se  ishim shumë krenar me zotni Ademin, unë, gjenerata ime dhe shumë gjenerata para dhe pas meje, me punën e palodhshme të tij në arsim, kulturë, edukatë, bon-ton, mirësjellje dhe para së gjithash me vlerat e tija njerëzore, mësimore, patriotike, që i shfaqi gjatë gjithë jetës dhe punës së tij.

Autoti i shkrimit është gjenerata e dytë e Gjimnazit në Preshevë, e lindur më 1947.

Shumë gjenerata kaluan me zotni Ademin.

Adem Ahmeti u lind në Preshevë më 1926. Shkollën fillore e kreu në Preshevë, ndërsa Normalen përmes kurseve pedagogjike, pa shkëputje nga puna, në Shkup.

E ka të kryer shkollën e lartë pedagogjike-dega e gjuhës dhe letërsisë shqipe.

Punën edukative arsimore e filloi në Bukuroc, në vitin shkollor 1946/47. Punoi në Shkollën fillore të Preshevës, në Gjimnazin e Preshevës, në Tërrnoc, në Caravajkë dhe në Rahovicë. Kreu edhe punën e përkthyesit në organin e administratës së komunës së Preshevës. Dha mësinm në kursin pedagogjik të Normales së Vranjës, ku gjatë pushimeve verore mësimet i vijonin mësuesit e pakualifikuar të shkollave fillore në gjuhën shqipe. Kontrolloi edhe punën edukative arsimore të arsimtarëve shqiptarë. Mori pjesë në përpilimin e gramatikave të gjuhës shqipe për shkollat shqipe fillore. E zotëroi edhe gjuhën gjermane.

Zotni Adem Ahmeti në punën e tij edukative arsimore pati gatishmëri të plotë për të flijuar veten, për të mirën e nxënësvë të tij. Synimi i tij jetësor në këtë punë edukative arsimore nuk ishte vetëm mbushja e nxënësve me dije, njohuri nga gjuha dhe letërsia shqipe, sidomos për Rilindasit Shqiptarë, por edhe na mbushi mendjen dhe arsyen për ndjenja dhe veprime patriotike. Edhepse ishte i thirrur për gramatikën e gjuhës shqipe, i ndjeri gjatë analizave të veprave të Rilindasve, sidomos poezive patriotike shprehte emocione dhe ndjenja fisnike e patriotike. Pra, puna e tij arsimore ishte me taban patriotik.

Iluminizmi i tij shprehet gjatë gjithë punës edukative arsimore dhe jetës së tij në shërbim të dijes, të kulturës dhe arsimit shqip, të përparimit të rrethit ku punonte si dhe luftonte me të gjitha mjetet edukative në përhapjen e diturive, kulturës e arsimit shqip kundër errësirës e prapambeturisë.

Na mësonte mirësjellje, respekt dhe nderim të të vjetërve, të diturëve, intelektualëve, na mësonte pedanteri, ashtu siç ishte pedant edhe vet gjatë gjithë jetës së tij, si duhet të vishemi, si duhet të vejmë kravatë, si duhet ta veshim këmishën e pastër, edhe nëse ajo është e arnuar, por e lame. Na mësoi për nderim me përshëndetje të tjerët me mirëmëngjes, mirëdita e mirëmbrëma.

Nxënësin e shkëlqyeshëm dhe shembullor e vlerësonte lartë, e nxitte për mësim dhe punë edhe më të madhe, për suksese edhe më të mëdha, na këshillonte çfarë profesioni të zgjedhim, të studjojmë. Por nuk i lente pas as nxënësit e dobët, duke i udhëzuar e motiviuar për punë, por shpesh në disa prej tyre demoralizohej, ata ishin të pa përmirsueshmit.

Roli i madh i zotni Ademit është në përhapjen e librit shqip. Në mungesë të bibliotekave dhe leximoreve në Preshevë, gjatë viteve 1956-1965, intelektualët preshevarë që asokohe numroheshin në gishta, formojnë biblioteka personale-familjare, me fond të pakët, por që i japin në lexim(kuptohet se kjo bëhej në mënyrë të fshehtë nga organet  e atëhershme shtetërore të sigurimit). Këto biblioteka zëvendësojnë dhe luajnë rolin e bibliotekave publike.

Biblioteka e Adem Ahmetit i shërbeu këtij misioni dhe ishte shembull i mirë i bibliotekave personale-familjare që dha kontribut të madh në leximin e librave, në ngritjen e ndjenjave e pikëpamjeve patriotike, në ngritjen edukative e arsimore. Shumë nxënës të Gjimnazit dhe shkollave të tjera,  ndër ta edhe autori i shkrimit,  por edhe intelektualë të tjerë, u furnizuan me literaturë të ndryshme nga kjo bibliotekë. Në atë kohë u lexua romani “Pse?”, “Gjarpijt e gjakut”, “Tradhëtia”, e tjerë.

 Pra, biblioteka e Adem Ahmetit luajti rol të rëndësishëm kombëtar dhe shoqëror në Luginën e Preshevës e më gjërë.

Gjatë vitit 1957, në Preshevë organizohet aksioni kulturor “Muaji i Librit”, të cilin e udhëhoqi komisioni në përbërje të Adem Ahmetit dhe dy anëtarëve të tjerë. Gjatë aksionit u blenë libra për biblioteka.

Gjatë vitit 1964 u muar iniciativa që në Preshevë të themelohet Biblioteka Publike. Pasi u themelua Biblioteka Publike “Presheva” në Preshevë, u  nda një sasi e konsiderueshme e mjeteve financiare për blerjen e librave në gjuhën shqipe. U angazhuan Gani Ramadani dhe Shefqet Ahmeti që të bisedojnë me Adem Ahmetin, arsimtar i gjuhës dhe letërsisë shqipe, që sëbashku të hartojnë listën e librave në gjuhën shqipe, që duhet të blehen për bibliotekë. Lista u hartua falë angazhimit të Adem Ahmetit dhe librat u blenë në Prishtinë.

Zotni Adem Ahmeti dha kontribut të madh në veprimtarine teatrale të Preshevës.

Në mbledhjen e Pleqësisë për Arsim dhe Kulturë të komunës së Preshevës më 1956 u formua komisioni për zgjedhjen dhe përcjelljen e pjesëve teatrale në Preshevë, në përbërje të Adem Ahmetit dhe 2 anëtarëve të tjerë. Komisioni kishte për detyrë që Referentit për Arsim dhe Kulturë t’i japë sygjerime dhe propozime lidhur me pjesët teatrale, të cilat duhet të shfaqeshin dhe përgatiteshin në Preshevë. Adem Ahmeti, në këtë komision pati sfida të shumta, sepse nuk pajtohej me 2 anëtarët të tjerë të komisionit, të cilët ishin serbë.

Gjatë sezonit 1960/61 përgatitet drama “Halit Gashi”, pastaj më 1963/64 përgatitet drama “Rrëmuja”, në sezonin 1964/65 përgatitet drama “Hakmarrja”, në sezonin 1965/66 përgatitet pjesa teatrale “Vrasja në errësirë”, ku një roleve  ryesore e luajti edhe autori i shkrimit, më 1967 u përgatit drama “Nuk martohem me pare”, të gjitha në regji të Adem Ahmetit. Kështu veprimtaria teatrale e  Adem Ahmetit ishte e palodhshme me nxënësit e shkollave fillore, të mesme dhe në Teatrin e Preshevës. Kontribut i madh kulturor e kombëtar.

Zotni Adem Ahmeti la gjurmë të thella në arsim dhe kulturë. Ai la vlera të njëmendta për gjeneratat e ardhshme si duhet arsimuar, edukuar dhe si duhet çmuar, kultivuar dhe ruajtur vlerat e mirëfillta arsimore e kulturore.Me dinjitet punoi dhe veproi gjatë jetës dhe punës, edhepse pati sfida të shumta jetësore, të cilat ditti t’i tejkalojë me urti.

Me vdekjen e zotni Adem Ahmetit humbëm altruistin, iluministin, vetaranin e Arsimit Shqip në Luginën e Preshevës e më gjërë.

Të qoftë hallall, të lumtë familja Ahmeti  dhe të qoftë i lehtë dheu i tokës arbërore dhe preshevare.

 



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora