E shtune, 01.10.2022, 09:26 PM (GMT+1)

Faleminderit

Luan Çipi: Takim me akademikun Bardhyl Golemi

E diele, 13.06.2010, 06:58 PM


 

TAKIM ME AKADEMIKUN BARDHYL GOLEMI

 

Nga Luan Çipi

 

Po i afrohet 77 vjetorit të lindjes dhe çuditesh me freskinë dhe kapacitetin mendor të Bardhyl Golemit, njërit prej anëtarëve më të vjetër të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

 

Them se kam pasur fatin dhe nderin ta kem njohur doktor profesorin dhe shkencëtarin e mirënjohur Shqiptar, Bardhyl Golemi, qysh në fëmijëri dhe të jem ulur shpesh ballas me të, në të njëjtën tavolinë, si shok dhe mik. Këtu, përballë njeri tjetrit, edhe me shume se në përpjekjet dhe mundin shkencor, kur i përqendruar, është thuajse dal jete, në pasionin dhe dhuntinë e tij prej njeriu të veçantë, këtu, sy me sy, njihet më mirë dhe zbulohet e plot madhështia e njeriu të vërtete. Në këto kushte, midis shokësh të vjetër, shumica të ardhur nga Vlora prej vitesh në Tiranë, duke ngrënë së bashku një darkë të thjesht, në një rast përvjetori lindje, janë formuar prej meje këto vargje për të:

 

BARDHYL GOLEMIT

                   

Në 70 vjetor

 

Me emrin e madh Bardhyl,

Bardhësi, besë karakter,

Librin dhe penën në mill

Kurdoherë mbajte me nder.

 

Që nga Lenci e nga Sharli

Ohmi, Volta e Faradej,

Edisoni e Xhejms Vati,

Xhejms Klark Maksvell,

 

Henri Herc e Guljem Markoni,

Shpikësi Tomas Edisoni

Për shumë ditë, në dhjetëra vjet

Qenë për ty idhuj në jetë.

 

Ndër shokët gjithnjë në ballë,

Kalon në një vit, dy klasë

Vlora, të rriti  si djalë,

Tirana, nisi të flas,

 

Bjer e ngriu, me lexim,

Vërtetim, eksperiment,

Pa pushim, pa dëfrim

Si shkencëtar i vërtetë.

 

Kudo fitove besimin

Mësues, lavdi e nder

Thjeshtësia, mirëkuptimi,

Fjala, besa, morën vlerë.

 

Jo vetëm si pedagog,

Metodist e novator,

Një drejtues i pa shok,

       Dhe doktor e profesor.

 

Këto çdo student i thotë,

Kudo e me zë të lart

Kur, përhapur nëpër botë,

Maten si të barabartë.

 

Ti, ke qenë fort prodhimtar

Program, tekste mësimore,

Në krye mbi arsimtarë,

Autor librash shkencore.

 

Mbledhur sot kujtojmë, gëzojmë

Midis shokësh të vërtetë,

Përvjetorin të festojmë

Të na rrosh dhe 100 vjet.

 

Po pse ky frymëzim poetik për protagonistin e kësaj darke shokësh?

Bardhyl Golemi është autor i disa mijëra faqeve të shkruara në libra të veçantë dhe në tekstet e universitetit për elektroteknikën. Ai, gjatë 55 viteve ka punuar me 80 breza studentësh dhe ka përgatitur 4700 inxhinierë, prej tyre më shumë se 500, në Universitetin e Prishtinës, ku ka dhënë leksione të elektronikës për dhjetë vite me radhë. Ai, ndër të rrallët intelektualë nga Shqipëria, është takuar me Kosovën në vite të vështira për fatet e saj, duke zbuluar, nxitur e kultivuar te të rinjtë e Kosovës, sidomos te ajo e Universitetit të Prishtinës, jo vetëm dëshirën për të studiuar, por edhe shpirtin e ndezur nga zjarri i lirisë, si dhe ëndrrat e bukura, për ta parë Kosovën të pavarur.

Bardhyl Golemi,  shkencëtar i sotëm, nuk lindi si një rastësi. Ai i ka pasur të dy prindërit e tij mësues. Ata janë me origjine nga qyteti i Gjirokastrës, po më gjatë, kanë punuar në rrethin e Vlorës. Babai i tij, Muhamet Golemi ka qenë një burrë i ditur dhe i respektuar dhe si në Sarandë dhe në Vlorë kishte fituar dashurinë dhe simpatinë e të gjithëve, ndërsa Xhemileja ishte  dhe ajo një mësuese e nderuar dhe e respektuar nga të gjithë, për taktin pedagogjik, urtësinë dhe ëmbëlsinë e fjalës së saj.

Talenti i gjithanshëm dhe prirjet për t’u bërë dijetar, Bardhyl Golemit, iu shfaqën herët. Të gjitha klasat, që nga fillorja në Universitet, ai i përfundoi me notat "shkëlqyeshëm"! Gjimnazin e mbaroi në Vlorë me "Medaljen e Artë". E veçanta tjetër është se, duke qenë student i shkëlqyeshëm i Universitetit (në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike), Tiranë,në vitin e fundit të tij, duke qenë vetë student, u caktua të jepte leksione për bashkë studentët e viteve të para. Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike, si student i parë i tij, e përfundoi me nota shkëlqyeshëm e po këtë vit u emërua pedagog i Universitetit. Ai ishte, gjithashtu, ndër të parët, që në vitin 1979 mbrojti doktoratën, dhe prej 31 vjetësh mban gradën "Doktor i Shkencave" elektroteknike, veç titullit "Profesor", ndërsa prej 11 vjetësh është zgjedhur edhe Anëtar i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë. Detyrat

 drejtuese në strukturat e Universitetit e jashtë tij, kanë qenë të shumta.

 Bardhyl Golemi është autor i mijëra faqeve studimesh shkencore, publikuar brenda e disa edhe jashtë vendit. Ai është Laureat i Çmimit të Republikës të Klasës së Parë dhe i disa Urdhrave të tjerë. Para pesë vjetësh, në prani të akademikëve, profesorëve e specialistëve, Akademia e Shkencave organizoi promovimin e veprës së plotë të Bardhyl Golemit në librin "Bazat teorike të elektroteknikes" një traktat në tre vëllime dhe 1400 faqe

 Është një fakt i rrallë, që edhe pa qenë anëtar partie por duke çmuar vlerat dhe ndershmërinë në punën për t’i shërbyer Atdheut, në kundërshtim me mentalitetin e kohës, që në poste të larta duhet të ishin komunistë, ai pa qenë i tillë, qysh atëherë, falë dhuntive drejtuese e organizative dhe profesionalizmit të tij të spikatur, u caktua Zëvendës Ministër i Arsimit, për arsimin e lartë dhe të mesëm, detyrë që e kreu me zotësi e ndershmëri për mbi 10 vjet (1981-1991).  Në këtë kohë u caktua edhe Kryetari i Komisionit Kombetar  i UNESCO-s  për Shqipërinë, detyra që e nderojnë atë, sepse i kreu me nder dhe devotshmëri.

Edhe pas viteve 90, Bardhyl Golemi, si dhe më parë, mbeti njeriu i  arsimit dhe i shkencës e nuk u përfshi  drejt për drejtë në politikë e as në ndonjë parti të veçantë politike. Detyra të tij e përditshme ishte dhe është pjesëmarrja aktive në punimet shkencore teorike e praktike, në institucione e firma që lidhen me fushën e tij,  duke zhvilluar deri ne ditët e sotme leksione e seminare të ndryshme, në Akademi dhe Universitet , si dhe jashtë tyre, në qarqet intelektuale e shkencore, në Shqipëri e Kosovë. Ai, së fundi veç botimit të librave në ndihmë të studentëve dhe inxhinierëve elektrikë, po merret me studime të tjera të rëndësishme  për problemet e bioelektromagnetizmit dhe impakteve të tij shëndetësore, me problemet e depistimit elektromagnetik në mjedisin e Shqipërisë; është angazhuar në udhëheqje doktoraturash, në përgatitje mikrotezash për studentët e ciklit të dytë, si dhe është

 përfshire në juri për miratim doktoraturash e studime të tjera.

 Këtë punë gjysmë shekullore Bardhyl Golemi e bën edhe sot me pasion e dashuri, ndërsa fjala e tij peshon e vlerësohet, nga të gjithë Shqiptarët, gjithnjë e më shumë, këtu dhe në Kosovë, që ngelet për të, gjithë herë, një kujtim i përmallshëm e një dashuri e veçantë .

 



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora