E shtune, 20.04.2024, 01:45 PM (GMT+1)

Editorial

Idriz Zeqiraj: Analogjia e krimit

E diele, 20.06.2010, 07:59 PM


ANALOGJIA E KRIMIT

 

Nga Idriz ZEQIRAJ

 

Komunizmi, si ideologji dhe praktikë, është në konkurencë me fashizmin. Së fundi, në "lojë" ka hyrë edhe islamizmi. Këto ideologji, makabre e fatale për njerëzimin, japin dhe marrin nga njëratjetra përvojat dhe metodat në veprimet e tyre gjithherë kriminale.

     "Çfarë ndodhi në Pyllin e Katinit", është titulli i shkrimit të hulumtuesit dhe publicistit Frank Shkreli. Pyetja e bërë dhe përgjigjia e dhënë, për njërën nga ngjarjet më tragjike të shekullit të kaluar, e bërë ngeshëm dhe me cinizmin e një supremacie sa ekstreme, kriminale, aq edhe fodulle. Kjo masakër u riaktualizua tani, kur në përvjetorin e 70-të të përkujtimit, në rrethana të dyshimta, u aksidentuan vdekshmërisht ajka shtetërore, qeveritare e ushtarake polake, në mesin e tyre edhe Presidenti i vendit Lech Kaczynski, sëbashku me Zonjen e Parë të Kombit - Maria Kaczynski.

     Edhepse luftë, madje si vend i sulmuar, nga një fuqi agresive, siç ishte Gjermania hitleriane, ndjenja hegjemone dhe shpirti katran i komunistëve rusë, mendon e vepron të robërojë dhe sundojë popuj të tjerë më të vegjël.

     Forcat ruse pushtuan Poloninë dhe për qëllime sunduese në perspektivë, arrestuan profesorë universiteti polakë, kirurgë, fizikantë, avoketër, gjykatës, zyrtarë të qeverisë, gjeneralë, kolonelë dhe ushtarakë të të gjitha kategorive mbrojtëse dhe të sigurisë të vendit; pronarë tokash e deri dhe banorë të zonave kufitare! Të arrestuarit i mbyllën në tri kampet e zonës të Smolenskit: Kozelsk, Starobelsk dhe Ostashkov.

          Më 5 marsh 1940, Stalini urdhëroi masakrën në Pyllin Katin dhe në prill 1940, kampet e lartcekura u boshatisën njëkohësisht, pra, u ekzekutua urdhëri.

     Ja edhe urdhëresa e procedurës ekzekutive, e këshilluar nga Komisari i Popullit për Punët e Brendshme i BRSS L. Beria:

     "Duke pasur parasysh se të gjithë janë armiq të autoritetiut sovjetik, NKVD (Shërbimi i Fshehtë i Rusisë) e BRSS, e konsideron të domosdoshme:

     1.- Të udhëzojë NKVD e BRSS që duhet të gjykojë përpara gjykatave speciale rastet e 14.700  të arrestuarëve, sëbashku me rastet e 11.000 anëtarëve të organizatave të ndryshme antirevolucionare... polakë, (gjithsejt 25.700 vetë, shënimi ynë), që mbahen të arrestuar në provincat perëndimore të Ukrainës dhe të Bjellorusisë si dhe të zbatojë ndaj tyre dënimin kapital: p u s h k a t i m!

     2.- Ekzaminimi i rasteve duhet të kryhet pa ftuar në gjyq të ndaluarit dhe pa paraqitur akuzat...!

     3.-Çështjet  duhet të ekzaminohen dhe verdikti duhet të shpallet nga një gjykatë e përbërë prej tre vetëve,shokët:

Merkulov, Kobulov dhe Bashtakov".

Firmosur nga:

Stalin, Voroshilov, Molotov, Mikojan, Kalinin dhe Kaganiviç.

 

     Nga urdhëri dhe udhëzimi, që jipet, përkatësisht, nga Stalini dhe Beriua për NKVD (Shërbimi i Fshehtë i Rusisë), rezulton se ndaj të arrestuarëve të zbatohet dënimi kapital: pushkatim, (pra, gjyqi mbaroi, por, pallavrat vazhdojnë), se ekzaminimi i rasteve të bëhet pa i ftuar në gjyq të akuzuarit dhe pa i paraqitur akuzat si dhe verdikti të shpallet nga një "gjykatë" e përbërë nga shokët e nominuar nga urdhërdhënësit për plojën  e projektuar!

     E gjithë kjo maskaradë tipike komuniste, është e pakonceptueshme për botën e lirë dhe demokratike. Komunizmi i relativizon dhe formalizon organet e drejtësisë, duke i mjegulluar me demagogjinë groteske se "njeriu është kapitali  më i çmuar", ndërkohë që, në praktikën komuniste, nuk tejkalon vlerën e një mize. Në këtë aspekt komunizmi e lë prapa fashizmin, por jo edhe islamizmin, i cili, në shpërthimet eksplozive, që bënë në vendet publike, nuk kursen as gratë dhe as fëmijtë!

     Të nënshkruarit për ekzekutimin e 25.700 vetëve, (në fakt, shifra e saktë e kësaj serie të ekzekutuarish ësht 27.736 vetë, brenda muajve mars-prill 1940), janë Politbyroja vicioze sovjetike, në mes tyre edhe Stalini dhe Kalinini, për të cilët, brezi ynë, në veçanti në Shqipëri, gjatë jetës studentore, jemi detyruar të lexojmë aq shumë, për moralizimet humane dhe të drejtësisë të të parit, si dhe arsimin dhe edukatën e të dytit.

     Klika e sllavofilit Enver Hoxha  aq shumë e kishte banalizuar servilizmin ndaj rusëve, sa që flitej edhe për kontributin e Stalinit dhënë gjuhës shqipe. Duke iu gjegjur provokimit të një studentit të tij, mentori im, profesor Selman Riza, do të pohonte para auditorit se "Stalini nuk ka asnjë lidhje me gjuhën shqipe".

     Vetëm kjo fjali e saktë, do t`i kushtonte profesor Rizës me përjashtim nga procesi mësimor në Universitet, bojkotim e bllokim të botimeve shkencore gjuhësore si dhe dëbim nga Tirana dhe internim në Berat.

     Hileja dinake sllavo-orthodokse, për t`ua faturuar gjermanëve masakrën në Pyllin e Katinit, dshtoi me turp, qysh në prill të vitit 1943, kur gjermanët zbuluan një varr masiv me 4.500 kufomat e ushtarakëve polakë, në Smolenskin e Rusisë të pushtuar, për t`u pranuar, botërisht, në vitin 1990, pra, pas 50 vjetësh!

     Metodat e përdorura nga ekzekutimet sovjetike kanë rezultuar analoge me ekzekutimet e mëvonëshme në vendet tjera komuniste. "Lidhja e rusëve dhe polakëve të ekzekutuar ishte identike, sepse të dy seritë e vrasjeve ishin bërë nga e njëjta organizatë, pra, nga NKVD (Shërbimi i Fshehtë i Rusisë".)

     Varret masive, të zbuluara disa muaj më parë, në zonën e Malit të Dajtit, në Shqipëri, qofshin ekzekutime të luftës apo më vonë, në kohë paqeje, kanë analogjinë e përbashkët me ato sovjetike: viktimat me duar të lidhura nga prapa dhe me shenja të vetëm të një plumbi të pistolrtës prapa kokës, të goditur buzë varrezës të përbashkët dhe të mbuluar menjëherë me dhera, duke mbjellur drunj sipër, për të fshehur gjurmët e krimit. E njëjta praktikë është zbuluar edhe në Rumani.

   Të gjitha vendimet për dënime dhe ekzekutime në Shqipëri, përgjatë gjithë kohës të komunizmit, kanë qenë politike, të kamufluara kinëse me vendime të gjykatave robote, ndërsa në fakt i bënte Sigurimi, njësoj si në Rusi.

     Analogjia e krimit në atheun e komunizmit, në Rusi, me atë në Shqipëri, dëshmohen bindshëm edhe në përpjekjen për fshehjen e krimit ose edhe faturimin  dikujt tjetër. Rasti i Pyllit të Katinit përkon me vrasjen e Mustafa Gjinishit, për të cilin u tha se u vra nga pushtuesit italianë gjatë luftës. Por,koha dhe faktet rezultuan se vrasja e tij ishte vendim i Partisë dhe mbante firmën e kriminelit Enver Hoxha.

 

     Mustafa Gjinishi, sëbashku me të atin, ishin pjesëmarrës në ngritjen e flamurit dhe shpalljen e mëvehtësishne të Shqipërisë, më 28 nëntor 1912, në Vlorë. Bashkë me dr. Ymer Dishnicën, i cili u persekutua për afro pesë dekada radhazi, ishin përfaqësues të Partisë Komuniste të Shqipërisë në Konferencën e Mukjes, të Krujës, ku u vendos lufta e përbashkët e komunistëve dhe të nacionalistëve shqiptarë kundër okupatorit dhe realizimi i Shqipërisë Etnike. Enver Hoxha, me porosi të Milladin Popoviçit, në mbremjen e komunikimit të Marrëveshgjes të Mukjes, e prishi njëanëshëm  dhe pabesisht atë, ndëshkoi përfaqësuesit e vetë, njërin me plumb dhe tjetrin me persekutim të përjetshëm, duke e degjeneruar luftën çlirimtare, në luftë civile dhe vëllavrasëse.

     Analogjia e krimit komunist u bart edhe në Kosovë, gjatë dhe pas luftës, me qëllim të marrjes të pushtetit me dhunë. Në tri burgjet rurale, të improvizuara në Llap, Llapushnik (Drenicë) dhe Novosellë (Dukagjin), të burgosurit, kryesisht shqiptarë, u ekzekutuan në pyllin më të afërt dhe vrasjet iu faturuan pushtuesit, njësoj si rusët gjermanëve, në Pyllin e Katinit, në Smolensk.

     Dyshimi i bazuar vazhdon të përfolët edhe për shumë shqiptarë të zhdukur gjatë luftës dhe ende të pa gjetur, sidomos në Dukagjin dhe Drenicë. Mbetemi me shpresën që zbulimi i të vërtetës, rreth rasteve të të zhdukurëve, në Kosovë, të mos i numërojë dekadat si në Smolensk të Rusisë.

     Ndërsa ekzekutimet në pusira të rreth 1.000 personave, kryesisht, veprimtarë të LDK-së, të ndodhura në Kosovë, gjatë dhe pas luftës, në të shumtën, janë berë me pushkë automatike, snajper e kallash, sepse ekzekutorët nuk e kishin pushtetin, si në Smolensk e Tiranë, për t´iu dhënë kundërshtarëve politikë nga një plumb pistolete prapa kokës. Por, rastet e ndriçuara më parë dhe rasti "Bllaca" së fundi, japin bindshëm autorësinë e krimit, SHIK-un (Shërbimin Informativ të Kosovës), në analogji me NKVD (Shërbimi i Fshehtë të Rusisë.)

     Analogjia e krimeve komuniste bie në sy jo vetëm për metodën ekzekutive të krimit, por edhe për qëllimin e përbashkët të këtyre krimeve, siç është marrja e pushtetit me dhunë dhe ruajtja e këtij pushteti, deri në pa kufi, gjithmonë me dajak e gjak dhe terror masiv.



(Vota: 29 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora