E premte, 19.04.2024, 04:51 AM (GMT+1)

Faleminderit

Ardian Klosi: Një humbje e rëndë

E enjte, 17.06.2010, 07:34 PM


Një humbje e rëndë

 

Nga Ardian Klosi

 

Një lajm të keq gjeta sot në postën elektronike. Më shkruante miku i vjetër i viteve të Filologjikut dhe kohëve të mëpasme, Ardian Vehbiu. Ulvi Vehbiu, i ati, nuk jeton më. Ndërroi jetë në SHBA pas një periudhe të gjatë vuajtjesh, prej një tumori që mjeku i mendjes nuk arriti ta mposhtte në trupin e vet.

 

Nuk më takon mua të flas për Ulviun se duhet të flasin në radhë të parë shokët e tij dhe kolegët mjekë. Por, ata do të flasin në revista të specializuara e unë dua të njoftoj lexuesit e "Shekullit", që e njohin pa dyshim të gjithë penën e mprehtë të të birit, se ka vdekur njëri nga mjekët psikiatër më të mirë të Shqipërisë.

 

Të paktën në vitet '80-të kur na u hapën sytë dhe kuptuam se sa e vështirë ishte të merreshe me psikiatri, me qetësimin e mendjeve dhe shërimin e shpirtrave në Shqipërinë e izoluar socialiste, të gjithë e thoshim nën zë se psikiatër më mirë se Ulvi Vehbiu Shqipëria nuk kishte.

 

Kam njohur mësues, intelektualë, artistë që mund t'i takoje rrugicave të humbura të Tiranës (asnjëherë në bulevard), që kishin kaluar trauma të rënda, depresione, kishin pësuar edhe elektroshokë në spitalet e kohës, që më flisnin me adhurim për Ulviun. Gati-gati si për një shenjtor çudibërës.

 

Dhe ai kishte vërtetë diçka të qetë, të heshtur, të kthyer në vete, që të kujtonte njerëzit e Zotit. Pastaj, kur feja ishte e ndaluar dhe askush nuk kishte ku t'i rrëfente tronditjet e shpirtit, humnerat që hapen para një psiqike të tronditur, i vetmi zëvendësues i rrëfyesit ishte mjeku psikiatër.

 

Dhe ndër mjekët psikiatër të Shqipërisë për Ulviun thuhej se ishte rrëfyesi më i mirë, apo të paktën i vetmi që zotëronte psikanalizën dhe drejtimet e tjera të psikiatrisë moderne që punojnë me fjalën. I vetmi që besonte në radhë të parë se mendja dhe shpirti përtërihen në radhë të parë me metodat e dijes dhe të shpirtit, në radhë të dytë ose të tretë me ilaçe.

 

Ndoshta ishin fjalë të ekzagjeruara ato që thoshin, megjithatë kur zura mik Ardin - apo më mirë pata fatin ta kem mik - mësova se në bibliotekë i kishte të gjithë, edhe Freudin, edhe Jungun, edhe Adlerin, edhe Frommin... Vetëm se i mbante në sërën e dytë të librave, fshehur pas radhës së parë që përmbante tekstet e lejuara në Shqipëri dhe psikologjinë sovjetike.

 

Nuk ishte për t'u çuditur, pasi në vitet "e luftës kundër liberalizmit" Ulviun e kishin kritikuar ashpër në fakultetin e Mjekësisë dhe në spital për përdorim literature dekadente, frojdiste etj., etj. E pyesja Ardin nëse interpretonte edhe ëndrra; ai më përgjigjej se kishte frikë (e kuptoja mirë) dhe si për ta zëvendësuar zinte dhe interpretonte Ardi ëndrrat e mia. Deri në absurd...

 

Unë nuk e kam ndjekur më doktorin në punën e tij gjatë viteve '90 e 2000, derisa vdiq dje, por jam i sigurt se askush nuk mundi t'ia kalojë më në emrin e madh që kishte si Guru i shkencës psikiatrike në Tiranë, si shpresa e fundit e sa intelektualëve, artistëve, studentëve, të cilët në shoqërinë e mbyllur shqiptare të asaj kohe, shihnin tek ai shpresën e fundit.

 

Këtë nuk e kishte arritur me mistifikime, me ngjalljen e shpresave të kota, por me dituritë e tij për fushën, me metodikën e qetë dhe realiste, me fjalët e sakta, asnjëherë iluzore që fliste me të sëmurin.

 

Sikurse di që asnjëherë nuk iu krijuan kushte, pas vitit 1991 që të jetonte dhe praktikonte me të gjitha lehtësitë që i sugjeronte emri i tij i lartë, suksesi që kishte pasur në kushtet më të vështira, kur shumë lehtë edhe armiqtë politikë i shpallnin si të çmendur dhe i dërgonin te doktor Ulviu.

 

Prej atij viti deri më sot kanë dalë shumë emra psikiatrësh, neurologësh, psikanalistësh, eksperimentuesish e sharlatanësh në këtë shoqërinë tonë. Por askush nuk arriti ta krijojë emrin që i kishte krijuar vetes, me punë dhe vetëm me punë, doktor Ulvi Vehbiu.

 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora