Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Mërgim Korça: Një libër që duhet lexuar nga çdo shqiptar

| E merkure, 28.11.2007, 06:49 PM |


Rreth vëllimit “PËR MËMËDHENË” të autorit Niko Kirka 

Kumtesë e shkruar nga: Mërgim Korça

Mërgim Korça
Shum’i dashur Niko si edhe pjesëtarët e familjes tënde të nderuar.
Të dashur miq të Nikos, pjesëmarrës,
Të nderuar bashkatdhetarë, zonja e zotërinj,
Nuk kam se si ta shpreh ndryshe, veçse plotësim i vullnesës së Zotit të Plotfuqishëm, që sot po u drejtohem juve, pjesëmarrësve të këtij tubimi, me rastin e paraqitjes vëllimit me shkrime, analiza si edhe krijime letrare të mikut të dashur Nikos.   E fillova kësisoji se vetëm Zoti ësht’ Ai që parabolën e jetës Nikos, që 20 vjeçar të torturuar për vdekje, jo vetëm nuk e këputi që në atë riní të herëshme sikundër shumë të tjerëve, por edhe mundësoi ardhjen e ditës së sotme ku Nikua po gëzon nderimin për vëllimin me shkrime dhe analiza të tijat.    E doemos përgjatë kësaj hullíje nuk kam se si të mos ndjehem edhe unë tejet i gëzuar për këtë ditë të shënuar për Nikon por, nga ana tjetër, edhe skajshmërisht i mbushur me emocione që më jepet rasti ndonëse larg fizikisht, të ndjehem në mesin tuaj tek lexohen këto radhë të mija.
Librin e Nikos, si të tjerët miq të afërt të tij, nuk diskutohet që e kam lexuar e doemos edhe shijuar.   Mirëpo të veçantat e shkrimeve të përmbledhur në të, përcaktuan edhe nevojën për t’a rilexuar duke bërë edhe shënime nëpër të, aq sa rrjeshtat e ngjyrosur me të kuqe, të gjelbër, të kaltër si edhe të verdhë, mbase janë më të shumtë se radhët e pangjyrosura !   Miqtë e Nikos që e kanë lexuar vëllimin, e kuptojnë mirëfilli shtysën e një veprimi të tillë nga ana e ime. Lidhur me lexuesit e ardhshëm potencialë, varet nga pikëpamjet e tyre se si do t’a presin materialin.   Për një gjë jam i sigurtë :  edhe të indoktrinuarit e pandreqshëm, së pakut thellë në ndërgjegjet e tyre, (edhe në mos e pranofshin publikisht), nuk kanë se si të mos e kundrojnë me respekt si materialin e paraqitur e gjithashtu edhe personalitetin me vlera të padiskutueshme të autorit të atyre analizave si edhe përfundimeve.  
Të gjitha shkrimet dhe analizat e Niko Kirkës përshkohen nga pozicionimi skajshmërisht atdhetar dhe moralist i autorit.   Domosdo lind pyetja aspak retorike :  cila shtysa që e ka bërë Nikon të pozicionohet kësisoji ?   Përgjigja shum’e natyrëshme të çon tek rrënjët e tija familjare ku atdhetári i njohur dhe tejet i nderuar Kristo Kirka ka qenë babai i Nikos.  Si rrjedhojë Nikua, që me gjiun e nënës, u mëkua me normat e pastra të moralit shoqëror, me atdhedashurínë e pakompromis si edhe me besimin në Zotin.   Mbi kta tre themele u rrit dhe u zhvillua Niko Kirka që sot na paraqitet me këtë vëllim tejet dinjitoz ku vetë titulli ia paraqit lexuesit kredon e autorit: Për Mëmëdhénë !  
Lexuesi që në faqen e parë të tregimit të parë, ballafaqohet me një relitet sa të trishtë e po aq edhe mësimdhënës :   nga njera anë prangosja e Kristo Kirkës duke e trajtuar me brutalitetin sikur të ishte një kriminel ordiner para syve të të birit 19 vjeçar, i cili e njihte t’Anë si bashkëluftëtar të Themistokliut në përpjekjet kundra andartëve si dhe osmanëve pushtues, e njihte si bashkëthemelues me Imzot Nolin të “Vatrës” edhe e njihte si bashkëthemelues edhe të Kishës Autoqefale Shqiptare.   Kjo njera anë, shëmbulli patriotik që i jepte i Ati.   Por nga ana tjetër Nikua nuk ia harron t’et edhe këshillat që i jepte ku ndershmëría, dashuria si edhe sakrifica ndaj Atdheut e gjithashtu mbrojtja e personalitetit të tij të ishin parësore.   E për këtë të fundit i kish thën’edhe përsëritur “… bir, sa herë të ndodhesh keq, shtrëngo dhëmbët !”   E përgjatë viteve të pafunda të diktaturës së kuqe, të pafunda herë u detyrua Nikua t’i shtërngonte dhëmbët që t’i qëndronte besnik mësimit të t’Et për t’a ruajtur personalitetin e tij të pa nëpërkëmbur !   Këtë gjë e dijnë si miqtë e Nikos por e rëndësishme është se e dijnë edhe armiqt’e tij.   Të pakarakterët ai i cilëson me emra e mbiemra si spiunër që nga bankat e shkollës e pastaj dora-dorës, kur vjen rasti, ai i denoncon si edhe hetuesit e torturuesit e pashpirt.  E shtati i Nikos 20 vjeçar rritet e bëhet gjigant tek mëson lexuesi se si ia ka përplasur në fytyrë edhe Aranit Çelës kur i prangosur i përgjigjet prokurorit që pohonte se nuk kishte frikë nga të mbyllurit në kafaz e Nikua i thotë : “… mbaje mënd zoti prokuror, një ditë ne do t’i marrim armët e këmbë të gjallë nuk do të lemë nga ju …!”   E doemos kërshërí është për ata që nuk e dijnë, se ç’masë urdhëroi prokurori :  tri dit’e tri net pa ushqim, pa ujë për të pirë, i prangosur në qelín’e mbushur me ujë e për më tepër duke e torturuar pesë sadistë derisa lodheshin e këputeshin ata, e nuk thyhej Nikua!  Se ku e gjenin ata kriminelë urrejtjen për t’a torturuar Nikon, e dijnë ata edhe Aranit Çela.    Kurse Nikua e di mirë se ku e gjente ai forcën t’u qëndronte atyre bishave.   E gjente ai forcën tek shtrëngimi i dhëmbëve!   Nuk ia dha Nikua kënaqësínë prokurorit me fytyrën që ia kish dhënë të përçudnuar Perëndia, që të mburrej e të thosh se e kishte thyer Niko Kirkën!  Kurse sot, mbas 60 vitesh, tek e intervistojnë Aranit bishën dhe e pyesin a e vret sadopak ndërgjegja për ç’ka bërë, ajo krijesë e pështirë përgjigjet pa as më të voglin ngurrim se vetëm kishte zbatuar ligjet e asaj kohe e prandaj edhe askush nuk e ve përpara përgjegjësíë!   Ç’fatkeqësí e skajëshme për vëndin tonë e çfarë zhgënjimi për Nikon tonë.
E kësisoji dora-dorës, duke i kaluar nëpër duar faqet e shkruara me një vërtetësí tekstesh historike të mirëfilltë por të ndershëm, logjikë rigoroze për t’u lakmuar, me një drejtpeshim të rrallë si edhe me një zemërgjerësí të pashoqe prej njeriu që godet por di edhe të falë, autori gërsheton me një thurje vërtet mjeshtërore rrjedhën e ngjarjeve të 14 viteve duke filluar që nga viti tashmë i largët 1991.   Mirëpo ai nuk është se bën kronologjí të mirëfilltë.   Niko Kirka kap probleme, simbas rrethanave të caktuara.   I trajton ato duke goditur ashpër dukurí të gabuara.   Dhe ç’ësht’edhe më e rëndësishmja, ai merr përsipër edhe shtjellon objektiva për t’u arritur!   Me pak fjalë shkrimet e Nikos konstatojnë, godasin por japin edhe direktiva konkrete.  Pikërisht këtu qëndron edhe e veçanta e shkrimeve të tija.  Ai në Shtator 1991 ngre zërin e thërret: Atdheu në rrezik. Të shpëtojmë Shqipërinë.  Këtij konstatimi i jep kokë duke propozuar të formohet lidhja Bashkimi i Shqiptarëve, e cila t’u shmanget ideologjive, kredove dhe pikëpamjeve politike e t’a largojë nga pushteti Ramiz Alinë me klikën e tij gjakatare.   Problem tejet serioz që shtronte asokohe Nikua ishte orientimi për veprim Të dënohet krimi por edhe kriminelët!  Në vazhdim trajtohet problemi se si duhen ndihmuar vëllezërit kosovarë.   Pa lënë të kalojë koha, që në Korrik të 1992-it, Nikua ngre problemin Ne dhe shovinizmi grek.  Me atë rast e godet rëndë Ramiz Alinë që e lejoi krijimin e shoqatës Omonia.  Po atje nuk pajtohet me emërimin e Eksarkut grek peshkop të Tiranës dhe i drejtohet atij, sipas mësimeve që veç patrioti Kristo Kirka mund t’i jepte, me fjalët:  O do të jetë Kisha Ortodokse Autoqefale Shqiptare, shtyllë e Shqiptarizmës, o kurrë mos pastë kishë, vegël të të huajve! Shqipëria nuk është Trojë!  E kësaj teme, përgjatë librit, autori i kthehet dhe i rikthehet 13 herë!   E analizuar më thellë kjo dukurí që e ka shqetësuar autorin, ndër të gjitha temat e trajtuara, kjo temë zë 20 % të titujve!
Nga analizat më të goditura të Nikos ësht’edhe ajo me titull Çrrënjosja e komunizmit, domosdoshmërí historike, botuar në Janarin e vitit 1993.  Un’e përcaktoj atë analizë të përkryer sa i takon drejtpeshimit të pohimeve.  Të pashoqe lidhur me shqyrtimin analitik të rrugës së ndjekur nga P.D.-ja me gabimet e saj.  Mbështetur në logjikë tejet rigoroze sa u takon masave për t’u marrë.  Dhe së fundi e quaj një dokument historik të pazëvëndësueshëm lidhur me vlerat e pohimeve të cilat do të mbeten dokument historik se si duhej qeverisur, si nuk u qeveris si edhe cilat janë e do të vazhdojnë të jenë pasojat në planin kombëtar!  
Duke bërë një sintezë të analizave të vëllimit ku trajtohet problemi i njohjes së historisë tonë kombëtare, pohimi i dhimbshëm i autorit është se Njeriu i ri socialist, me pamoralitetin e tij, i shëmbi bustet e diktatorit por e mori së rishmi pushtetin! 
Jam i detyruar të pohoj pa as më të voglën mëdyshje se, tek lexon të gërshetuara problemet e sistemit të tregut të lirë të ndërthurura me atë të pronave, parashikimet e autorit janë skajshmërisht largpamëse e kur të lexohen këto mbas dhjetra viteve do të quhen të dhimbëshme … por gjeniale! 
Duke e ndjekur veprën e Niko Kirkës përgjatë shtjellimeve të saja, nuk kam se si të mos përzgjedh si pikë referimi pohimin themelor të Emanuel Kantit, që tashmë ka fituar autoritet të padiskutueshëm në arenën politike si edhe filozofike, e doemos të bëj edhe përqasjet e duhura. Kanti  duke ballafaquar politikanin moralist nga njera anë, përballë moralistit politik, thotë se në qoftë se i pari nënështron  njohurítë ndaj ecjes përpara gjithë kujdes, d.m.th. politikën ia nënshtron moralit, i dyti nuk e respekton moralin si doktrinë teorike të së drejtës.   Ky i fundit praktikisht sillet në mënyrë të pamoralëshme si edhe përdor mjete imorale për të realizuar qëllime politike.   Shikuar nga ky këndvështrim, vëllimi i shkruar nga Niko Kirka na e nxjerr në pah autorin si personifikimin e politikanit moralist.   Përgjatë shkrimeve të tija, Nikua ka si yll polar orientimi mësimet e Atit të tij të nderuar, i cili e rriti të birin duke i mëkuar një moral të shëndoshë, atdhedashurí të skajëshme si edhe bindje fetare.   Para atdhedashurísë Nikua i sakrifikon bindjet fetare.   Por ama edhe atdhedashurínë e tij, jo idilíke por në praktikë, gjithmonë  e gjejmë brënda caqeve rigorozë të moralit shoqëror!    Shikuar nga ky këndvështrim tejet i shtrirë, të gjitha pozicionimet e Niko Kirkës sjellin një risí e cila duhet marrë si shëmbull nga brezat e ardhshëm të studjuesve.   Nikua, pinjoll i edukatës etiko-morale të brezit të Rilindasve, i detyruar dhunshëm të heshtë përgjatë gjysëm shekulli, mbas shkërmoqjes së diktaturës mundohet t’a rikthejë analizën e ngjarjeve kombëtare mbi binarë etiko-moralë. Mënyra se si Nikua i  shtron, i analizon e së fundi jep edhe objektiva për t’u arritur, të sjellin ndërmënd gjithë vargun e teoricienëve të arësyes së shtetit  që nga Machiavelli edhe Luteri e deri tek varianti më i përpunuar dhënë nga Max Weberi.  Ky shquan dhe përcakton dy etika :  atë të bindjeve, ose të brëndëshme, siç e quan ai, nga njera anë, si edhe atë të përgjegjësísë, nga ana tjetër.   Etika e bindjeve, (që janë edhe mësimet e të gjitha besimeve fetare), ësht’ajo e cila mëson të mos vrasim, të mos mashtrojmë, të mos gënjejmë, të mbajmë fjalën e dhënë, të ndihmojmë nevojtarët, etj.  e lidhur kjo edhe me të gjitha pasojat që mund të ketë një respektim i këtyre normave, (mjafton të kujtojmë këtu qëndrimin e Niko Kirkës ndaj xhelatit Aranit Çela).   Kurse etika e përgjegjësísë ësht’ajo simbas së cilës veprimet politike duhet të llogariten lidhur me gjykimin e pasojave, nga një qëndrim i dhënë, në interes të kombit, popullit si edhe shtetit !   Shikuar nga ky këndvështrim, shkrimet e vëllimit të Niko Kirkës janë një gërshetim ku pozicionimet e tija shkrijnë në një harmoní tejet të lakmueshme etikën e bindjeve të mbrendëshme me etikën e përgjegjësísë !  
Mendoj t’a mbyll këtë paraqitje timen të veprimtarisë publicistike të Niko Kirkës duke u drejtuar një thirrje politikanëve si edhe studjuesve të rinj të sotëm si edhe atyre të ardhshëm :

Ju lutem lexojeni këtë vëllim.   Ata prej jush të cilët do t’a ndjejnë nevojën t’a rilexojnë, nuk ka dyshim se gjatë veprimtarísë tyre të ardhëshme do t’a ruajnë e t’a përdorin si manual referimi sa herë t’u paraqitet nevoja !

Detroit me 26 Mars 2006