Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Dibran Demaku: Prizreni kryeqytet shpirtëror i shqiptarëve

| E shtune, 12.06.2010, 05:58 PM |


Në 132-vjetorin e Lidhjes shqiptare të Prizrenit

 

PRIZRENI KRYEQYTET SHPIRTROR I SHQIPTARËVE

 

Nga Dibran Demaku 

 

Me 10 qershor të këtij viti mbushen plot 132 vjet,qëkur në Prizrenin e bukur u themelua Lidhja shqiptare e Prizrenit,që në historinë shqiptare,pas Kuvendit të Lezhës të Kohës së Skënderbeut,është ngjarja më e madhe në krejt historinë shqiptere.

Me 10 qershor të vitit 1878,udhëheqësit më të shquar shqiptarë të kohës u tubuan në Prizren dhe themeluan Lidhjen shqiptare të Prizrenit.organizatë kjo politiko-ushtarake shqiptare me qëllim të vetëm që të mbronin tokat shqiptare që ishin nën sundimin e Perandorisë osmane e që ishin të rrezikuara të grabiteshin nga shtetet ballkanike që kishin përkrahjen e Rususë cariste.Pas luftës së Rusisë cariste kundër Perandorisë otomane ishte mbajtë një Konferencë e që në histori njihet si Konferenca e Shën Stefanit dhe në të cilën Konferencë ishte vendosur që Perandoria otomane si humbëse në atë luftë të lëshonte disa nga teritoret e pushtuara në ballkan si kompensim për arritjen e paqes Ishin ato kryesisht teritore të banuara nga shqiptarët dhe historikisht të njhohura si teritore shqiptare e që sipas mrrëveshjes së Shën Stefanit ,ato teritore do tu jipeshin si dhuratë shteteve sllave të ballkanit,si Serbisë,Bullgarisë,Malit të Zi dhe Greqisë si aleate e vendeve tjera sllave.

Por me këto vendime të Shën Stefanit nuk do të ishin të kënaqura shumë nga fuqitë e mëdha të kohës dhe të cilat do të kërkonin që të mbahej një Konferencë apo një Kongres tjetër që të revidoheshin vendimet e konferencës në fjalë.Dhe ishte vendosur që në Berlin të Gjermanisë të mbahej një Kongres,ku do të merrnin pjesë fuqitë e mëdha të kohës si dhe Rusia cariste dhe Perandoria otomane që sapo kishin përfunduar luftën në mes tyre.

Patriotët shqiptarë të kohës gjithashtu nuk ishin pajtuar me vendimet e Konferencës së Shën Stefanit,ku më shumë se gjysma e teritoreve shqiptare u falej vendeve ballkanike sllave,kishin vendosur që të formonin një organizatë politiko-ushtarake që tu kundërviheshin vendimeve të asaj konference.Dhe duke e ditur se për vendimet e asaj konference do të mbahej së shpejti në Berlin një kongres  e ku do të ishin prezente fuqitë e mëdha të kohës,vendosën që në Prizrenin e bukur të organizonin një Lidhje shqiptare dhe e cila mori emrin e vendit ku u mbajt.

Nga punimet e Kuvendit të Lidhjes shqiptare të Prizrenit Kongresit të Berlinit ju dërgua një memorandum në të cilin u thuhej fuqive të mëdha të kohës se shqiptarët nuk ishin të gatshëm që ta lëshonin asnjë pëllambë të tokës së vet etnike e që në atë kohë ishte nën sundimin e Perandorisë otomane.Por,fatkeqësisht fuqitë e mëdha të kohës kërkesat e memorandumit të Lidhjes shqiptare të Prizrenit nuk i morën parasyshë dhe krahinat shqiptare të Hotit e Grudës ju falën Malit të Zi.Shqiptarët sipas vendimeve të Lidhjes shqiptare të Prizrenit formuan Forcat e armatosura të Lidhjes nën komandën e Sulejman Vokshit dhe ju kundërvunë me armë vendimeve të Kongresit të Berlinit.Porta e lartë dërgoi në Kosovë  Magjar pashën që t`i bindëtte shqiptarët se vendimet e Kongresit të Berlinit duhej të zbatoheshin,por shqiptarët të zemruar nga ato vendime,ku u merreshin toka të etnikumit të tyre i thanë Magjar Pashës se tokat e veta nuk do të ia dhuronin askujt dhe ai të ikte nga kishte ardhur nëse e donte kokën e vetë.Por Magjar Pasha nuk deshi të dëgjojë për kërcënimet shqiptare dhe u mbyll në kullën e Abdullah Pashë Drenit në Gjakovë.Forcat e Lidhjes kërkuan nga Abdullah Pashë Drenit që ta niste mikun e vetë nga kishte ardhur dhe kur ai nuk pranoi ata e sulmuan kullën e tij dhe  vranë Magjar Pashën me shumë përcjellës të tij.Në ato luftime u vra edhe Abdullah pashë Dreni.Pas këtij akti Lidhja shqiptare e Prizrenit në veçanti dhe shqiptarët në përgjithësi hynë në konflikt të armatosur me Perandorinë otomane.Lidhja shqiptare e Prizrenit  zhvilloi aktivitet tri vjet dhe pastaj u shua nën dhunën e Perandorisë otomane.Dy nga ideologët kryesor të Lidhjes Abdyl Frashëri dhe Sulejman Vokshi u zunë dhe u dënuan nga gjyqet e Perandorisë otomane:Sulejman Vokshi me vdekje,ndërsa Abdyl Frashëri me burgim të përjetshëm.

Perandoria otomane e shoi Lidhjen shqiptare të Prizrenit,por nuk e shoi dot nga mendja dhe zemra e shqiptarëve.Lidhja shqiptare e Prizrenit si dhe qyteti i Prizrenit në historinë kombëtare shqiptare mbetën si fanarë drite dhe si dritare e lirisë.Prizreni që nga atëherë e gjer në ditët tona mbeti si kryeqyteti shpirtëror i shqiptarëve.Idetë e Lidhjes mbetën gjithmonë si udhërrëfyes për shqiptarët se si duhet luftuar për liri dhe pavarësi.Idetë e Lidhjes shqiptare të Prizrenit sollën në vitin 1912 Pavarësinë e Shqipërisë.E pastaj një shekull e ca më vonë edhe Pavarësinë e Kosovës.

Në përvjetorin e 132-të të Lidhjes shqiptare të Prizrenit,Prizreni do të bëhet edhe qytet Universitar.Kështu,ky qytet i ndritur i historisë shqiptare,përveq si kryeqytet shpirtëror i shqiptarëve,do të bëhet edhe qytet i dijes dhe i dritës.Mijëra të rinj të të gjitha viseve etnike shqiptare,por edhe më gjerë do të vijnë në këtë qytet dhe do të fitojnë dije e dritë për t`u bërë të vlefshëm për atdheun dhe kombin.

Dhe krejt në fund do të uronim.Urime Prizren përvjetorin e 132-ë të Lidhjes shqiptare!.Urime Prizren Universitetin,urime Prizren për dritën tënde në shekuj!...