Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Gani Mehmetaj: Raporti i Mitro Agait

| E enjte, 17.06.2010, 09:59 PM |


Raporti i Mitro Agait  

 

Tregim nga Gani Mehmetaj

 

(Hetues i Shtetit Shqiptar për Prefekturën e Pejës me Istog maj-qershor 1942)

 

   Shefi i zyrës lokale të ofiçarisë ma dha një fashikull me materiale t’ia dërgoja në depo, ku ruhej arkivi. Shkova me përtesë. Era e rëndë e mykut ma zinte frymën, ndërsa minjtë lëviznin si të pakokë, me të hapur derën. Drita e zbehtë elektrike e bënte ambientin edhe më të frikshëm. Me materialin në dorë, iu afrova një rafti të ngjeshur me letra e dosje. Nga  përtesa a ngase nuk i shtrëngoja sa duhet, gjysma e vandakut më ra për toke. Duke u përpjekur t’i grumbulloja materialet, se si me shkuan sytë te një arkë e vjetër në një kënd me rangalla, që m’i kujtoi rekuizitat e filmave italianë të luftës. Lëshova letrat nga dora dhe hapa kapakun gati të thërmuar nga lagështia e mola. Më bënë përshtypje konturat e një steme në dosjen e pluhurosur. E mora i habitur dosjen. Ia fshiva pluhurin. Këtë stemë e shihja për herë të parë në një dosje: shqiponja dykrenare pa yllin pesëcepësh, si në kartëmonedhat e lekëve shqiptarë, që i ruante gjyshja në arkën e drurit. Nga kërshëria dosjen e futa pas shpine, në rripin e pantallonave dhe e mbulova me këmishë. Mezi prisja të kryhej orari i punës dhe ta shfletoja.

 

   U  ktheva në zyrë: një ditë e zakonshme pune në qytezën e pluhurosur e të përgjumur nga vapa e qershorit. Jashtë dielli përcëllonte. Ajri i thatë me pluhurin e rrugëve ta zinte fytin. Pak kush endej në pikun e vapës: ndonjë endacak dhe ndonjë qen i braktisur e truponin rrugën ose kontrollonin arkat e plehërave. Brenda në zyrë, ku punonim katër veta, bënte zabullim dhe mezi merrnin frymë, megjithëse i hapëm dy kanatet e dritareve, me shpresën se nga Gryka e Bjeshkës do të na shpëtonte fresku. Por ajri nuk lëvizte fare. Djersinim dhe zienim si patatet në ujin e valuar. Prisja pasditën, kur do të binte kjo zjarrmi qershori dhe do ta shfletoja dosjen e gjetur. Ende pa u shtrirë mirë në minderin e dhomës së ditës, ku bënte freskë, nxora dosjen. Në kopertinën e kuqe me cepa të zinj, me shkronja shtypi, lexova: “Raport i Mitro Agait, hetues i Shtetit Shqiptar për Prefekturën e Pejës me Istog”. Në faqen tjetër, m’u shpalua një shkrim i dendur: “Me datë 23 maj të vitit 1942, në Lugishtë të Istogut (më herët ky fshat mbahej me Qarkun e Pejës), u gjet i vrarë Sokol Shkoza, vjeç 25, i pamartuar. I ndjeri nuk ishte nën hetime dhe nuk kishte dosje. Me të arritur në vendin e ngjarjes me xhandarin Bardhec Syka, konstatova se i përmenduri Shkoza është vrarë me armë zjarri, pushkë maliher, nga afërsia. Pasi e shikova mirë shtatin e pajetë, erdha në përfundim me sa vijon: Sokol Shkoza nuk është vrarë aty ku u gjet, por diku tjetër; ai mori një plumb në kokë dhe nuk ka asnjë shenjë dhune a gjurmë të përleshjes. Duke gjurmuar më shumë vendin dhe terrenin e rrafshët, konstatova: Trupi është tërhequr rrëshqanë disa qindra metra, pasi është vrarë, a pasi është qëlluar për vdekje. S’ka fije dyshimi: e gjithë kjo është bërë për të humbur gjurmë, kështuqë vështirë të dihet nga cili drejtim e sollën kufomën dhe si u vra shtetasi Shkoza, sikurse që është vështirë të dihet motivi i kësaj vrasjeje. Rrugës, më saktë përtej një gardhi ndanë rrugës së shtruar me zhavorr, ia gjetën revolen “Parabellum” dhe një qostek ore, për të cilat familjarët vërtetuan që ishin gjëra personale të tij. Vrasësi (ose vrasësit) e kanë kontrolluar nëpër xhepa, për ta krijuar përshtypjen sikur e vranë për ta plaçkitur, mirëpo gjërat më të vlefshme: revolja dhe qosteku i praruar i orës u gjetën, pra ato ia nxorën viktimës nga xhepat, duke i hedhur në shelgjishte, sa për ta krijuar përshtypjen sikur është fjala për sulm cubash. Prandaj, që në fillim përjashtohet vrasja për motive të ulëta. Kjo nuk e lehtëson hetimin, sepse vrasësi a vrasësit mbetën të panjohur.

 

    Të dyshimtë mund të jenë i gjithë fshati, gjë që e vështirëson gjurmimin, por mund të lokalizohet, nëse gjendet ndonjë dëshmitar qe e dëgjoi krismën a e pa viktimën para a pas vrasjes. Motivet e vrasjes janë nga më të ndryshmet: hasmëri e vjetër, ngatërresa të çastit, që nuk dalin në sipërfaqe në kohën kur shpërthejnë, por pastaj për shkak të sedrës së lënduar- i fyeri i bluan fjalët e rënda që ia thanë, e pleqëron edhe në shtëpi këtë punë, dhe në fund vendos t’i dalë në pusi natën atij që e ka fyer, duke e lënë shakull në tokë. Pastaj me shkathtësi cubi, vrasësi arrin t’i humbë gjurmët, duke bërë përpjekje që dyshimin t’ia lë dikujt tjetër, ose duke iu shmangur dëshmitarëve. Kjo është vrasja e tretë tinëzare në Prefekturën e Pejës e të Istogut. Nga gjurmimi i mëtutjeshëm, nuk arrita të vërtetoja  në kishte lekë a napolona ari nëpër xhepa, a në kuletë, sepse nuk i gjetëm asgjë, as lekë dhe as kuletë. Shumica e djemve të moshës së tij nuk mbajnë kuletë. Rrallë mbajnë edhe lekë. Në mënyrë të sigurt mund të përjashtohet përpjekja për ta plaçkitur, por nuk përjashtohet mundësia e kapjes në punë të pamoralshme: i zënë në shtrat me gruan e huaj, i kapur në befasi prapa një sane a ahuri me motrën a të fejuarën e dikujt. Gjëra të këtilla në fshat nuk janë të rralla. Kanuni i Lekës ende është më i fuqishëm se sa ligji i shtetit shqiptar, të cilin e pranuan me eufori kur erdhëm. Por, ndjej obligim të jap ca sqarime, të cilat e bëjnë më të vështirë zbardhjen e kësaj vrasjeje. Dikur vrasja e lapërdharit të zënë me presh përdore, bëhej me pompë e më teatralizëm. Sot gjërat kanë ndryshuar. Njëri nga fshatarët e Lugishtës më tha në mirëbesim: Këto gjëra bëhen fshehurazi, për të fshehur turpin, por edhe nga frika e ndëshkimit të shtetit. Dhe zakonisht ata që bredhin natën me shkallë në krah, më qëllim- kapërcimin e një muri, a hyrjen nëpër dritare, shkojnë “sikur qeni n’ rrush”, sikurse thonë këtu. Askush nuk përpiqet të gjurmojë më për të nxjerrë hak. Në vendin ku është hedhur trupi i të ndjerit Sokol Shkoza, hetohet një vazhdar i hollë gjaku. Kufoma është e paprishur në fytyrë dhe në trup. Atë ditë dhe ditët në vijim, derisa hulumtoja rastin, mori kohë e mirë. Dielli i fundmajit, me fillimin e qershorit, më rrahu gjithë kohën. Mora ngjyrë bronzi si të bëja banjë në plazhet e Vlorës. Fshatarët punonin nga mëngjesi deri në muzg. Vështirë ta gjeje dikë në rrugë a në shtëpi. Për ndonjë sqarim a plotësim informacioni më duhej t’u shkoja në ara, ose t’i prisja mbrëmjeve kur ktheheshin në shtëpi. Xhandari Bardhec Syka, i sinqertë e babaxhan, m’u gjend gjithë kohën, por djersinte me uniformën e mbërthyer deri në grykë. Ai e pëlqente punën dhe nuk i mungonte zelli. I vinte keq për mua kur ndeshja murin e heshtjes, por nuk shihja as te ai zell që të nxirrte ndonjë fjalë më shumë, megjithëse uniforma bënte shumë efekt të fshatarët.

 

Hulumtova në fshat. Pyeta shumë njerëz. I vura në sprova me ndërhyrje të papritura për t’i hutuar, ose me aluzione. Vetëm torturën nuk e përdora. Ua bëra me dije se do t’i thërrisja sërish në bisedë, për t’i lënë në tension dhe për të sprovuar ndonjërin prej tyre të mendonte  të bëhej më bashkëpunues. Nuk pata ndonjë sukses. Megjithatë arrita të marr vesh se i vrari Sokol nuk kishte gjak borxh, nuk  fyente njerëz, nuk merrte para hua a me fajde. Të gjithë ma vërtetuan që i vrari nuk ishte ngatërrestar. Sipas rrëfimeve, ai ta jepte përshtypjen e njeriut të qetë, të afërt me njerëzit. E donin bashkëfshatarët. Por, athua, a e donin të gjithë?! Më thanë që ishte qejfli i madh. Më treguan  se, për konceptin e këtushëm, dukej i pashëm, sikurse i thonë burrit të bukur në këto fshatra. Meqë i binte disa instrumenteve dhe këndonte mirë, e thërrisnin nëpër dasma e gazmende dhe bridhte gjithë natën nëpër aventura, që nuk paraqisnin rrezik për shtetin dhe për shtetasit. Më shumë ishin aventura gazmore, ndeja të gjata deri në mëngjes, ose lojëra të ndryshme që përfundonin kryesisht me humor. Kur i pyeta në shitoren-pijetore të fshatit, a kishte dashnore i ndjeri, të gjithë e mbyllën gojën. Më shikuan me habi, rrudhën me supe dhe nuk thanë gjë. M’u duk e befasishme kjo shtangie e përnjëhershme, sepse pritej që ai  të mund të kishte  dashnore në këtë moshë, meqë nuk qe i martuar, as i fejuar. Djemtë e këtushëm martoheshin pas moshës 17-18-vjeçare. Pas moshës 20-vjeçare po u vonuan, atëherë shiheshin me dyshim dhe shumëkush pyeste: “Ç’ presin?!”. Në këmbënguljen time, njëri prej fshatarëve më tha: “Zotni hetues, ku jeton ti? Për këso gjërash nuk flitet. Janë punë me zarar!”.  E pash me habi. Ma kujtoi Labërinë!  Vazhdova të sillem nëpër fshat, të rri me njerëz, të cilët më afroheshin dhe kuvendonin me mua me dashamirësi, pavarësisht që erdha për ta zbuluar vrasësin e Sokol Shkozës. Shpesh më thërrisnin në drekë. “Më çka e ka dhënë  Zoti, o toskë”, - më thoshin me dashamirësi. Një pritje të këtillë të ngrohtë kurrë nuk e kam ndeshur më parë në vendet ku kam shërbyer nga Konispoli deri në Kukës. Mirëpo, kur filloja e flisja për punën për të cilën erdha, atëherë bëheshin të ftohtë akull, të padepërtueshëm, indiferentë dhe e kapërcenin temën e bisedës me mjeshtëri, duke ia hedhur njëri-tjetrit ndonjë cigare nga ato të kutisë me shqiponjë, ose duke pyetur për ndonjë punë që nuk ishte e ngutshme, por që ma bënin me dije se interesimin tim e mori lumi.  Më dëshpëronte kjo sjellje prej finoku, por i kapërceja mospërfilljet e këtilla. Shpresoja  nga bisedat spontane; më mundonte ndjenja e çuditshme sikur pjesa më e madhe e fshatarëve të rritur dinin për vrasjen më shumë se sa dija unë. Dinin edhe për vrasësin, por nuk e thoshin. Dhe nuk donin që unë të gjurmoja më tutje! Nuk e kuptoja pse?! Ajo që më habiste, as familja e të vrarit nuk digjej nga dëshira të më ndihmonte në zbardhjen e vrasjes dhe në kapjen e vrasësit! Nuk e kuptoja arsyen, megjithëse ndonjëherë më përftonte një dyshim që e hiqja shpejt nga mendja. Herë-herë më kaplonte një paranojë: për secilin që më dilte parasysh, a me ata që bisedoja, e pyesja veten: “A është ky vrasësi?”. Pastaj shkëputesha nga këto imazhe të çartura. Xhandari Bardhec Syka, megjithë zellin që tregonte në zbatimin e urdhrave që i jepja, këmbëngulte të ktheheshim. “Nuk nxjerr gja nga ta, zotni hetues”,- më thoshte me pikëllim: “Kthehemi në qytet, pse humbim kohë?! ”.  Nuk i ktheja përgjigjen. Kur bëhej i bezdisshëm, i thosha: “Shih, punën tënde dhe zbato urdhrat!”. Ai heshtte i dëshpëruar. Nuk doja ta pranoja se ata e dinin ose e supozonin, por nuk më tregonin. Ata e dinin edhe motivin e vrasjes dhe, prapë, nuk ma thoshin.

 

Të nesërmen e ardhjes sime, e varrosën viktimën, pasi e vajtuan dhe pasi ia numëruan të gjitha të mirat. Koha vazhdonte me vapë. Lumi rridhte ende i rrëmbushëm dhe me ujë të bollshëm nga shkrirja e borës, që sivjet thanë, ra shumë gjatë fundit të dimrit. Megjithatë fëmijët freskoheshin në rrah, ku shtrati ishte më i gjerë dhe luanin “guxhash”, një lloj golfi shqiptar. Sa do të doja të kridhesha në ujë me fëmijët e pabrenga, në vend që të bridhja arave a të rrija shtëpive të vjetra me dritare të vogla e dhoma të errëta.  Natyra dukej e mrekullueshme. Por atmosfera në fshat ishte e rëndë.

 

Krejt ndryshe me stinën që mori me diell. Në varrimin e të vrarit morën pjesë shumë njerëz. Vinte nga një familja në zë, por më thanë i ra hije e keqe familjes së tij. Kur i pyeta pse, e dredhën bisedën. Nuk më dhanë përgjigje.  Ndonjëherë isha afër zgjidhjes së enigmës. E dija edhe motivin e vrasjes. Duhej të ishte punë morali; në çastin tjetër se si më shpëtonte edhe vrasësi dhe motivi i vrasjes. Kur i bashkoja të gjitha rrethanat në një mozaik të përgjithshëm, me supozimet e mundshme: motivin, hasmëritë, ata që erdhën në varrim dhe ata që nuk erdhën. “Ishin të zënë me një punë në bjeshkë”,- më tha njëri nga ata që rrinte më shpesh me mua, kur e pyeta për burrat e familjes Tershani se pse nuk morën pjesë në varrim dhe  pse nuk erdhën as në kryeshëndosh. Megjithatë, arrita të marr disa dëshmi.

 

  Dëshmitari i parë: “Krismën e thekshme e dëgjova pak para ferkut të mëngjesit. Nuk mund ta them nga erdhi, sepse frynte një puhizë e lehtë, që e barte krismën kah jugu, por pata përshtypjen sikur vinte nga Lagjja e Gashnjanëve. Nuk dua të humb shpirt, meqë nuk e them me siguri a ishte vërtetë nga ajo lagje. Njëherë thashë, dikush duhet të ketë ndonjë gëzim, ose i ka shkrepur për pikë të qejfit të dëgjojë se si kërcet maliheri i blerë nga kontrabandistët, të cilët këta muaj janë të zellshëm në shitjen e armëve me çmime të ulëta, duke i blerë nga ushtarët italianë. Por pastaj, kur nuk dëgjova krismë të dytë, nuk m’u duk shenjë e mirë. Dola pas një kohe të shoh si është puna, kur tashmë zbardhi. Fresku i mëngjesit që ma përshkoi trupin e ngrohtë, me rrëqethi pak. Pasi eca disa qindra metra, më bëri të dyshoja një vazhdë e hollë gjaku. I shkova prapa vazhdarit, duke menduar se është gjurmë e ndonjë kafshe të egër, të plagosur natën. Eca edhe pak me dyshim: njollat e gjakut ishin më të trasha se sa të një kafshe të vogël, dhelprës a të buklës që i sulmojnë pulat natën. Pak më larg, shikova diçka të zezë. M’u duk trup njeriu, por i thashë vetes: “ Nuk është e mundur. Më bëjnë sytë, ndoshta pse jam ende pak i përgjumshëm”.  Vrasjet në katund nuk mbaheshin në mend. Vrasjet tinëzare ishin edhe më të rralla. Kur iu afrova edhe më, e pashë fare qartë, madje e njoha mirë: Sokol Shkoza! Më theri në zemër: “Eu, te thafshin krihët, por çfarë taksirati pate?!”- më duket se i thashë zëshëm i tronditur. E njihja mirë dhe nuk më besohej. Një javë më parë kënduam së bashku në dasmën e Shaljanëve. Pasi më kaloi turbullira e parë, thashë ta shoh, me pak shpresë mos ende merrte frymë, por meqë ishte pa pikë shpirti, nuk e preka.  Kisha dëgjuar që nuk duhej të prekej i vrari, derisa të vinte dikush i familjes a xhandari. Lajmërova në stacionin e xhandarmërisë shqiptare”,  - më tha dëshmitari. D.m.th.,  ky,  pavarësisht që nuk e tha, i ka dyshimet e veta për vrasësin dhe për motivin e vrasjes. U përpoqa të nxirrja nga ai në kënd dyshonte, por rrudhte me krah dhe ma përsëriste:” -Nuk dua të hyjë në gjynah me askënd, zotni hetues, nuk jam i sigurt!”.

 

  Dëshmitari i dytë:  “Para se ta dëgjoja krismën, pash një hije. Me përftoi papritmas përskaj. Ujisja arën në Lugë të Shevarit. Ai nuk më vërejti. Nuk i bëzajta as unë. Ecte shpejt dhe me hapa të lehtë si të gjahtarit. Nuk i dhashë rëndësi. Secili i ka punët dhe hallet e veta, mendova. Pastaj kaloi një kohë. Nuk e di sa duhej të ishte ora. Ndoshta pak para ferkut të mëngjesit, sepse para se të zbardhte, u dëgjua krisma e fortë që e qau anë përtej ajrin në katund. Dhe u kthye me ushtimë nga bjeshkët që na qarkojnë gjithandej. Nuk e mora për diçka të kobshme. Krismat dëgjoheshin jo rrallë. Vetëm koha ishte disi e pazakonshme ”. Në pyetjen time se “ku u ndal hija që kaloi skaj teje”, ai m’u përgjigj: “ Nuk mund ta them me siguri, sepse nuk e ndoqa më gjatë. Isha i zënë me presën e ujit”.  Me kaq përfundonte dëshmia e dytë më e shkurtër, por më konkrete.                   Dëshmitari i dytë dinte më shumë. Ma thoshte mendja dinte ku u ndal hija, por se si ngurronte kur duhej të emërtoheshin gjërat. Përfundimi im: vrasësi është nga shtëpia e fundit në fshat, fare pranë kodrave. Edhe vrasja aty është bërë. Dëshmitari i dytë dyshon se Sokol Shkoza, iu afrua asaj shtëpie. Por nuk është një vrasës, janë dy, ose i dyti ka ndihmuar në bartjen e kufomës deri te vendi ku u gjet.  Ajo që më habiti - ditën e parafundit, kur doja ta mbyllja raportin dhe ta merrja vendimin për arrest- Ceni i shtëpisë së fundit të fshatit, thanë iku në Mitrovicë, në zonën e okupacionit gjerman. U hapën fjalë sikur ai vazhdoi pastaj tutje në Kollashin. Dyshoja në njërin nga anëtarët e asaj familjeje, por nuk dyshoja në Cenin. Vrasësi duhej të ishte i vëllai, Duli. Më hutonte kjo ikje e papritur. Nuk e gjeja motivin. Mirëpo, kur e pyeta Dulin, të cilin e shoshita më gjatë dhe e mbërtheva mirë, duke mos e fshehur dyshimin, ai gjeti alibi! Doli dëshmitari, i cili më tha se Duli natën e bëri në konakun e tij. Mbeta pa fjalë. U çorodita. Qesh i sigurt se dëshmitari gënjente. Ia kthente një borxh, ose e bënte këtë për hir të miqësisë, nuk e dija, por edhe pjesëtarë të tjerë të familjes flisnin njëjtë. I kishin kurdisur. Nuk e kuptoja dot pse e vrau Sokol Shkozën! Nuk e pata të qartë motivin. I vëllai pati grua, pati arsye. Por nuk e vrau. Duli qe beqar. Dy vëllezërit jetonin me një motër ende të pamartuar, thonë shumë të bukur. Fola edhe më të. Dukej e shqetësuar, por nuk jepej. Çfarë fshihej prapa këtij lëmshi?!  Me t’u hapur fjala për ikjen e Ceni, të gjithë morën frymë lirisht. Me ikjen e tij, ai faqe botës që e dinte, por më shumë faqe meje që donte të më bindte, e pranonte vrasjen. Pse e bënte këtë gjë?! Çka fshihej prapa këtij pranimi?! Njëri nga ata që rrinte më shpesh me mua, më tha: “Pse nuk e ndërpret hetimin? Ceni e pranoi vrasjen”... “Por unë nuk mendoj se Ceni është vrasësi”,-  i thashë gjakftohtë, gjë që atë e skandalizoi. “Më parë do të thosha  vrasjen e  bëri i vëllai Duli”.  Ai më pa i çoroditur. “ A s’të mjafton një njeri që e braktisi shtëpinë e familjen, por kërkon edhe një tjetër”,- më tha jo pa mllef. “Nuk më duhet as njëri dhe as tjetri, por më duhet vrasësi. Dhe në këtë rast nuk mund të bëjmë këmbim njërin për tjetrin, pavarësisht a do të mund ta kthejmë Cenin për të dëshmuar nga zona e okupimit gjerman, ose nga Kollashini nëse ia ka mbathur atje, -vazhdova i vendosur dhe me mllef. “Dua t’i ballafaqoj e pastaj do ta arrestoj të vëllanë”. Bashkëbiseduesi im iku i dëshpëruar. Nuk donte të më kuptonte.

 

   P.S. Bashkëngjitur me këtë raport është edhe urdhër arresti me shënimet për të dyshuarin. Nga hetuesi: M. Agai. Prapa dosjes e mbështjell me letër të fortë  një notes, që i gjasonte ditarit me shkrim të njëjtë. “Miku im, atë që do të ta them në besë, është mirë ta mbash për vete. Nuk do ta tregoja, sepse është punë me zarar, mirëpo duke e njohur karakterin tënd, jam i sigurt se do ta mbash për vete. Po më dhimbsesh që e shpenzon kohën në zbardhjen e kësaj vrasjeje dhe bëhesh copë në gjetjen e vrasësit. Më dhimbsesh edhe se mund të hapesh plagë e të acarosh njerëz, prandaj të  them – ndërpreje  hetimin - nuk do të më dëgjoje. Të ta themë nuk e vlen, - prapë do të me thoshe- çdo vrasje e vlen kohën për t’u zbardhur dhe për t’u ndëshkuar vrasësi. “Sokol Shkozën e pata mikun më të mirë. Po ta vlente, i pari do të bëhesha copë ta gjeja vrasësin dhe ta vëja prapa dryrit. Nëse do ta shihja të arsyeshme, do të flijoja edhe më shumë. Por nuk e di....... Sokol Shkoza të merrte gjak në vetull, sikurse thonë toskët. Djalë i mirë që as për gjak mos ta vrasësh. I doli zëri në shtatë katunde. Këndonte mirë. Fyellit dhe lahutës u binte edhe më mirë. Aq mirë, saqë njerëzit e linin punën në ara a në mal, për ta dëgjuar kur ia fillonte këngës buzëmbrëmjeve, ose ditën kur e kaplonte përmallimi. Sytë i digjeshin flakë më të filluar këngën. Lëkura e fytyrës dhe e qafës i ndryshonte përnjëherësh; i merrte ngjyrë farfuritëse, sytë i perëndonte. Njerëzit shkriheshin pas këngës së tij. Ishte i pashëm e azgan. Vajzat e pëlqenin. Qejfli sa të duash. Sytë i shkëlqenin, kur kalonte ndonjë grua a vajzë e bukur. Edhe ato ofshanin për të. Jam i sigurt. Por ato ishin ndryshe. Nuk mund ta shprehnin këtë. Pamja e tij nuk i linte të qetë burrat xhelozë.“Gruaja kur do, i thyen shtatë dryna”, - i terrorizonte natën e ditën një pjesë të burrave të fshatit një thënie e moçme. “ Mos shpërtheftë epshi i ndrydhur i grave, se i bëjnë gjaqet në shtatë bajraqe”,- e nëpërdhëmbnin ata nëpër ndeja a mejhane të errëta nën  avujt e rakisë. Prandaj, dyshimet zienin... Sokol Shkoza, me namin e këngëtarit të mirë, u dha pas qejfeve. Nuk punonte asgjë. Nuk jetonte sikurse i gjithë fshati. Dallohej.  Kishte shkëlqimin e syve, që e pëlqenin gratë, por nuk e pëlqenin burrat. Megjithëse e kisha mik të ngushtë që nga fëmijëria, se si më dukej sikur i shpërthente diçka femërore në pamje. Nuk i mungonte burrëria, por kishte edhe diçka të rrëshqitshme, të paqëndrueshme... I bëja shoqëri nëpër dasma. Ia mbaja zërin e dytë; e përcjellja edhe në instrumente. Bënim jetë për shtatë palë qejfe. Por një ditë unë vendosa të martohem sa nga presioni i babait, aq dhe nga malli që pata për një flokëgështenjë, me sy të shkruar, nga katundi fqinj. Nuk u pendova. Qysh para se të martohesha, në fshat filluan të flasim sikur Sokol Shkoza dhe unë bëjmë jetë ciganësh, ku rafsha- mos u vrafsha, - më këngë e dafrunga. Kjo nuk shihej me sy të mirë dhe nuk dukej punë e fisme! Ne u takonim familjeve me nam. Nuk na kishte hije të merrnim rolin e maxhupëve, flisnin lartë e poshtë, por asnjëri nuk na e thoshte troç.

 

           Netët e ditët edhe më tutje i kalonim së bashku në ndeja, darsma, por edhe në gjuajtën e gurapeshëve. Por dikur pata përshtypjen që edhe ai donte të rehatohej. E pëlqente njërën nga këto bardhokat e katundit tonë, sikurse u themi ne leshverdhave. Takoheshin fshehurazi në dritën e hënës. Nuk i shqiteshin njëri-tjetrit.  E këshilloja të bënte kujdes, kur takohej me këtë bardhokë, sepse qe punë me rrezik. Ata duheshin, ose ashtu më dukej mua. Ai vazhdonte edhe më tutje jetën pa brenga. Nuk bënte përçapjet e duhura për t’i vënë kapak kësaj pune. Duhej ta merrte në shtëpi. Nga fytyra më dukej se vajza vuante më shumë. Ndërsa miku im se si e merrte këtë punë-aventurë të bukur. Pak shpresoja te kjo dashuri. E para, martesat brenda katundit nuk bëheshin, pavarësisht se u takonim fiseve të ndryshme. E dyta, familjet e tyre ishin të acaruara. Nuk kishin gjak në mes. Nuk kishin as ndonjë ngatërresë që mbahej në mend, por nuk shkonin mirë  mes veti. Ai nuk shpresonte për fund të lumtur, por i vidhte çastet e lumturisë. Një ditë, megjithë ngurrimin dhe neglizehncën e tij, që m’u duk po bëhej e pafalshme, i thashë se duhej të vendoste. Unë ngulmova t’i dërgoja dy pleq te familja e vajzës për ta kërkuar dorën e saj. Por përgjigja e familjes qe e prerë: në katund nuk bëjmë krushqi! Vajza u dëshpërua shumë. E pashë dy ditë pasi u kthyen mësitët. Djali nuk m’u duk shumë i mërzitur. Vazhdonte me jetën e shkujdesur! Takimet i vazhdonin. Pastaj, nuk vonoi dhe vajzën e fejuan në kufi me  katundin tonë. Martesa u caktua. Mendova me kaq përfundoi dashuria e tyre. U mashtrova. A mbase përfundoi dashuria, por filloi aventura që tajon adrenalinë. Ai vazhdoi ta vizitonte fshehtazi, natën, në shtëpinë e burrit. Nuk pati guximin ta rrëmbente, ndërsa tash rrezikonte ta vrisnin me turp. Nuk më tregoi, por e hetova një mbrëmje, kur e përfunduam ahengun. I thashë të rrinte te unë. Por nuk pranoi. Kur bëri një copë rrugë, më ra në sy revolja e tij që e harroi në cep të cergës. Vrapova t’ia jepja. Në çastin kur desha ta thërras, për dreq, e pashë: ai në vend të kthehej te ura drejt shtëpisë së vet, vazhdoi kah kodrat. Më habiti ky dredhim rruge. E ndoqa pas. Mbeta pa frymë kur e pashë t’i afrohej shtëpisë së huaj. Edhe më shumë u skandalizova kur kacavirrej në dritare. Siguria me të cilën ngjitej si kitra, dëshmonte se ai nuk ngjitej për herë të parë!  Nuk desha të jem dëshmitar i kësaj laperdharie. Ashtu m’u duk mua. Erdha në shtëpi i dëshpëruar. Nuk më zuri gjumi, megjithëse e pata gruan pranë që bënte kokrrën e gjumit, pa brengat e mia. Ditëve të tjera, fillova t’i shmangëm Sokolit. Nuk më rrihej me të. Nuk ishte më ai i mëparshmi. Sikur s’mjaftonte ajo që pashë. Dikush më tha shkarazi në një kthesë rruge, në muzgun e parë, që ta dija: Sokoli u shkonte natën dy femrave- gruas së martuar dhe vajzës së pamartuar, Bardhokës dhe Kablushkuqës. Iku pa përshëndetje. Mbeta shtang në rrugë. Miku im po mbytej në lapërdhari. Ia bëra me dije për rrezikun, por kot i flisja. Ai jetonte në re, i shkëputur nga kjo botë. Këngën e vazhdoi, por pa mua. Gjeti zëvendësues. Më thanë çdo mbrëmje e këndonte “Kablushkuqen”.  Kur vinte te fraza: “Shtrëngon dada me byzylykë”, më treguan që përflakej aq shumë, saqë i magjepste dasmorët, të cilët zbraznin një karikator revoleje me një frymë. Disa qeshnin nën buzë....Të tjerat i dini, zoti hetues i shtetit shqiptar”.

 

   Me Bardh Lumin, nga ky fshat, rrinim shpesh. Kishte mbaruar Shkollën Normale në Elbasan. Studimet në Itali. U kthye në vendlindje, me ikjen e ushtrisë jugosllave.  Edhe ai përpiqej të më largonte nga ky hetim, duke më bindur sikur askush nuk fitonte asgjë. “Fiton drejtësia, ti e di fare mirë këtë!” - ia  ktheja i dëshpëruar nga kjo mënyrë e të menduarit dhe nga heshtja e të gjithëve.  “Dhe çka pastaj, kur të vihet drejtësia në vend?! Dëshiron të nxisësh vrasje të reja? Turp dhe huti në fshat!”, - ma kthente ai jo më pak i mllefosur në këmbënguljen time për ta zbardhur vrasjen.  Duke e futur kokën në dhe, si makushi, nuk e ruani moralin, as e bëni fshatin më të mirë, por e mbroni vrasësin dhe e tumirni vrasjen”, - i përgjigjesha jo për ta bindur, por për t’i treguar se është koha e veprimit të shtetit e jo të vetëgjyqësisë.  Përpiqesha të qëndroja mbi logjikën konformiste. Nuk mendoja që heshtja është zgjidhja më e mirë.  Përkundrazi.

 

II.

 

Katundi dhe katundarët, që përmendeshin në këtë raport misterioz, i njihja mirë. Babai im rridhte nga ai vend. Për Mitro Again dija nëpër mjegull. Katundarët e kujtonin me respekt. “Kur erdhi ai, ngatërresat e vrasjet u pakësuan. Ai nuk të falte”,- më kujtoheshin rrëfimet e babai për hetuesin shqiptar. Ndonjëherë më dukej që babai i himnizonte nëpunësit shqiptarë dhe mësuesit që erdhën nga Tirana. E ktheja prapa gjithë fëmijërinë, për t’i kujtuar ato që më thoshte babai për të. Në raport përmendej edhe studenti, i cili tash ishte drejtor i shkollës së qytetit. Më mbyti kërshëria të mësoja për këtë vrasje misterioze, për të cilën nëna ime fliste rrëshqitazi, por kurrë nuk e thoshte as kush e vrau, as si u vra, kapërcente dhe me linte të hutuar. Ajo e pati kushëri të vrarin. E takova profesor Bardhin. Porositëm nga një birrë të ftohtë në kafenën e qytetit, buzë lumit. Frynte fresku i buzëmbrëmjes nga Gryka e Bjeshkëve të Nemuna. “Profesor, e ke njohur Mitro Again?”- e pyeta sikur të ishte gjë pa rëndësi, ky interesim imi. Më shikoi me habi, pak i turbulluar, por meqë më njihte nga fëmijëria, nuk m’u duk se i shkoi në mend se  e provokoja. “Po, ka qenë burrë i fortë dhe profesionist i shkëlqyeshëm. Me burra si ai, po të na lejonin,  do ta bënim një shtet modern e të fuqishëm”. “Si  përfundoi?”, -pyeta me nxitim për ta ditur fatin e tij.  S’di pse mendoja se ai përfundoi nën plumbat e partizanëve. Profesori ofshau thellë. Shikoi  përtej gjëmave malet e larta, që e rrethonin qytetin dhe vazhdoi: “ Nuk përfundoi. Kur hynë partizanët, doli në Greqi me grupin e Ballit Kombëtar. E mbante shpresa se do të kthehej shpejtë: komunistët e kanë shkurt, më tha, kur u përshëndetëm. Pastaj u vendos në Amerikë. Më dërgoi disa herë të fala përmes njerëzve. Një kohë e di që mori pjesë në organizimet politike të diasporës. Pastaj kohë të gjatë nuk dëgjova asgjë për të. Tash jeton i qetë, pa politikë.  Profesor Bardhi, mori frymë thellë dhe vazhdoi: “E pata model për shumë vjet më vonë, jo pse qe më i vjetër, por sepse rrezatonte energji, vendosmëri dhe patriotizëm të kalibrit të vjetër, që tash nuk i kemi. Ky soj po shuhet, disa i vranë pas luftës, të tjerët i kalbën nëpër burgje. Ata që arritën të shpëtojnë, janë në fund të botës. Mbetëm ne që iu përshtatëm situatave dhe kohës”, - ma tha me dëshpërim.

 

“ Profesor, nuk dua të ma zësh për të madhe. Mirëpo po të të pyes diçka nga kërshëria e jo me ndonjë qëllim tjetër: a do të vinte rëndë të më përgjigjeshe?”, -e shkrepa pyetjen e dytë, gjithnjë duke pasur frikë se do të mbyllej më vete. “ Dua të ta tregoj një fshehtësi, që e kam zbuluar ditë më parë”, - mora frymë thellë, shikova me  pak  frikë anash dhe vazhdova: “Gjeta një dosje nga Mitro Agai, në depon e ofiçarisë. Në raport, flitet për vrasjen e Sokol Shkozës, për të cilin ju keni dëgjuar. Agai ju përmend në atë raport “.

 

  Më shikoi edhe më i çoroditur. E hutova edhe më shumë. Nuk më ktheu përgjigje. Më shikoi ftohtë. Dhe e mbylli gojën. Nxitova t’i sqarohem: “ Për atë vrasje, kam dëgjuar në fëmijëri, por ajo që është interesante asnjëherë askush nuk ma tha shkakun e saj. As kush e vrau këngëtarin më të famshëm jo vetëm në atë katund. Hetuesi Agai e përmend në raportin e tij vrasësin e dyshuar. Ai shkruan se njëri nga vëllëzërit iku për të shpëtuar vëllanë tjetër. A është e vërtetë kjo?”.  “Dëgjo  djalosh! Ne të gjithë e kemi ditur, ose të paktën e kemi supozuar se kush qe vrasësi, mirëpo s’kishte asnjë dobi nga ai zbulim. Mbase ishim ca edhe konformistë ose besonim se ashtu qe më mirë. Shpresoja ta kuptonte më kohë edhe hetues Agai. Njëri nga vëllezërit e dyshuar iku nga katundi dhe nuk u kthye kurrë më (u hapën fjalë se pas Kollashinit, vazhdoi tutje në Bosnjë, ku thuhet se jeton dhe ka familje). Vëllanë e dytë, të akuzuar për vrasje, Mitro Agai e mori në polici, ndenji një muaj në burg dhe pastaj e lëshuan, në mungesë faktesh. Jeton në një qytet të madh. Kurrë nuk u kthye në katund. Një kohë pati një grua, e cila pastaj i iku me një tjetër dhe e la të ve. Gruaja e nëpërdhëmbur e Cenit e braktisi familjen dhe nuk di më shumë për të. Motra tjetër, që përmendej më së paku, u martua. “Cila qe arsyeja e vrasjes?”. “Punë morali, biri im. I vrari e kapërceu murin e shtëpisë së huaj, hyri në dhomën e fjetjes, ose prapa sanave, vështirë të dihet. Dihen vetëm pasojat. Dhe një kohë u shqetësua i tërë katundi, sepse vrasjet e këtilla ishin të rralla. Njerëzit flisnin me ditë e me javë për një zënkë të zakonshme, ose kur i sulmonte ujku delet. Pak gjëra interesante ndodhnin në katund, kurse për këtë vrasje, çele gur gojën: askush nuk e përmendte. Askush nuk e komentonte. Edhe kur binte fjala rrëshqitazi, vetëm ofshanin: “Fatkeqi, ashtu e pati të shkruar!”. Me kaq përfundonte. Dhe për dreq u shtrua në katund hetues Agai, që këmbëngulte ta zbardhte vrasjen, megjithëse të gjithë përpiqeshin ta pengonin. Se ashtu ua thoshte mendja se është më mirë. Disa frikësoheshin se mund t’ua nxinte fytyrën.  “Ai e bëri të veten. E mori në burg të dyshuarin, Dulë Tërshanin. E pyetën dhe e shoshitën, por i arrestuari nuk pranoi asgjë”,- fliste Bardh Lumi, duke kujtuar me pikëllim atë kohë me sy gjysmë të mbyllur, prapa syzave me kornizë floriri.

 

“ Megjithatë, profesor as Mitro Agai nuk e zbardhi deri në fund krimin”.

 

“Ai vërtet e zbuloi vrasësin, por nuk pati guxim ta thoshte. Edhe ai i pati kufizimet e veta”.

 

“Nuk të kuptoj profesor!” Ma ktheu me buzëqeshje. “E ke menduar ndonjëherë pse Mitro Agai e lëshoi Dulin, për të cilin dyshonte?”. “ Dëshiron të ta them enigmën, të cilën nuk deshi ta shpalojë as hetuesi i pa kompromis ?”.  E shikova me habi. Megjithëse herë-herë më shkonte ndërmend kjo gjë, prapë e flakja si mundësi. “Vrasjen nuk e bëri as Ceni, as Duli; e bëri e motra,  Kablushkuqja, e cila ishte fejuar kohë më parë. Së  shpejti  do të shkonte nuse. Sokoli nuk i ndahej. Ato ditë njerëzit nxitonin të martoheshin. Vinte era luftë. Në fshehjen e gjurmëve të vrasjes, e ndihmoi Bardhoka, ish e dashura e tij. Pranimin Mitro Agai e mori nga dorasja. Por nuk ia tha kujt. Kur ma dha lamtumirën, ma tha mua Mitro Agai”.  Mbeta gojëhapur. Më bëhej sikur e kisha parasysh: Hetuesi Mitro Agai u step para këtij fakti, e kapi lemeria kur  mendoi se duhej ta tërhiqte zvarrë nëpër gjyqe e në polici një vajzë dhe një grua shqiptare për turp. E mbylli dosjen dhe i dha fund rastit.