Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Milazim Kadriu: Ky është Obelisku i pranverës së 81-shit dhe simboli i besës shqiptare që mbolli farën e lirisë kombëtare

| E premte, 04.06.2010, 10:00 PM |


 

ME NDERIME USHTARAKE NË PRANIN E MIJËRA VETAVE NË LLUGË TË BESIANËS ËSHTË RIVARROSUR PRIJËSI DHE KOLOSI I LPK, AFRIM ZHITIA

 

KY ËSHTË OBELISKU I PRANVERËS SË 81-SHIT, DHE SIMBOLI I BESËS SHQIPTARE QË MBOLLI FARËN E LIRISË KOMBËTARE

 

Nga Milazim KADRIU

 

Në 20 vjetorin e rënies së dëshmorit të kombit Afrim Zhitia, në vendlindjen e tij në fshatin Llugë të Besianës është zbuluar memoriali i Obeliskut dhe me nderime ushtarake në pranin e mijëra vetave në Llugë të Besianës është rivarrosur prijësi dhe kolosi i LPK,Afrim Zhitia. Në  praninë e mijëra qytetarëve nga Republika e Shqipërisë dhe e Maqedonisë si dhe nga anë të ndryshme të Republikës së Kosovës, të pranishëm ishin edhe presidenti i vendit Fatmir Sejdiu, krye parlamentari i Jakup Krasniqi, kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, kryetari i komunës së Besianës Agim Veliu dhe ministrat e kabinetit Qeverisës të Hashim Thaçit. “Kam ardhur sot me ndjenjën e veçantë të respektit dhe të vlerësimit  për dy personalitete të shquara të historisë së re të vendit dhe kombit tonë, Afrim Zhitisë dhe  Fahri Fazliut, si dhe për të çmuar përkushtimin dhe kontributin që dhanë familja Zhitia dhe Fazliu për lirinë e Kosovës dhe të shqiptarëve.

Dua të theksoj nga ky tubim nderimi në këtë ditë të rivarrimit të Afrimit dhe të shpalimit të memorialit se qëllimi i tyre i lartë, ishte t’i shihnin njerëzit të bashkuar dhe të dinjitetshëm, sepse kjo ishte rruga e vetme që do të mund të sillte lirinë e  vendit tonë.

 

Prindrit e A.ZH. pranë Obeliskut
Prindrit e A.ZH. pranë Obeliskut

Ne duhet të jemi krenar se bota ka vlerësuar punën dhe përkushtimin e popullit tonë për të mos jetuar i nëpërkëmbur dhe i persekutuar

 

Puna për lirinë e atdheut ishte moto që u shndërrua në parim të veprimit politik dhe kombëtar dhe që i frymëzoi ata deri në çastin e fundit të jetës së tyre.

 Nga ky vend nderimi, si president i Republikës së Kosovës, i shtetit tonë të pavarur dhe sovran, në themelet e të cilit është edhe flijimi dhe vepra e Afrimit dhe Fahriut, dua të potencoj se  Kosova fitoi, sepse u punua, u luftua dhe u  sakrifikua nga breza të tërë. 

U punua nga individë, grupe, lëvizje, duke dhënë secili prej tyre pjesën e vet të qenësishme të kontributit të përbashkët për pavarësinë dhe sovranitetin e shtetit tonë tashmë të njohur nga 69 vende të botës.

Ne duhet të jemi krenar se bota ka vlerësuar punën dhe përkushtimin e popullit tonë për të mos jetuar i nëpërkëmbur dhe i persekutuar.

Por, tani është në detyrën tonë të çdoditshme, veçmas të institucioneve tona, të punohet shumë që vendi ynë të jetë i zhvilluar dhe qytetarët të  kenë mundësinë të bëjnë një jetë të mirë dhe dinjitetshme dhe të bëhemi pjesë e familjes së zhvilluar të vendeve evropiane.

Më tej Presidenti Sejdiu tha se në këtë ditë të shënuar, unë si president i Republikë së Kosovës, në bazë të kompetencave që më jep Kushtetuta e Republikës së Kosovës, kam marrë vendim për dekorimin e Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut me Medaljen e Artë të Lirisë, për kontribut të veçantë dhënë për lirinë e Kosovës dhe të shqiptarëve.

Ky dekorim është vlerësim institucional për rolin e tyre të veçantë  në një periudhë të kthesave të mëdha historike të vendit tonë. Afrimi dhe Fahriu, që jetuan, punuan dhe ranë bashkë në moshë të re, u bënë shembull i trimërisë dhe dashurisë për atdheun. Ata treguan me veprën e tyre se si duhet të mbrohet e drejta e popullit për të jetuar i lirë dhe për të qeverisur veten. Nga këtu,  theksoj  se prindërit, familjarët, po edhe gjithë vendi dhe shqiptarët do të jenë prore krenarë për veprën e Afrimit dhe Fahriut,

 

Me 2 nëntor të vitit ‘89 në Breg të Diellit ia kthyen dy tyta armikut duke ndezur luftë të armatosur

 

Për jetën dhe për veprën heroike të dëshmorit kanë folur edhe kryetari i komunës së Besianës Agim Veliu, kryetari i shqiptarëve të BDI-së në Maqedoni Ali Ahmeti në cilësinë e bashkëluftëtarit të dëshmorit për lirinë e vendit, pastaj Ramadan Avdiu etj. "Ky është Obelisku i pranverës së 81-shit, dhe simboli i besës shqiptare që mbolli farën e lirisë kombëtare, ka thënë krye parlamentari i Kosovës Jakup Krasniqi. Këto vlera kombëtare,veti dhe tipare ka thënë Krasniqi Afrimi me Fahriun i trashëguan nga gjyshërit dhe stërgjyshërit ata pikërisht ka thënë ai me 2 nëntor të vitit ‘89 në Breg të Diellit ia kthyen dy tyta armikut duke ndezur luftë të armatosur dhe kështu 10 vite më vonë qindra mijëra veta u mobilizua në luftë të armatosur kundër Serbisë për t’iu kthyer mijëra pushkë deri në çlirimin përfundimtar. Ndërsa kryetari i BDI-së Ali Ahmeti duke i përcjellur përshëndetjet e gjithë shqiptarëve të Maqedonisë duke u shprehur si njëri prej bashkëveprimtarëve më besnik të Afrimi Zhitisë familjes së tij ka thënë se "Obelisku i ngritur i prijësit më të madh të Lëvizjes sonë kombëtare për çlirim kombëtar padyshim se do të jetë nderi më i madh dhe më i merituar gjithëkombëtar. Kryetari i komunës së Besianës Agim Veliu, tha se vepra heroike e dëshmorit Afrim Zhitia është kurorëzuar me lirisë e Kosovës, të cilën po e gëzojmë ne sot, por që edhe sakrificës së dëshmorëve do ti dalim zot. Kryetari i Klubit Politik "Afrim Zhitia", Ismet Sylejmani, tha se Afrim Zhitia ishte koka organizative të lëvizjes çlirimtare të kohës së vet. "Sikur ky memorial i lartë që shkon drejt qiellit, i tillë ishte edhe personaliteti i Afrimit" , tha ai. Të pranishmit në emër të familjes i falënderoi për pjesëmarrje vëllai i dëshmorit, Sylë Zhitia.

 

Presidenti dekoron me Medaljen e lirisë dy dëshmorët e kombit Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu

 

Presidenti i vendit Fatmir Sejdiu sot ka pritur në zyrën e tij edhe familjarët e dëshmorëve Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu, të cilëve ua dorëzoi diplomat e dekorimit të dy dëshmorëve me Medaljen e Artë të Lirisë. "Veprimtaria e tyre në moshën studentore, duke iu kundërvënë pushtimit dhe represionit dhe duke ndërtuar një vizion të ri të mobilizimit atdhetar, ishte dëshmi e përkushtimit të tyre të lartë për lirinë e Kosovës dhe të shqiptarëve", tha Presidenti Sejdiu me rastin e dekorimit. Duke vlerësuar se vepra dhe personaliteti i Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut do të mbeten frymëzim atdhedashurie për të gjithë brezat që do të vijnë, Presidenti Sejdiu tha se ata jetuan, punuan dhe vdiqën bashkë në moshë të re, dhe u bënë shembull i trimërisë dhe dashurisë për atdheun. Ata treguan me veprën e tyre se si duhet dhe mbrohet e drejta e popullit për të jetuar i lirë dhe për të qeverisur veten.

Dëshmorët e kombit A.Zhitia e F.Fazliu
Dëshmorët e kombit A.Zhitia e F.Fazliu

Pamje e Obeliskut në LLugë të Besianës
Pamje e Obeliskut në LLugë të Besianës