Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Avzi Mustafa: Imam Vehbi Ismaili, një hallkë e rëndësishme e traditës islame shqiptare

| E diele, 06.06.2010, 06:22 PM |


Paraqitje librash

 

Imam Vehbi Ismaili

një hallkë e rëndësishme e traditës islame shqiptare

 

Shkruan: Prof. Dr. Avzi Mustafa

 

Imami pas vetes nuk la vetëm kaq shërbime për atdheun e tij, kaq kujtime të mira dhe një komunitet shqiptaro-mysliman aq mirë të organizuar, por ai pas vetes la edhe një vitrinë librash, të cilat për rreth gjysmë shekulli i shkroi me dorën e tij, duke e mbajtur përgjatë viteve në këmbë shkrimin e islamit në gjuhën shqipe dhe duke u bërë kështu një pjesë e vargut të Hafiz Ali Korçës, Hafiz Ibrahim Dalliut, Hafiz Ali Ulqinakut, që pas Luftës së Dytë Botërore, për shkak të rrethanave politike, filluan t’i mungojnë kulturës shqiptare.

 

           

Imam Vebiu
Imam Vebiu
Tradita që e ka përshkuar Shtëpinë Botuese “Logos-A” që nga viti 2004, me botimin e serisë 20-vëllimëshe deri tash më të plotë të veprës së Sami Frasërit, në vitin 2006 me botimin 12-vëllimësh të veprës së plotë të Hafiz Ali Korçës, tani po vazhdon me botimin e veprës së plotë origjinale dhe të përkthyer të Imam Vehbi Ismailit, të realizuar në 8 vëllime luksoze.

            Kjo vazhdimësi e kultivimit të këtyre vlerave të harruara ndër vite në kulturën shqiptare, flet për përkushtimin e veçantë që e ka Logos-A për rikthimin e këtyre veprave në gjirin e gurrës së përgjithshme të letrave shqipe, por veçmas të veprave që, për arsye të ndryshme, për vite të tëra në një mënyrë sikur janë lënë anash nga kujdesi i studiuesve, duke mbetur kështu të panjohura edhe për lexuesin shqiptar. Ndonëse Sami Frashëri është i njohur për filologjinë tonë, megjithatë në botime të ndryshme ai ka dalë i fragmentuar, ashtu që konsiderojmë se botimi i 2004-tës solli një Sami me një profil të ri, që tash e tutje mbase më ndryshe do të njihet edhe nga studiuesit. Në këtë frymë erdhi edhe vepra e Hafiz Ali Korçës, një eruditi, i cili për shkaqe ideologjike, për vite të tëra u la në harresë, ndërsa kurorë e kësaj përpjekje është botimi i veprës së Imam Vehbi Ismailit, që jo vetëm paraqet një hallkë të atij zinxhiri të gjatë, por ajo mbetet e veçantë dhe, për shumëçka, e vetmja e tillë në korpusin e madh të kulturës shqiptare të autorëve të proveniencës myslimane.

            Imam Vehbi Ismaili është një emër i madh për islamologjinë shqiptare, jo vetëm për faktin se la pas vetes “një tufë lulesh” (kështu titullohet një vepër e tij) me vepra origjinale dhe disa përkthyera, por ai aq më tepër është meritor që në kohën kur në Shqipëri u ndalua zëri i teologjisë, ndërsa në Kosovë e Maqedoni mezi dëgjohej diç për kulturën islame në gjuhën shqipe, ai arriti që nga Amerika e largët të shpërthejë me zërin e tij plot elan e energji studimi, për ta vazhduar kështu traditën e islamologjisë shqiptare dhe për ta mbajtur gjallë atë frymë që për arsye politike aq shumë po ndrydhej në trojet etnike shqiptare.

            Prandaj kjo meritë kaq e madhe e tij, që për rreth 40 vite rresht, nga viti 1958 e deri në vitin 1995, e mbajti gjallë islamistikën shqiptare, meriton një shpërblim si ky. Aq më shumë që botimi i kësaj vepre përkon me 90-vjetorin e lindjes së tij. Kujtojmë se përkujtimi i këtij veprimtari të palodhshëm pikërisht në këtë përvjetor është një datë e veçantë jo vetëm për familjen e tij dhe për ata lexues që e njohin veprën e tij, porse ky vit është një datë e madhe edhe për mbarë kulturën shqiptare, sidomos për atë të frymës islame.

           

kompleti - Imam Vehbi
kompleti - Imam Vehbi
Ndonëse Imam Vehbiu u detyrua të largohej për Amerikë në moshë fare të re, sapo i kishte mbaruar studimet, ai arriti që shumë shpejt në kontinentin e ri ta organizojë komunitetin shqiptar mysliman, ta ngrejë në baza të shëndosha, e pastaj edhe të vë kontakte të mira me komunitetet e tjera shqiptare atje, duke qenë mik dhe bashkëpunëtor i pandashëm edhe i komunitetit shqiptar të krishterë. Imam Vehbiu çmohet nga gjithë komuniteti shqiptaro-amerikan si një njeri me virtyte të larta atdhetare, si një patriot i vërtetë, por edhe si një hoxhë që diti të krijojë harmoni vëllazërore ndërshqiptare në SHBA, duke u bërë model i traditës sonë të tolerancës dhe bashkëpunimit ndërshqiptar edhe në truallin e Amerikës së largët.

            Megjithatë Imami pas vetes nuk la vetëm kaq shërbime për atdheun e tij, kaq kujtime të mira dhe një komunitet shqiptaro-mysliman aq mirë të organizuar, por ai pas vetes la edhe një vitrinë librash, të cilat për rreth gjysmë shekulli i shkroi me dorën e tij, duke e mbajtur përgjatë viteve në këmbë shkrimin e islamit në gjuhën shqipe dhe duke u bërë kështu një pjesë e vargut të Hafiz Ali Korçës, Hafiz Ibrahim Dalliut, Hafiz Ali Ulqinakut, që pas Luftës së Dytë Botërore, për shkak të rrethanave politike, filluan t’i mungojnë kulturës shqiptare. Ai la pas vetes dhjetëra libra origjinalë, kryesisht libra mbi historinë islame, të cilën e kishte pasion të veçantë, por edhe mjaft libra të vlefshëm studimor mbi fenë islame, por edhe libra me mësime fetare, hutbe, ligjërata e shkrime të tjera të kulturës islame. Ai po ashtu pas vetes ka lënë edhe disa libra të përkthyer, që kishte filluar t’i përkthejë që nga mosha e re, duke qenë nxënës i medresesë së Tiranës e student i Kajros, e deri në ditët para se të ndahej nga kjo botë.

Imami me Nolin
Imami me Nolin
Marrë në përgjithësi, veprimtaria krijuese e Imam Vehbi Ismailit, që ndonëse nuk është e paktë as për nga sasia, ajo aq më shumë shkëlqen për nga cilësia e saj, duke qenë një strumbullar i lavdishëm rreth të cilit do të renditen më vonë edhe shumë libra të tjerë dhe shumë shkrime të tjera. Imami na la pas një vepër që, kur kihet parasysh koha e tij, angazhimet e tij ditore dhe mënyra e krijimit të librit, flasin se ai ishte një punëtor i madh, një dijetar i palodhur, një “pishtar” që nuk e kurseu aspak veten dhe me aq dëshirë prodhoi kaq shumë për vëllezërit e tij shqiptarë te besimit islam. Kjo vepër e ka bërë të pavdekshëm emrin e tij në kulturën shqiptare dhe ia ka siguruar atij vendin pranë figurave më madhore të letrave shqipe. Sidomos pas këtij botimi emri i tij do të jetë i paharruar për shqiptarët myslimanë, që i kanë shumë borxh Imamit që me aq përkushtim e devotshmëri atyre u dhuroi libra kaq të bukur në gjuhën shqipe.

            Ardhja e kësaj vepre pikërisht tash synon që përmes këtij edicioni ta përjetësojë emrin e Imam Vehbi Ismailit, studiuesve ju sjell një botim të plotë të kësaj vepre që është botuar përgjatë gjysmë shekulli, ndërsa lexuesve të rinj jep mundësi të kenë pranë duarsh një thesar të çmuar të kulturës islame në gjuhën shqipe.

            Meritorë për gjithë këtë pa dyshim është botuesi Logos-A, tashmë i njohur anekënd botës shqiptare me botimet e tij cilësore, si dhe redaktorët Nexhat Ibrahimi e Zeqirija Ibrahimi, po edhe disenjatori Edi Agagjyshi e shtypshkronja Focus Print që me punën e tyre dukshëm e kanë ngritur cilësinë e botimeve në gjuhën shqipe.

             Le të jetë kjo vepër një përkujtim për Imam Vehbi Ismailin, i cili, edhe përkundër dëshirës së madhe, i mbylli sytë pa e parë këtë botim. Prandaj qofshin këto libra një tufë lulesh e lutjesh për shpirtin e tij!