E premte, 29.03.2024, 12:01 PM (GMT)

Kulturë » Berisha

Sejdi Berisha: Mëkati i rrëfimit, simbolika e pikëpyetjes dhe ora letrare në Valbonë…!

E diele, 13.06.2010, 05:58 PM


E S E

 

Sejdi BERISHA:

 

MËKATI I RRËFIMIT, SIMBOLIKA E PIKËPYETJES DHE ORA LETRARE NË VALBONË...!

 

Kur dua të shkruaj, edhe përpara kam thënë, gjithnjë si diçka mish dhie më përzihet në mendime, që edhe shkrimin ma lëndon, por edhe më kthen prapa për t’i kujtuar ato trakullimat e njeriut në romanët e pashkruara, apo në tregimet që kurrë nuk mund të shkruhen dhe as të bëhen roman. Nganjëherë kujtoj, se këtu qëndron edhe ajo tragjedia, sepse, romani i pashkruar gjithmonë e ka peshën e veçantë e me plotë ngjarje, i cili digjet për mungesën e rrëfimit, e ka simbolikën e pikëpyetjes. Romani i pashkruar?! Romani që dot nuk shkruhet,... po, ç’do të thotë kjo. Nuk e di. Ndoshta e dini Ju...!

 

1.

Koha e pushimeve verore, jo rrallë, edhe të moshuarin e detyron të bëjë plane, së paku për t’i kujtuar ditët e shkuara, apo për t’i kujtuar të tjerët se si pushojnë. Në të kundërtën e kësaj, pushimet më bëjnë kurioz për “shkrojlat” e mia dhe për komentimet thuaj se të pakuptimta, të cilat, më shqetësojnë me historikun e jetës.

Një familje, atje, në zonat e thella dhe të kreshtave të tokës së shqiponjave, të cilës s’i bie ndërmend për pushimet verore, përpëlitet për fëmijën e vet; për vajzushën e vogël dhe si engjëll, e cila tani e sa ditë i është zhdukur pa shenjë pa dokë. Malet janë të mëshirshme, e ndoshta e kanë strehuar për t’ia ruajtur shpirtin e virgjër, për t’ia ruajtur ëndrrat, nga të cilat ndërtohet kalaja, por edhe bëhen çudira! Janë këto, lëvizje të mendjes, të cilat shpeshherë ta imponojnë edhe dëshpërimin: malet janë edhe të egra, dhe, ato mund të të kapërdijnë. Sido që të jetë, vajzën e vogël nga shkrepat krenare e pret shtëpia, shtrati i ngrohtë i saj, fustanet e bukura por edhe librat e shkronjat e para. Le ta presim atë për të na gëzuar mendjen për ta ndritur shtëpinë dhe për të na liruar nga ankthi i pasigurisë në jetë.

-Oj, vajzusha jonë,... do të të ruaj bukuria e maleve, edhe ushtima e bredhave dhe e pishave. Kthehu! Kthehu këtu, se gjithmonë na ka plasur zemra e shpirti për nga diçka,... mos na rëndo pritjen,... mos na mallko dashurinë për rritën tënde! -kjo është edhe lutja ime për Zotin dhe për ty...!

Por, asnjëherë nuk plotësohet dëshira ashtu siç mendon njeriu, i cili di të bëjë mrekullira por edhe budallallëqe ndër më të rëndat.

Dëgjoj, e besoj se keni mësuar edhe Ju, se dy vëllezër të moshuar me mbi shtatëdhjetë vite mbi supe, kanë nxjerrë kokën e gjarprit për ta helmuar njëri-tjetrin. Për arsye krejtësisht të pa arsye, ngrehin gisht mbi njëri-tjetrin dy vëllezër, dy pleq, të cilët tërë atë moshë e kanë shpenzuar së bashku. E tërë kjo duket si në përralla! Përrallë me tupan, por, edhe rast për studim, apo për ta varrosur deri në Ka të Zi!

Kur dëgjon për këtë ngjarje-llahtari, njeriu vret mendjen për të bërë nga e gjithë kjo një tregim, të cilin, edhe nëse dikush do ta lexonte, kurrë as nuk do ta kuptonte. Sa kohë kanë kaluar së bashku këta vëllezër, të cilët, që në vegjëli i rrahi koha e bukës, i bezdisi errësira, mungesa e lirisë dhe e dritës. Të gjitha këto, u lanë plagë këtyre vëllezërve prej një nëne e prej një babait! Sa herë ata janë përlotur pranë vatrës, nga e cila shumë pak delte flakë dhe ngrohje. Sa herë, deri në mesditë, njëri e ka bartur këmishën e trupit, kurse pasdite ia ka dhënë të vëllait. Sa herë i kanë mbathur me rend çorapët prej leshi e të bëra kore nga djersët dhe balta. Edhe në sofër, jo rrallë, ndoshta kanë ngrënë me një lugë, kurse qumështi i nënlokës u ka lënë shumë porosi...! Dhe, ky rrugëtim kaq fantastik, përmbyllet me dy krisma: njëra e shiton vëllanë më të madh, kurse krisma tjetër e zanon vëllanë tjetër!

Çfarë varri ka që i pranon ata, të cilët rritën, vuajtjet, por nganjëherë edhe ato pak gëzime të tyre i përmbyllen në atë mënyrë e në këtë shekull?! Dikush do të thoshte: ngjarje të tilla ndodhin kudo në botë. Ani, mirë,... Por, çfarë u bë?! Dy vëllezër e sollën njëri-tjetrin përgjithmonë në gjumë! Dhe shih. Si për habi, që të dytë kishin rënë të shituar pranë njëri-tjetrit, si të përqafuar, si t’i kishte djegur dashuria dhe malli për shoqi-shoqin. Si dy vëllezër, më,... kishin ndërruar jetë! Mendoni çfarë të doni dhe sa të doni, nëse mund t’ia qëlloni çelësit për ta hapur derën...!

Sa pa lidhje në këtë mbarim, sërish mu kujtuan pushimet verore...!

 

2.

Kaherë,... edhe kur isha i vogël, nga rrëfimet e babait më ishte shtuar kureshtja për ta vizituar krahinën e Tropojës. Dhe, si për mrekulli të Zotit, mu dha rasti që me dhuntinë dhe me peshën e këndimit poetik, të gjendem me shumë krijues në qytetin Bajram Curr. Përveç pritjes me loçkë të zemrës dhe me ngrohtësinë e shpirtit nga poetët e kësaj ane por dhe të Kryebashkiakut aq të përzemërt dhe të respektuar, malli dhe gëzimi shoqëroheshin me peshën dhe mesazhin e vargut poetik, i cili, fortë përqafohej me ato bukuri, me thepat dhe lartësitë e bjeshkëve që janë histori, që ruajnë dhe shpjegojnë histori. Të gjitha këto gjëra, mi bashkoi mendja dhe një vi e cila mëzi vërehej në horizontin meditativ, e cila përnjëherë dhe sikur përgjithmonë u zhduk,... çdo gjë u shkri në një. Çdo gjë u bë bashkë. Bjeshka me bjeshkë, dielli me hënën, fushat kodra, ndërsa, lumi Valbona u shndërrua në ujin i cili shëron plagë, u shndërrua në sytë e kaltër të drenushës, e cila vetëm sjellë dhe dhuron dashuri duke mahnitë botën,... u bashkua njeriu me njeriun!

Vargu dhe poezia, tani marrin formën e fuqisë së kallëzimit të këngës kreshnike, dhe nuk kishte forcë që mund të na ndalte udhëtimin përgjatë kanjonit të Valbonës, përgjatë atij vendi që zemrën e ka histori, që krenarinë dhe bujarinë i ka virtyt të përjetësisë. Duke u ngjitur rrugës gjarpërore, gjithnjë më sillej në mendje: Valbona këndon, Valbona ushton, Valbona trimëron, Valbona është fshehtësia por edhe drita e gjakut që kreshtat e maleve i ka shndërruar në obelisk të paparë ndonjëherë.

Dhe, çfarë duhet treguar më përpara kur të arrish në Valbonë?!... Nuk di se çfarë të rrëfej më parë. Sepse, aty madhështia të shpie në ëndrrat më të bukura, e cila madhështi është e shtresuar në brendinë e brendisë së shkëmbit, në pikën e pikës së ujit të sertshëm të lumit, në ushtimën e ushtimës së kreshtave dhe majave, në sqepin e sqepit të bilbilit dhe në këngën e malësorit. Kjo tokë e ka madhështinë përrallore, të cilën, lum ai që di ta përqafojë dhe ta respektojë! Kështu dukej atë ditë Valbona, kurse, vargu poetik desh sa nuk shpërthente kupën e qiellit të kaltër duke u shndërruar në bukuri dhe fluturim shqiponje. Kështu dukej dhe ishte Ora letrare në Valbonë e në Bajram Curr, e cila kishte marrë edhe frymën e bujarisë në Kullën e Mic Sokolit. Kështjellë kjo, e cila reflektonte dritë krenarie e pastërtie shpirti, si një tempull kurrë i rrënuar dhe kurrën e kurrës i përmbysur.

Tash, këtë kallëzim ia lash amanet vargut tim,... le të thotë çfarë të dojë. Ndoshta, nuk më tradhton...!

 

3.

Populli, gjithmonë ka qenë i lumtur, vetvetes i ka krijuar lumturi, edhe pse, shpesh ka vuajtur për dritën e dritës, për fjalën dhe këngën e lirë, për kafshatën e bukës. Këtë “fenomen” ia kanë sjellë shumë faktorë, kurse, kur të rrokë pleqëria, atëherë për shumëçka del arpallëku.

Njëri, më pat thënë se është shumë i pezmatuar, sepse, me pensionin e tij as kakërdhia nuk mund të blejë! Lëre këtë, por, këto paratë e pensionit, tash kah po shkojnë?!... Nuk e di askush. Kurse, ata të Trustit Pensional, si po e quajnë, po marrkan rroga marramendëse...

-A di gjë ti, për këtë?!

Nuk dita as si t’i përgjigjem dhe as çfarë t’i them. Por, edhe nëse di njeriu çfarë të thotë, sa ia vlen kjo, sepse, atëherë të vargohen qindra probleme, sa ta gërditin të flasësh për pensionet. Andaj, si lak në fyt mu lidhen turpi dhe uria përnjëherë!

Këto dy dukuri, tani sikur janë shokët më të ngushtë, edhe pse nuk pajtohen në mes vete. Rrogat e larta,... pasurimi,... athua cilës dukuri i takojnë? Jo, more. Nuk besoj se i takojnë turpit! Turpi është diçka tjetër... Po, po! Diçka tjetër, është...

Po, uria?! Uria është uri,... nuk është ushtri... Pajtohem që nuk po pajtohemi...! Po them kështu, sepse, në vitin 2009, nga kjo Kosovë, si duket(!) kanë “ikur” katërmbëdhjetë mijë veta. Medet, po zbrazet atdheu...! Duke i përcjellë tragjedia shumë të rinj,... shumë familje. Po, po. Dot s’më hiqet mendjes lumi Tisa, në të cilin u fundosen ëndrrat e gjashtëmbëdhjetë anëtarëve të familjeve të kësaj toke. Uji i Tisës, tash le të flasë për shpirtrat e tyre,... Ata, pastaj le të flasin kudo qofshin, edhe në fundin e lumit, për dertin dhe zorin e tyre për ta braktisur vendlindjen e atdheun,... le të flasin për dëshpërimin, për ëndrrat e shkurtuara,... për ëndrrat e shëmtuara!

E, morali, thuhet se shkruhet e shpjegohet në mënyra të ndryshme, i cili, pastaj të sjellë në dilema se çfarë fshihet përbrenda kësaj “kutie” aq të bezdisshme dhe aspak të pëlqyer. Në te, a fshihet apo struket lufta, personaliteti, ndoshta sekreti i natyrës,... lulet dhe dielli! Dhe, pasi të hapet, nëse hapet ndonjëherë kjo far “kutie”, çfarë të shohësh; një copë buke të mykur dhe dora e shtrirë për ta kapur rrezen, ama vetëm një rreze të ikur të diellit... Apo, e sheh një pikturë të papërfunduar, të cilës, dot s’ia kapërthen kuptimin, nëse ka kuptim! Por,... ndoshta është kohë e ngrirë kjo,... apo, kohë që nuk ecën,... Koha, ecën... ikën!

E,... sërish më mundojnë këta dy “shokë”: turpi dhe uria...!

 

4.

Simbolika e pikëpyetjes, njeriun kureshtar dhe kurioz, jo vetëm se nuk e le të qetë, por edhe e vë në sprova për gjërat nga më të ndryshme. Para do ditësh, ishte “lakuar” problemi në Ballkan, në Evropë, pra edhe në botë. Dhe, si gjithnjë, kur flitet për tokën e lashtë, kur flitet për Kosovën, është normale që çdo fjalë të konsiderohet me peshë, me vlerë, me mesazh e me qortim.

“Kosova, është guri i fundit i një themeli të ri në Ballkan...”, kështu kishte deklaruar Kancelarja gjermane, Znj. Merkel. Dhe, çfarë mendime vërshojnë për këtë vend, i cili ka marrë nismën e rehatimit të vetvetes, por që, një adalet problemesh pjellin, ose, vet i pjellim e të tjerët na ndihmojnë. Histori e gjatë është kjo çështje e cila do durim, thash vet me vete, duke dashur me qëllim tu iki shumë përplasjeve, të cilat janë shndërruar, si rrjetë merimangash, nga e cila vështirë se mund të dilet pa ia dhënë haraçin merimangës! Mirëpo, ta lëmë këtë problem si zvarrë,... Ndoshta zgjidhet vet! Jo, jo. Ndoshta e zgjidhim mençur, por, mos të harroj: më flet njeriu, i cili nga malli apo nga kureshtja, kishte hyrë në bibliotekën e vet dhe ia kishte lëshuar një shikim tërë atyre librave që dikur i kishte lexuar. I kishte marrë nëpër duar edhe veprat e veta duke i shfletuar një nga një me pezmin e kohës dhe të moshës. Dhe, çfarë kishte ndodhur?!

Asnjërën vepër dhe asnjë libër nuk i kishte njohur më. Si të mos i kishte lexuar,... si të mos i kishte shkruar as ato të vetat! Pasi kishte qëndruar një kohë në bibliotekën tashti të ftohtë-akull, përnjëherë e kishin kapluar ethet, djersët dhe lotët. Dhe, çfarë kishte bërë?! Si ngushëllim e kishte zgjedhur krevatin, në të cilin ishte përplasur si cung druri dhe sipër vetes e kishte hedhur një batanije për ta ngulfatur dënesjen e për t’i terur lotët për jetën e harxhuar... Kaq...!

 

5.

Në shënimin e 30-vjetorit të vdekjes së aktorit, piktorit dhe krijuesit O. G., takova një mik timin, i cili është edhe krijues edhe njeri i mirëfilltë i vlerave shpirtërore, D. D. Pasi që u përshëndetëm, më tha:

-Lexova se i kishe falë aq shumë libra bibliotekave të shkollave dhe të disa qyteteve. Mos më keqkupto, por desh jemi qarë duke qeshur unë me disa shokë. U thashë: sigurisht nuk i janë shitur librat dhe ka dashur ta lirojë shtëpinë nga to!

Sërish qeshi. Mirëpo, duke e marrë këtë shaka si çështje humori për “dukurinë” e pozitës së librit tek ne, iu përgjigja:

-Nuk ua kam falë, por ua kam dhuruar! Bile, ua kam dhuruar atyre bibliotekave, të cilave, sidomos në disa shkolla, deri dje u kishte rënë pluhuri i harresës. Për këtë, kujtoj se kam bërë shumë mirë. Kurse, disa shkolla me libra i kam nderuar me qëllim të themelimit të bibliotekave të tyre.

Në vetvete e komentova këtë shaka të mikut tim, me të cilin, dikur, shumë më herët, me shkrimet tona begatonim gazetën studentore “Bota e Re”. Dhe, në fund e përmbylla komentimin me vetveten: është e vërtet se libri shumë pak shitet por edhe shumë më pak lexohet! Por, ama, unë deri me sot kurrë nuk kam shitur libra por vetëm kam dhuruar. E po,... çfarë duhet bërë që libri të bëhet mik dhe pjesë e pandarë e njeriut?! Çfarë dhe si duhet vepruar që libri të lexohet më shumë kudo, bile edhe në autobus, edhe në tren, edhe duke pritur avionin... si në tërë botë. Si ta zgjidhim këtë nyje,... tash unë po pyes...!

Dhe, krejt në fund. Shpeshherë, përpara, e për habi, edhe tash më ka rënë të dëgjoj se stacioni i trenit i ngjanë lotëve dhe gëzimit,... lotëve të hidhërimit! Një piktor kishte magjistruar pikërisht në këtë temë. Sa interesant. Stacioni i trenit-lot hidhërimi,... lot gëzimi...

Në tërë këtë amulli rrëfimesh, dikush do të mund të shtronte pyetje pa lidhje: cili është dallimi në mes të zgjedhes dhe kularit?! Sa pa lidhje edhe kjo....

Atëherë, cila është simbolika e pikëpyetjes,... e, cili është mëkati i rrëfimit,... përrallë e gjatë edhe Ora letrare në Valbonë. Kush mund ta kuptojë...?! Por, mos e lodhni kokën për këtë,... mos e lodhni kokën për asgjë...!



(Vota: 17 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora