Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Idriz Zeqiraj: Kriza morale e te djathtes

| E diele, 25.11.2007, 07:16 PM |


Kriza morale e te djathtes

Nga Idriz Zeqiraj (Dërgoi për Zemra Shqiptare z. Xhafer Leci)

Dihet mirëfilli se LDK-ja e dr. Ibrahim Rugovës u themelua si parti, por veproi si Lëvizje masive. Vlerësimi i njëzëshëm, përfshi këtu edhe mendimin e shprehur nga Kadareja se dr.Rugova është intelektuali më i madh shqiptar, vënia e Tij në krye të kësaj Lëvizjeje nuk ishte rastësi. Kësaj përzgjedhjeje dinjitoze i kanë paraprirë qasjet e Tij serioze, sic ishte drejtimi i gazetës studentore “Bota e re“, me të cilën daton politika alternative në Kosovë në vitet ’70-a. Nëse u referohemi shifrave rezulton se më 1992 për këtë subjekt votuan 96% e popullsisë të Kosovës. Natyrisht, rast unikal në botë. (Përjashtojmë këtu përrallat 99, 99% të “demokracive popullore“, të cilat me aplikimin e diktaturës të egër lanë në hije edhe fashizmin).
Veprimi i LDK-së si lëvizje gjithëpopullore u kushtëzua nga dy faktorë: e para, vënia në ballë të saj të intelektualit të madh kombëtar dr. Ibrahim Rugova – pamundësoi cfarëdo rivaliteti në shkallë Kosove. E dyta, Kosova, përgjatë një dekade të plotë përjetoi pushtimin e egër serbo-sllav, duke u privua jo vetëm nga jeta politike, ekonomike, por edhe nga ajo shoqërore dhe civile. Andaj, vetëm një bashkim monolit, që ofroi kjo parti, ishte efikas për qendresë morale dhe gjer në krijimin e institucioneve paralele, përsëri një rast tjetër unikal i të gjitha kohërave.
Dr. Rugova partinë e Tij e përdori jo për pushtet, por për të bërë shtet. Ai ishte i vetëdijshëm se partinë e shoqëronin edhe disa mangësi. Por, meqë ishte në krye, gjithëcka funksiononte për mrekulli. Ai të gjitha energjitë personale e partiake i kishte vënë në shërbim të pavarësisë të Kosovës. Po sa ta arrinte këtë, kishte projektuar profilizimin e mirëfilltë të partisë. LDK-ja pas bërjes të shtetit, do t’i drejtohej pushtetit, për ta prosperuar Kosovën.
Prania ndërkombëtare e pasclirimit të Kosovës imponoi, pothuajse dhunshëm, një bashkëqeverisje me një opozitë shumë destruktive, e cila e frymëzuar nga pucet komuniste enveriste, kinse në emër të luftës, pretendonte me cdo kusht pushtetin. Dr. Rugova fjalëpak e prudent, mjeshtërisht, arriti të shthurë ëndërrat cmendurake të amatorëve politikë për ta zotëruar pushtetin. Dhe, këtë e bëri jo për hir të pushtetit, por për arsye parimore, meqë e ndjente përgjegjësinë për fatin e demokracisë. Ai nuk mund ta pranonte që një diktaturë pushtuese të zëvëndësohet me një diktaturë “cliruese”, qofshin këta edhe bashkëkombas. Nëse para një presioni të tillë do të dorëzohej, filozofia e Tij urtake e mencurake do të menjanohej dhe arkivohej. Dhe, kjo do të ishte fatale për Kosovën, popullin e saj të përvuajtur, që përjetoi pushtimet në dekada e shekuj.
Padyshim dr.Rugova ishte një kombëtar kalibri, i brumosur me dashuri e ndjenja atdhetare, të trashëguara gjysh – stërgjyshi, familje e gjakosur për liri e Atdhe brez pas brezi. Projekti i Tij madhor ishte krijimi i një të djathte bazale e moderne në Kosovë. Edhe vet historia jonë kombëtare përfaqësohet me dinjitet e mburrje me të djathtën. Ndërsa e majta ka lënë vërragë e plagë në trupin dhe shpirtin e kombit, duke u vënë në shërbim të armiqve të gjithëmonshëm.
Largimet grupore apo individuale nga LDK-ja, në të gjallë të dr. Rugovës, ishin, kryesisht, njerëz me bindje të majta dhe u kthyen në bazën e tyre partiake. Partia nuk pësoi asgjë, përkundrazi pastroi radhët nga “shmajtanët”. LDK-në e trashëguam nga dr. Rugova të plotë dhe superiore absolute në anëtarësi dhe elektorat, në raport më partitë e tjera në Kosovë. Ishte obligim moral e kombëtar, i atyre që i dolën për zot partisë, ta ruanin si sytë e ballit këtë vlerë të cmuar trashëguese. Mjerisht, mungoi vullneti i mirë për ta ruajtur Partinë e Presidentit Rugova. Ndarja e LDK-së qe e tejdukshme, në dritë të diellit, para syve tanë, pasqyruan gjer në detaje në mediat elektronike dhe të shkruara. Andaj, nuk është parë asnjë arsye objektive për ta përligjur ndarjen. Përkundrazi, mbizotëroi interesi personal e grupor, duke e tërhequr zvarrë anëtarësinë besnike të dr. Rugovës, edhepse skajshëm e brengosur dhe e mëdyshur. Cuditerisht, nga 189 delegatet qe i dhene votën zotit Fatmir Sejdiu edhepse qentë pranishëm në shkatërimin e Partisë të Presidentit Rugova, madje për fajin ekskluziv të të përzgjedhurit të tyre, asnjëri syrësh nuk pati kurajon qytetare të reagojë me klifjen penduese: “Haram vota ime!”
Për ndryshim nga largimet e mëhershme, tani kemi ndarjen faktike të LDK-së, madje të një grupimi të madh të orientuar tërësisht djathtas, të kryesuar nga akademik Nexhat Daci, bashkëpunëtori më i ngushtë i dr. Rugovës në pesë vitet e fundit.
Kryesia e Nëndegës të LDK-së për Rheinland Pfalz të Gjermanisë, pas shumë kërkesave e lutjeve për urtësi e maturi në vendime të bëra në adresë të atyre që kryesuan  Kuvendin e VI – të të LDK-së, publikoi qëndrimin e prerë të saj në kombëtarën “Bota sot: “Mbetemi në LDK-e, por nuk mbështesim udhëheqjen qendrore.” Gjtihëcka që ne parashikuam atëbotë, u vërtetuan katërcipërisht e kobshëm sot. Të njëzëshëm me shqetësimet tona për fatin e Partisë të Presidentit Rugova ishin edhe shumë analistë, njerëz publik nga brenda e jashtë Kosovës. Por, klani që uzurpoi kupolën e partisë u mjaftua me elozhet sa cinike e hipokrite po aq edhe të marrëzishme që i bënte kreu i OSBE-së Vendred në Kosovë dhe ndoca të tjerë, duke e cilësuar Kuvendin zgjedhor të LDK-së korrekt dhe shëmbull ideal për partite tjera!(Hajde rrena,hajde!)
Nderkombëtaret nuk duhet të keqëperdorin ndjenjat e dashurisë, respektit dhe mirënjohjes që ka elektorati i djathtë, për të gjithë atë c’kanë bërë e po bëjnë për lirinë dhë pavarësinë e Kosovës. Me deklarimet e tyre jo reale dhe paushale për Kuvendin e VI-të të LDK-së, Kuvend ky terësisht i manipuluar dhe i dështuar, i kontribuan përcarjes dhe ndarjes perfundimtarë të Lidhjes Demokratikë të Kosovës. Miqtë tanë nderkombetarë duhet ta kenë të qartë se aleate besnike kanë të djathtën. Ndersa elozhet qe i bënë e majta Evropes dhe Amerikes janë sa për sy e faqë, me që ajo është e orientuar kah Rusia, atje ku dhë fill baza e saj ideologjike satanike. Kete e ka dëshmuar prej më shumë së gjysmë shekulli edhe e majta e Shqipërisë, e cila frymon gjithëhërë kah Lindja, pavarësisht deklarimeve te sotme hipokrite.
Klani majtist brenda LDK-së, në intrigim shtrigor me cubat enverist të Aleancës, njësoj si kinezo-shqiptarët e viteve 70-a, gjatë një nate makabre pranvere, ende pa u tharë lotët e popullit të Kosovës për shuarjen e Presidentit Rugova, lincuan Kryetarin e Parlamentit dhe Kryeministrin, si nismë ogurzezë për ta lehtësuar uzurpimin partiak e pushtetor. Cuditërisht, këtë puc të nëndheshëm fillimisht e heshtën e më vonë edhe e aprovuan, për interesa karieriste, edhe disa nga ata që lotuan dhimbshëm për të madhin Rugovë.
Populli i Kosovës, në vecanti elektorati i djathtë, i zhgënjyer nga orientimi gjithnjë e më majtas të krerëve aktual të LDK-së, në pamundësi për të ndryshuar dicka, vendosi, në heshtje, për ndëshkimin e tyre, duke bojkotuar pjesëmarrjen në votime. Fajsimi i motit të keq nga zëdhënësi i Presidentit të kujton shprehjen popullore: “Sa poshtë ka rënë katundi!“ Janë këta abstenuesë që kanë rrugëtuar në këmbë, madje në dëborë, acar e terror, nga Peja, Mitrovica, Gjilani për në Prishtinë, në mbrojtje të dinjitetit kombëtar. Dhe, tani po u penguakan për të votuar nga një shi i zakonshëm vjeshtor!!! Edhe mendimi  i shprehur nga ndonjë analist se bojkoti u bë për vonesën e statutit, nuk qëndron. Elektorati i majtë votoi an bloc,si zakonisht. Nëse ne akuzojmë disa nga partitë e majta si ekstreme, me militantë të krimit politik, pa shpresë reformimi, prepotente e shpërdoruese të pushtetit,larg demokracisë,nuk mund të themi se ato nuk e duan pavarësinë e Kosovës. As thirrjet e Albin Kurtit drejtuar popullit për bojkotimin e Zgjedhjeve nuk mund te merrën si shkak për votim të pakët. Albini frymon i tëri majtas, ndërkohë e majta e Kosovës votoi ne tërësi. Pra, ata duhet t’i bindëshin Albinit më parë se të djathtët. Konkluzioni është i qartë: elektorati i djahtë e besnik i dr. Rugovës braktisi LDK-në sepse krerët e saj anashkaluan parimet elementare mbi të cilat u themelua partia, braktisën metodologjinë unifikuese e urtake të dr. Rugovës, duke aplikuar metodat e tejkaluara moniste – si arroganca, fodullëku, cinizmi, mospërfillja, përjashtimi, hakmarrja. Dhe, këtu zë fill irritimi i madh i elektoratit të djathtë. Neveria nga korruptimi, servilizmi,nepotizmi e perzgjedhja selektive negative ka shtuar pakënaqësinë në atë masë, sa vetëm nga frika e fitorës të së majtës kanë votuar ajo përqindje që dihet dhe asesi për të zgjatur mandatin gardës aktuale ledekeiste.
Privatizimi dhe shpërdorimi i pozitës partiake e shtëtrorë mori përmasa të anarkisë nepotike. Krerët e LDK-së ëmruan ministrin nga një parti e majtë minore, madje në opozitë, duke i injoruar dhe fyer shumë qindra kuadro, të dëshmuara per qendresë ndaj terrorit serb, të përgatitur më “Nasihatet e Xhumasë te Rugovës”(lexho: takimet historike javore te dr. Rugovës me kuadrot e LDK-së), sic parodizonin halabakët nga diskotekat e Perëndimit, të cilevë, tashmë, u është dhuruar pushteti. Edhe pas gjithë këtyre prapësive të klanit ne krye të LDK-së, asnjë zë proteste nga tërë ajo armatë kuadrosh! Për cudë, ata që nuk patën frikë ushtrinë paramilitare e policinë serbo-sllave para lufte, u tmerruan nga plumbat e majtistëve stalinistë shqipfolës gjatë dhe pas luftës. Dhe, tani përsëri frikë nga partia e tyre se mos po ua lërë kalamajtë pa bukë. Një gjë ka provuar praktika, jeta: Pa u vra frika, nuk ka demokraci.
Inati i tipit komunist ndaj kuadrove të dëshmuara profesionalisht e kombëtarisht, por që preferuan Dacin para Sejdiut për kryetar partie, pengoi krerët e LDK-së për të bërë koalicion parazgjedhor me partitë e djathta, për ta siguruar fitoren, sic bëri dr. Berisha në Tiranë. Dhe kjo nënkupton humbje të qëllimshme, shitje e fitorës me kalkulime të pamoralshme.Përkundrazi, në vend që të lirohen  nga një e majtë e inkriminuar keqas, koketonin me një të majtë tjetër, për bashkëqeverisje lokale fillimisht, për të vazhduar më pas me atë qendrore. Një koalicion i mundshëm më PDK-në, do ta linte në bisht LDK-në. Edhepse në opozitë, PDK-ja ka pasur mjaft pushtet dhe, në fakt, në shumë segmente ka qeverisur. Le ta kujtojmë këtu sekretarin shëndetësor Pleurat Sejdiu, i cili intrigoi në atë masë, sa ta shkarkojë edhe ministrin e vet. Poste drejtorësh vazhdojnë të mbajnë edhe të tjerë, në mes tyre edhe hartuesi i  “listave të zeza!“
Humbja e pushtetit, rotacioni,  zbritja në opozitë nuk është fundi i botës. Cdo e keqe ka edhe dic të mirë. Këndellja nga vetëkënaqësia e tepëruar është e mira e parë. Fundazi, fituesi voli vetëm votat e veta, të konservuara, si përherë, me një fanatizëm klasik. Elektorati i djathtë ruajti dinjitetin. Preferoi abstenimin, por jo konvertimin, sic bënë disa ish-kuadro të LDK-së. Aktualisht, e djathta e Kosovës po përjeton një krizë të thellë morale. Ajo është goditur nga brenda. Dinakërisht është pushtuar piramida. “Peshku qëlbët nga koka“ dhe që andej kundërmon pshtirazi i tërë trupi.
E djathta e Kosovës numerikisht është shumicë absolute. Kjo e djathtë duhet të konsolidohet për hir të shumë brezave që u sakrifikuan për liri e Atdhe si dhe për triumfin e demokracisë të njëmendët. Unifikimin e të djathtës mund ta bëjnë vetëm njerëzit me integritet, të cilët mund të ndihmojnë bindshëm për të kanalizuar energjitë e shumicës në kampin e të djathtës.LDK-ja duhet të lirohet nga ata që i kanë zënë frymën dhe po e nëpërkëmbin pamëshirshëm e turpshëm. Analizet e thella në të gjitha nivelet e strukturave të partisë duhet të nxjerrin përgjegjësitë përkatëse. Tolerimet dhe kompromiset e pamoralshme do të ishin vetëvrasëse për partinë. Vazhdimi i Statuskuos, me mendësinë sikur nuk ka ndodhur asgjë, do të bënte që rrjedhja e anëtarësisë dhe shkapërderdhja e saj të marrë përmasa shqetsuëse, më vonë të pariparueshme. Dhe, përgjegjësia morale do te mbahej mend për gjatë kohë. Cfarëdo retushimi do të ishte i pa efektshëm dhe jo serioz.
Humbjes fatale te LDK-së nuk duhet t’i gezohëm sivëllezërit e deridjeshëm, sot më subjektin e ri - Lidhja Demokratike e Dardanisë. Për afro dy dekada kanë milituar sëbashku më Partinë e Presidentit Rugova, janë përndjekur e rrahur gjere ne vdekje nga policia serbo-sllave,ndërsa gjatë dhe pas luftës janë gjakosur nga e majta staliniane e Kosovës. Ky elektorat i djathtë do të jenë gjithëherë në të njëjtat llogore, në aleanca të përbashkëta, duke filluar nga balotazhet e tanishme.
Funksionimi ideal në koalicion i dy partive demokratike të ndara, të dr. Berishës e Pollos dhe ideja e hedhur për një bashkim perspektiv të mundshëm, në një parti të vetme, është shembull që duhet të zërë vend në mendjen e cdo anëtari të Partisë të dikurshme të dr. Rugovës. Themi të dikurshme, sepse, pavarësisht se palët thirrën ne Kryetarin Rugova, aktualisht kanë humbur ktë të drejtë, me që Partia e Presidentit Rugova ka qenë gjithëherë plotore me pozitë dhe kurrë gjysmake në opozitë.
Dëshpërimi i natyrshëm duhet të kthehet në forcë, me bindjen se Kosova dhe shqiptarët kudo që rrojnë do të frymojnë gjithmonë djathtas. E ardhmja i përket të djathtës. Dhe, këtë e meriton plotësisht.

Nëntor 2007