E merkure, 21.04.2021, 09:44 PM (GMT+1)

Mendime

UÇK, një 10 vjetor historik

E hene, 26.11.2007, 05:35 PM


Nga Klejda Mulaj*

Luftërat çlirimtare përbëjnë momente shumë të rëndësishme në historinë e çdo kombi. Tradicionalisht, ato kanë tërhequr interesin e politikanëve, historianëve dhe akademikëve në përgjithësi, duke u shndërruar në një "laborator" historik studimesh dhe analizash, prej nga janë nxjerrë mësime të çmuara mbi natyrën e zhvillimit shoqëror dhe forcat lëvizëse të historisë. Disa prej mësimeve më të vyera jo vetëm në lidhje me artin e luftës, por edhe për sa i përket natyrës dhe dialektikës së proceseve historike janë të lidhura ngushtë me luftërat çlirimtare. Rëndësia e padiskutueshme e këtyre luftërave buron nga qëllimi i tyre për të mbrojtur vlerën më sublime dhe humane: Lirinë. Rrethanat historike kanë kushtëzuar luftën çlirimtare si një bashkudhëtare të vazhdueshme në jetën e kombit shqiptar që nga lashtësia e deri më sot. Në veçanti, episodi i fundit çlirimtar i shqiptarëve -Lufta Çlirimtare në Kosovë -meriton vëmendjen dhe përkushtimin e historianëve, dhe politikanëve në radhë të parë, në Kosovë dhe Shqipëri. Nuk mund të ketë luftë çlirimtare pa ekzistencën e një sunduesi mizor, dhe për rrjedhojë, pa vuajtje dhe dhimbje të shumëfishta nga ana e popullit të shtypur. Shkaku i Luftës Çlirimtare në Kosovë sigurisht gjendet në politikën diskriminuese dhe totalitare të Beogradit. Rezistenca e armatosur në Kosovë ndaj shtypjes millosheviçjane ishte në fakt opsioni i fundit, kur u pa qartë se strategjia e mëparshme e kundërshtimit paqësor kishte dështuar në sigurimin e të drejtave më minimale të kosovarëve. Për rrjedhojë, për fitimin e të drejtave të tyre, kosovarët nuk kishin rrugë tjetër, përveç përpjekjes së armatosur. Dhe armët u bënë bashkudhëtare në luftën e Kosovës kundër shtypjes barbare serbe.
Krijuar më 1993, Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) u shndërrua gradualisht nga një simbol i rezistencës popullore kundër shtypjes serbe, në një organizatë të mirëfilltë ushtarake, me mbështetje të gjerë popullore, e cila në Nëntor të vitit 1997, arriti të ndërmarrë aksionet e para ushtarake frontale. Ndër datat e shumta historike të UÇK-së, 28 Nëntori 1997 mban një rëndësi të veçantë. Atë ditë, në varrimin e mësuesit Halit Geci (të vrarë nga forcat serbe një ditë më parë), në prani te rreth 20000 pjesëmarrësve në Llaushë të Drenicës, tre luftëtare të UÇK-së-Mujë Krasniqi (dëshmor), Daut Haradinaj, dhe Rexhep Selimi -deklaruan publikisht misionin liridashës të kësaj ushtrie. Fjalimi i Rexhep Selimit u bë një kushtrim mobilizues për çlirimin e Kosovës. Më pas, jehona më madhështore e misionit çlirimtar të UÇK-së u dha nga Adem Jashari, familja e tij dhe shokët e tij të armëve (58 persona), të cilët dhanë jetën në Prekaz të Drenicës me 5-7 Mars 1998. Flijimi i Jasharëve ishte kushtrimi më i fuqishëm për çlirimin e Kosovës, shembull historik që ndërgjegjësoi banorët e saj se liria nuk dhurohet, por fitohet. Epopeja e Jasharëve ndërgjegjësoi edhe komunitetin ndërkombëtar mbi shkallën mizore të dhunës dhe shtypjes serbe në Kosovë, duke u hapur rrugë iniciativave diplomatike për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Dështimi i diplomacisë çoi në ndërhyrjen ushtarake të NATO-s kundër Beogradit (Mars - Qershor 1999).

Pa dyshim, NATO është aleatja më e madhe e çështjes shqiptare. Ndihma e saj përbën faktor kyç në çlirimin e Kosovës nga shtypja serbe dhe kthimin e mbi një milion kosovarëve të shpërngulur me dhunë në shtëpitë e tyre. Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë manifestoi domosdoshmërinë e vazhdimësisë së kësaj organizate politiko-ushtarake në periudhën pas Luftës së Ftohtë, si edhe vendosmërinë e demokracive perëndimore për mbrojtjen e të drejtave humane, lirisë, dhe demokracisë. Mbrojtja e këtyre vlerave bashkoi misionin e NATO-s me atë të UÇK-së.

Një ndër aksiomat më të njohura të artit të luftës është: "Mënyra se si lufta përfundon, përcakton paqen që vijon". Prezenca e NATO-s dhe aleatëve ndërkombëtarë në periudhën pas luftës i shërben tranzicionit të Kosovës nga lufta në paqe. Njëkohësisht, prezenca e drejtuesve të UÇK-së në politikën bashkëkohore në Kosovë reflekton domosdoshmërinë e ndarjes së pushtetit me fituesit e luftës dhe njohjen e kontributit të tyre në këtë drejtim. Por sfidat e politikës së paqes janë më të mëdha se sfidat e politikës së luftës. Ky është një fakt i njohur publikisht edhe nga udhëheqësit e UÇK-së, dhe në veçanti nga Kryeministri i ri i Kosovës, z. Hashim Thaçi. Misioni i UÇK-së për çlirimin e Kosovës nga pushtimi Serb u krye me sukses dhe në një kohë relativisht të shkurtër në sajë të ndihmës së NATO-s. Pavarësia de facto që gëzon Kosova sot është meritë e përbashkët e NATO-s dhe UÇK-së. Pavarësia de jure e Kosovës do jetë gjithashtu rezultat i një politike komplementare të faktorit kombëtar dhe ndërkombëtar. Efektiviteti i deklarimit të pritur unilateral të pavarësisë së Kosovës nga qeveria e re e Prishtinës është funksion i mbështetjes së Fuqive Perëndimore, sidomos njohjes së kësaj pavarësie nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Komuniteti Evropian.

Lufta për çlirimin e Kosovës është një moment i afërt në historinë shqiptare, prej të cilit mund të nxirren mësime të vyera politike dhe historike. Në shtypin tonë kombëtar është folur kohët e fundit për domosdoshmërinë e rishikimit dhe të rishkruarjes së historisë sonë të deformuar nga regjimi komunist. Pa dyshim, deformimet e historisë janë të dëmshme dhe duhen mënjanuar apo korrigjuar. Por nëse nuk arrijmë të demonstrojmë një kuptim uniform mbi një moment të afërt -dhe të jetuar -historik, siç është Lufta Çlirimtare në Kosovë, është e vështirë të besohet se mund të arrihet një kuptim unanim mbi historinë shqiptare të 50, a më shumë viteve më parë.

(*) Autorja (PhD) është diplomuar Doktore Shkencash në fushën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare nga London School of Economics and Political Science (LSE) dhe aktualisht punon në University of Exeter (Angli).



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora