Zemra Shqiptare

  http://www.zemrashqiptare.net/


Këze Kozeta Zylo: Homazh për Ëngjëllushen Islamike të Lirisë

| E hene, 21.06.2010, 09:53 PM |


Nga Këze (Kozeta) Zylo

 

Homazh për Ëngjëllushen Islamike të Lirisë  

 

            Miliona njerëz në botë një vit më parë u tmerruan nga një vdekje horror, brutale në Iran, të bukuroshes islamike Neda.

Në të gjitha kanalet televizive u dha fytyra ëngjëllore e Nedës mbuluar me gjak, vrarë nga fondamentalistët e Iranit.

Neda kjo bukuroshe myslymane, që paraqitet në foto, herë e veshur në traditen e familjes së saj, herë me veshjen e Perëndimit, të jep përshtypjen e një vajze të emancipuar, ku brenda shpirtit të saj ka civilizimin qytetar, tolerancen fetare, dhe ëndrrën për Liri.

            Nga Shtëpia e Bardhë Presidenti Obama tha: “Zemra ime u trondit shumë, kur pashë vajzën që po jepte shpirt në duart e babait të saj”!

Ai vazhdoi me tej: “And I think that anybody who sees it knows that there’s something fundamentally unjust about that.”

Duke parë këtë vidio horror, nuk ka zemër nëne të mos dridhet dhe të rrënqethet kur shikon vajzën 26 vjeçare, që goditet nga dora kriminale e Snajperit, dhe pastaj gjaku valë i mbulon fytyrën Nedës së Iranit.

Rrëketë e gjakut rodhën në shesh të Teheranit.

            E shqyen sheshin ujqërit, duke i ngjyer buzët me gjak, por në këtë betejë për jetë a vdekje u zbulua fytyra më e bukur e universit, Liria!

Neda kjo gonxhe e Islamit, mbiu në gjithë zemrat e botës, ajo hodhi rrënjë, që nuk do të thahen kurrë.

Sytë e saj lëshuan rreze me shpejtësine e dritës, dritë që do të ndriçojë tunele të errëta në këtë botë të çakërdisur…!

Ajo u shfaq si një hyjneshë që donte të puthte Lirinë, Lirinë që vazhdon të jetë nën kthetrat e dikaturës.

Fytyra e saj me shpirt të bardhë si dëborë, në momentet e fundit, u ndihmua nga dashnorët e tjerë të Lirisë…

Aja dha shpirt në frymën e tyre, në krahët e atit të saj.  Ishin lidhje me fijet e zemrave te pastra, që luftonin me djajtë e Lirisë.

Ajo dha shpirt në fytyrat meit nga dhimbja të shokëve të saj, me ëndrra për një jetë më të mirë… 

Shpirti i saj fluturoi lart në qiell, nën zhurmën e plumbave të snajperëve, qitësve, karabinerëve kriminelë, ndërsa sytë e heronjve të Lirisë në botë, dhe të Mëmëdheut tim, lëngëzonin për të ringjallur shpresën…!

Dielli pas lotëve të gjakut në Teheran, dukej sikur shpiku një stinë tjetër nga fundi i një planeti të ftohtë, nga bota lakmuese, stinën me gjelbërim të përhershëm…Paqen…!

Shpirti i Nedës mbështolli botën e mardhur me mijëra flakadanë, dhe puthi ëmbël shpirtrat e tjerë në gjithë rruzullin, deri dhe martiren e fundit të Lirisë, princeshën myslimane të Pakistanit, Benazir Bhutton.

Me bukurinë e saj si yll mëngjesi, ajo tashmë shtegëton e lirë, nëpër ëndrra.

Neda një emër kuptimplotë, që do të thote zë, është si një kanarinë që këndon këngën e Lirisë, ndërsa kori i universit bëhet shoqëruesi i zërit të saj, një zë që s’do të shuhet kurrë.

Neda mbeti si një lulëkuqe e bukur në fushën e betejës, ndoshta, ndoshta së shpejti do të frymëzojë një Van Gog tjetër për të dhënë një fushë me lulëkuqe, mundet një Van Gog shqiptar, që të pikturojë një fushë me lule bozhur Kosove, ku të jepen mijëra mirazhe.

Ajo u largua nga kjo botë, me krahë të hapur ëndrrash, për të përqafuar hapësira lirie, që shpesh mbulohen nga re të zeza djajsh.

Ajo vazhdoi udhën e qiellit, për të pirë sisë vetëm në gjirin me qumësht të bardhë, në sisën hyjnore të Lirisë!

Amen!

 

New York, Qershor 2009