E enjte, 25.04.2024, 08:47 AM (GMT+1)

Editorial

Pierre-Pandeli Simsia: Flamuri Shqiptar valëvitet krenar përkrah Flamurit Amerikan në qendër të Nju Jorkut

E enjte, 29.11.2007, 09:31 PM


Nga Pierre-Pandeli Simsia
 

Nju Jork, 2007
28 Nëntori 2007 e gjeti qytetin gjigand, Nju Jorkun me një mëngjes të kthjellët dhe të freskët, ndryshe nga të ftohtët e pak ditëve më parë.
E tërë natyra njujorkeze buzëqeshte atë mëngjes; dukej sikur edhe vetë moti i kthjellët ishte në favor të Komunitetit Shqiptar me banim në Nju Jork, për të festuar ditën e shenjtë, 95 vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë, ngritjen e Flamurit Shqiptar përkrah Flamurit Amerikan në qendër të qytetit të Nju Jorkut.
Sheshi në Bowlin Green, pranë Bashkisë së qytetit të Nju Jorkut, do të mbajë në gjirin e tij Flamurin tonë të shenjtë për t'u valëvitur krenarë për pesë ditë me radhë.
Tribuna e improvizuar në atë shesh, nga përfaqësuesit e Institutit Shqiptaro-Amerikan "Skënderbeu", të cilët janë edhe organizatorët e asaj ceremonie edhe pse ora nuk kishte shkuar akoma 11:00, ora e njoftuar për fillimin e ceremonisë, Presidenti i atij Instituti, zoti Rrape Rruci dhe ndihmësit e tij i shohim përherë në lëvizje, duke vendosur flamuj shqiptarë përqark tribunës.
Turistë të ndryshëm të ardhur vizitorë në Nju Jork, qytetarë të ndryshëm amerikanë, qendrojnë dhe pyesin; "Çfarë do të bëhet këtu?"
"Është Festa e Pavarësisë së Shqipërisë" - i themi. Disa nga ata i afrohen Flamurit tonë dhe marin qendrim për një fotografi kujtimi.
Ka edhe nga ata qytetarë amerikanë që të thonë: "E njohim këtë flamur, është Albanian Flag..." I afrohen dhe e shohin, pastaj me një buzëqeshje i drejtohen disa bashkatdhetarëve shqiptarë: "Good Albania, Nice albanian people, We like Albania..."
E kush shqiptar nuk do ndjehesh i lumtur në ato çaste gëzimi, ku qytetarët e thjeshtë amerikanë, jo vetëm që e njohin Shqipërinë dhe popullin e saj, por edhe e duan atë...?
E ndërsa natyra dhe moti ishin në favorin tonë, shohim se numri i bashkatdhetarëve shqiptarë është shumë i paktë, shumë në kontrast me numrin e vitit të kaluar.
Ndërmjet atyre që kishin ardhur shohim zonjat Dashnore Bekteshi, Bule Bollati, Betula Bollati,  Marianthi Gega, Doloreza Lako, Ruzhdie Qafa... dhe zotërinjtë: Musa Paçuku, Sali Bollati, Edmond Ismailati, Riza Likaj, Bashkim Musabelliu, Bujar Golemi, Dashamir Alla, Suri Bekteshi, Sabedin Koraqi..., vogëlushët Lisi dhe Dea...
Duke menduar se dikush vjen edhe nga larg, mund të jetë  edhe trafiku i makinave i rënduar, apo edhe vështirësia e një vendparkimi, organizatorët menduan që ta shtynin edhe pak orën e caktuar për fillimin e ceremonisë. Përsëri pjesëmarja e pakët linte shumë për të dëshiruar.
Sheshi në Bowlin Green në qendër të Nju Jorkut më 28 Nëntor për të gjithë komunitetin shqiptar është vend i "shenjtë", përderisa do të mbajë në gjirin e tij të valëvitur Flamurin tonë të shenjtë dhe dihet se në kultet e shenjta të cilësdo feje  mund të jenë, pavarësisht numrit të besimtarëve që mund të shkojnë në ato kulte, shërbimi fetar do të bëhet, sikur edhe një i vetëm të jetë atje.
Kështu ndodhi edhe më 28 Nëntor 2007 në Bowlin Green. Edhe pse numri i pjesëmarrësve linte shumë për të dëshiruar, FLAMURI SHQIPTAR u ngrit me ceremoni përkrah FLAMURIT AMERIKAN, me duartrokitje, nga ata bashkatdhetarë shqiptarë dhe të huaj të ndodhur aty.
"Ne sot festojmë edhe 10-të vjetorin e ngritjes së Flamurit Shqiptar, zyrtarisht në Nju Jork. Nuk ka rëndësi se kush e organizon këtë ceremoni, ngritjen e Flamurit tonë në Nju Jork, Instituti Shqiptaro-Amerikan "Skënderbeu", apo ndonjë shoqatë a organizatë tjetër e Komunitetit. E rëndësishme për ne është ngritja e Flamurit tonë. Flamuri është i mbarë Kombit Shqiptar... Edhe neve nuk na vjen mirë kur shohim këtë pjesëmarrje të dobët, megjithëse i kam njoftuar, kam dërguar shumë njoftime edhe me e-mail shoqatave dhe organizatave të ndryshme" - tha zoti Rrape Rruci.
Shumë bashkatdhetarë morrën rrugën për të udhëtuar 5 orë nga Nju Jorku në Uashington. Pse? Për të marrë pjesë në ceremoninë që do të organizojë Ambasada Shqiptare në Uashington. Po sikur përfaqësues të Ambasadës Shqiptare në Uashington të njoftonin pjesëmarrjen e tyre në Bowlin Green?! Jam më se i bindur që pjesëmarrja do të ishte shumë e madhe. Disa nga pjesëmarrësit, pas asaj ceremonie do të niseshin edhe ata vetë drejt Uashingtonit.
Nuk ka rëndësi kush parti, shoqatë apo organizatë e organizon ngritjen e Flamurit  në sheshin e Nju Jorkut më 28 Nëntor. Nderin dhe krenarinë e ndjejmë të gjithë ne shqiptarët.
Për ngritjen e Flamurit Shqiptar në qendër të Nju Jorkut është marrë edhe miratimi nga Bashkia e qytetit të Nju Jorkut  me numër protokolli: 44295, Datë, 19 Nëntor 2007
Një tjetër bashkatdhetar i komunitetit tonë Edmond Ismailati, u shpreh: "Duke parë gjithë këto ditë përgatitore për Festën e Flamurit, erdha qellimisht në këtë orë këtu,(mora leje në punë) dhe nuk më vjen fare mirë që po shoh një pjesëmarje kaq të dobët, megjithëse Presidenti i Institutit Gjergj Kastriot Skënderbeu, zoti Rrape Ruci, ka ardhur qysh herët dhe siç po e shohim është shumë i preokupuar.
Unë e mendoj dhe e dëshiroj që për festa dhe ngjarje të tilla të shënuara për mbarë Kombin Shqiptar, ne, Komuniteti, duhet të jemi shumë të organizuar. Pse të mos dalim edhe ne me flamuj shqiptarë në duar, të veshur me kostume kombëtare...? Dua të them se ne jemi eksodi i fundit i emigrantëve që kemi ardhur në Sh.B.A. dhe shoh se nuk jemi të organizuar dhe të mirëinformuar. Nuk dua që ngjarje të tilla të rëndësishme siç është dita e sotme e ngritjes së Flamurit pa pjesëmarrjen e të gjitha organizatave dhe shoqatave të ndryshme që janë këtu, të gjykohet nga brezat e rinj si diasporë e dështuar...
Fjalën e hapjes së ceremonisë së ngritjes së Flamurit e mbajti zoti Mislim Ruci. Në emër të Bashkisë së qytetit të Nju jorkut, përshëndeti zoti Arthur Piccolo. Pastaj e morri fjalën zoti Gani Hasimi. Zonja Betula Bollati lexoi përshëndetjen: "Gëzuar Festën e Pavarësisë, 28 Nëntorin"
 
Fjala përshëndetëse e zonjës Betula Bollati
 
"Gëzuar Festën e Pavarësisë 28 Nëntorin".

 
Sot e ndjejmë veten krenarë që në mes të Nju Jorkut të ngrejmë me madhështi Flamurin Kuq e Zi, Flamurin Shqiptar.
Kur para 100 vjetësh vinin në këtë vend të bekuar emigrantët e parë shqiptarë, nuk e kishin ende pasaportën me shqipen krenare të Skënderbeut, se nuk kishte shtete shqiptar.
Por sot që e festojmë këtu së bashku Festën e Flamurit presim që së shpejti të krijohet edhe shteti i dytë shqiptar KOSOVA E PAVARUR, duke shpresuar që në 100 vjetorin e Pavarësisë të valojë ky Flamur kuq e zi në të gjitha trojet e banuara nga shqiptarët.
Krenaria jonë për këtë Flamur i ka rrënjët tek veprimtaria dhe atdhedashuria e patriotëve të Rilindjes që me gjak e sakrifica mbas 500 vjetë robërie e shpalosën Flamurin e Gjergj Kastriot Skënderbeut.
Krenaria jonë bëhet edhe më e madhe se jetojmë si shqiptarë në këtë vend të madh të demokracisë dhe lirisë.
Atdhetarët shqiptarë që në fillim gjetën këtu një atdhe të dytë, që krahas punës iu dha të drejtën për të folur gjuhën e ëmbël shqipe dhe për më tepër të krijojnë shoqata dhe institucione ku të mësojnë dhe ta shkruajnë atë.
Nëqoftëse, para 100 vjetëve Fan Noli, Konica, Motrat Qiriazi e shumë të tjerë,  kryenin veprimtari atdhetare për të ngjallur shpirtin e Shqiptarizmës.
Aq më tepër sot, ne duhet të përpiqemi që fëmijëve tanë t'ua mësojmë gjuhën e perëndisë, siç shkruante Naimi i madh.
Fëmijët tanë që u lindën dhe po rriten në këtë atdhe të dytë, që po bëhet mbështetja kryesore për Kosovën e Pavarur Shqiptare, do të edukohen edhe me gjuhën e shpirtin e shqiptarizmës dhe nesër me siguri, ashtu siç shkruan Vatranët, për t'i shërbyer Nënës Shqipëri.
Lavdi Atdheut tonë me Flamurin e Skënderbeut!
God Bless America.
 
Nju Jork, 28 Nëntor, 2007



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora