E shtune, 26.11.2022, 04:59 PM (GMT)

Faleminderit

Besim Muhadri: Bajram Sylë Kurpali - Legjenda e tetëmbëdhjetë plagëve

E enjte, 03.06.2010, 09:00 PM


Shpalosje historike

 

BAJRAM SYLË KURPALI - LEGJENDA HASJANE E TETËMBËDHJETË PLAGËVE

 

Shkruan: Mr.sc. Besim MUHADRI

 

Qafa e Prushit është një emër me një histori të veçantë , për të cilën ekzistojnë legjenda të shumta. Vetëm disa metra në afërsi të saj, është një kullë po ashtu me një histori të bujshme, që ka mbetur përje-tësisht në historinë shqiptare. Është fjala për kullën fortifikatë të Kurpalëve, e cila u ndërtua me qëllim në pikën strategjike të Qafës së Prushit, aty mes malesh ku nuk gjendej asnjë fortifikim tjetër. Projektimin e saj e bëri vetë Sulejman Vokshi, strategu ushtarak i LSHP-së, si një nevojë e domosdoshme e vetëmbrojtjes po-pullore, thuhet në analet historike. “Thonë se kur mjeshtri e mbaroi këtë kullë, e vështroi në të gjitha anët dhe u ndal në ballorin e saj. U mahnit dhe, ashtu i shtangur para bukurisë së saj të egër prej guri, iu lidh gjuha. Thonë se qau, qau heshturazi si burrë. E kur lotët ia liruan gjoksin i erdhi fjala e i foli kullës me këto fjalë: ”Të kam dhënë shpirtin, djersën e gjakun. Qofsh  e papushtueshme si mali !” Në këtë kullë, e cila disa herë u dogj, por u ringrit në po ato themele, që ndër breza u lanë me gjak lirie, lanë gjurmët e veta ngjarje të rëndësishme të hitorisë sonë.

 

I miqësuar me plagët dhe plumbat

 

Bajram Sylë Kurpali ishte një legjendë që u përjetësua në këngë e mbeti në histori. Kreshnik i njëmendtë. “Atdhetar e trim si zana” do të thoshin vargjet e  njërës nga shumë këngët që u thurën për këtë trim të rrallë. Ai u miqësua me plumbat, që gjatë rrugëtimit të tij nëpër flakët e luftërave për liri i hapën tetëmbëdhjetë plagë në trup. Ishte më i vogli ndër katër djemtë e Sylë Kurpalit. I lindur në vitin më të rëndësishëm të historisë së kombit tonë, në vitin e madh të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, më 1878, ai edhe do të rritet me frymën e kësaj ngjarjeje. Për tetëdhjetë e gjashtë vjet, sa do të jetojë, ai asnjëherë nuk e ndali luftën, asnjëherë nuk u përul. Dhe përjetoi ngjarje e beteja të mëdha. Që nga viti 1906, kur edhe u plagos për herë të parë e deri më 1924, ai do të përballojë shumë luftëra, shumë beteja, ndërsa tetë-mbëdhjetë plagët e hapura në trup, këtë trim e luftëtarë të denjë të kauzës sonë do ta bëjnë të veçantë.  Ai luftoi kundër turqëve, kundër serbëve, bullgarëve, austro-hungarezëve, malazezëve, por edhe kundër tradhtarëve të vendit.

Nuk kishte më shumë se 28 vjeç, kur mori pjesë në luftën e Drenicës kundër forcave të Shemsi Pashës. Është viti dhe beteja kur vritet Bejtë Galica, babai i Azem Galicës. Në momentin kur Bejtë Galica vritet, Bajram Syla lëshon pozicionin dhe ngritet në këmbë. Këtu edhe merr plagët e para dhe bën betimin se kurrë përjetë nuk do të luftojë i shtrirë në pozicion. Sipas rrëfimeve të bashkëkohanikëve të tij, thuhet se Bajrajm Syla kështu kishte vepruar gjatë të gjitha luftimeve ku kishte marrë pjesë. Nuk e trondisnin dot plagët, me shërimin e të cilave merrej vetë, sa e drondisnin vrasjet e shokëve e të afërmëve të tij. Ashtu siç e kishte tronditur pa masë vrasja e Bejtë Galicës dhe ishte betuar se do të luftonte në këmbë, aq do ta tronditë edhe vrasja e vëllaut të tij, Avdiut, e atij luftëtarit që kryesonte lëvizjen fshatare të vitit 1906 në luftë kundër reformave turke. Vrasja e Avdiut atë do ta trondisë, por nuk do ta ndalë që të luftojë e të hakmerret për të dhe shokët e tjerë. Më 1908 mbahet Kuvendi i Ferizajit, ku mbi 30.000 burra të armatosur nga Prizreni, Gjakova, Mitrovica, Peja, Vuçiterna, Prishtina e Gjilani u mblodhën për të treguar pakëna-qësinë e tyre ndaj Portës së Lartë. Në këtë Kuvend burrash nuk do të mungojë as Bajram Syla, ndërsa në gusht të atij viti ai merr pjesë edhe në luftën e Buja-novcit kundër forcave turke. Përkrah do të ketë edhe nipin, Man Avdinë dhe mikun e ngushtë Ramë  Binakun e Dashinocit. Ishte thënë se në çdo betejë ai të merrë nga një plagë, prandaj edhe në këtë betejë merr plagën e tij të tretë.

Në prill të vitit 1910 Bajram Sylën rrugët e luftës për lirinë e vatanit do da shpiejnë në Kaçanik, atje ku, ku, siç e thotë edhe kënga “shkonte kali me not n’gjak” dhe aty ku luftonte edhe Idriz Seferi. Tymi e flaka e luftës, krismat e topave e të pushkëve Bajram Sylën e bëjnë edhe më të fortë. Edhe në këtë betejë Bajram Syla mori dy plagë, ndërsa për në spitalin e Shkupit atë e shoqëruan vëllau i tij Haziri së bashku me Hysni Currin e Islam Agë Batushën, fotografitë e të cilëvë, të fotografuar në Shkup, ai i ruajti me respekt deri në vdekje.

 

Kulla e Kurpalit - çerdhe dhe istikam i forcave kryengritëse shqiptare

 

Plagët e reja ishin tepër të rënda  për Bajram Sylën, të cilat për 20 muaj me radhë do ta ngujojnë në shtëpi, pa pasur mundësi të merrë pjesë në ndonjë betejë. Por në janar të vitit 1912 ai do të “ringjallet”, ashtu si Gjergj Elez Alia për të dalë në log të mejdanit. Në këtë kohë po udhëtonte për në Pejë së bashku me Bajram Daklanin e Mahmut Zajmin. Në këtë udhëtim ndeshen me forcat osmane, të cilat iu bëjnë thirrje që të dorëzoheshin. Dhe si përgjigje ndaj kësaj thirrjeje provokuese dhe në kundërshtim më karakterin luftarak të tyre, ata nisin pushkën. Meqenëse Bajram Syla ishte betuar se do të luftonte në këmbë, edhe këtu merr një plagë, e cila siç do të kujtonte më vonë Trimi i Kurpalit ishte më e lehta prej të gjitha plagëve, të cilat në pranverën e po atij viti do t’i shtohen, ngase forcat tur-ke sa vijnë e shtohen dhe përqëndrohen në Qafë të Prushit, duke pozicionuar topa e mitroloza.

I shqetësuar nga kjo situatë, Trimi i Kurpalit do t’iu tregojë Bajram Currit e Hasan Prishtinës, duke iu dhënë edhe informata e të dhëna të hollësishme mbi përqëndrimin e trupave turke në afërsi të Kullës së tij. Me të marrë këto të dhëna Bajram Curri organizon forcat kryengritëse, ndërsa në mes të qershorit të atij viti (1912) rrethoi dhe goditi fuqishëm garnizonin armik. Në këtë kohë Kulla e Kurpalëve caktohet vendkomandë e forcave kryengritëse të Bajram Currit e Hasan Prishtinës. Në betejën e Qafës së Prushit, Bajram Syla merr edhe dy plagë të reja. Në korrik të atij viti, Fadil Pasha nis forca të reja drejt Hasit, të cilat i komandonte Bedri Beu. Por lufta dhe rezistenca e kësaj treve, në krye me Bajram Currin qe vendimtare. Për trimëri në këtë luftë do të shquhet kushuriri i Bajram Sylës, Ramë Isufi, i cili vritet në Qafë të Ram Ahmatit. Duhet theksuar se në këtë luftë u shpartalluan katër batalione turke dhe në duart e kryengritësve do të mbeten 300 e më tepër robër, në mesin e cilëve edhe komandanti Bedri Beu, i cili pushkatohet nga forcat kryengritëse.

 

Dëshironte të vdiste në fushëbetejë i mbuluar nga plagët

 

Dhe vjen nëntori i vitit të madh historik të pavarësisë së gjysmës së tokave shqiptare. Nëntori i vitit 1912, kur në Vlorë do të ngritet flamuri i pavarësisë së Shqipërisë. Bajram Sylës ende nuk iu kishin shëruar plagët e marra në beteja. Nuk e priste dot shërimin e tyre, sepse atje në Vlorë shpallej pavarësia, ndërsa ai duhej të shoqëronte Isa Boletinin dhe bashkëluftëtarët e tij që udhëtonin për në Vlorë, të cilët, siç dihet arritën me vonesë. Këtë moment Bajram Syla do ta kujtonte deri në vdekje, ku e kishte pasur të pamundur të përmbante lotët e gëzimit, përballë shpalosjes së flamurit kombëtar.

Por, ndonëse në Vlorë ishte shpallur pavarësia e asaj gjysme të Shqipërisë etnike, në pjesët e tjera shqiptare, të mbetura ende nën thundrën e pushtuesit, luftohej dhe kërkohej liri. Është viti 1913. Viti i prerjes së trojeve shqiptare dhe i ndarjeve të tyre nga ana e fuqive të mëdha. Viti i vrasjeve të tmerrshme të shqiptarëve nga ana e forcave serbo-malezeze e të pushtuesve të tjerë. Ky vit i përpjekjeve të mëdha për liri dhe çlirim kombëtar Kurpalët i gjeti si gjithmonë në fronte e beteja. Në janar të këtij viti vritet Hazir Kurpali, vëllai i Bajram Sylës, ndërsa Bajram Syla vetë i treti lë kullën e mbushur me miq e dashamirë që vinin për ngushëllime dhe mësynë Shkodrën, që donin ta merrnin malazezët. Ishte zëri i atdheut ai që i thërriste këta trima që të luftonin deri në pikën e fundit të gjakut. Në këtë betejë Bajram Syla merr një plagë të re, që ishte një nder i veçantë, sepse ai gjithmonë kishte ëndërruar të vdiste në beteja ”i mbuluar nga plagët e gjakut të ndershëm të derdhur për liri”. “Dhe pas luftës në mbrojtje të Shkodrës, shkruan Agim Spahiu në monografinë e tij për Kurpalët, gjithnjë duke cituar fjalët e Bajram Sylës, situatat që po kalojmë nuk na nderojnë të vdesim në shtrat. Për mua s’ka nder më të madh se sa të vdes nga plagët e marra nga pushtuesit, në luftë për mbrojtjen  e vatanit e lirisë, si vëllai im, Haziri. Kjo është dëshira ime sa të jem gjallë”. Këto fjalë dhe dëshira të Bajram Sylës, që të vdiste në fushë të mejdanit në luftë për lirinë e atdheut, e bëjnë figurën e tij edhe më komplekse, duke i dhënë njëko-hësisht madhështinë e një kryengritësi të përjetshëm.

 

Si arriti t’i shpëtonte dënimit me varje në Gjakovë

 

Duke qenë i panënshtruar dhe me shpirt kryengritës, ai edhe mbeti përjetë i dënuar nga armiqtë e atdheut të tij, dënime të cilat i sfidoi çdo  herë. Në po këtë vit (pra më 1913) nga Beogradi ai dënohet me vdekje në mungesë. Në këtë kohë ndiqet hap pas hapi, derisa në gusht të atij viti, i tradhëtuar në “besë’ do të kapet pas një rrethimi të trefishtë. Ishte tradhëtuar nga një kryetar komune që ai e njihte, i cili i kishte thënë se do të kishte vetëm disa biseda. Me këtë rast serbët e prangojnë dhe e dërgojnë në burgun e Gjakovës, madje duke shpallur edhe dënimin e mënjëhershëm të tij, që ishte varje në mes të pazarit, ditën e hënë. Por shpirtin kryengritës dhe liridashës të trimit të Kurpalit nuk e thyejnë dot vendimet e Beogradit e as tradhëtitë e misionarëve të tij që i kishte kudo edhe në mesin e shqiptarëve. Në prag të atij vendimi atje në burg ai s’e ndalte dot këngën.

Përderisa nga ana e regjimit të Beogradit po bëheshin të gjitha përgatitjet për varjen e Bajram Sylës, armikut më të madh të Serbisë, atje në midis të pazarit të Gjakovës, ndërsa telalli nuk pushonte së kumtuari këtë lajm nëpër Gjakovë, ndodh ajo që më së paku ishte menduar. Ai arrin të shpëtojë, duke dalë nga burgu “shëndosh e mirë dhe pa asnjë therrë në këmbë”, siç i thonë një fjale. Po si ndodhi që ai të ikte nga burgu i Gjakovës, në kohën kur ishin bërë të gjitha përgatitjet për varjen e tij. Nëna e Bajram Sylës, Zadja, me të dë-gjuar lajmin se të hënën në Gjakovë do të varej një njeri, ia mësyu Gjakovës që ta shihte djalin e saj që ishte në burg. Kur arrin në Gjakovë, atje në mes të pazarit sheh një trekëmbësh që kërkonte një njeri. Mendja i shkon te Bajrami që ishte në burg. I afrohet trekëmbëshit dhe njerëzve që e bënin gati atë. Ata nuk e njihnin se kush ishte ajo grua, e cila mallkonte punën e tyre. Punëtorët që përgatitnin trekëmbëshin i thonë plakës si me shaka se nuk duhet mallkuar kur dikush punon, por, përkundrazi, duhet uruar. Dhe ia nisin si me shaka t’i tregojnë plakës se ç’funksione kryenin pjesët e atij trekëmbëshi të mallkuar që ngrihej atje në mes të pazarit të Gjakovës. Dhe kur plaka i pyeti se kush do të varej në atë trekëmbësh, ata si me pa të keq ia tregojnë emrin. Nënë Zadja dridhet nga trishtimi e dhimbja. Mezi e mbajnë këmbët kur merr rrugën drejt burgut. Në muzgun e së dieles takohet me të birin, të cilit ia bën hallall gjirin e dhënë. Në këto çaste Bajram Sylës i dridhet mjekrra nga dhimbja për nënën që po ia bënte hallall gjirin e dhënë. Kjo dridhje i vinte edhe si një çast dobësie, sepse po vdiste ashtu siç nuk e kishte dëshiruar. Pra nuk po vdiste nga plagët e plumbave atje në fushëbeteja, por me një varje qyqare. Dhe në mes kësaj mërzie dhe të zëni keq, i thotë  nënës që kurrë mos t’ia bënte hallall gjirin nëse do të përfundonte ashtu jeta e tij, duke i premtuar asaj se edhe kësaj radhe do të fitonte. Këtë moment kënga popullore e fikson me vargjet: ”Nëse m’poshtin k’ta katila, mos më thirrshin Bajram Syla”. Betimin e dhënë para nënës ai do ta mbajë, ashtu siç i kishte mbajtur edhe betimet e tjera. Ndarjen me nënën atë natë e përjeton si një moment të vështirë. Në ato momente ai kujton të gjitha ato vite të jetës. Kujton fëmijërinë, vuajtjet dhe sakrificat e nënë Zades që t’i rriste ata. Kujton të gjitha ato luftëra, të gjitha ato beteja dhe plagët dhe humbjet e më të dashurve të tij, vëllezërit e vrarë në luftë ku-ndër armikut, bashkëluftëtarët e vrarë ballë për ballë me plumbat e armikut. “Ato ishin vrasje burrash, që me gjakun e tyre lanë tokën e atdheut”, thotë me vete. “Por vrasjen time në mes të pazarit, ku do të më shikojnë gjithë me duar të lidhura e me kokë të varur, nuk po e kuptoj dot. Është një turp i madh të vdes kështu”, i thotë vetes. Dhe në mes atyre kujtimeve e venerimeve, sytë i shkojnë tek një sëpatë e vogël, që e kishin harruar rojat e burgut, në kamaren e murit të shtëpisë-burg të Gjakovës. Dhe një trimi të pamposhtur si Bajram Syla edhe një sëpatë e tillë do t’i bënte punë që të shpëtonte fytyrën e tij dhe të dilte fitimtar.

Ishte mesnatë. Ngadal i afrohet vendit ku ishte sëpata, e merr atë, e fut nën sqetull dhe e mbulon me çyrk. Pasi sigurohet mirë, kërkon nga rojat që të dalë për nevojë. Duke mos e ditur këtë plan të Bajram Sylës, rojat e pranojnë një gjë të tillë. I afrohen derës ku ishte i ngujuar, por me t’u afruar roja e parë, ai arrin ta qëllojë atë për vdekje. Në ato momente hingëllin një kali, por përseri krijohet qetësia e mëparshme e asaj nate burgu. Bajram Syla merr pushkën e rojës, të cilin pak më parë e kishte çarë më sëpatë. Duke kaluar pranë rojave të tjera, iu bën me shenjë që të mos bënin zë se përndryshe do ta pësonin si shoku i tyre që dergjej disa hapa më tutje. Rojat e burgut, duke e njohur famën e Bajram Sylës, nuk bëhen të gjallë. Dhe kështu ai arrin të dalë nga burgu. Me të dalë strehohet në një shtëpi gjakovare, ku maskohet dhe, ashtu i maskuar, me shumë mundime arrin të dalë jashtë qytetit dhe të niset drejt malësisë së tij, duke lënë kështu trekëmbëshin e zbrazët, atje midis pazarit të Gjakovës. Arratisja e Bajram Sylës nga burgu ishte edhe një dështim tjetër i forcave armike për ta mundur atë dhe për të dobësuar forcat çlirimtare të asaj kohe.

 

Një kujtim i paharruar nga Hasan Prishtina dhe kumbaria  me Azem Galicën

 

Reprezaljet e serbëve ndaj familjes së Kurpalit nuk kanë të ndalur, ndërsa me arratisjen e Bajram Sylës nga burgu, ata ishin tërbuar fare. Por ky veprim nuk ishte i befasishëm për ta e as për Bajram Sylën që ishte mësuar me këtë gjendje. Bashkë me Azem Galicën ai do të kalojë fshat më fshat dhe me pushkë në dorë do t’i thonë armikut se ishin në gjendje të bënin çmos për mbrojtjen e tokave shqiptare. Është viti 1914, ku në një luftë në mes forcave serbe në Zym, Bajram Syla plagoset rëndë. Kjo ishte plaga e dhjetë e tij. Nga kjo betejë, ashtu të plagosur, do ta tërheqin të afërmit e tij dhe vetë Azem Galica, i cili qëndron pak kohë në Qafë të Prushit në Kullën e Kurpalëve, prej nga kalon në fshatin Radogosh të Malësisë së Gjakovës. Duke e parë tërbimin e armikut, me vete merr edhe Bajram Sylën me familje, ku qëndrojnë deri në fund të qershorit të vitit 1915. Gjatë kësaj kohe Bajram Sylës i lind vajzë, të cilën e pagëzojnë Time, ndërsa kumbara i saj do të jetë vetë Azem Galica. Domethënia e këtij emri do të jetë nga vetë ato ngjarje. “Tim e flakë e bamë në Zym, e meqenëse këtu ku jemi ka shumë tim, Time po ja lajmë emnin”, i thotë Azem Galica, Bajramit.

Në këtë kohë, derisa Bajram Syla ende s’e kishte marrë veten nga plagët dhe qëndronte ende në Radogosh dhe merrej me mjekimin  e tyre, mjekim të cilin e bënte vetë, sepse rrethanat e jetës e kishin bërë edhe mjek popullor, atij i vjen lajmi për plagosjen e Hasan Prishtinës. Nga ai kërkohej që t’i vinte në ndihmë edhe Hasan Prishtinës, që kishte marrë një plagë të rëndë, e cila mund t’i kushtonte me jetë. Duke e ndier plagën e Hasan Prishtinës si një “plagë kombi”, Bajram Syla, edhe pse lëngonte rëndë nga plaga e vetë, mbledh forcat që t’i dilte në ndihmë mikut të tij. Dhe kur po ndahej, Hasan Prishtina i ofron një bakshish. Ofrimi i një gjëje të tillë atij i vjen rëndë. “Bakshishi më i madh për mua, i thotë Bajram Syla Hasan Pri-shtinës, është që luftëtari të shërohet e të bëhet i aftë për luftë”. Thonë se kur Hasan Prishtina e kuptoi se një propozim të tillë Bajram Syla e mori si fyerje sedre, atëherë i tha se nuk ishte fjala për bakshish, por për një kujtim. Trimi i Kurpalit e pranoi me shumë dëshirë dhe e mbajti ashtu kujtim derisa vdiq.

Fundi i vitit 1915 trimin e Kurpalit do ta gjejë në Drenicë, ku kishte sinjale për përgatitjet e serbëve kundër Drenicës. Këtu ai merr edhe një plagë të re. Vitin 1916 e kalon pa gjakëderdhje dhe pa plagë në tru-pin e tij, por kjo nuk do të thotë se kështu do të ndodhë edhe më 1917, ku ndeshet me forcat bullgare në Kumanovë. Luftoi krah për krah me trima të shquar si Ramë Binakun e Dashinocit, Sadik Ramën e Gjurxhevikut e me trima të tjerë. As në këtë betejë ai nuk do t’i shpëtojë dot plagosjes, që ishte plaga e tij e dymbëdhjetë. Ashtu, i rënduar nga plagët, nuk e ndali luftën për lirinë e atdheut. Në vitin 1919 e shohim në mesin e luftëtarëve shqiptarë që luftonin kundër forcave serbe në afërsi të Pejës. Luftonte përkrah Azem Galicës. Vetëm një vit më vonë merr edhe dy plagë të reja, ndërsa trupin e tij të plagosur rëndë, që kullonte gjak plagësh, e tërheqin Ramë Binaku, Ramadan Shabani e Man Avdia, të cilët e çojnë në Kullën e Kur-palëve në Qafë të Prushit.

Në tetor të vitit 1920, në një mëngjes të ftohtë vjeshte, Bajram Syla kishte ndezë zjarrin në kullën e tij dhe po merrej me plagën që nuk po i shërohej dot. Nuk kishte tjetër mashkull në shtëpi atë ditë. Derisa po merrej me zjarrin në oxhak dhe plagën në trup, papritur, rrëmbyeshëm, hapet dera e kullës, ndërsa shpejt e shpejt brenda hyjnë tetë xhandarë serbë me naçellnikun në krye. E urdhëruan që të dorëzohej dhe ia shajtën nënën. Xhandarët mbanin të ngrehura armët në drejtim të trimit të Kurpalit. Po e ndiente veten ngushtë. Ishte trim, por edhe i shpejtë. Në brez gjith-monë mbante një dhjetëshe. Ishte ulur dhe nuk lëvizte. Për një çast ndjeu se naçellniku serb po i afrohej. Atëherë vendosi që ta bëjë atë që duhej bërë. Kur naçellniku iu afrua, Bajram Syla ngrihet në këmbë dhe si rrufe nxjerr nga brezi dhjetëshen dhe i drejtohet naçellnikut. Këngëtari popullor këtë moment e ka përjetësuar me kështu:

 

Si rrufe ka nxjerr revolen

Naçellnik mos e luej doren

Se t’baj shoshë e t’shtrij për toke

s’ka shka t’ kan as nana jote !

 

Këto fjalë dhe ky veprim i Bajram Sylës, që ndonëse i plagosur rëndë, merrte forcë të atillë, e trembi naçellnikun serb dhe xhandarët e tij, të cilët me turp u detyruan të largoheshin nga Kulla e Kurpalëve, që në ato momente ishte rrethuar nga trimat e tjerë të Kurpalit, ndërsa  e shoqja e tij, Gjyla po lagte sanën me vajguri, sipas porosisë së Bajramit dhe ishte gati ta ndizte flakë.

Bëmat dhe trimëritë e Bajram Sylës nuk kanë të ndalur. Nami dhe trimëria e tij tash ishin të njohura për armikun që me çdo kusht kërkonte kokën e tij dhe nuk linte gjë pa bërë, vetëm e vetëm që ta zinte të gjallë, ngase tek shpirti i tij shihte shpirtin e forcës së këtij populli. Kështu bëri edhe me rastin e arrestimit të Synë Kurpalit, nënës së Dervish Kurpalit, që ishte një grua fisnike dhe burrëreshë e derës së Kurpalëve, të cilën e dërgojnë në burgun e Pozharevcit. Po kështu  bënë edhe me Jahë Salihun, një vëllam të Bajram Sylës.

Rruga luftarake dhe patriotike e Bajram Sylë Kurpalit vazhdon edhe në vitet që vijnë më vonë. Në vitin 1921 kulla pushtohet nga forcat serbe, të cilat atë e kishin shndërruar në një postkomandë të tyre. Në këtë kohë Bajrami i bashkohet forcave kryengritëse të Çetës së Azem Galicës dhe lufton si luftojnë trimat, por edhe në këtë vit ai merr një plagë të re. Në shkurt të vitit 1923, së bashku me meshkujt e tjerë të derës së tij janë luftëtarët e parë të forcave të Bajram Currit që sulmojnë prefekturën e Krumës, që siç thuhet, u kishte bërë thirrje Hasan Prishtina që të luftonin kundër forcave zogiste që dirigjoheshin nga Beogradi dhe vazhdimisht godisnin pas shpine çetat e Kosovës (Ajet Haxhiu: Hasan Prishtina). Në këtë përpjekje Bajram Syla merr plagën e tij të tetëmbëdhjetë dhe të fundit.

Këtu edhe përfundon odiseja e luftës aktive të Bajram Sylës, që ia kishte rënduar trupin nga plagët e shumta, dyfish më shumë se Gjergji i legjendës së lashtë. Dhe pas vendosjes se regjimit të Ahmet Zogut, Trimi i Kurpalit nuk jetoi kurrqysh, ashtu si nuk jetoi as në kohën e regjimit komunist të Enver Hoxhës. Meritat e tij prej luftëtari të paepur, të një njeriu me tetëmbëdhjetë plagë atdheu në trup, nuk do ta entuziazmonin me ndonjë medalje apo dekoratë të dhënë, megjithatë, pas vdekjes. Megjithatë ai ishte i lumtur, apo kështu dukej. Se shpirti i tij qëndroi deri në vdekje kryengritës, këtë e tregon edhe moslëshimi prej dore i automatikut dhe porosia që të varrosej i vetmuar në maje të piramidës, atje ku ai mendonte se do të qëndronte si roje me shkja. “Automatikun në vorr mos ma shtini, se ban vaki e ma shplojnë vorrin e më duket se jam çarmatosë për së gjalli”. Kështu e kishte lënë amanet dhe kishte mbyllur sytë përgjithmonë në vitin 1964, në moshën 86 vjeçare, i sfilitur nga vitet dhe mundimet e jetës dhe me peshën e tetëmbëdhjetë plagëve që kishin filluar t’i kullonin.

U varros pa ndonjë bujë, atje ku e kishte lënë amanet, në Qafën e Malit, pranë piramidës që ndante dhunshëm Atdheun, për lirinë e të cilit mori të gjitha ato plagë e dhimbje që u mundua t’i shëronte e s’iu shëruan dot. Ndonëse autori i monografisë “Kurpalët”, poeti i ndjerë, Agim Spahiu, përmes rrëfimit të dëshmi-tarëve, bashkëkohës të kreshnikut të Kurpalëve, thotë se ai vdiq i lumtur se e pau Shqipërinë e lirë, kjo nuk mund të të mbushë mendjen, ngase amaneti që la ai për ta varrosur pranë piramidës, tregon se Trimi i Kurpalit, në momentet e fundit të jetës së tij po i bënte një “hile” pushtetit komunist, që megjithatë s’e kishte qasur fort legjendën e gjallë. Ai me këtë akt po tregonte se po vdiste me dëshirën e paplotësuar, sepse nuk po e shihte dot Kosovën e lirë dhe bashkimin e saj me Shqipërinë, për çka edhe kishte luftuar. Porosia e lënë me gojë që të varrosej në vijë të kufirit tregonte se ai dëshironte të qëndronte aty e të shihte Kosovën që po lëngonte, ashtu si vetë trupi i tij nga tetëmbëdhjetë plagët e marra gjatë tetëmbëdhjetë viteve të luftës së tij me pushkë në dorë krah për krah trimave të Kosovës...



(Vota: 13 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora