Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Këze Kozeta Zylo: Kur krijimtaria letrare bëhet pjesë e halleve e gëzimeve të kombit tënd

| E diele, 13.06.2010, 05:01 PM |


Kur krijimtaria letrare bëhet pjesë e halleve e gëzimeve të kombit tënd

 

(Bisedë me zotin Namik Selmani, me origjinë nga Çamëria, shkrimtar, poet, publicist, fotograf, pedagog i gjuhës amtare dhe fitues i disa cmimeve letrare dhe kombëtare)

           

Për rastësi mësuesi i letërsisë e ka në statusin e tij edhe si lëndë të parë fjalën e bukur letrare të të gjithë kohërave.  E them këtë se me përjashtim të ndonjë shkolle-model si ajo Normale nuk sheh një shkollë të mesme që të ketë një Muze të mirëfilltë, madje as edhe një Himn të zakonshëm.  Bëhen e paraqiten lloj-lloj projektesh, por nuk ka projekte për të tilla nisma. Nuk mund  të ecësh para pa patur një traditë që ti duhet ta pasurosh.  Më pëlqejnë shumë tema të tilla dhe mendoj se në një të ardhme të afërt do të merrem me një monografi tjetër të këtij lloji.  Edhe kur ka patur përpjekje të tillë kanë dështuar e tani të gjithë jemi kthyer në Robinsonë modernë.  (Namik Selmani)

 

Vepra të botuara:

1.      “Vatra e mallit “-poezi-2000

2.      “Zërat e brigjeve të mia”-poezi’-2003

3.      “Dallandyshet e Çamërisë“ Proza -2004

4.      “ Trokitje në Dodonë “ –proza-2005

5.      “ Kroi i këngës çame”-poezi-2005

6.      “ Fari çam”-poezi-2006

7.      “ Kërkoj monumentet” proza-2007

8.      “ Shpirti çam”-poezi-2007

9.      “Abaz Dojaka - Mjeshër i Kulturës Popullore”- Monografi-2007

10.  “Filizët e fjalës gjimnaziste” -Botim pedagogjik-2007

11.  “Rruga e një shkolle” -botime për shkollat profesionale 2007

12.  “Arkivi i fjalës “- Botim për kulturën e shkruar- 2007

13.  “Dritaret e besimit “ poezi-2008

14.  “Djepi i këngës “ poezi-2009

15.  “Portat e Bashkimit “ proza -2009

16.  “Të fala nga Çamëria “ proza -2009

17.  “Ujëvara e tingujve”- Proza -2009

18.  Ka në proces botimi librin me proza  “Rilindje” 2009 dhe vëllimin poetik “Gjarpëro, moj pikëlore”

 

Ç’do të thotë për shkrimtarin Namik Selmani të ushtrosh detyrën e mësuesit një jetë të tërë e ndërkohë të gjejë kohën për të patur një begati botimesh letrare

 

Që në antikitetin e secilit vend apo e thënë më mirë e vetë shoqërisë njerëzore poetët, edhe pse janë quajtur si të dërguar nga qielli, si një lloj hyjnie tokësore, në përgjithësi ata kanë patur një punë të caktuar, me të cilën kanë mbajtur ekonomikisht veten, familjen, e për të shkuar më tej kanë formuar një përvojë jetese, pa të cilën asnjë krijues nuk mund të ecë në shkallët e suksesit.  Një prapavijë e tillë në raste të caktuara është më e fuqishme e në disa raste më pak.  Për ta bërë më konkret mendimin, puna  e mësuesit dhe pasioni i krijuesit për të shkruar poezinë, skicën, tregimin, romanin, reportazhin, kanë kaherë shumë gjëra të përbashkëta. Të dyja kanë të bëjnë me njeriun. Për rastësi mësuesi i letërsisë e ka në statusin e tij edhe si lëndë të parë fjalën e bukur letrare të të gjithë kohërave.  Është vërtet e bukur kur mësuesi i letërsisë është edhe vetë shkrimtar.  Jo thjesht si një lloj krenarie për nxënësit e tij, por si një profesion që e bën edhe më të bukur mësimdhënien e tij.  Atij i drejtohet edhe poeti edhe mësuesi.  Kanë të përbashkët pasionin.  Nëse në letërsi kjo gjë as që nuk mund të vihet në diskutim, edhe në punën  e mësuesisë, pasioni është Çelësi i suksesit, i respektit, i mirënjohjes, të cilat asnjë profesion nuk do të mund të mbetej në këmbë e të ushqente brezat.  Kur është fjala për kohën, me të cilën kapërthehen miqësisht këto dy profesione nga më të lashtët e shoqërisë njerëzore, edhe këtu logjika të ndihmon. Duke i dhënë njëri–tjetrit edhe më shumë emocion, përvojë, dashuri, dhimbje, shqetësime, koha mundet nga ata që duan t’i bëjnë me dëshirë e me ambicje njerëzore e artistike.  Ndoshta pjesa më e diskutueshme e këtij dualiteti është cilësia artistike që ti shfaq para lexuesve të tu bashkëkombas e më gjërë apo edhe e asaj lirie që herë me thërrime herë edhe më shumë t’i jep shteti ku ti jeton, ku ti punon, ku ti kërkon të botosh, ku ti ke familjen, nuk merret me bindjet e tua politike, morale, ose, e thënë më mire, të krijon një censurë sa tragjike aq edhe komike që nuk mund të krijohet aspak në një shoqëri të lirë të mendimit e fjalës së lirë.

 

 Veprat tuaja janë vlerësuar me disa çmime kombëtare.  cili ka qenë çmimi që ju ka emocionuar më shumë dhe pse?

 

Në fillim të vitit 2008 porsa kisha botuar një vëllim poetik me titull “Dritaret e Besimit”. Ishte një lloj detyrimi  ndaj atyre prindërve, gjyshërve  të krahinës së Çamërisë, por edhe të kombit tonë të përbashkët, që, në një mënyrë shumë, shumë paqësore ndërtonin jetën e tyre të vështirë, shpesh edhe të varfër me një Kod  të fuqishëm njerëzor si ishte besimi te fjala e Zotit.  Nga ana tjetër unë kisha punuar jo pak, por mbi 10 vjet si mësues i gjuhës dhe letërsisë shqipe në Medresenë e Beratit që mban edhe sot  emrin e njërit prej personaliteteve më të njohura të kulturës shqiptare sidomos në  fushën e përkthimit, të Mësuesit të Popullit Vexhi Buharaja.  I ndërtuar me poezi, me ese, me disa tregime ky libër ishte një  lloj enciklopedie e vogël për besimin jo vetëm si dukuri fetare, por mbi të gjitha edhe si dukuri morale njerëzore, të cilin, për fat të keq, kemi nisur që ta trajtojmë si relike të Muzeut të Kohës që po jetojmë. Një Juri me personalitete të njohura si akademiku kosovar Sadri Fetiu, me poetin e njohur Akademikun Xhevahir Spahiu, me një studiues shumë të njohur me origjinë nga Shkodra e hartuesin e Fjalorit të parë të pedagogjisë shqiptare Profesor Shefik Osmani dhe të Drejtorit të Institutit të Mendimit e Qytetërimit Islam Ramiz Zeka e shpalli këtë libër si “Libri  më i mirë për vitin 2007” në fushën  e librit letrar, shkencor. Natyrisht që u preka emocionalisht.  Më dukej se i kisha pranë që të gjithë brezat e gjallë e ata që nuk jetonin më, duke nisur me babain tim Ibrahimin, që m’u duk se ia bëra pak më të qetë gjumin e pasjetës së tij.  Ishte edhe një rastësi e bukur që në Ftesën që më bënë  miqtë e mi të Kosovës nga Prizreni t’i dërgoja kopjen e  parë të librit me këtë kushtim “Besuam shumë te liria, luftuam shumë, u sakrifikuam shumë e ja, tani duhet të gëzohemi shumë...për të mos harruar se nesër duhet punuar edhe më shumë për atë që do të arrijmë“. Një bekim të një libri të tillë edhe ta ëndërroja nuk mund ta kisha më të mirë se kaq…

 

 Cili ka qenë krijimi juaj i parë dhe në ç’moshë e keni shkruar atë?

 

Nëse më lejoni do të thoja se poeti lind në të njëjtën kohë në disa djepe që më vonë e rrisin dhe, kur rritet e kërkon sinorët e vendlindjes apo edhe të ninulllave që e kanë mëkuar me gjirin e nënës ai e ka të vështirë që të tregojë saktësisht me gishtin e dorës se cili ka qenë djepi i parë i fjalës së tij poetike.  Në fillim të viteve 60, që përkon me fëmijërinë time natyrisht nuk mendohej për një letërsi masive ose me një klimë shumë poezidashëse masive prej nga koha mund të mënjanonte lirshëm besnikët e parë e të fundit të saj.  Isha në një shkollë 7-vjeçare në një qytet të vogël si Peqini,  por me shumë histori arti, këngësh  e mejhanesh nga më të çuditshmet e Shqipërisë së Mesme, ku pijetarët e këngëtarët njëkohosisht, shtronin para tavolinave të tyre jo dhe aq luksoze disa kokrra hudhra, mish përherë të freskët e peshk, peshk mrekullisht të shijshëm, të marrë nga lumi i Shkumbinit që i kalonte vetëm pak metra larg.  Dhe këngë me vargje shumë të ëmbël.  Jo këngë kaçakësh, jo këngë me gjak betejash, jo balada e elegji,  por me aq dashuri sa të dukej se dashuria kishte ngritur që herët në këtë qytet një seli të sajën. Shkumbini aty afër dukej se sapo prekej me dorë me lundrat që lundronin me ca lopata të drunjta për të përcjellë në brigje tregtarë, gra që kërkonin të lindnin, nuse, grurë, fruta, ullinj, qilima të përgatitura në tezgjahet e lashtë.

 

Në qytet kishte një xhami shumë të vjetër dhe vetëm një shkollë shtatëvjeçare.  Unë që sapo kisha ardhur nga një fshat i nderuar i Çamërisë si Ninati që kishte lindur dhe rritur Profesorin e Rilindasve shqiptarë, të madhin Hasan Tahsini dhe shkrimtarin disident Bilal Xhaferrin, më dukej paksa çudi kur ecja në rrugët e tij, por po aq edhe kur mësoja atë që nuk mund ta mësoja dhe aq mirë në atë fshat të largët të vendlindjes sime, diku pranë një mali si Mëllezi dhe fare pranë piramidave ku ushtarët grekë kishin vënë prej dekadash kufirin e telagjëmbuar për Çamërinë.  As që mund ta shikoja atë jetë disi në kufirin e ëndrrës për një fëmijë. Poezia e parë ishte për shkollën.  Ndoshta pse vija nga një krahine pafundësisht  e etur për dije për kulturë për shkollë, pragu i shkollës sime të re që, për mrekulli, ishte në mes të një lulishteje të madhe, më dukej si një vend magjik ku jeta merrte një pamje tjetër.  Madje me një cikël të plotë me poezi fitova edhe një konkurs që bëhej në rang shkolle.  Si dhuratë për të më dhanë një stilograf. O, ç’ëndërr e bukur që të kisha një stilograf!  Përkëdhelja fëminore, suksesi dhe stilografi që mbaja në duar më gëzonin dhe më rrisnin njëkohosisht më shumë.

 

Kush ju ka inspiruar me shumë në krijimet e tua letrare?

 

Natyrisht në letrën e bardhë apo në ekranin e trëndafiltë të një kompjuteri ku vendoset poeti nuk ka  e nuk duhet të ketë kurrë kufinj gardhues.  Aq më tepër në një shoqëri të fjalës së lirë e të lëvzjes së lirë.  Dikush mbron tezën e universales në poezi, por unë duke mos e mohuar këtë do të shprehesha se duke qenë një udhërrëfyes i shpirtërave njerëzorë apo edhe të një kombi në përgjithësi ai nuk mund të thotë me saktësi se ku është mbret e ku është ushtar.  Unë e mendoj se ne morinë  e madhe të botimeve, në këtë tribunë te stërmadhe ku secili ka  të drejtë të zërë një vend duhet të ketë edhe një lloj letërsie padyshim edhe poezi e me temën atdhetare.  Të paktën kombi ynë, por edhe i kombeve të tjerë kanë nevojë për një lloj RILINDJEJE, për nje lloj përtëritjeje të veprave të tij natyrisht pa rënë në një lloj folklorizmi ku shpesh bie një poezi e tillë.  Kur poezinë e kishte nëpërkëmbur politika, poeti kishte vargonjtë e saj në këmbë ndërsa tani ka një paaftësi artistike për të shprehur mendimet e tij . Përveç tyre, unë kam në optikën  time edhe kategori të njohura filozofike të jetës si e bukura, njerëzorja, dashuria, urrejtja, natyra etj.

Ju jeni nënkryetar i Shoqatës Kultorore “ Bilal Xhaferri” dhe zëvendëskryeredaktori i revistës “ “Krahu i Shqiponjës”. Sa ndikon shoqata dhe revista me botimet e saj për çështjen çame meqenëse edhe vetë jeni me origjinë nga Çamëria?

Krahina e Çamërisë ashtu si edhe krahinat e tjera kanë nxjerrë shumë prsonalitete të fuqshme kulturore arsimore, ushtarake etj. Natyrisht me tragjizimin  e tij Bilal Xhaferrin i ka kaluar prej shumë e  shumë vitesh kufinjtë e krahinës, kombit. Jetën aktivitetin e tij letrar, politik,  kulturor mund ta titullonim ndryshe “Njeriu i dy kontinenteve”. Është një rastësi e bukur që shtëpia ku ka lindur  në fshatin tonë të përbashkët Ninat që i përket zonës së Konispoilit ndaheshin nga njëra-tjetra me një gardh simbolik. I privuar nga shumë të drejta si ajo  e shkollimit, e punësimit madje më vonë edhe të krimit të familjes së tij, megjithëse shkëlqeu me poezitë e tregimet me temën çame si djali i një ish kulaku  u vu në listat e zeza të Sigurimit të Shtetit.  Për këtë arsye ai u arratis në vitin 1970 dhe vendoset në Boston të SHBA.  Në vitin 1970-1972 punon edhe si gazetar në gazetën “Dielli”. Më 1974 me nismën e tij pa përkrahje financiare boton revistën “Krahu i Shqiponjës“. Kuptohet simbolika  e emrit të saj problemet e Kosovës, të Çamërisë, të jetës së diasporës dhe pozicionimi i prerë kombëtar dhe antikomunist i tij e bënë revistën një zë të dashur për shqiptarët e disa mërgatave, për kosovarët, por jo të Sigurimit të Shtetit që në të gjithë format e ndiqte, deri sa vdiq në mënyrë misterioze në Çikago më 1986.  Nëpërmjet faqeve të revistës ai arriti që të lidhet me shumë patriotëve  shqiptaraë nga SHBA, Kanadaja, Turqia,  Kosova, Evropa.  Kështu kjo revistë jo vetëm për atë karakter të spikatur atdhetar, por edhe për profesionalizmin  e saj të madh u bë një organ shumë i dashur për të gjithë.  Figura të tilla si Bilal Xhaferri përbëjnë simbolikën e vetëmohimit, të një përkushtimi atdhetar, të një sakrifice të madhe që  për ne e për brezat e mëvonshëm janë e duhet të jenë edhe një lloj modeli të idealizmës.  Një model, për të cilën në çdo kohë ka një komb aq më tepër si kombi ynë me një histori tragjike kombëtare.  Pas 39 numrave një intelektual i njohur si Shefki Hysa mendoi që më 1995 të ngrinte Shoqatën “Bilal Xhaferri“ dhe më po atë vit të  vazhdonte me forcat e tij edhe ribotimin  e revistës “Krahu i Shqiponjës“ të lënë në mes të rrugës në vitin 1986 me vdekjen e parakohëshme e misterioze.  Deri tani janë botuar vetëm në Shqipëri rreth 85 numra të kësaj reviste.  Krah qëllimit kombëtar në të i bëhet jehonë edhe veprës letrare publicistike kombëtare.  Bashkëpunëtorët e kësaj reviste janë personalitetet më të spikatura të letërsisë shqiptare si Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Vath Koreshi, Visar Zhiti, Arben Çokaj, etj.   Po me përpjekjet e tij më 1995 u arrit që të merreshin edhe eshtrat e këtij disidenti të njohur për t’i varrosur në breg të detit të Sarandës, afër vendlindjes  ku ai lindi i u rrit  e ëndërroi që ta shihte të lirë pa prangat  diktaturës.

 

Në listen e   veprave të botuara nga kjo  Shtëpi Botuese janë botuar të plota botimet e Bilal Xhaferrit që nuk janë  aspak të njohura, por edhe mjaft libra të tjerë të shkrimtarëve shqiptarë  e të huaj.

 

Ju keni shkruar një sërë librash me poezi për Çamërinë  me tituj poetikë ku keni derdhur shpirtin çam. Ç’mund t’u thoni lexuesve më konkretisht?

 

Është mbase një rastësi apo edhe një lloj kodi të fshehur që edhe ti nuk je në gjendje që ta zbërthesh  që shumë tituj nga të shtatë librat me poezi që kam botuar deri tani të kenë tituj që lidhen me Çamërinë ose edhe me truallin  tonë që na jep të njëjtat rreze e të njëjtin  muzg “Zërat e brigjeve të mia” “Vatra e mallit”, “Fari çam”, “Kroi i këngës çame”, “Shpirti çam” , “Djepi i këngës” kanë një lloj fryme që frymon poezinë tënde, por edhe shpirtërat e atyre që e marrin atë në dorë.  Natyrisht poezia nuk  është një recetë mjeku që kërkon medoemos disa ilaçe të caktuara për të shëruar një sëmundje të caktuar. Për brezat e lexuesve të rinj, duke filluar që në shkollën e  mesme duhet që krahas asaj poezie sociale, moderne, erotike, të kenë edhe poezi të këtij lloji aq më tepër se edhe historia nuk i ka ushqyer e nuk po i ushqen ende me tradita të tillë, Sakësisht kërkon një identitet poetik para Evropës e Amerikës së Madhe ku shpesh kulturat e kombeve të vegjël nuk mund të ngrejnë krye lirshëm e të zhvillohen me forcën e duhur.  Natyrisht nuk duhet harruar edhe cilësia artistike e asaj poezie që ti iu servir brezave të tillë. Poezia e bukur, me një mesazh kaq sublime jetëgjatësinë   e saj  nuk mund ta krijojë lehtë aq më tepër se këto poezi nuk lexohen kaq masivisht.  Por ka edhe libra të tjerë që në strukturën e këtyre poezive, shumë poetë me origjinë joçame shpesh poezinë me këtë temë e trajtojnë vetëm si dhembje, si revoltë, si protestë.  Në to mbizotërojnë varret, plagët, kapedanët varret e barqet e hapura. Unë nuk jam për një poezi pacifiste, por krahas tyre mungon lirika dashurore, jehona e  një dasme, motivi baritor, dashuria për gjuhën, etj.  Një provë e bukur e kësaj gjeografie të pasur motivesh është edhe përmbledhja poetike “Eni vjen pej Çamërie“ hartuar nga poeti i mirënjohur Ali Podrimja ku edhe unë jam pjesë e saj.

 

Ka pasur familja juaj viktima nga genocidi grek me gjeneralin famëkeq Zerva ?

 

Në rastin e familjes sime, por edhe të disa fshatrve të tjera të Konispolit, të cilët përbëjnë pjesën e parë të Çamërisë, ka ndodhur një dramë e vërtetë e një lloji tjetër. Diçka e ngjashme me fshatrat kosovarë në kufi me Tropojën, si fshatarat shqiptare meqedonase me vëllezërit e tyre kosovarë…Në vitin 1913 kur sëpata e kufinjve preu tokën çame, shumë fshatara mbetën këndej kufirit shtetëror.  Në vitet 30 diplomacia e Zogut kishte bërë të mundur që të bënte në lloj lirie lëvizjeje mes pjesës palcore të Çamërisë që shkonte deri te Gurët e Zez të Prevezës. Madje për hir të kësaj lëvizjeje edhe shumë vajza çame që jetonin në trevat kufitare gjenin mundësi që të martoheshin me djem këndej kufirit për ta  zbutur sadopak atë shantazh kombëtar të Greqëisë ndaj kësaj popullsie që do të arrinte kulmin më 1944 e 1945  me vrasjen masive të mijëra njerëzve të pafajshëm e me djegien e qindra hektarve më të korra, të ullinjve, të vrasjes e grabitjes së kuajve, të bagëtive të imta, etj.  Kështu nddhi edhe me mënën time që vinte nga qyteti i bukur i Filatit në Ninat.  Familja jonë ishte ndër të parat që u bë strehë për ata mijëra njërëz që vinin më  një gjel me plaçka mbi kurriz si thotë ironikisht populli në Jug.  Na vjen keq që edhe sot e kësaj dite qeveritë greke të pas Luftës nuk kanë bërë një falje publike ndaj këtij genocidi të paparë duke rivrarë në një farë mënyre edhe një herë tërë këtë popullsi të pafajshme dhe pasardhësit e tyre që sot janë kryesisht në Shqiqëri, në Turqi e në disa shtete të tjera pas dëbimit me dhunë.  Shumë e dhimbshme dhe revoltuese është dhe pamja e bustit të gjeneralit zbatues të këtij genocidi Napoeleon Zerva që është ngritur në këtë krahinë nga pushtetarët grekë me sy nga toka shqiptare që është një tjteër provokim i hapur për miqësinë mes dy popujve

 

Meqënese ju jeni nga kjo krahinë si mendoni për zgidhjen e çështjes çame dhe kush  e ka penguar deri tani zgjdhjen e saj?

 

Është punuar e punohet shumë në frontin kulturor për njohjen e problematikës së Çamërisë.  Është krijuar një letërsi e një art që i ka bërë e i bën jehonë sensibilizimi  të së kaluarën e të së ardhmes së saj.  Ka një mendësi kombëtare në Shqipëri, në Kosovë e në Maqedoni, madje edhe në SHBA që ky problem duhet zgjidhur sa më parë.  Nuk bëhet fjalë për të diskutuar faktin se e vërteta është me shqiptarët.  Po si duket kjo nuk mjafton.  Përballë një lloj entuziazmi apo edhe një detyrimi ligjor, moral të zgjidhjes së çështjes çame në tavolinën e zgjidhjes së saj janë disa probleme, disa aktorë e faktorë.  Nën  zë apo edhe më zë të lartë zgjidhja e saj paraqet vështërisi. Është një kompleks problemesh juridike, politike,  kulturore, administrative, kombëtare, diplomatike mes dy shteteve të Shqipërisë e Greqisë, por jo pak  ai është edhe një problem i mirëfilltë ndërkombëtar mes shumë problemeve që ka sot bota e qytetëruar për të vënë në vend tërë ato Konventa që edhe Greqia i ka firmosur prej kohësh. Problemi i Kosovës në një farë mënyre me të drejtë e ka eklipsuar atë, por janë disa faktorë që po lëvizin për mirë. Një Traktat i Miqësise i firmosur më 1995 mes dy shteteve duket se nuk ka qenë i mjaftueshëm që të hidhen hapa të sigurtë juridikë për zgjidhjen e saj.  Organizmat shoqërore të organizuara nga komunitetit çam si ai i krijimit të dy partive politike me një program të qartë në zgjidhjen  e problemeve si PDI dhe PDU kohët e fundit  ende nuk e kanë bërë të mundur jo vetëm zgjidhjen, por as edhe ndërkombëtarizimin e saj pa të cilën asnjë shtet evropian apo edhe vetë Amerika të reagojë fuqishëm për këtë gjë. Shpesh të duket se ky problem nis te pika zero.  Futja në Parlament e dy përfaqësuesve çamë mund të zgjojë problemin. Për fat të keq ende parlamenti ynë nuk ka mundur që të aprovojë një Rezolutë për Çamërinë që do të ishte një qëndrim zyrtar ndaj Greqisë, Evropës dhe botës për të. Ndoshta edhe përfshirja në problemet e inetgrimit euroatlantik dhe të futjes në të gjithë organizmat e KE dhe BE do ta shpejtojnë  edhe më shumë këtë zgjdhje .

 

Më tërhoqi shumë libri në prozë “Dallandyshet e Çamërisë” Pse e keni titulluar kështu?

 

Të paktën për bakëëanaanist dallëndyshja është simbol i një ndërrimi stinësh.  I largimit të një stine të egër, të ftohtë  dhe i ardhjes së një stine të ngrohtë ku të ngrohen duart, sytë, këmbët, këngët, shpirti… Është një zog që edhe fizikisht, ashtu si edhe shqiponja ka humbur nga sytë tanë dhe është bërë gati virtual, përfytërues. Por në mendësinë popullore, në lëtërsi në shumë pjesë të botës shpirtërore të shqiptarit ajo është më se e pranishme.  Për një krahinë historivrarë si ajo e Çamërisë duhet që të ketë sa më shumë dallandyshe e stinët e pranverës të vijnë sa më shpejt që të jetë e mundur.  Argumenti i dytë që më bëri që ta titulloj kështu është edhe motivi poetik i marrë nga poema e kryerilindasit Naim Frashërit “Bagëti e bujqësi”.  Diku ai thotë me mall e me shumë dhimbje ( Duket se po e parandjente që prej 100 vjetësh më parë fatin tragjik të Çamërisë për dallandyshet e munguara në qytetet e saj, në ullishtoret, në portokallet me aroma  dhe në brigjet e bukura joniane).

Dallandyshe bukuroshe  që thua milëra fjalë

A mos vjen nga Shqipëria?  Eni vjen prej Çamërie?

Me këto milëra fjalë e me gluhë Perëndie?

Portretet, skicat, tregimet, legjendat, gojëdhënat e librit e kanë në çdo qelizë letrare simbolikën e dallandyshes dhe e bëjnë që libri të ketë një ritëm të kënaqshëm leximi nga fillimi e deri në fund.  Për kureshtje është libri më i shitur e më i qarkulluar se të tjerët deri në atë kohë.

 

Librat tuaja më së shumti kanë tematikë gjithëpërfshirjen çame, kanë amanetin e të parëve, pika gjaku.  Sa kanë ndikuar këto libra në publikun shqiptar?

 

E kam të vështirë që të jap në këtë shkrim të shkurtër shumë e shumë mbresa që më kanë dhënë njerëz të thjeshtë jo vetëm të kësaj krahine, por edhe të tjerë që i kanë lexuar ato. Emocione që më kanë bërë edhe të lotohem.  Në kushtet e një komunikimi elektronik kam marrë shumë vlerësime, urime  e fjalë të mira edhe nga shumë bashkatdhetarë nga Kosova, nga Italia, nga Amerika e tij që më kanë rritur detyrimin për të punuar më shumë në këtë temë.  Kushtrimi i të parëve është një lloj SOS letrar që të trysnon bukur, ta vë fjalën tënde të mençur në disa binarë ku ajo duhet të ecë.  Si një anije transoqeanike shumë komode, por që prodhohet në breg e  një ditë futet në det për të lundruar në dete e oqeane.  Poezia nuk është vetëm ndjenjë, por edhe njohje, mesazh, filozofi, është përvojë edhe meditim.  Nëse historia e Çamërisë nga të huajt apo edhe nga vendasit e ka thënë sadopak fjalën e saj (jo edhe aq e mjaftueshme përballë shumë shtrembërimeve historike që i bëjnë asaj kundërshtarët tanë) në letërsi ajo ka akoma virgjëri.  Ka detyrime për shpirtin e jetën e saj.  Kosova ka qenë dhe mbetet akoma shumë e  konsumuar në këngët e saj, në librat për të, Çamëria s’e ka patur këtë fat.  Për shumë të huaj  vizitorë të këtyre viseve Çamëria ka qenë një vend paksa edhe ekzotik. Ata me gjitheë mençurinë, por jo kohën e qëndrimit në të  nuk e kanë parë në thellësi këtë njeri, që ka banuar në këto troje. Jo vetëm ajo ngjizje e dukshme dhe e padukshme që merr njeriu nga vendlindja, nga gjuha nga shkolla e prindërve dhe e të afërmëve, por edhe një lloj kontrate e heshtur me veten e  lexuesin më ka bërë që të merrem kryesisht me këtë temë.  Për të kam udhëtuar e udhëtoj shumë, shumë… Lexoj shumë.  Skedoj vazhdimisht.  Ndjek dasmat e mortet, Ndjek Festivalet e takimet, ndjek botimet e dorëshkrimet e mbetura në familjet çame si relike malli e relike që do t’i kishte zili secili muze bashkëkohor.  Me këto materiale bëj punën e poetit dhe  të tregimtarit, të publicistit, por edhe të redaktorit të librave me këtë temë si bëra para pak ditësh me redaktimin e librit të dy autorëve Drita Braho ( Berat) dhe Remzi BASHA ( Kosovë) me romanin e tyre të përbashkët “Nusja nga Çamëria”. Kam kryer për dy dekada për  detyrën e redaktorit në gazetën “Çamëria” në revistën “Krahu i Shqiponjës“.  Në konkurset kombëtare marr pjesë me krijimet e kësaj tematike. Kjo më ka përvijuar në një farë mënyre edhe portretin tim krijues, por edhe detyrimin për ta ngritur edhe më lart cilësinë artistike.  Mes këtyre librave do të veçoja librin tim antologjik “Shpirti çam” i pari i këtij lloji në të gjithë trevat shqiptare që është një përzgjedhje e plotë e të 7 librave të mi poetikë.  Do të ishte shumë mirë që një libër i tillë të botohej edhe në gjuhën anglisht.  Bota e kulturuar e aq më shumë qarqet diplomatike që vendosin në fatet e kombeve nuk mund të bëhen fajtorë në zgjidhjen e hallit tënd po qe se ti nuk ia mbush atë zbrazëti botimesh në këtë treg të fuqishëm ndërkomëbatar, ku secila palë punon fort në këtë front.  Kujtojmë me këtë rast jehonën e madhe të veprave të Kadaresë e mund të bëjmë qoftë edhe sa më thjeshtë edhe një lloj paralelizmi për këtë lloj letërsie. Ndoshta këtu mund të futej edhe shteti me mekanizmin e një Konkursi Kombëtar për një letërsi me këtë temë.  Por, për fat të keq në Shqipëri ka një ngërç shumë të madh në lidhje me qarkullimin  e librit.  Mungon një strategji qoftë shtetërore, qoftë edhe private në lidhje me qarkullimin  e librit pa folur për një kontakt mbarëkombëtar mes Shqipërisë, Kosovës e Maqedonisë.  Panairet nuk  e bëjnë ritmikisht këtë qarkullim.  Unë kam patur disa shkrime të studiuesve të letërsisë në Maqedoni si të Zejadin Ismailit apo në Kosovë, por gjithësesi kjo nuk mjafton që lexuesi i thjeshtë ta marrë në duar e ta lexojë librin shqip.  Në një farë mënyre jemi të gjithë viktimë e këtij tranzicioni  të pakuptimtë të paktën për librin.

 

Meqënëse jemi me të njëjtin profesion të mësuesisë, më bëri përshtypje monografia që keni bërë për shkollën e mesme profesionale “Stiliano Bandilli” në Berat.  Çfarë ju motivoi për këtë gjë?

 

Kam mbi 35 vjet që jap mësim në shkollën e mesme  për lëndën e gjuhës  e të letërsisë shqipe.  Qofshin këto profesionale qofshin edhe të arsimit të përgjithshëm.  Të paktën në planin moral të profesionit, me të cilin kam kaluar gati një jetë të tërë nuk mund të rrija pa shkruar edhe libra pedagogjikë.  Më duket e tepërt se libra për shkollën e mesme duan jo vetëm përvojë por edhe dashrui.  Nuk e teproj të them se një lloj modeli kanë qenë edhe rilindasit që shumë energji intelektuale ata i shpenzonin duke bërë libra për shkollat e para.  Dikush duhet t’i bënte ato.  Para se t’ju jap përgjigje të drejtpërdrejtë pyetjes suaj do të thoja se unë kam  botuar dy libra për kulturën e të shkruarit e të folurit  të gjuhës sonë amtare, pa përmendur me dhjera faqe speciale në shtypin kombëtar e atë pedagogjik ku ngrej probleme të gjuhës letrare kombëtare.  Titullohen “Filizët e fjalës gjimnaziste“ dhe “Arkivi i fjalës” Janë libra që iu vijnë në ndihmë mësuesve, nxënësve të kësaj kategorie shkollore, prindërve por sidomos edhe shqiptarëve që janë në mërgim për të mbajtur të gjallë këtë traditë.  Asnjë mekanizëm shtetëror, institucional juridik nuk mund ta zëvendësojë dashurinë e detyrimin që një prind  ka për fëmijën e vet që lind apo rritet në Amerikë,  në Greqi, në Itali,  po qe se ai nuk bën punën  e tij si prind, si shqiptar.  Një punë që kërkon patjetër edhe një prapavijë të fuqishme intelektuale, pedagogjike si janë kjo kategori e tillë librash.  Natyrisht tani pas 20 vjet mërgim nuk duhet menduar vetëm për abetare të njëjta, ( që duhen patjetër) por shumë më tepër se kaq.  Duhet menduar për një bibliotekë familjare  me libra të tillë pedagogjikë, letrarë,  profesionalë  të shkruara SHQIP.  Libri “Rruga e një shkolle” kushtuar shkollës së mesme profesionale  “Stiliano Bandilli” ka në të njëjtën kohë disa motive.

Së pari, i bëhet jehonë arsimit profesional që në Shqipëri është ende i brishtë, edhe pse ankohemi të gjithë për papunësinë e jo gjithmonë jemi të gatshëm e të kualifikuar që në një punë  të caktuar të hyjmë të përegatitur.  Kurset spintaten që bëhen me shumë bujë vetëmm sa e cukisin këtë plagë, por nuk e ndreqin, edhe pse ka organizma shtetërore që duhet të merren me këtë gjë... Me keqardhje të madhe ne themi se në Shqipëri përqindja e arsimit të përgjithshëm me atë profesional është 65 me 35 përqind në favor të së parës. Në një kohë që në Evropë është e kundërta.  Së dyti, është një lloj mirënjohjeje për punën e madhe dhe shumë profesinale të Fondacionit Zviceran “Sviskontact” që punon për arsimin profesional në Shqipëri.   Së treti, do të thoja se nëse secila shkollë do të duhej të kishte edhe një libër-histori të saj atëherë do të kotribuonim në historikun  e arsimit kombëtar.  E them këtë se me përjashtim të ndonjë shkolle-model si ajo Normale nuk sheh një shkollë të mesme që të ketë një Muze të mirëfilltë, madje as edhe një Himn të zakonshëm.  Bëhen e paraqiten lloj-lloj projektesh, por nuk ka projekte për të tilla nisma. Nuk mund  të ecësh para pa patur një traditë që ti duhet ta pasurosh.  Më pëlqejnë shumë tema të tilla dhe mendoj se në një të ardhme të afërt do të merrem me një monografi tjetër të këtij lloji.

 

Cilët janë pengjet e shkrimtarit Namik Selmani?

 

Ah, pengjet! Është e vetmja pyetje që e shoqëron një pasthirmë sa nostalgjike, dhimbëse, klithmuese, psherëtitëse ….

Poetët janë njerëz që hapin e mbyllin dyer, ecin e rrëzohen, fluturojnë shtrohen edhe në shtratin e të sëmurit, qajnë nga gazi e mbledhin grushtet nga revolta, nga padrejtësia…Pa dashur që të bëj një listë  do të thoja se për mua e për brezin tonë një nga pengjet e mëdha ka qenë mungesa e lëvizjes.  Bota e madhe me tërë dritëhije vazhdon të mbetet ende një mister i panjohur.  Natyrisht nuk bëhet fjala për udhëtime ekzotike, por për një të drejtë shumë  të thjeshtë njerëzore.  Së dyti, do të thoja se në  vitet e demokracisë të paktën në Shqipëri nuk ekziston aspak mundësia e organizimit të shkrimtarëve.  Ka në këtë vend të vogël me qindra shoqata të shtresave të ndryshme të popullsisë që gjithësesi edhe ata kanë të drejtën që të organizohen.  Ka Shoqata Invalidësh, të të verbërve, të veteranëve, të të persekutuarve, të konsumatorit,  por ata, më të mençurit që mund të ndikojnë sadopak në shpirtin e një kombi në rrjedhat e kombit për sot e për nesër nuk janë të organizuar. Edhe kur ka patur përpjekje të tillë kanë dështuar e tani të gjithë jemi kthyer në Robinsonë modernë.  Të mos harrojmë se ka një të nesërme……Sa mirë do të ishte tani që në një ngërç kombëtar mendimi  i pjekur i shkrimtarëve të ndjehej edhe më shumë.

 

Cili ka qenë momenti më i vështirë i jetës në shkollë?

 

Për rastësi të bukur, por edhe të dhimbshme këtë kujtim e kam të lidhur me poezinë. Kisha të paktën një vit që redaktoja vëllimin e parë poetik të  një nxënëses sime që vazhdonte vitin e dytë të shkollës pedagogjike “Kristo Isak”.  Punuam shumë.  Ishte një poezi jo vetëm tejet e sinqertë, por edhe paksa filozofike për moshën që ajo kishte.  Një poezi që të fuste në mendime e nuk mund të kuptoje se ishte edhe një tis mjegullor pas të cilit fshihej Mali i një Dhimbjeje të Paralajmëruar.  E mbaruam.  E titulluam: “Fluturim”. Quhej H. H.  Bëmë edhe një koktej të bukur mes familjarëve shoqeve shokëve, poetëve të Beratit.  Bëmë shumë foto kujtimi e gëzuam deri vonë në mbrëmje.  Ishim të lumtururar. Më tepër ajo që po merrte edhe një emër të ri mes shokësh, mes miqsh, në faqet e shtypit “poete”.  Ishin ditët e fundit të vitit shkollor.  Vetëm disa ditë më pas duke bërë atë shikimim e spontantë të lajmërimeve të vdekjeve pikërisht në datën 31 korrik kur ajo po mbushte 16 vjeç e shoh në tabelën e lajmërimeve të vdekjes.  Nuk po i besoja syve. Kishte vdekur.  Ishte një vetëvrasje.  Kishte “fluturuar” me poezinë e saj.  Në një fluturim të ri. Ishte një moment i dhimbshëm për familjen, për shokët, por edhe për mua.  Nuk kisha se  ç’të thosha. Në fund të fundit kujtesa e çimentoi fort ngjarjen. E monumentalizoi.  Një vajzë, një poete kishte shkruar pas atij vëllimi të bukur një dramë për veten e për të tjerët.

 

Po momenti më i bukur e mbresëlënës?

 

Para disa vitesh në shkollën e mesme në Berat ku punoja u bë një diskutim masiv për katër libra me poezi e proza që  kisha botuar atë vit.  Si ndodh rëndom në raste të tilla kishte diskutime, pyetje, fjalë të mira.  Njerëz që shprehnin pjesën më të bukur të fjalorit të tyre.  Pjesa më e bukur e këtij takimi që e kanë brenda surprizën e  tyre ishte një tufë me poezi që nxënësit e kishin bërë në formë urimesh për libër dhe për punën time si mësues.  Edhe një herë e kuptova se nxënësit kanë një botë të madhe, të cilën ne, mësuesit jo gjithmonë e kuptojmë.  Është ajo hapësirë vitesh moshore që kemi me ta, është mjedisi ku je i rritur ne dhe ata në këtë kohë.  Vështirë që të gjesh një përgjigje të saktë, por mbresat e të dy palëve ishin të forta.  Kur shkova vonë në shtëpi, gjëja e parë që bëra shkrova një skicë.  Ishte një lloj ditari modern e jo nga ata klasikët si jemi mësuar në moshën tonë të rinisë që e kisha harruar, por ajo ngrohtësi e nxënësve të mi më bëri që të mendohem.   Të emocionohem shumë më tepër se në një orë analize apo komenti .

 

Çfarë i mungon shkrimtarit Selmani në Shqipëri?

 

Në përpjekjet e mëdha ose edhe donkishoteske që bën Shqipëria mungon një klimë e  mirë dhe e favorshme  vlerësimi për punën e  secilit.  Ajo që thuhet për Amerikën, për vende të tjera në Shqipëri nuk ekziston. Raporti ndaj intelektualit apo shkrimtarit në veçanti këtu ka paradokse të panumërt.  Akoma në zyrat e shtetit kapardisen ata, të paaftit, bërrylaxhinjtë që asnjëherë nuk  lodhen për të krjuar atmosferë dinakërie për t’u ngjitur lart e  më lart.. Ju u keni kaluar të dy kohët dhe duhet të thënë në të njëjtën zë se ky mentalitet e ka dëmtuar e do të dëmtojë për shumë kohë jo vetëm administratën, por edhe shoqërinë tonë në përgjithësi.  Nuk e di se kur do të vijë një brez që të mendojë dhe të veprojë që gjërat duhen ndryshuar fort, fort, qoftë edhe me dhimbje…Nuk ka një garë sa zyrtare dhe të besueshme.  Natyrisht unë nuk do t’i kërkoja shtetit që të  paguante librat e mi (megjithëse kur ai ka ndjerë këtë vlerë e ka zbrazur qesen dhe është ofuar te autorët si ndodhi me librin tim të fundit “Ujëvara e tingujve“ me rastin e Festivalit Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës në shtator 2009.  Unë vazhdoj që të bëj të paktën 250 kilometra rrugë për të punuar nga Tiranë ku kam familjen në Berat, në  kohë që radha apo edhe aftësia metodike, karriera profesionale dhe intelektuale, botimet pedagogjike e letrare, monografitë e ai vlerësim shumë i madh që ka lexuesi, nxënësi nuk vlerësohen fare.  E më e dhimbshme ështe që nuk ka një derë ku mund të trokasësh ku, të paktën  të dëgjohesh (elementi i parë i një qyteterimi modern).  Është një jetë-sfidë që të bëjnë të skuqesh jo vetëm para vets si një viktimë e pafajshme, por edhe për atë që ke në krah.  Për të nesërmen që nuk të nxit me optimizmin  e saj administrativ.

Sidoqoftë pa marrë doza herozimi brenda vetes më duhet të citoj aforizmën  filozofike se “shpresa vdes e fundit”.

 

Cilat janë lidhjet tuaja shpirtërore dhe fizike me Amerikën?

 

Emri i Amerikës në familjen time ka nisur të dëgjohet nënë zë që në vitin 1957 kur në të u vendos kushuriri im (djali i hallës) në Çikago ku vazhdon të jetojë edhe sot e nga mosha natyrisht është i moshuar. Arratisja e tij pati një ndikim shumë të madh në jetën e familjes sime. Babai im ishte daja i tij dhe kjo përbënte argumentin për të krijuar rrathë të veçantë ferri.  Veç tij kemi edhe shumë të afërm të tjera në qytete të ndryshme amerikane. Në skedat shtetërore u shënua një akt i tillë dhe deri në vitet 90 në forma të  ndryshme ajo merrte përmasat e dhimbjes e dramës.  Për disa kohë vëllai im u hoq nga puna.  Në vitin 1997 familja ime fitoi një Llotari Gren Card  për në Amerikë.  Ngjarjet e rënda të 1997-s nuk lejuan që të bëhej një verifikim i dytë e kështu nuk erdhëm dot.  Për një rastësi të bukur para 6 viteve Llotaria  amerikane u fitua nga vajza ime, Laura që sot punon në një studio projektimi në Boston pasi ka mbaruar studimet e larta me rezulate shumë të mira në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit në degën e Urbanistikës, pranë Universitetit të Tiranës. Nëpërmjet bisedave të përditshme me vajzën, ngjarjet, dukuritë sociale, festat, që përbëjnë jetën amerikane janë  të pranishme me të gjitha detajet në familjen tonë.  Falë mundësisë së lirisë së shprehjes dhe të kushteve te reja të komunikimit kam shumë miq në Amerikë dhe here pas here kam patur edhe ftesa për vizitë që shpresoj që të kryej në vitin 2010.  Nëpërmjet mikut tim Dalip Greca kam patur edhe disa shkrime të botuara në gazetet shqiptare të Amerikës.

 

Cila është muzika që pëlqeni gjatë ditës ?

 

Mendimi më sentencial  që më vjen tani në mendje është se muzika është një Çelës që hap shumë portat e pasionit për poetët e letërshkruesit.  Dëgjoj shumë muzikë çame, kosovare, por edhe muzikë klasike.

 

Cilat janë planet tuaja në fushën e letërsisë?

 

Kam në duar një libër me reportazhe letrarë, një gjini pak e trajtuar në botimet  shqiptare të viteve të fundit  dhe një libër me poezi me një titull të përkohshëm: “Ngjalëro, moj pikëlore!”  Të dy librat mendoj të shohin dritën e botimit në muajt e parë të vititi 2010 dhe në muajin qershor 2010 kur të vij për një vizitë tremujore në Boston ato do të jenë në duart e lexuesve shqiptarë të Amerikës.

 

Së fundi cili është urimi për lexuesit dhe teleshikuesit e TV AlBA LIFE në NY?

 

Së pari, doja të shprehja mirënjohjen më të larte, për këtë ftesë bashkëpunimi mes bashkëatdhetarësh e mes miqsh. Nganjëherë fjala sado e mençur që të jetë nuk mund të shpreh atë që ndjej. Të punosh me aq përkushtim, profesionalizëm, me aq sakrificë në një shtet të stërmadh si Amerika për të mbajtur të gjallë traditat e një kombi kaq vital, por edhe kaq të vogël si është ai shqiptar është më shumë se një falenderim.  Historia me ligjet e saj të sakta të kujtesës do të seleksionojë dhe do ta arkivojë këtë përkushtim dhe këtë humanizëm njerëzor.  Nëse më lejoni të jap një mendim, unë do të sugjeroja që në forma të ndryshme ky zë duhet të bëhet sa më i njohur edhe në Shqipëri që ne dhe të tjerët që vijnë më pas të kuptojmë se zëri ynë nuk i përket më shkretëtirës politike, kulturore, por  një vendi që dëgjohet me respekt, me mirënjohje. Jua shpërblefshim në të mira. Unë uroj që ky bashkëpunim të jetë sa më jetëgjatë dhe do të shprehja dëshirën që të isha një nga bashkëpunëtorët tuaj vullnetarë më  aktivë të Shqipërisë në Televizionin tuaj.

 

Bisedoi Këze Kozeta Zylo,

 

New York, 2010