E enjte, 28.03.2024, 02:40 PM (GMT)

Editorial

Valon Kurtishi: Huji (vesi) i robit nuk hiqet lehtë

E shtune, 05.06.2010, 09:00 PM


Huji (vesi) i robit nuk hiqet lehtë

 

Nga Valon Kurtishi

 

Në vitin 1949 novelisti i shquar britanik Xhorxh Oruell (George Orwell, 1903-1950), botonte një libër të mrekullueshëm të titulluar shkurt “1984”, ku sigurisht i bazuar edhe në eksperiencat tashmë të njohura nga Rusia staliniste, parashikonte me përpikmëri dhe shumë realisht caqet e totalitarizmave gjithpërfshirës, komunist në rastin konkret. Libri bën pjesë me shumë të drejtë në atë që quhet literaturë dystopiane nga fjala latine dys - topia, për një vend të dehumanizuar ku njerëzit çojnë një jetë shpesh në frikë konstante. Një thënie tjetër e këtij shkrimtari të njohur politik ish guvernator në Birmaninë britanike, është ajo në lidhje me të kaluarën dhe të ardhmen si të individëve ashtu edhe të kolektiviteteve të caktuara. Sipas tij ata që kanë kontrolluar të kaluarën do ta kontrollojnë edhe të ardhmen tonë, ("He who controls the present, controls the past. He who controls the past, controls the future”).

 

Një rast akoma më sinjikativ na vjen nga periudha e luftës civile amerikane (1861 – 1865). Një nga arsyet e konfliktit të përgjakshëm veri-jug (Unioni kundër Konfederatës) ishte edhe heqja e sistemit ç’njerëzor të skllavërimit së popullsisë me ngjyrë në shtetet jugore, ekonomia e të cilave bazohej gati tërësisht në shfrytëzimin e fuqisë punëtore së skllevërve zezakë. Pikërisht në këtë periudhë vdes një politikan i madh jugor i njohur për kundërshtimin e vendosur ndaj heqjes së skllavërisë. Dhe ja paradoksi më i madh dhe gati i pashpjegueshëm. Pikërisht në funeralin e këtij politikani racist dhe antizezaku të tërbuar, pjesëmarësit më të pikëlluar dhe ata që i bartën me nderim të madh arkivolin për në banesën e fundit ishin skllevërit me ngjyrë. Si të spjegohen këto kontradikta interesante në psikologjinë e individëve të veçantë por edhe turmave të masës njerëzore?

 

Një numër i shkencëtarëve të huaj që meren me studimin e këtyre fenomeneve jonormale kanë evidentuar të a.q “kompleks të inferioritetit” i cili buron nga pafuqia për t’iu kundërvënë agresorit dhe i cili mund të marë forma shprehëse krejtësisht të ndryshme (kundërta) nga njëra tjetra. Forma e parë e reagimit ndaj pafuqisë përballë tjetrit është ajo e identifikimit me agresorin, kur duke pranuar tiparet identifikuese të tij eliminohet rreziku imediat për grupin marrës apo pranues. Dhe një mundësi e dytë është shfaqja e tepërt e ndjenjave të krenarisë dhe veçantësisë nacionale e cila në raste të caktuara mund të marë edhe forma të fanaticizmit nacional.

 

Se ata që e kanë kontrolluar të kaluarën tonë po bëjnë përpjekje të mëdha dhe shumë transparente për të kontrolluar të tashmen dhe përcaktuar të ardhmen tonë, kjo është jashtë çdo dyshimi dhe po vërtetohet me vepra konkrete çdo ditë në realitetin tonë të mjerë shqiptar.

 

1. Në lidhje me votimin shqiptar në Eurovizion për Greqinë dhe Turqinë !?

 

Të gjithë këto shembuj manipulimi mu kujtuan duke ndjekur me kujdes maskaradën e kushedisatë me rradhë të votimit abnormal shqiptar në zgjedhjen e këngës më të mirë në eurovizion. Edhe këtë radhë vota e shqiptarëve etnikë në Maqedoni dhe atyre emigrantëve tanë të shkretë që punojnë në kushte skllavëruese dhe jetojnë nën diktaturën shoviniste greke, ishte e gjitha me zemër dhe me shpirt për Shqipërinë tonë. Vota shqiptare nga ana tjetër apo vota e shtetasve të Republikës së Shqipërisë ishte 10 pikë për Turqinë dhe 12 pikë për Greqinë !!! Pra shtetasit me përkatësi etnike shqiptare të shtetit shqiptar kanë votuar si preferencë të tyre një këngë turke dhe një këngë greke, të cilat për të qenë të realtë dhe sipas mendimit të shumicës së kritikëve dhe ekspertëve europianë të artit muzikor, nuk është se këtë radhë u dalluan për nga performanca e tyre në eurovizion. Pra shqiptarët etnikë kanë votuar për këngët greke dhe turke pa marë parasysh opinionin europian për këto këngë.

 

Çështë kjo? Si të spjegohet ky votim? Është kjo manipulim i kompanive celulare greke dhe turke që zotërojnë hapësirën shqiptarë të telekomunikacioneve me votat e qytetarëve shqiptarë? Prezencë aq masive e minoriteteve greke dhe turke në Shqipëri i cili kushtëzon edhe votën e 4 milionëve shqiptarëve të Republikës së Shqipërisë? Apo ndoshta muzika greke dhe turke është shumë afër muzikës shqiptare dhe mos identifikohet një pjesë e popullsisë tonë me këto “vlera” artistike? Apo mos vjen në shprehje këtu më mirë dhe më qartë se kudo tjetër identifikimi kolektiv me agresorin?.

 

Një Revistë angleze përpiqej të spjegonte paradoksin e turpshëm të votimeve aspak normale në eurovizion, duke i ndarë grupet e interesit europian në tre skema të mëdha edhe atë, ballkanik, nordik dhe europiano lindor. Këta votojnë jo sipas vlerave të këngëve e interpretuesve por në bazë të preferencave të tyre regjionale apo interesave të ngushtë politikë.

 

Për të thënë të vërtetën, çështja duket pak si tepër e ndërlikuar për të pranuar një arsyetim të këtillë të thjeshtë dhe sipërfaqësor. Këtu duket se ndjenjat kombëtare të popujve, edukimi i tyre masiv në gjuhë të caktuara kombëtare, përvojat e hidhura apo edhe pozitive historike, civilizimi apo kultura, zonat fetare e etnike ku bëjnë pjesë, botëkuptimi i tyre për botën apo për çdo gjë që i rethon, luajnë rolin kryesor në votim. Kjo duket të jetë kështu në shumicën e rasteve për të mos absolutizuar çështjen në fjalë.

 

Por rasti shqiptar është shumë i veçantë dhe ska të bëjë fare me klasifikimin e bërë nga ky tabloid britanik. Shqipëria nuk është vend nordik, nuk bën pjesë në kulturën ballkanike e cila është në shumicë dërmuese sllave dhe ortodokse si dhe nuk bën pjesë në grupin e imagjinuar europiano-lindor pasi nuk ndan karakteristika kulturore me masën e madhe sllave të kësaj pjese të Europës dhe botës. Rasti shqiptar ka të bëjë definitivisht dhe përfundimisht me kompleksin e inferioritetit që shtresa të gjera shqiptare kanë ndaj kulturave të huaja në përgjithësi dhe atyre turke e greke në veçanti. Ky kompleks i bën të identifikohen me agresorët e tyre nga e kaluara dhe nga e sotmja. Këtu vërtetohet ajo thënia Oruelliane se ata që kanë kontrolluar të kaluarën do ta kontrollojnë edhe të ardhmen tonë. Ne mund ta kuptojmë 12 pikëshin e Qipros greke për Greqinë greke, por nuk mund të kuptojmë 12 pikëshin e Shqipërisë shqiptare për Greqinë greke e antishqiptare njëkohësisht !?. Ne e kuptojmë plotësisht 12 pikëshin turk për Azerbaixhanin turk, por nuk mund të kuptojmë asesi 10 pikëshin shqiptar për Turqinë turke !?

 

Duket se shoqëria shqiptare nuk është në gjendje të organizohet, të mobilizohet dhe të prodhojë vlera artistike dhe kombëtare që do të ishin modele të suksesshme dhe imazhe të fuqishme me të cilat do të mund të identifikoheshin pastaj shqiptarët etnikë kudo janë ata, brenda në Shqipëri apo jashtë saj. Ky është një problem kardinal i civilizimit shqiptar të cilit i duhet një zgjidhje urgjente, përndryshe shqiptarët do të asimilohen plotësisht në xhunglën e ideve dhe vlerave të kulturave shumë të fuqishme botërore në këtë periudhë globalizmi.

 

2. Në lidhje me hapjen e Universitetit shqip dhe “turk” !!! në Prizren !?

 

Problemi i njëjtë vërehet gati në çdo sferë të jetës shoqërore të kombit shqiptar në të gjitha territoret e tij në Ballkan. Shembulli i fundit ishte çështja në lidhje me vizitën e kryeministrit të Republikës së Kosovës në Ankara, ku pa pikë përgjegjësie deklaroi se mirëpret ndihmën turke në hapjen e Universitetit të Prizrenit ku do të mësohet shqip dhe … turqisht !!!. Edhe më parë presidenti Sejdiu ka bërë deklarata krejtësisht të pamenduara dhe të papërgjegjshme në lidhje me çështje që kanë të bëjnë me të a.q “minoritet turk” në Kosovë dhe në lidhje me zyrtarizimin e gjuhës turke në zona të caktuara të saj. Deklarata të natyrës së ngjashme dhe papërgjegjshmëri konstante tregon edhe Tirana zyrtare në lidhje me të a.q “grekë” atje.

 

Në këtë drejtim ishte edhe kontrata prej gati 700 milionë euro e cila u nënshkrua me një kompani turke për ndërtimin e autostradës Morinë - Merdar. Ne jemi për një shtet të hapur, të zhvilluar, me ekonomi të ndërvarur, të integruar në komunitetin paqësor të të barabartëve dhe nuk jemi për izolimin ekonomik apo politik të vendit. Por kursesi nuk mund të mos shprehim mospajtimin tonë të thellë me përzierjen e kompanive të tilla në politikën e brendshme të shteteve tona shqiptare në Ballkan. Shihet qartë dhe në një mori rastesh është dokumentuar se kompanitë turke dhe greke veprojnë në aleancë të ngushtë me qeveritë e tyre në Ankara dhe Athinë dhe nuk sillen si investitorët e tjerë privatë të themi gjermanë, anglezë, francezë, amerikanë në Shqipëri, Kosovë apo Maqedoni. Janë dhënë shembuj të shumtë që investitorët grekë dhe turq veprojnë si dorë e zgjatur për realizimin e agjendave etnike të qeverive të tyre nacionaliste.

 

Është e pabesueshme, e papranueshme, e pafalshme, krejtësisht antidemokratike dhe antinjerëzore që me paratë e tatimpaguesve dhe taksapaguesve shqiptarë, me paratë e qytetarëve më të varfër të Europës, dhe me lejen dhe dijen e qeverive shqiptare të Prishtinës, Tiranës e Shkupit, të realizohen agjenda asimiluese antishqiptare në mes të tokave shqiptare në Ballkan. Të kushtëzohen ekonomikisht shqiptarët në mes të Tiranës me paratë e tyre që të regjistrohen si grekë !!! Të kushtëzohen shqiptarët e Prizrenit që me paratë e tyre të ndërtohet universitet në gjuhën turke për një pakicë dhe kulturë inekzistente atje !!! Ky është kulmi i papërgjegjshmërisë, pafytyrësisë, i hipokrizisë, i tradhtisë kombëtare të politikës sonë sot, i mungesës totale të vizonit për të ardhmen shqiptare të kombit shqiptar. Kemi thënë, kemi paralajmëruar, dhe do ta themi përsëri në çdo vend , në çdo rast të mundshëm, se ka mijëra shembuj të kësaj natyre që vërtetojnë më së miri atë që thamë lart.

 

Po japim vetëm dy shembuj për të ilustruar gjithë këtë uragan monstruoz i cili rezikon ti përpijë shqiptarët hap pas hapi dhe të zhdukë përfundimisht Shqipërinë e Kosovën nga harta e botës nëse nuk ndërmiret asgjë për të ndaluar atë.

 

TVSH, televizioni publik shqiptar lajmëroi për vizitën e një grupi të “pedagogëve” të Universitetit të Prizrenit në Tiranë ku u pritën nga kryeministri Berisha si dhe realizuan një takim me Universitetin Epoka po aty. Universiteti Epoka është një shkollë turke në Tiranë e hapur kohëve të fundit si rezultat i manisë së qeverisë Berisha për zgjeruar gjoja përfshirjen e të rinjve shqiptarë në arsimin e lartë në vend.

 

Megjithatë tjera qëllime ka Berisha dhe krejtësisht tjera turqit e Epokës apo grekët e Arsakeikos të themi. Kur pedagogët e Prizrenit ku pritet të hapet një Universitet me mësim në gjuhët shqipe dhe turke dhe turqit e Epokës në Tiranë bëjnë marëveshje bashkëpunimi, shihet qartë se këtu kemi një antikombëtarizëm ekstrem të cilin nuk e toleron asnjë shtet prej 200 e më tepër anëtareve të OKB.

 

Vetëm në Shqipëri dhe Kosovë mund të ndodhin këso veprime të pabesueshme për zyrtarizime gjuhësh, hapje universitetesh në gjuhë që janë konkuruese me gjuhën shqipe dhe që rrezikojnë ta shkatërojnë kulturën shqiptare aty ku zyrtarizohen. Në Prizren as ka pasur, as që ka sot dhe as që ka për të pasur ndonjëherë turq etnikë. Ky është një qytet i pastër shqiptar ku një pjesë shumë e vogël e klasës së vjetër qytetare shqiptare si myslimane ashtu edhe katolike e përdor për inerci gjuhën turke dhe ska asnjë lidhje antropologjike me mongolët e Anadollit. Prandaj universiteti shqip që i duhet Prizrenit nuk ka pse të ofrojë mësim edhe në gjuhën turke. Kjo nuk duhet të lejohet asesi. Në asnjë mënyrë. Kjo rrezikon që të shtojë shifrat edhe ashtu artificiale të pseudoturqve në këtë qytet historik shqiptar. Në një shkrim të mëparshëm ne kemi dhënë një shifër të pabesueshme statistikore të ofruar nga vetë entet komunale statistikore në lidhje me numrin e pseudo-turqve në Prizren më 1992 dhe atij sot, ku shihet një ritje e pabesueshme prej afër 300% e të a.q “turq” aty. Nga dolën këta turq në Prizren? Mos ranë nga qielli?

 

Por kryeministri Thaçi e tha këtë në Ankara. Për më tepër lejoi që kompania turke të fitojë tenderin 700 milionë euro për ndërtimin e austostradës së Kosovës. Kjo firma turke pastaj do të financojë aktivitetin subverziv antishtetëror dhe antikombëtar të partive gjoja turke në Prizren, do tu japë nënkontrata (subkontrata) firmave me pronarë gjoja turq po nga Prizreni. Kjo kompani me paratë e popullit të varfër shqiptar të Kosovës do të investojë për ndërtimin e shkollave turke në Kosovë të cilët do të vazhdojnë procesin e nisur nga Aleksandër Karagjorgjeviqi dhe Aleksandër Rankoviqi për turqizimin e shqiptarëve etj...etj. Pra paratë e shqiptarëve të varfër, të shkretë, të nënçmuar dhe të shkelur historikisht do të shfrytëzohen për deshqiptarizimin e shqiptarëve dhe zhdukjen e kulturës shqiptare në favor të asaj turke. Të njëjtën politikë me pikë e presje e zbatojnë edhe shovinistët grekë në Shqipëri. Por për këta në një shkrim tjetër.

 

Ja edhe një shembull konkret që është shumë publik dhe mund ta shikojë çdo i interesuar. Ndër sponzorizimet më të fundit të kompanisë turke ALPET për vitin 2008 në Shqipëri ishin:

 

- Mundësimi i koncertit të ansamblit të valleve me famë botërore “Zjarri i Anadollit” (“Fires of Anatolia”) - d.m.th përhapja e kulturës turke në gjirin e hapësirës kulturore shqiptare:

- Koncerti i Kiraç organizuar në Tiranë – përsëri kulturë turke në Tiranë me paratë e shqiptarëve.

- Mbështetja e ekipit të Ambasadës Turke, në kampionatin e futbollit mes ambasadave të akredituara në Shqipëri, me rastin e hapjes së kampionatit Europian 2008 – kjo tejkalon çdo normë toleruese pasi shihet qartë se kush i jep instruksione dhe me kë bashkëpunon ALPET në Shqipëri.

- Turkish food festival, organizuar në hotel Sheraton në Nëntor 2009.

 

“Fshati” që shihet nuk do kallauz thotë Kadareja ynë i madh tek “Viti i mprapshtë”. Kultura shqiptare është duke u rrezikuar përbindshëm nga kultura greke në Shqipëri dhe ajo turke në Kosovë dhe në Ish republikën jugosllave të Maqedonisë. Kultura shqiptare dhe gjithë ajo që quhet civilizim shqiptar janë duke marë goditje të fuqishme nga imperializmat kulturorë grek, turk dhe sllav.

Qeveritë tona duhet të rishqyrtojnë dhe rivlerësojnë seriozisht çështjen në lidhje me “investimet” greke dhe turke në trojet tona etnike në Ballkan. Nuk mund të lejohet që në shtete shqiptare, në territore etnike shqiptare, në hapësirën kulturore, politike, ekonomike shqiptare ku shqiptarët supozohet se kanë pushtet, me paratë e popullit më të varfër në Europë, kompanitë “private” turke dhe greke të asimilojnë shqiptarët dhe të ngushtojnë hapësirat e kulturës e civilizimit autokton shqiptar. Qeveritë shqiptare ose t’ua bëjnë me dije kompanive greke dhe turke se nuk u lejohet kjo formë e terrorizmit kulturor në territor shqiptar me paratë e shqiptarëve, ose ti largojnë krejtësisht nga Shqipëria dhe Kosova. Është momenti i fundit që të veprohet në këtë drejtim.



(Vota: 8 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora