E shtune, 20.04.2024, 01:09 PM (GMT+1)

Faleminderit

Don Marjan Ukaj: Nënë Tëreza - Diell që shëndriti botën me dashurinë hyjnore

E shtune, 12.06.2010, 06:59 PM


Nënë Tëreza

Diell që shëndriti botën me dashurinë hyjnore

 

Nga Kalkuta: Don Marjan Ukaj

 

Po e kundruam diellin na duket shumë i vogël edhe pse shkenca mëson se është një milion herë më i madh se toka dhe se rreth tij sillen të gjitha planetet, së bashku me një numër të madh objektesh të vogla. Dielli, egzistencën e të cilit nuk mund ta mohojë asnjë njeri normal, është vetëm një krijesë e Zotit, e cila nuk vepron njëanshëm. Arsyeja pse dikund nxen më shumë e dikund më pak, nuk qëndron në atë vetë, por në pozicionimin e planeteve, apo objekteve që e rrethojnë. Mjerisht, ka të verbër që nuk e njohin dritën e tij, sikundër edhe të atillë që jetojnë në mashtrim dhe nuk i lejojnë rrezet e tija jetëdhënëse të depërtojnë në dhomën e errët dhe të ftohtë të shpirtit të tyre.

Edhe jeta e njeriut i nënshtrohet një ligji të tillë dhe funksionon sipas të të njëjtit rregull mbinatyror. Egziston vetëm një Krijues, rrezet e të cilit dhurojnë ngrohtësi, dritë, jetë, paqe dhe dashuri, e ky është Zoti, ndërsa të gjithë ne njerëzit jemi të krijuar si dritëdhënës të tij. A mund ta imagjinojmë si do të ishte bota sikur në të, me shembullin e tyre të mirë, të ndiçonin mbi gjashtë miliardë njerëz? A do të kishte errësirë, urrejtje, dhunë, luftëra, mëkate? Veprat e bëjnë njeriun të madh, apo të vogël; të dashur, apo të urryer; të përjetshëm, apo të harruar. Historia mëson për njerëz të kalibrave të mëdhenj, të cilët, duke e flijuar jetën për ideale të shenjta, i dhuruan botës dituri, kulturë, zhvillim, shpresë, dashuri etj., por e dimë mirë se rrallëkush deri më sot ka qenë aq i dashur, i pranuar dhe i pakontestuar nga të gjithë, pa dallim feje, race dhe kombësie, sa e lumtura Nënë Tereza. Kjo Gonxhe e çelur në “Kopshtin” tonë, të ujitur me gjakun e martirve, e cila sikur “bleta punëtore” e thithi nektarin e traditës dhe të kulturës sonë shekullore, për ta shndërruar në dashuri ndaj Zotit dhe të afërmit, bulëzoi si një “shërmend” në trungun e tokës ilire, e cila nga më të parët e pati fatin të pijë nga kjo gurrë e hireve. E la Shkupin që e donte shumë, u nda përgjithmonë nga familja dhe u drejtua drejt Indisë së lartë dhe të varfër, për t’u bërë shërbëtore e më të braktisurve. Shpirti i pastër, mendja e shëndritur dhe zemra e mbushur plot dashuri për Zotin, e gërshëtuar me besën dhe bujarinë shqiptare, ishin stolia e këtij portreti të panjollë dhe të gdhendur në traditën e familjes Bojaxhiu. Nënë Tereza iu dorëzua krejtësisht planit hyjnor dhe prandaj Jezusi iu drejtua me fjalët: “Kam etje!” Etja e Tij konsiston në shpirtërat e njerëzve të braktisur në errësirën e hërresës dhe të mëkatit. Jezusi ka nevojë për ata që sjellin dritë, shpresë dhe jetë, për këtë arsye e thirri Nënë Terezën: “Eja, bëhu drita ime!”

Ishte kjo “thirrje në thirrje” që asaj i kushtoi vuajtje, vetëflijim, errësirë dhe trishtim, por njëkohësisht i dhuroi shumë hire dhe bekime. Gonxha i qëndroi besnik besës që ia kishte dhënë nënës, se do të bëhej misionare e Zemrës së Jezu Krishtit dhe vërtet u bë një “laps në dorën e Zotit”, me anë të të cilit Jezusi e shkroi një faqe të re të Ungjillit në botën tonë moderne, duke e bërë atë sikur një diell të vërtetë, i cili do t’i shtrijë rrezet e dashurisë hyjnore mbi të gjithë njerëzit e botës. Besimi, dashuria, puna dhe përkushtia e pafund e Nënë Terezes është dëshmia më e mirë dhe më e gjallë e mishërimit të Jezusit në jetën e çdonjërit prej nesh dhe arsyeja më e madhe e mburrjes dhe krenarisë për popullit tonë shqiptar.

Në lidhje me këtë më së mirë flet Kalkuta, vendlindja e dytë e Nënë Terezës, ku ajo u identifikua me Krishtin e kryqëzuar dhe të vuajtur, të etur dhe të uritur për shpirtërat e njerëzve. Kalkuta, metropol i Bengalit Përendimor me mbi 12 milion banorë  (askush nuk e din statistikën e saktë), përkundër mjerimit të skajshëm që mbretëron në të, është qytet me njërëz shumë të dashur dhe paqësor. Në të hetohet një klimë shumë e mirë e bashkëjetesës së religjioneve, për të cilën në mënyrë të veçantë kontribuoi Nënë jonë Tereze, për çka u shpërblye më çmimin më të lartë të Indisë dhe me atë Nobel. Të paraqitesh si shqiptar në Kalkutë është një krenari shumë më e madhe sesa kudo tjetër në botë. Secili të shikon me një buzëqeshje dhe dashamirësi, duke të pyetur me një ndjenjë falënderimi: “You are from Mother Teresa’s country?” (Jeni nga vendlindja e Nënë Terezës?”)

Nënë Tereza është, padyshim, personaliteti më i dashur i popullit indian, njëherit edhe personaliteti më i madh i shekullit XX. Këtë ajo e arriti me përvujtërinë më të madhe ndaj Zotit dhe Kishës së tij, si dhe me dashurinë më të skajshme ndaj njeriut. Madhështia e saj qëndron në faktin se ajo nuk i përkiste vetëm një kombi, por të gjithë botës, në vëçanti atyre më të braktisurve. Kështu sikur një diell shkriu akullnajat e zemrave të miliarda njerëzve, mjek që shëroi qindra mijëra të sëmuar, nënë që përvetësoi aq shumë fëmijë të braktisur nga prindërit, çelës që hapi dyertë e, pothuaj, të gjithë botës. Rregulli i Nënë Terezës përfshinë të gjitha degët e mundëshme të shërbimit të krishterë: 1.) Motrat aktive: numri i tyre është 4. 771, që janë të pranishme në 137 shtete të botës dhe jetojnë në 744 bashkësi. 2.) Motrat kontenplative: numri i tyre arritë 197 dhe jetojnë në 22 bashkësi të shpërndara në 11 shtete. 3.) Meshtarët:  numri i tyre është 38 dhe jetojnë në 8 bashkësi.  4.) Vëllezërit aktiv: numri i tyre është 377, jetojnë në 68 bashkësi dhe janë të pranishëm në 21 shtet. 5.) Vëllezërit kontenplativë: numri i tyre është 28 dhe jetojnë në 5 bashkësi.

Përpos kësaj, Nënë Tereza ka miq dhe vullnetarë në mbarë botën, që e ndihmojnë këtë vepër, që në shumë çka i tejkalon kufijt njerëzor. Ajo askurrë nuk u përkul para mjerimit, por, duke e braktisur tërësisht vetëvetën, u identifikuar me më të varfërit, të sëmuarit, leprozët, jetimat, invalidët, të pastrehët etj., dhe kështu u bë mësuese e Dashurisë hyjnore. Ajo është një Bibël e gjallë që dëshmon se: njeriu për ta arritur Dashurinë duhet të flijohet, të mishërohet dhe të dëshmojë me jetë. Dashuria kërkon besnikëri në ditët më të errëta, ndërsa i dashuruari është i sigurtë se herët, a vonë dashuria e tij do të triumfojë. Errësira që e përcolli Nënë Terezën gjatë gjithë jetës nuk ishte e zonja ta ngadhënjente dhe ta ndante nga Krishti, të cilit iu kishte dhuruar që nga fëmijëria. Ajo, përkundër errësirës që mbretëronte në zemrën e saj, dyshimeve që synonin ta ndanin nga Zotit, gjithmonë e buzëqeshur dhe e vendosur vazhdonte ta shikonte Krishtin në çdo njeri, andaj vraponte për t’ia shuar etjen.  

Pas 60 viteve, kur ndalemi dhe shikojmë një mjerim të tillë që mbretëron rrugëve të këtij metropoli shumë të nxehtë, e pyesim veten në mënyrë spontane: Si ka patur forcë Nënë Tereza të ballafaqohej me një realitet të tillë? Kur kësaj i shtohen problemet edhe më të mëdha të asaj kohe, atëherë është e qartë se vepra e saj shumë dimenzionale ka qenë krejtësisht e udhëhequr nga Zoti. Është kënaqësi të shikosh këtu të gjithë ata vullnetarë që vijnë nga të gjitha vendet e botës (përjashto trojet shqiptare), për t’u vënë në shërbim të përkohshëm në qendrat e ndryshme të “Misionareve të Dashurisë”. Shtëpia amë, ku gjindet edhe varri i Nënë Terezës, tërë ditën vlon, jo vetëm nga vapa përvluese dhe motrat e shumta (mbi 150 që banojnë në të), por edhe nga numri i shtegtarëve dhe nga ai i vullnetarëve, që praktikisht këtu e fillojnë çdo ditë me Meshën shenjte dhe e përfundojnë me adhurim.

Duke patur parasysh se gjindemi në vitin jubilar të 100 vjetorit të lindjës së të Lumturës Nënë Terezës, motrat “Misionaret e Dashurisë” së bashku me meshtarët, vëllerëzit dhe Arqipeshkëvinë e vendit kanë përgatitur një program shumë të bujshëm, që fillon me lutjen e nëntëditëshit (nga 17-25 gusht) dhe arrit kulmin me Meshën e dt. 26 gusht (ora 6.30), të cilën do ta udhëheqë Eminenca e Tij Kardinali Telesphore Toppo. Pas kësaj është në program festivali i filmit dhe lutjet e ndryshme për të përfunduar me celebrimin e Meshës shenjte në porvjetorin e vdekjes (me dt. 5 shtator), të cilën do ta drejtojë Nunci Apostolik Mons. Salvatore Pinacchio.

Shënimi i këtij jubileu le t’na ndërgjegjësojë edhe më tepër për ta njohur veprën e Shenjtëresës sonë, të mbushur me plot dashuri dhe dritë. Kjo mund të realizohet vetëm po u hapëm ndaj saj. Përndryshe, kam frikë se, nuk do të jemi në gjendje t’i kuptojmë, e aq më pak t’i realizojmë veprat që ajo i bëri për njerëzimin. Nënë Tereza  e realizoi misionin e vetë në mënyrë të përsosur, duke e shpallur dhe mishëruar Ungjillin në mbarë botën. Përmes saj, pikërisht sikur përmes diellit, ndriçojnë rrezet e dashurisë së Zotit në çdo popull dhe në çdo komb. Andaj, nëse jetojmë me paragjykime, mbyllemi në dhomën tonë të errët, apo nuk pozicionohemi si duhet dhe nuk lejojmë të depërtojnë në ne rrezet e tija, nuk është dielli fajtor, por ne vetë. Prandaj, ta lusim Nënë Terezën që të lutet për popullin tonë shqiptar, që të fitojë atë besim dhe dashuri që e pati vetë ajo për Zotin dhe të afërmin! 



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora