E hene, 26.09.2022, 11:49 PM (GMT+1)

Faleminderit

Ibrahim D. Hoxha: Kryeheroi i Çamërisë - Daut Hoxha

E hene, 14.06.2010, 10:00 PM


KRYEHEROI I ÇAMERISË - DAUT HOXHA

 

Daut Hoxha luftetari nacionalist, i cili me çetën e tij luftoi kundër regjimit antishqiptar grek dhe bandave kriminale të tij në Çamëri

 

Nga Ibrahim D. HOXHA, Historian-Folklorit, i biri i Daut Hoxhes

 

BEJDESHÀTI, Daut mulla Qamili (1895-1940). Me mbiemrin HOXHA u quajt pas kalimit të herëpashershëm brenda kufirit të shtetit shqiptar, mbiemër që u mbeti trashëgim edhe pasardhësve të tij. Që 17-vjeçar u dallua në luftimet për përballimin e ushtrisë mësyese greke gjatë viteve 1912-1913. Në krye të një çete luftëtarësh bashkëvendës gjatë viteve 1913-1925 iu kundërvu rreptësisht pushtetit grek dhe i shkaktoi atij dëme të ndjeshme; ndëshkoi disa ushtarakë dhe nëpunës keqbërës. Madje Daut Hoxha u bë edhe një nga krerët çamër të lëvizjes demokratike të viteve 1923-1925 në Çamërinë e brendakufirit të shtetit shqiptar. Rrjedhimisht në pranverën e 1925-s zonëkomandanti i Jugut, kapiten Hysni Dema, e burgosi. Këtë dhe 4 nga bashkëpunëtorët e vet më në shenjë, nën emrin “Grupi Demokrat Çam”, i internoi në Lezhë e pastaj në Elbasan.

Mbi veprimtarinë atdhetare të tij –veç dokumentacionit arkival- hidhet dritë edhe në fletoret: “Çamëria...”, dt. 26.9.1992, “Balli i Kombit”, dt. 26.4.1993, “Kosova” nr. 16, tetor 1993, “E Djathta”, dt. 1.7.1994, “55”-sa, dt. 15 e 17.X.2000 dhe dt. 6.8.2002, “Gazeta Shqiptare”, dt. 14.3.2001, “Panorama”, dt. 29.12.2002. E përkohshmja “AMA” nr. 2, korrik, 1998, fq. 38-40 dhe librat “Daut Hoxha”, T., 2000 dhe “Çamëria Denoncon”, T. 2002, fq. 403.

 

Qeveria greke, për të mbuluar gjakësitë, shtypjen dhe keqbërësitë e tjera ndaj popullatës së Çamërisë së robëruar, nëpërmjet makinës së vet mëkatare shtetërore, nuk la mënyrë dhe mjet të grektë pa përdorur për përgojimin dhe zhdukjen e Daut Hoxhës. Organet e dhunshme të tyre herë pas here e fajësonin me padije nga më të pabesueshmet dhe nga më qesharaket. Kurse gjykatat përkatëse në mungesë të tij shpallnin tërë llojet e ndëshkimeve. Më 27 gusht 1923 gjakatarët e paguar nga qeveria greke, ndërmjet Delvinaqit dhe Kakavjesë vranë kryetarin e Komisionit Ndërkombëtar për caktimin e kufirit shtetëror shqiptaro-grek, gjeneralin italian, Enriko Telinin dhe shoqëruesit e tij. Qeveria greke bëri çmos që nëpërmjet Lidhjes së Kombeve fajin e vet t’ia hidhte Daut Hoxhës. Mirëpo Komisioni Ndërkombëtar Hetimor i ngritur posaçërisht nga Këshilli i Lidhjes së Kombeve fajësoi qeverinë greke dhe e dënoi atë me gjobë tejet të rëndë si edhe me ndëshkime të tjera morale. Rrjedhimisht Daut Hoxha u lëshua nga burgu. Duke vazhduar përpjekjet e saj për ta hedhur në dorë gjallë a vdekur, qeveria greke u mundua ta gënjente nëpërmjet të ashtuquajturës “falje”. E kur edhe kjo gënjeshtër nuk iu besua, më 1931 qeveria greke u përpoq ta detyronte qeverinë shqiptare t’ia dorëzonte si keqbërës. Mirëpo gjyqi politik -ku ndodheshin edhe përfaqësuesit e qeverisë greke- e qiti të pafajshëm; sërish Daut Hoxha u lëshua nga burgu. Duke mos mundur të shpikte dot më ndonjë dredhi asfaliane e as të ngrinte ndonjë grackë tjetër polifemike, qeveria greke vazhdoi të dërgonte fshehtazi çeta gjakatarësh brenda shtetit shqiptar për ta vrarë. Nëpërmjet agjentëve të këtej kufirit, çetat arritën disa herë t’i zinin prita, po në të gjitha ai kishte mundur të shpëtonte, falë guximit dhe shpejtësisë së tij si dhe shoqëruesve të armatosur që mbante përherë me vete. Sado që me Zogun ishte ftohur prej vitesh, zbritjen e ushtrisë italiane e quajti të pafalshme. Tok me rreth 250 bashkëluftëtarë të andej dhe këndej kufirit shtetëror zuri krëhërin shkëmbor të Shkallës së Konispolit. Kjo bëri që ushtria italiane të hynte në Konispol 14-15 ditë pasi kishte zbritur në Sarandë. Rrethkomanda e karabinierisë që ditën që shkeli në Konispol, lëshoi urdhrin: Daut Hoxhës i ndalohet mbajtja e armëve të luftës dhe shoqërimi i tij me njerëz të armatosur. Çetat greke zunë të lëvrinin gati sheshit këndej kufirit, kurse organizatat asfaliane në fshatrat Çiflik, Mursi e Sopik –siç dëshmoi më 1960 në hetuesi Thodho Vetua nga Çifliku- u urdhëruan të ndihmonin çetat në fjalë. Bashkëveprimi i tyre bëri të mundur vrasjen pabesisht të tij më 15.6.1940 në Sheshin e Rrahut –nën Qafën e Soronesë- vend ndërmjet Konispolit e Sarandës. Qeveria greke, për të fshehur dorën e vet gjakatare, shpalli se s’kishte kurrfarë dijenie për këtë vrasje; po, kur e pa që s’e fshihte dot më tiganin nën kamillahj, u detyrua ta pranonte. Me qëllim që të shfajësohej, qeveria greke, nëpërmjet zyrës së saj të shtypit nuk la shpifje pa shpikur e pa shpallur ndaj viktimës së vet. Dhe jo vetëm kaq, nëpërmjet veglave të saj brenda shtetit shqiptar, asfalia greke turbulloi mendjen e shumë e shumë shqiptarëve miopë politikë dhe i bëri ata zëdhënës asfalianë. Për këtë paudhësi zëdhënësit e saj asfalia greke i kishte të gatshëm. Me t’u shpallur vrasja e D. H., vrungaléja greke, Vasil Panajotidhi -deri atëherë i fshehur në Ersekë nën petkun e “ëmbëltorit”- u vërsul tërbimthi sheshit. Pas tij u derdhën zvarranikët e tij, ndër të cilët edhe njëfarë Niko Lon

Protesta Çame në Hagë
Protesta Çame në Hagë

Qafëzezi dhe Dule a Xhule Skënderi nga Korça. Pjesëtarët e çetave asfaliane brenda shtetit shqiptar –ndër ta edhe 3-shja e sapopërmendur- zunë të çirreshin dhe të stërçirreshin; ata përsërisnin përherë e më me gulçima shpifjet e qeverisë greke, të shpallura nëpërmjet zyrës së shtypit të M.P.J.G. dhe fletoreve “Elinikon Melon”, “Estia”, “ Proia” etj. Gjyqtarët shqiptarë të kohës, të kërcënuar e më shumë të paguar nga asfalia, bënë çmos për të fshehur pjesëmarrësit e brendakufirit në faj.

Shpifëritë asfaliane ndaj Daut Hoxhës që rrëmuja dhe zhurma e Luftës II Botërore i kishte mbytur disi, me të mbaruar kjo, shpërthyen papritmas me tërë egërsinë dhe paturpësinë e grektë. Kredharakët asfalianë, nën emrat “internacionalistë”, “miq të popullit grek” e hiçkëla të tjera të kësojshme, “fap” e shkyen sërish kamaren e tyre ngjyrrë jo vetëm duke llomotitur poshtë e lartë në mënyrë të papërgjegjshme, por edhe nëpërmjet “Radio Tiranës”, “Zërit të Popullit”, “Koha e Jonë”, “Dita”, “Republika”, “Hosteni”, “Historia e Shqipërisë” dhe ndonjë organi tjetër.

Kështu ndaj Daut Hoxhës që kishte luftuar me përkushtim shembullor 27 vjet rresht për mbrojtjen e vatrës së vet dhe të një pjese të truallit kombëtar shqiptar, ndaj këtij luftëtari që kishte shkrirë pasurinë e tij të lakmueshme, ndaj atij që –siç vëren Albert Kotini në librin e vet “Çamëria Denoncon”(fq. 403)- u flijua vet i 13 bashkëluftëtarë: vëllezër dhe të afërt të tjerë të të njëjtit zjarr, zyrtarisht u mbajt qëndrim fyes dhe përçmues, sikur të kishte luftuar kundër Shqipërisë. Dhe në këtë mes e keqja edhe më e madhe ishte se, duke dënuar Daut Hoxhën, vetëvetiu duartrokitej dhe lëvdohej qeveria grabitqare e gjakatare greke që vrau e preu sa mundi, qeveri që Shqipërisë i kishte shkaktuar gjëma e mjerime të papërshkruara. Shkurt i thuhej: të lumtë që vrave çdo atdhetar çam që munde; rrofsh që i shkëpute trungut shqiptar Çamërinë dhe pjesët e tjera të Jugut!



(Vota: 7 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora