Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Emil Lafe: Fjalë kujtimi e nderimi për Vladimir Dervishin

| E diele, 13.06.2010, 06:13 PM |


FJALË KUJTIMI E NDERIMI PËR VLADIMIR DERVISHIN

 

Nga Profesor Emil Lafe

 

Është shumë e dhimbshme për një profesor që t'i japë lamtumirën studentit të vet, sidomos një studenti nga ata që vijojnë punën e profesorit dhe e shpien më tej, sipas detyrave e kërkesave të kohës së sotme. Në vitin 1980 kam qenë përgjegjës si Sektorit të terminologjisë në Institutin e Gjuhësisë në Tiranë, kur V. Dervishi filloi punën te ne. ai sapo kishte kryer studimet e larta në degën e gjuhës dhe letërsisë angleze në Universitetin e Tiranës. Përgjithësisht ata që kryenin atëherë Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, thurnin ëndrra më të bukuar për të ardhmen e tyre sesa puna për terminologjinë e gjuhës shqipe. Shumë të rinj synojnë të ngjiten lart duke kërkuar ndonjë shkallë dhe ndonjë pikë ku ta mbështesin. Vladimir Dervishi ndoqi një rrugë tjetër: ai iu përvesh punës së mundimshme për të ndërtuar me krahët e vet një kullë, kullën e kërkimit shkencor. Terminologjia është një nga fushat më të rëndësishme të punës për gjuhësinë shqiptare. Atëherë ne kishim vendosur që në të gjithë fjalorët tanë terminologjikë anglishtja të ishte gjuha e huaj kryesore (më parë ishte kryesisht frëngjishtja). Ishte një fat për ne që morëm për këtë detyrë Vladimir Dervishin. Jo vetëm se ai ishte një nga studentët e shkëlqyer, por edhe sepse, për çudi, i pëlqeu puna. Ulej në karrige e nuk ngrihej, zhytej në lexim, dëgjonte me vëmendje udhëzimet e këshillat, i merrte punët seriozisht e me zemër dhe përpiqej t'i bënte edhe më mirë nga sa i kërkohej. Vladimiri dha një ndihmesë të madhe në punët praktike të sektorit tonë. Por krahas kësaj nisi të studiojë edhe teorinë e terminologjisë, shkollat e ndryshme shkencore në këtë fushë, veçanërisht  shkollën terminologjike të Eugen Wüsterit. Disertacioni i tij i doktoratës solli një zhvillim të ri në terminologjinë shqitare. Ai ka dhënë një ndihmesë të madhe sidomos për Fjalorin e termave të mekanikës në pesë gjuhë. Vladimir nuk njihte orar në këtë punë. Edhe mbrëmjeve shpesh ishte në zyrë, se nga puna e tij varej vijimi i punës së komisionit.

Edhe pas largimit në San Diego Ladi i mbajti lidhjet kolegjiale e shoqërore me Institutin. Ai u përpoq që Instituti ynë të përfitonte nga përvoja dhe dashamirësia e Universitetit të San Diegos. Si bashkëpunëtor i vyer i prof. L. Newmarkut në hartimin e Oxford Albanian-English Dictionary, V. Dervishi ka merituar prej profesorit të tij fjalët më të zgjedhura: "Most of all, this dictionary odes much of its special character to Vladimir Dervishi, whose sensitive, erudite, and copious contributions merit more than simple thanks."

Bashkë me kolegun tim Ferdinand Leka i prisnim me kënaqësi të veçantë vizitat e Ladit në Shqipëri, se mësonim prej tij shumë gjëra interesante nga mënyra e punës dhe jeta kulturore-shkencore në San Diego, ku ishte vendosur. Kemi bashkëpunuar me të edhe në redaktimin dhe përgatitjen për shtyp të "Dhiatës së Re" Versioni CHC (Tiranë, 2000). Me këtë rast kemi diskutuar në një atmosferë mirëkuptimi e bashkëpunimi, një varg problemesh gjuhësore të përkthimit dhe terminologjisë biblike në përgjithësi. Ishte një përvojë e hapësirë e re pune, për të cilën e falënderojmë.

Vladimir Dervishi ishte një burrë me vullnet të fortë dhe me besim të thellë tek e mira e tek Zoti. Ai u nda nga jeta dhe nga puna në një kohë kur ishte plot energji dhe optimizëm për të ardhmen. Ai ka lënë vepra të dobishme dhe kujtime të mira te të gjithë. Le të jenë këto ngushëllimi më i mirë për bashkëshorten e tij të devotshme dhe për djemtë e tij. Shpirti i tij pushoftë në paqe!