E premte, 19.04.2024, 03:28 PM (GMT+1)

Mendime

Si do të paraqitet nesër Shqipnia në Europë?

E hene, 26.11.2007, 07:37 PM


Nga Ardian Ndreca
    

Ardian Ndreca
Kur Shqipnia ishte shtet i fortë e bante pjesë aktive në KNER (për ata që s’e dijnë, kujtojmë se KNER-i ka qenë: Këshilli i Ndihmës Ekonomike Reciproke i vendeve të Paktit të Varshavës), deri në vitin 1961, eksportonte në botën lindore mollatarta, bimë mjeksore, krom, bakër, lesh, duhan, prodhime ushqimore etj.
Mbas prishjes me BRSS vendi ynë vijoi me eksportue pak a shumë të njejtat prodhime në vende si RDGJ, Çekosllovakia, Polonia, Vietnami, Bullgaria, Korea e Veriut, Rumania etj. Ishin vitet e miqsisë së fortë me Kinën popullore dhe partneriteti tregtar me këtë vend të stërmadh zgjidhte problemin e tregtisë sonë të jashtme.
Edhe vetë rapsodi popullor këndonte i mallëngjyem:

«Dy luanë ka bota, nji Azia nji Europa
Enver Hoxha e Mao Ce Duni
Jane si buka e nji brumi».

Nji tjetër miqsi e madhe ishte ajo me Fidel Kastron. Por vetë Fideli (për fat të keq të kubanezëve) zgjati ma shumë sesa miqsija.
Kotësia e kotësive shtynte regjimin megalloman të Enverit, Hysniut, Mehmetit, Ramizit, Nexhmijes e lakeve të tyne deri atje sa me shkrue me shkronja 1x1 metër ALBANIA në mbulojën e TIR-ave që përshkonin rrugët e Europës lindore me perime dhe zarzavate të freskëta.
Mbas Çernobilit në RDGJ vendi ynë kishte famë të mirë vetëm për cilësinë e mollatartave, të cilat ishin pa radioaktivitet.
Në asnji fushë tjetër nuk kishim sukses në botë: shkenca jonë ishte marksiste, kultura jonë ishte marksiste, njeriu ynë i ri ishte marksist-leninist... e të gjitha këto prodhime nuk gjenin vend në tregun e lirë.
Atëherë edhe sot vetëm nji shkrimtar shqiptar përkthehet dhe lexohet në të gjithë botën: Kadareja.
Të tjerët, tue përfshi pseudo-disidentat e majtë që digjen ende prej andjeve të vonueme, botuesit e librave, eseistat dhe studjuesit me primje strukturaliste (na kena vetinë me përshtatë plehnat e botës kur ajo vetë i ka braktisë), akademikët kosovarë që kanë blue me andje shkencore idenat e Beogradit, shkrimtarët gjysëm-folklorista e partizanët e përjetshëm... asnji prej këtyne nuk mund të ekportohen sot në botë.
Kemi mbërrijtë në nji farë mënyrë tek rezultati që ka dëshirue Enver Hoxha për dekada të tana: jemi të izoluem kulturalisht.
Në Europë nuk mund të paraqitemi me grindavecat e patalentuem që qesin shqelma prej inatit se talenti i tyne asht shumë larg prej dëshirave të kota që u janë ngurtësue në gji.
Nuk mund të paraqitemi me akademikë që janë të tillë falë emnimeve partiake, me politikanë që kanë vetëm nji ide në krye (?), me të rinj që për kah vitaliteti i idenave janë pleq të mbaruem...

* * *

Me ramjen e komunizmit u shfaqën dukuni të reja ose gati të reja.
Deri tash kemi konkurrue në Europë në tregun e prostitucionit dhe të drogës, të armëve dhe mallnave të ndryshme kontrabandë - e këto lloj biznesesh na kanë largue prej Europës së qytetnueme.
Nji klasë e tanë drejtuese së bashku me intelektualët e regjun në shkolla partije e në shkolla të partisë kanë mbërrijtë në këto dy dekadat e fundit me e izolue në pikëpamjen kulturore vendin tonë prej botës së qytetnueme.
Në krahun tjetër politika shqiptare nuk asht marrë aspak me kulturën, pse zakonisht paret e paligjshme grumbullohen tue u marrë me punë të tjera dhe askush nuk ka pasë interes me humbë kohë me sektorë të “pafrytshëm”.
Por kemi harrue se pa kulturën nuk mund të kemi as politikën, pse nuk asht politikë demagogjia (e çdo lloj ngjyre politike qoftë) dhe nuk asht politikë arti i premtimeve kote dhe i akuzave boshe që harrohen menjiherë mbas zgjedhjeve.
Tue lanë mbas doret kulturen na ka dalë doret politika.
Në qoftë se nesër vendi ynë do të hyjë në Bashkimin Europian: cilët politikanë do të na përfaqsojnë denjësisht në atë Parlament?
Nuk besoj se do të mund të bajmë pjesë në at’ forum pa reformue politikën tonë e për me e reformue atë duhet me reformue vetë partitë ekzistuese, me i oksigjenue ato, me ba që të përfaqsojnë me të vërtetë problemet e shoqnisë shqiptare.
Nji prej mënyrave ma të shpejta për me reformue partitë tona politike asht moslejimi i përfaqsimit zgjedhor nën 7%, kjo gja do të kompaktonte politikën dhe do të orientonte zgjedhësit drejt dy poleve kryesore. Kjo reformë do të shkathtësonte jetën politike dhe do të ndriçonte ma mirë përgjegjsitë dhe nevojat urgjente tonat.
A jemi gati për nji reformë të këtillë me anë të mekanizmit parlamentar?
Parlamenti shqiptar nuk e ka vullnetin me ba nji gja të tillë.
Në këto kushte duhet të mobilizohet vetë shoqnia qytetare dhe me armën e referendumit të vendosë fatet e veta dhe të përfaqsuesve të ardhshëm.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora