E enjte, 18.04.2024, 06:25 AM (GMT+1)

Editorial

Valon Kurtishi: Të vërtetat e dhimbshme të Nikolla Gruevskit dhe pafuqia tragjike e liderëve tanë

E merkure, 02.06.2010, 09:59 PM


Të vërtetat e dhimbshme të Nikolla Gruevskit dhe pafuqia tragjike e liderëve tanë

 

Nga Valon Kurtishi

 

Teksti i lexuar nga Nikolla Gruevski në kongresin e unionit të forcave të reja (forumit rinor) të VMRO-DPMNE, zbuloi për të satën herë me radhë një të vërtetë të madhe dhe shumë të dhimbshme për shqiptarët e këtushëm. Fjalimi i Kryeministrit në detyrë i karakterizuar nga një sarkazëm dhe arogancë moderne përzier aty këtu me sharje banale ndaj opozitës si dhe retorikë megallomane, pasqyroi më së miri sekretin publik të njohur tashmë nga gjithë qytetarët e këtij vendi, se ligjin këtu e bëjnë maqedonasit etnikë. Shqiptarët nga ana tjetër, bashkë me grupet e tyre të ngushta të interesit që veten e quajnë “parti politike”, shërbejnë vetëm si dekor i qeverisë maqedonase para faktorit ndërkombëtar.

 

Se kjo është kështu dhe asesi ndryshe vërtetohet katërcipërisht sa nga informacionet që dalin nga goja e tij aq edhe nga veprat konkrete që ne si shqiptarë i shohim realisht apo i ndjejmë të ndodhin çdo ditë para syve tanë. Se gjendja e popullit shqiptar në këtë vend është më shumë se katastrofale, kurse niveli i përgjegjësisë së klasës sonë politike është në nivele alarmante nuk është ndonjë gjë e paditur. Por se investimet dhe planet e kësaj qeverie për pjesën maqedonase të popullsisë janë aq të shumta në proporcion me shqiptarët, këtë e zbuloi vetë kryeministri në fjalë.

 

Edhepse ky ishte nja fjalim i llojit të fushatave elektorale që kanë brenda tyre gjithmonë atë mundësinë e manipulimit të shifrave dhe fakteve tjera, përsëri, është e vërtetë e pamohueshme që shumica e informacioneve të dhëna në atë fjalim duken qartësisht të realizuara në teren.

 

Kështu, është shumë e vërtetë se kemi pasur një ritje të madhe të çmimit të naftës dhe produkteve të caktuara ushqimore në 2008; se ka pasur një krizë ekonomike globale e cila duke goditur fuqishëm Greqinë fqinje, nuk ka se si të mos reflektohet dhe ndjehet fuqishëm edhe tek ne, etj. Gjithë këto faktorë të rrezikshëm për ekonominë e një vendi, janë përballuar nga ekspertiza e sllavëve etnikë në qeveri të cilët mbajnë tërësisht mbi supet e tyre peshën e përpilimit të politikave ekonomike të vendit.

 

Në vazhdim, është shumë e vërtetë se janë shtuar fondet për bujqësinë (këtë vit 100 milionë euro), edhepse këtu fermerët shqiptarë nuk shohin asgjë të re shkaku i paaftësisë së qeveritarëve të tyre në atë sektor të administratës publike. Është shumë e vërtetë se janë hapur dy Universite të reja sllavishtfolëse në Shtip dhe Ohër, dhe një mori e instituteve tjera ekskluzivisht të sllavëve etnikë. Është e vërtetë se janë bërë investime të mëdha në shkollat fillore dhe të mesme sa në ndërtime të reja e meremetime aq edhe në pajisjen e tyre me laboratorë e pajisje tjera teknike. Kleçka e vetme në gjithë këto investime të sukseshme qeveritare është se bëhen në zona etnike sllave dhe jo shqiptare. Nga ana tjetër, ulja e pagesës dhe pajisja e studentëve e mësuesve me kompjuterë si dhe e filloristëve me libra falas, ka qenë një iniciativë e cila nuk ofron asnjë mundësi teknike dhe fizike për të përjashtuar shqiptarët. Përndryshe po të ekzistonte edhe mundësia e vetme për ta bërë një gjë të tillë, kjo do të realizohej menjëherë. Përkthimi nga ana tjetër i mbi 1000 titujve shkencorë nga gjuhët angleze, frënge, gjermane e ka anashkaluar dhe çështë më e keqja bastardizuar tmerrësisht gjuhën shqipe. Ndërtohet teatër tjetër në Veles, muze në Krushevë, lokalitete të ndryshme banimi në Ohër, realizohen kërkime arekologjke në mbi 20 lokalitete në vend, por askund këtu nuk janë 35% e popullsisë. Ndërtohen dhe kanë përfunduar një pjesë e veprave artistike monumentale me vlerë 200 milion euro në “Shkupi 2014”, ku shqiptarët nuk figurojnë aspak.

 

Investimet në universitetet e Shtipit dhe Ohrit janë kryer tashmë, kurse investimi prej 11 milionë euro në USHT “pritet të bëhet”. Këtu Gruevski tha tekstualisht dhe pa iu dridhur qerpiku: “VMRO ndërton objekt 11 milionë euro për USHT në Tetovë”. D.m.th kemi rënë në atë situatë kur duhet më mirë ti kërkojmë direkt VMRO-së investime sesa partive shqiptare, pasi VMRO “investon 11 milionë euro në Tetovë”!!!

 

Studenti shqiptar i USHT ka standardin katër herë më të ulët se studenti maqedonas i Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup. Sallat sportive në ndërtim e sipër janë 150 në numër kurse terenet futbollistike mbi 50. Në zonat shqiptare numërohet në gishta ky investim gjigant të cilin e paguan Banka Europiane për zhvillim. Këtu kemi edhe keqpërdorim etnik të fondeve të një entiteti mbikombëtar si BE.

 

Zona e lirë ekonomike në Bunarxhik tashmë është funksionale, si dhe planifikohet të fillojë ndërtimi i zonave të tilla në Shtip, Manastir dhe “Shkup 2”. Zona e lirë ekonomike e Tetovës nga ana tjetër është shndërruar në tragjikomedi 20 vjeçare e gjithë pseudopartive politike shqiptare bashkë. Vizat u hoqën në dhjetorin e 2009, që provokoi edhe një eksod masiv të shqiptarëve drejt Europës. Gruevski tha se ne ndërtojmë banesa sociale në shumë qytete të vendit dhe kjo është shumë e vërtetë. Por për shqiptarët nuk ka banesa sociale. VMRO ndërton edhe banesa falas për pjesëtarë të ARM i cili projekt ka në plan “by the way” edhe sllavizimin e Kërçovës dhe disa qyteteve tjera shqiptare në vend.

 

Kryeministri tha se ndërtohen rrugë në Strumicë, Radovish, Makedonski Brod, Kuklishka Banja, Dellçevë, Kratovë, Manastir, Ovçe Pole !!!, nyje hekurudhore në Ohër; madje i ndihmuar nga Banka botërore dhe Banka europiane për rindërtim dhe zhvillim, edhe 120 milionë euro investime shtesë në reth 200 km rrugë regjionale, në shumë zona të Maqedonisë lindore. Ai dha edhe shumë informacione tjera të cilat pasqyrojnë besnikërisht punën e madhe të bërë në vendbanimet dhe regjionet që banohen vetëm nga maqedonasit etnikë. Dhe pati shumë të drejtë në këto që tha. Personalisht jam ndjerë shumë keq në ato momente sidomos kur flitej për investimet publike të shpërndara në mënyrë krejtësisht joproporcionale në zona të caktuara, të kushtëzuar vetëm e vetëm nga përkatësia etnike dhe kulturore e banorëve të zonave përkatëse. Kjo sa i takon pjesës së parë ekonomike të fjalimit të tij.

 

Në pjesën e dytë apo atë “politike”, Nikolla foli edhe për kërcënimet që i bëhen vendit të tij nga “jashtë” në lidhje me ndryshimin e emrit dhe identitetit, në lidhje me kërcënimet për dalje nga qeveria të BDI, në lidhje me siç tha “kërcënimet për destabilizim etnik”, etj. Edhe këtu pati të drejtë. Është e vërtetë se ai nuk dëshiron ndryshimin e emrit dhe identitetit të vendit dhe me këtë ka bllokuar integrimin e vendit në BE dhe NATO. Është shumë e vërtetë se ka kërcënime të ndryshme për këtë çështje. Është e vërtetë e madhe gjithashtu se dalja e “partisë” shqiptare nga qeveria është shndërruar në një komedi në të cilën nuk beson askush, përderisa parapa derës pret një “parti” tjetër shqiptare që mund të hyjë në qeveri sa herë i intereson VMRO dhe Gruevskit, etj..etj.

 

Si pjesa ekonomike, ashtu edhe ajo politike e fjalimit të liderit maqedonas treguan shumë qartë se kjo qeveri është maqedonase etnike dhe asesi shqiptare etnike; se ajo punon për ruajtjen e identitetit kombëtar të maqedonasve etnikë dhe për shkatërimin e identitetit kombëtar të shqiptarëve etnikë;, se ajo punon për shkollimin dhe europianizimin e maqedonasve etnikë dhe çoroditjen, turqizimin dhe sllavizimin e shqiptarëve etnikë; se ajo kërkon të risë standardin jetësor të maqedonasve etnikë në kuriz të punës dhe mjeteve të shqiptarëve etnikë; se ajo nuk e ka ndërmend të heqë dorë nga agjenda e saj politike dhe kombëtariste edhe sikur “partitë” shqiptare njëqind herë të hyjnë apo dalin nga qeveria, pasi pesha e tyre specifike në qeverinë e Shkupit dhe kapacitetet e tyre intelektuale janë afër hiçit. Fjalimi i djeshëm shpalosi më mirë dhe më qartë se kurrë më parë të vërtetat e dhimbshme të Nikolla Gruevskit dhe pafuqinë tragjike të liderëve tanë dhe klasës politike shqiptare në përgjithësi.

 

Problemi i këtij vendi, i kësaj republike, i kësaj shoqërie është strukturor. Çështjeve të hapura dhe sfidave që elementi etnik, intelegjencia dhe oligarkia sllavomaqedonase u ka bërë shqiptarëve nuk mund t’iu përgjigjet klasa parapolitike shqiptare. Ka ardhur koha që Tirana zyrtare të ndërhyjë fuqishëm dhe pa asnjë kompromis në përzgjedhjen e kuadrove shqiptare tek grupet parapolitike shqiptare këtu. Ka ardhur koha që Tirana zyrtare të bëjë ligjin në pjesët shqiptare të Ish republikës jugosllave të Maqedonisë. Përndryshe, komuniteti shqiptar do të shkojë ngadalë por sigurt, fillimisht drejt margjinalizimit dhe pastaj drejt asimilimit të plotë në shoqërinë dhe shtetin e kontrolluar totalisht nga sllavishtfolësit maqedonas. Procesi i degradimit shoqëror dhe rënies përfundimtare kombëtare, qytetare dhe morale të shqiptarëve të këtushëm është tashmë një “ongoing process” (proces në rjedhë e sipër).

 

Edhe diçka. Nga fundi kryeministri maqedonas foli edhe për dy milionë banorë të këtij vendi të cilët siç u shpreh ” kanë kokë, qëndrime e ndjenja të vetat” dhe të cilët do të vendosin në referendum për çështjen shumë të ndjeshme të emrit dhe identitetit.

Këtu gaboi ai. Populli shqiptar as ka qenë ndonjëherë dhe as që e ka ndërmend të jetë marionetë në duart e sllavëve etnikë dhe qeverive të ndryshme të tyre. Prej atyre dy milionëve që përmendi ai, së paku 800.000 mijë as që duan të dëgjojnë për identitet kombëtar maqedonas, flamur maqedonas apo edhe shtet maqedonas. Kjo është e mira e vetme që kjo qeveri maqedonase u ka bërë shqiptarëve të këtushëm. Vetëdijësimi i shqiptarëve për urgjencën dhe domosdoshmërinë e një shteti të vetëm shqiptar në Europën Juglindore është meritë historike e Gruevskit dhe VMRO. Shqiptarët gjithnjë e më shumë i drejtojnë sytë drejt shpëtimit të vetëm për ta dhe fëmijët e tyre: një shtet i bashkuar dhe konsoliduar shqiptar, i integruar në NATO dhe BE, ku askush nuk të diskriminon vetëm pse rastësisht zoti të fali shqiptar dhe ku mund të shpërthejnë energjitë e bashkuara të popullatës më të re dhe më vitale në Europë.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora