Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Xhafer Leci: Qëndresa e Jasharajve, histori më vete...

| E merkure, 28.11.2007, 12:03 AM |


Shkruan: Xhafer Leci

Me siguri, njerëzit jo vetëm nga pamja fizike, por edhe ajo shpirtërore nuk janë të njejtë. Masakrat e Jasharajve të 5 marsit 1998, si dhe qindra të tjera që ndodhën gjatë luftës çlirimtare 1998-99 në tërë territorin e Kosovës, janë rastet më mizore që ka përjetuar populli shqiptar individualisht dhe kolektivisht. Akoma një pjesë e madhe e popullatës sonë jetojnë me pasoja të rënda psiqike, trauma, ngarkesa depresive-psychosomatike, etj. Me 23 dhjetor 1991, Zenel Jashari, kusheri i afërm i komandantit legjendar Adem Jashari, udheton nga Stuttgarti i Gjermanisë për në Kosovë.

Gusht 2000, Para shtëpisë muze dhe varrezave të dëshmorëve Jasharaj. Xhafer Leci me familje
Me 30.12.1991, policia serbo-çetnike bënë rrethimin e lagjës së jasharajve në Prekaz. Më këtë rast ata burgosën 54 persona në burgun e Mitrovicës, ndër ta edhe mysafirët kalimtarë. Zenelit i marrin 80.000 DM ( tetëdhjetmijë maraka gjermane), dhe disa copë armë që kishte me leje dhe pa leje. Tërë familjen, burra dhe gra na kanë malltretuar fizikisht e psiqikisht, edhe nënën time 80 vjeçare, thotë Zeneli. Ky burgosët bashkë me dy vëllazërit Xheladinin dhe Xhaferin, i dyti ish polic i larguar nga puna më 1990, si shumica e shqiptarëve. Siç rrëfen Zeneli, shumica u liruan të nesërmen, Shaban Murat Jashari baba i komandantiti legjendar Adem Jashari u lirua pas tri ditësh, por e kishin malltretuar tepër rëndë fizikisht dhe psiqikisht, sa nuk e mbanin këmbët. Edhe Bilall Jasharin e Hasan Hamitin nga Prekazi i Epërm i malltretuan shumë, shton Zeneli. Zenelin e mbajnë në burg dy muaj e gjysëm, e rrahin brutalisht, duke e akuzuar se ato të holla i kishte sjellur nga Gjemania në Kosovë bashkë me shokët për të blerë armë!? Nga viti 1992, komisioni i mjekëve gjermanë ka konstatuar se Zeneli 70% është i pa aftë për punë. Zenelit me djalin dhe nipin policia serbe u konfiskon pasaportat. Për tu kthyer në Gjermani pa pasaporta ilegalisht, bëmë një rrugë shumë të mundimshme dhe të gjatë duke kaluar nëpër shumë shtete lindore derisa arritëm në Gjermani. Për mua, djalin Fatmirin dhe djalin e vëllaut Ahmetin rruga ilegale na kushtoi 20.000 DM. Zeneli nga ajo kohë është bërë shtetas gjerman jo më dëshirë, por këtë ia imponojë situata e sipërpërmendur. Diku kah fundi i marsit i vitit 1992 më telefonon Zeneli dhe më thotë; Xhafer a ke dëgjuar se çka ka ndodhë në Prekaz? Po i them, si jo! A ke kohë të shkojmë në zyre të LDK-së në Stuttgart? Po si jo, i them. Zeneli me djalin Fatmirin dhe nipin Ahmetin erdhën tek unë në shtëpinë time, bashkëshortja ime Refikja u bëri nga një kafe, ishin të lodhur dhe të rraskapitur sa të vinte keq t’i shikoje drejt në sy. E ftova z. Mejdi Laçaj dhe së bashku shkuam në zyre të LDK-së në Stuttgart. Aty na pritën z. Hafiz Gagica si dhe i ndjeri Sali Çeku. Salihu, si jurist dhe më përvojë që ishte e pyeti gjërësisht Zenelin për ngjarjen. Dhe më në fund Salihu iu drejtua;A të pyetën për Adem Jasharin? Po i tha Zeneli. Çka u the ti atyre? U thash; çka di unë nga Gjermania se ku janë dhe çka bëjnë ata? Ndërsa z. Gagica si më humor e pyeti se kur po shkojmë me e kallur luftën? Zeneli iu përgjigj: gati jam kurdo të më thirrni. Z. Gagica e pyeti se a ke nevojë për ndihmë finanziare? Jo i tha Zeneli, sepse ka skamnorë më të nevojshëm se unë, sepse unë së paku e kam vendin e punës këtu në Germani. Salihu gjatë tërë bisedës shënonte në bllokun e tij.

Si i shpëtuan masakrës familjet e vëllazërve të Zenel Jasharit më 5 mars 1998?

Në vitin 2000 i bëra një vizitë me gjithë familjen time varrit të komandantit legjendar Adem Jashari dhe viktimave tjera. Pas homazhit, si të gjithë vizitorët tjerë vizitova shtëpin muze. Hyra në oborrin e shtëpisë së Rifatit, dhe e thirra Rifatn, ai doli në oborr, dhe pasiqë njihëshim edhe më herët u përqafuam, ku menjëherë më tha: Xhafer ti me djalë hynë në këtë shtëpi dhe gruaja jote me vajzat le të shkojnë në shtëpinë tjetër, sepse kam musafirë tjerë. E falenderova shumë për mikpritjen që të hyjmë brenda, mëqë kishte filluar të afrohët mbrëmja. I thash se kam pak kohë dhe se dëshiroj ta vizitoj edhe familjen e Xhafer Jasharit, pasi që jam këtu dhe me Zenelin njihemi vite të tëra. U përshendetëm me Rifatin. Hyra në shtëpinë e Xhafer Jasharit. Pas përshëndetjes pimë nga një kafe dhe fillova ta pyes se si i shpëtuan masakrës meqë shtëpia e tij dhe e vëllazërve gjendej vetëm nja 100 m larg nga shtëpia e Rifatit Jasharit. Fillimisht më thotë: e kam ditur se kurrë shkau pa luftë nuk do të ikë nga Kosova. Edhe pse e dij se shkau gjithmonë ka bërë masakra, kam menduar se në shekullin e 20 bota s’do të lejojë të përseritën më masakrat si me 1912-1945, por ja që edhe tani më 1998-99 u përsëritën! Mjerisht, Evropa dhe bota filluan me vonesë të na mbrojnë, por megjithatë kësaj rradhe na mbrojtën për të cilën gjë u jemi shumë mirënjohës. Ne nuk e dinim se çka po ndodhë me fqinjët tanë. Ishim të rrethuar në të gjitha anët dhe filluan të na sulmojnë më armë të ndryshme, dhe s´dija çka të bëja, ku të shkoja dhe ku t’i strehoja fëmijt. Më në fund vendosëm të strehohemi në podrumin tonë. Pastaj, më tregoi podrumin ku kishin qëndruar 5 ditë të plota. Duke hyrë shkallëve poshtë në anën e djathtë gjendej një dritare e vogël e cila ishte e mbyllur me një pllakë hekuri, ndërsa në anën e majtë ishte një podrum tjetër, që askujt s`do t’i shkonte mendja përpos atyre që jetonin aty se pas kësaj dere ka një dritare të vogël te cilën kur hapej dera e mbulonte të tërën. Pesë ditë frikë dhe tmerr, podrumi pa dritare, filloi të humbë ajri, fëmijtë ishin thuaja të gjithë të vegjël, filluan t’iu thahën buzët, por edhe filloj që të na vështirësohët frymëmarrja. Muri filloi të lagët dhe më ato pika ua lagia buzët e shkrumuara fëmijëve. Kishim edhe një vajzë të smuar nga epilepsia, na tregonte gruaja e Xhaferit, dhe problemi ishte se nuk kishim marrë medikamente më vete, të cilës i biente të fikët dhe e humbëte vetëdijen.Të jetosh 5 ditë e netë pa e parë dritën me sy, pa ujë dhe bukë, me frikën se kur do vinë kasapet për të na masakruar, ishte tmerr mbi tmerre!! Më lehtë e mendoj vdekjen time se sa ato ditë të zeza të cilat kurrë në jetë s’do t’i harrojmë! Policia serbe me megafona në gjuhën shqipe na ftonin, nëse ka diku të fshehur gjallë, të dorëzohemi, se gjoja s´do t’u ndodhë asgjë!? I dëgjonim, por të parët tanë na kishin mësuar se shkjaut kurrë besë mos me i zanë..! Jam i bindur se po të dilnim do të na vrisnin të gjithëve. Kur kanë ardhur njerëz për t’i varrosur kushërinjët tanë të masakruar, shton Xhafer Jashari, ka ardhur një nip imi, djalë motre, me një djal tjetër nga Polaci, nuk më kujtohët emni i tij. Nipit i kishte shkuar mendja se neve mund të jemi gjallë të mshefur në podrum. Kemi dalë nga podrumi, dhe kur kemi marrë veshë se janë vrarë Shabani, Hamza, Ademi dhe të gjithë ata kusherinjët dhe fqinjë tanë, thotë Xhafer Jashari, kisha dashuar të isha i vdekur edhe unë me tërë familjen time, dhe më besoni se sot kur i kujtoj ato çaste nuk mund të bëjë jetë normale si çdo njeri. Ky rrëfim nuk përfundon me kaq…!