Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Abaz Krasniqi: Intervistë me këngëtaren e mirënjohur Leonora Jakupi

| E shtune, 19.06.2010, 06:57 PM |


Leonora Jakupi: Njeriu në dashuri dhe shoqëri duhet të përshtatet

 

Intervistoi Abaz KRASNIQI

 

Thjeshtësia e saj është për tu çmuar, çiltërsia në bisedë të bënë që të mos ndihesh monoton asnjë moment kur je me të, çdo herë me buzëqeshje në fytyrë pa përtesë përgjigjej në pyetjet që i parashtruam..Kjo është Leonora Jakupi. Këngëtarja është e pëlqyer nga një masë shumë e madhe e shqiptarëve, pëlqehet nga të gjitha moshat. Ajo tashmë ka 16 vite që është në skenë dhe vazhdon të mbetet e pëlqyer. Shpesh herë është zgjedhur si fytyra më e bukur femër e estradës dhe vazhdon ta mbajë këtë titull. Ajo gjatë bisedës që zhvilluam tregoi shumë çka për jetën dhe karrierën e saj, ajo tregoj që adhuron Zotin ndërsa urren njerëzit që bëjnë thashetheme dhe intriga.

 

Kosova Info: Çka i kujton Leonorës viti 1994?

 

L. Jakupi: Me të vërtet ka qenë një kohë e vështirë për të depërtuar në muzikë atëherë, sepse s’kanë ekzistuar institucionet, s’ke pas ku me u kyçë. Unë kam filluar karrierën në një vend i cili ka qenë larg prej Prishtinës, qendër kjo ku janë zhvilluar të gjitha aktivitetet kulturore në atë kohë. Kanë qenë emocione të pa përshkruara, sepse unë si e vogël kam filluar me këngën, kam qenë në korin e shkollës, në grupin e recituesve, në atë të piktorëve, kam qenë shumë aktive si nxënëse e mirë patjetër, edhe kur kam filluar të punoj me njerëz më të vjetër se unë, ka qenë në të njëjtën kohë edhe emocionuese edhe e çuditshme, interesante, atraktive, dalja para publikut… shumë interesant… shumë ndjenjë e mirë.

 

Kosova Info: Çka ju kujton viti 1999?

 

L. Jakupi: Ajo ka qenë periudha më e vështirë, jo vetëm për mua por për të gjithë popullin tonë. Kam qenë e detyruar ta liroj shtëpinë për shkak të luftës në Drenicë, kam shkuar në Tiranë ku edhe jam vendos me familje, atje e kam taku babin, të cilin se kisha takuar dy vite, nga atje e kemi përcjellë për në luftë. E kam potencuar shpesh herë në media se ai ma ka lënë amanet që ta bëj një këngë për Kosovën, pastaj e kam pas shumë të vështirë të rikthehem për ta bërë një këngë, edhe pse mami gjithmonë ma ka kujtuar “Nora e ke amanet prej babit edhe duhet”, pastaj edhe duke e parë që e kam edhe obligim për popullin edhe obligim për babin vendosa ta këndoj këngën “A vritet pafajësia”. Shumë të vështirë e kam pasur rikthimin në skenë, edhe sikur të mos ta kisha kënduar atë këngë me siguri që sot nuk do të kisha qenë këngëtare, e kisha pas ndonjë profesion tjetër definitivisht. Periudhë e vështirë, mirëpo ajo këngë më ka rikthyer në skenë, më ka dhënë shumë afërsi me publikun, interesant.

 

Kosova Info: Si e vlerësoni karrierën tuaj që nga viti 1999 deri tash në vitin 2010?

 

L. Jakupi: Të suksesshme definitivisht. Njeriu asnjëherë nuk mundet me qenë i kënaqur me të gjitha veprat e tij që bën, gjithmonë gjen gabime, mirëpo duke gjetur bashkëpunëtorë të mirë, kompozitor të mirë, tekstshkrues të mirë, mundohesh t’i evitosh gabimet, mundohesh me u perfeksionuar artistikisht. Mendoj që ka qenë një periudhë shumë e mirë.

 

Kosova Info: Mund ta na flisni pakës për këngën tuaj të parë “Dallëndyshe bukuroshe”?

 

L. Jakupi: Për herë të parë e kam kënduar me ansamblin “Zëri i Drenicës” në Ulqin dhe ka qenë një emocion shumë i veçantë, nuk e di, sot nuk mundem me e përshkruar çfarë emocioni kam pas, sa të dridhmat i kam pas, ngase ka pas shumë publik në sallë e unë kam qenë shumë e re, shumë e vogël në moshë, jam frikësuar mos po e harroj tekstin,. Më besoni se shumë shpesh më kujtohet ajo këngë dhe kam dëshirë që në një të ardhme të afërt me e përpunuar disi, me e moderuar edhe me e rikthyer në skenë, me ma kujtuar atë Leonorën e vogël të asaj kohe.

 

Kosova Info: “A vritet pafajësia”?

 

L. Jakupi: “A vritet pafajësia” është himn për të gjithë popullin shqiptar. Është njëra prej këngëve të mia më të mira, këngë e cila sa here e dëgjoj edhe kur nuk jam në skenë edhe kur jam në skenë gjithmonë më mbushen sytë me lot. Kjo këngë më lidh emocionalisht me gjendjen e Kosovës, të popullit tonë, vrasjet e Jasharajve, sepse unë e kam përjetuar. ngase në atë kohë kam qenë në Drenicë, më kujton rastin e babit tim e shumë çka që kanë ndodhë në atë kohë. Ajo këngë nuk përsëritet, sado që unë të mundohem, ajo nuk përsëritet.

 

Kosova Info: “Të falem ty Kosovë”?

 

L. Jakupi: Kjo këngë është bërë pikërisht për pavarësinë e Kosovës dhe faktikisht ia kam dedikuar asaj date. Edhe me atë këngë kam menduar që ta përmbylli etapën e të kënduarit këngë patriotike. Motivi i paraluftës gjithmonë ka qenë lufta për liri sepse na ka munguar ajo, dhe motivin e kemi gjetur te këngët patriotike të cilat na kanë frymëzuar në të gjitha aspektet, përderisa sot më nuk e kemi atë problem dhe mund t’iu këndojmë edhe temave të ndryshme të cilat na preokupojnë në përditshmëri.

 

Kosova Info: Kënga e fundit e Leonorës “Puthja jote”?

 

L. Jakupi: “Puthja jote”, ka qenë një këngë e cila është kompozuar për një festival të caktuar, mirëpo për shkak të angazhimeve të mija të shumta nuk kam pasur mundësi të marrë pjesë në festival, e pastaj vendosëm ta incizojmë dhe ta vizuelizojmë. Më ka pëlqyer si këngë shumë, i është përshtat shumë mirë vokalit tim, ka qenë një rrymë pak më ndryshe. Ajo pjesa anglisht ka qenë krejt rastësisht, sinqerisht.

 

Kosova Info: Si u prit ky ndryshim i Leonorës nga publiku?

 

L. Jakupi: Ndoshta pak çuditshëm prej një pjese të caktuar, disave iu është dukur interesante “Pse jo, pse të mos eksplorojë Leonora”. Sinqerisht nuk ka qenë e menduar, pasi që kënga e ka pasur tekstin e vet, mirëpo në momentet e fundit me kompozitorin kemi vendos pse te mos provojmë diçka, pasi që edhe Kosova është pjesë e Evropës, e ndoshta një ditë këngët tona do të dëgjohen edhe më larg, e pse jo, pse të mos dëgjohet zëri jonë.

 

Kosova Info: Leonora Jakupi, e bukur, sharmante, e dashur, bamirëse, dhe të gjitha fjalët më të mira të mundshme i keni marrë dhe me siguri që nuk iu duken edhe shumë interesant më. Si ndiheni kur i dëgjoni këto fjalë?

 

L. Jakupi: Pa dyshim që ndihem shumë mirë dhe padyshim që secili njeri ndihet mirë kur merr komplimente. Ndihem jashtëzakonisht mirë, shumë mirë.

 

Kosova Info: Shpesh herë jeni martuar nga mediat, mirëpo martesa juaj gjithmonë ka rezultuar në një të pavërtetë nga ju. Kur do të martohet me të vërtet Leonora?

 

L. Jakupi: Thashetheme të fundit e kam dëgjuar është se martesa ime është në tetor, mirëpo nuk është e vërtetë, ngase unë mendoj që me marr njeriu at hap duhet me qenë shumë i matur, shumë stabil, shumë i sigurt, shumë i përgatitur. Unë mendoj që ende kam nevojë për familjen time, akoma më duhet përkrahja e tyre. Nuk e di, kur e ka thënë Zoti, ndoshta edhe në tetor ka me ndodh, por njëherë nuk ka kurrgjë.

 

Kosova Info: Në shumë intervista keni treguar për mashkullin ideal të Leonorës, mirëpo asnjëherë nuk keni tregu se çka kishit sakrifikuar për të qenë me të?

 

L. Jakupi: Njeriu duhet të jetë shumë i sinqertë në dashuri, duhet të ketë një dashuri pa hile, respekt të ndërsjellët, e padiskutueshme që kur ke një të atillë lidhje do të mendosh që me atë person ke me krijuar një familje. Padyshim që njeriu i sakrifikon disa gjëra, duhet me u përshtat, definitivisht njeriu në një lidhje dhe në shoqëri, duhet të provosh të përshtatesh, duhet me i largu disa të meta që i ka. Perfekt askush nuk jemi.

 

Kosova Info: Çka urren Leonora?

 

L. Jakupi: Nuk jam njeri që di të urrej, ashtu të urrej me krejt forcën, me u mundu me e shkatërruar dikë, me e bërë të pamundurën me arrit diçka, sepse i marrë gjërat shumë me qetësi, përgjithësisht mundohem që ndonjë situatë të vështirë ta kaloj lehtë. Mirëpo, kur ia vendosi pikën një gjëje, unë i jap fund përfundimisht. Vazhdoj t’i urrej njerëzit që bëjnë thashetheme, që merren me intriga, gjëra të panevojshme, nuk e di si kanë kohë me u marr me ato punë, unë i konsideroj njerëz të ultë.

 

Kosova Info: Çka adhuron Leonora?

 

L. Jakupi: Zotin.

 

Kosova Info: A ka diçka që jeni penduar dhe keni thënë “sikur të kthehesha edhe një herë s’do ta kisha bërë kurrë këtë gjë”?

 

L. Jakupi: Nuk jam e përsosur, edhe unë i kam të metat e mia, mirëpo në përgjithësi mundohem të jem e kujdesshme që mos të bëj veprime që pastaj kam me u penduar. Nuk mendoj që kam bërë ndonjë gabim shumë të madh për të cilin isha penduar.

 

Kosova Info: Cili ka qenë suksesi më i madh gjatë gjithë karrierës suaj?

 

L. Jakupi: Sukseset për mua kanë qenë në kontinuitet, kam qenë me shumë fat që nga momenti që kam dal në skenë jam mirëprit shumë prej publikut. Ka shumë këngëtar të cilët këndojnë me vite, mirëpo fatkeqësisht nuk e kanë pasur fatin tim ose të disa kolegëve të mi. Suksesi im më i madh është fakti që pas shumë viteve në skenë unë akoma vazhdojë të kem publik në salla, njerëz që më donë, njerëz që më përkrahin, që i dëgjojnë këngët e mia, që më shpërblejnë me duartrokitje…

 

Kosova Info: Cilët janë çmimet të cilët i keni marrë e që ju i çmoni më shumë?

 

L. Jakupi: Çmimi im i parë dhe më i rëndësishmi është ai i vitit 1996, në festivalin kombëtar në Shqipëri ku jam shpërblyer si debutuesja më e mirë. Kam pas shumë çmime nëpër festivale të ndryshme, mirëpo ky më mbetet në kujtesë ngase ka qenë çmimi i parë i cili më ka dhënë një far motivi për të vazhduar më tutje.

 

Kosova Info: Cili është momenti më i mirë gjatë karrierës së Leonorës?

 

L. Jakupi: Ka shumë momente të mira, është shumë e vështirë me e nda ndonjërin. Mirëpo, unë kam mbajt shumë koncerte humanitare dhe disa prej tyre i janë dedikuar familjeve skamnore, a ka më mirë se kur të vjen një familje e cila është në gjendje shumë të vështirë ekonomike dhe të falënderohet, të përqafon dhe të është mirënjohës për gjithë jetën për ndihmën që i ke bërë, ose edhe njerëzit që vijnë në skenë të adhurojnë, përqafojnë, fillojnë të qajnë. Janë këto ndoshta momentet që më bëjnë të ndihem mirë për punën time. Ky profesion të sjell emocione të ndryshme, ka edhe të mirat edhe të këqijat e veta, edhe anë dëshpëruese edhe pozitive.

 

Kosova Info: Pse nuk keni marrë pjesë në “Vip Shpija”?

 

L. Jakupi: Nuk e kam marrë atë iniciativë, sepse kam dëshirë me e ruajt privatësinë time. Unë shumë pak dal, shumë pak ekspozohem, mundohem maksimalisht me e ruajt jetën time private.

 

Kosova Info: Në një intervistë kohë më parë keni pas deklaruar se do të bëni një libër autobiografik pasi ta lëni muzikën. Kur do ta bëni at libër?

 

L. Jakupi: Kam shumë çka me tregu rreth karrierës sime, përditshmërisë etj, mirëpo kjo ka mundësi të realizohet në një të ardhme të largët. Kur ka me dal ky libër nuk e di, ndoshta edhe kurrë, mirëpo është një ëndërr e imja.

 

Kosova Info: Pse është larguar nga you tube videoklipi i këngës “Ky është fundi”?

 

L. Jakupi: Unë kam një kontratë me një kompani gjermane qe disa muaj dhe të gjitha klipet e mia kanë me u plasu në internet përmes tyre, ata kanë biseduar me të gjithë ata që kanë publiku klipet e mia më herët në you tube.

 

Kosova Info: Çka ka të re te Leonora?

 

L. Jakupi: Jam në përgatitje të dy këngëve, po mendoj me e realizuar edhe një videoklip këtë verë, të cilin shpresoj që kam me arrit ta përfundoj.

 

Kosova Info: Cilët janë bashkëpunëtorët me të cilët po punoni për këngët e reja?

 

L. Jakupi: Njërën këngë jam duke e punuar me Florin, ndërsa kënga tjetër me Don Arbas.

 

Kosova Info: Sa jeni e angazhuar gjatë kësaj vere?

 

L. Jakupi: Jo edhe shumë, ngase verën e shfrytëzoj si sezon pushimi me familjen në shtëpinë time në Durrës. Kam dëshirë ta shfrytëzoj verën për pushim, për argëtim, me marr pak rreze dielli.