E marte, 23.04.2024, 08:53 PM (GMT+1)

Editorial

Mërgim Korça: 95 vjetori i krijimit të Shtetit Shqiptar

E diele, 25.11.2007, 09:18 PM


95 vjetori i krijimit të Shtetit Shqiptar

Nga Mërgim Korça

Mërgim Korça
Dy janë datat e shënuara përgjatë rrugës shtetformimit tonë të cilat data kanë mes tyre mbi katër shekuj e gjysëm grindje e luftëra të pafund: 28 Nëntori i vitit 1443 kur Skënderbeu vajti dhe e ngriti flamurin e tij në Krujë me piksynimin e qartë dhe të vendosur që t’i bashkonte fiset feudale të të njejtit grup kulturoro – gjuhësor, në një shtet të pavarur nga Perandoria Otomane, si edhe data 28 Nëntor e vitit 1912, kur Ismail Qemali e shpalli mëvehtësinë e Shtetit Shqiptar dhe krijoi qeverinë e parë shqiptare. 
Me që për 94 herë me radhë që nga 28 Nëntori i largët i 1912-ës e deri më sot është shkruar rreth përvjetorit të dhënë (sipas radhës tij) ose ku ka grumbullim shqiptarësh bashkatdhetarë me këtë rast janë mbajtur fjalime thjeshtë përkujtimore, i lutem lexuesit të më lejojë që, përgjatë kësaj paraqitje të shkurtë, të sjell disa mendime të reja e jo vetëm rikujtim  datash  si edhe ngjarjesh historike kyçe, bashkimi i të cilave solli në 28 Nëntorin e vitit 1912.
Perandoria Osmane, mbas thyerjes që pësoi nga Rusia, shkoi drejtë shkërmoqjes.    Rusia, e mbështetur si gjithmonë nga Franca, me traktatin e Shën Stefanit, këmbëngulnin t’u jepeshin sllavëve krahina të tëra të banuara thjeshtë nga shqiptarë :
a – Dibrën, Maqedoninë Shqiptare, Pogradecin, Bilishtin si edhe gjithë prefekturën e Korçës synonin t’ia bashkangjitnin Bullgarisë.
b – Serbinë edhe Malin e Zi synonin t’i zgjeronin në kurriz të trojeve shqiptare, të parën me tokat e  Kurshumlisë e Sanxhakut të Prishtinës ndërsa Malin e Zi me Ulqinin, Tivarin, Rugovën e Pejës, Plav’edhe Gucinë. 
Kurse Greqia nga ana e saj, e mbështetur prej tyre, i gllabëroi si fakt të kryer krahina të tëra dhe kufirin e shtyu nga Konica, Preveza e Janina dhe e çoi tek Kepi i Stillos.  Pa le që pretendonin edhe Gjirokastrën, (e në kundërshtim me Bullgarinë ... edhe Korçën).
Zhvillimet e mëvonëshme janë histori, ku fuqit’e mëdha, gjithmonë sipas interesave të tyre, i pren’edhe i cunguan trojet me popullsi thjeshtë shqiptare duke i lënë jashtë kufinjëve kombëtarë.   Nuk do të ndalem tek ato zhvillime.   Dua sot t’a drejtojmë vëmëndjen përgjatë shtegut të përzgjedhur nga bërthama e rilindasve – patriotë shqiptarë, që e morën nismën e krijimit të Shtetit Shqiptar.   Ndjekja e atij shtegu nuk ka thjeshtë karakter tregues, jo.   Ai na e ndriçon rrugën sot, mbas pikërisht thuajse një shekulli, se si historia përsëritet.  A nuk duhen nxjerrë detyra nga sukseset si edhe të mos përsëriten gabimet ? 
Ditët e para të muajit Nëntor 1912 Ismail Qemali i kalon në takime të dëndura mes Kolonisë Shqiptare të Bukureshtit.   Ishte ajo, jo vetëm koloni e madhe, e fuqishme dhe ç’ishte më kuptimplote, ishte bashkësi tejet atdhetare !  Mbasi e siguroi mbështetjen e atij grupi etnik shqiptar, që nga 5 Nëntori Ismail Qemali qëndroi në Vjenë, kryeqendra e perandorisë Austro – Hungareze, jo pak por dhjetë ditë shpenzuar në takime e biseda intensive rangu të lartë.   Politika e saj ishte në mbështetje të nacionalistëve shqiptarë !   Pse ?   Jo aspak për simpati personale, por sepse interesat e saja në ato rrethana përputheshin me interesat tona !   Austro – Hungaria u kundërvihej politikave ruso – franceze !   Ministri i Jashtëm Berthold i a tha Ismail Qemalit troç edhe shkoqur se kishte kaluar koha e shkëputjes vilajeteve nga Perandoria Osmane.   Pra kish trokitur çasti i pavarësisë.   Cilat qenë pikat q’e kishin mbushur kupën austro – hungareze në këtë drejtim, përveç interesave thjeshtë të sajat ?   Më 12 të Nëntorit Parësitë e Tiranës edhe Durrësit i kishin dërguar një proklamatë Perandorit Franz Josefit të II-të duke kërkuar ndërhyrjen e tij lidhur me pavarësinë e Shqipërisë.   Por edhe bashkësia e shqiptarëve të Sh.B.A.-ve kishte ndikuar fuqishëm në këtë drejtim :  Në emër të vatranëve të Bostonit, Faik Konica kishte përgatitur si edhe dërguar peticione në drejtime të ndryshëme qeverive të Sh.B.A.-së si edhe atyre europiane.   Në këto kondita, më 17 Nëntor 1912, Ismail Qemali e nis telegramin e tij historik nga Vjena për në Durrës duke njoftuar arritjen e tij si edhe të delegacionit që e shoqëronte dhe me porosinë të mblidhej sa më parë Kuvëndi Kombëtar !   Me 21 të Nëntorit Ismail Qemali, i shoqëruar nga Luigj Gurakuqi si edhe Dom Nikoll Kaçorri, arritën në Durrës me pikësynim kryesimin e Kuvëndit Kombëtar për shpalljen e mëvehtësisë !   Mirëpo plani nuk arriti të zbatohej.   Ai u pengua nga autoritetet lokale turke të Durrësit të mbështetur kryesisht edhe nga dhespoti grek i Durrësit, i quajtur Jakovos, që deklaroi se ai e njihte vetëm flamurin turk !   Atëbotë Ismail Qemali me shokët e tij e ndryshuan planin dhe i u drejtuan Vlorës ku, më 28 Nëntor 1912, u ngrit flamuri, u shpall pavarësia si edhe u krijua Qeveria e Parë Shqiptare ! 
Për t’i qëndruar unë tashti besnik premtimit që u dhashë në fillimin e kësaj analize, do t’i anashkaloj të tëra hollësitë përkujtimore që të mos zgjatem, dhe do të vij tek krahasimet historike dhe detyrat që duhen nxjerrë.  
1 – Përgjatë shekujve shqiptarët as u turqizuan, greqizuan apo sllavizuan.  E ruajtën qënësinë kombëtare.
2 – Kosova, sipas ëndërrës shekullore të mbajtur gjallë nga Isa Buletinët, Hasan Prishtinët e Mehmet Derallat me shokë, në fillimet e Luftës së II-të Botërore, i u bashkangjit Shqipërisë Etnike.  E kjo në saje të përpjekjeve largpamëse të atdhetarëve antikomunistë, që diktatura komuniste në vashdim i dënoi si tradhëtarë !
3 – Politika shoviniste sllave, (qoftë e perandorakëve apo e komunistëve), daç e Drazha Mihajlloviçit apo e Josif Broz Titos, pikësynim të tyre e kishin Kosovën sllave, gjë të cilën me mbarimin e Luftës së II-të Botërore edhe e realizuan !
4 – Në Konferencën e Paqës në Paris, (Shtator 1946), Enver Hoxha i tha qart’edhe shkoqur Kryetarit të Delegacionit Amerikan Henderson :  “... Ne nuk po e kërkojmë Kosovën nga aleatja jonë Jugosllavia “ (Costa – tek citon “US position on Recognition of the Tirana Government” – f.16).   Mos të qe prishur Stalini me Titon Shqipëria do qe dhuratë–kurban e E.Hoxhës Jugosllavisë !
5 - Edhe politika bashkëkohore greke nuk ka lëvizur një vijë nga synimet e saja hegjemoniste të dikurëshme.  
Interes të madh paraqit tashti problemi si u zhvilluan situatat në vazhdim ?
Nga pala jugosllave dhunë, zjarr edhe krime !   Fillo që nga krimet masive e vazhdo pastaj me deportimet qindramijëshe të popullatës kosovare për në Anadoll, kryer nga administrata e Tito – Rankoviçit pasuar në vazhdim nga krimet e deportimet e Millosheviçit !
Kurse grekët po tregohen më tinzarë por edhe agresivë të maskuar.  Me shkërmoqjen e diktaturës në Shqipëri po zbatojnë dredhí tipike të Danajve prej nga rrjedhin :
a – E futën Peshkopin e tyre K/Peshkop të Shqipërisë.
b - Refugjatëve u bëjnë trysní dhe vetëm marrja nga ana e tyre e nënshtetësisë greke i bën pastaj të rregullojnë një farë standardi jetese në Greqi.
c - Kurse brënda territorit shqiptar po kërkojnë të hapin kisha ortodokse edhe në veri ku historikisht nuk ka patur ortodoksë !
d - I propozojnë gjithsecilit, mjaft të nënëshkruajë, e të marrë pensjon pleqërie grek, (pa pasë punuar një ditë për person, pa le institucion, grek !(?)
Po nga ana e jonë e barrikadës ç’ngjau dhe çfarë po ngjet ? 
Një papërgjegjësí e skajëshme !   Shtetit Jugosllav i qe vënë “embargoja” dhe ndërsa U.Ç.K.-ja luftonte për pavarësínë e Kosovës, Shteti Shqiptar i mbyllte sytë ndaj eksportit të karburanteve paramilitarëve serbë, (nga ana e aventurierëve që përpara fitimeve të menjëherëshme shkelnin mbi çdo parim, edhe në qoftë se kishin ndonjë), kurse Fatos Nanua kryeministër e siguronte kasapin e Ballkanit Millosheviçin se Shqipëria nuk ndërhynte në çështjet e brëndëshme jugosllave.
Sa u takon qëndrimeve me Greqinë, jo vetëm që pranohet të hapen shkolla e universitete greke në Shqipëri, por edhe kur Presidenti i Greqisë deklaron se nuk ekziston problem çam, si Presidenti Mojsiu edhe Kryeministri Nano :  heshtin në tribunë në syt’e tij !(?) 
Greqia zyrtare ç’bën ?  Ministrja e Jashtëme e Greqisë, zonja Dora Bakojannis bën të pamundurën dhe e ndalon vizitën e Presidentit Karolos Papulias të shkojë në Shqipëri me rastin e inaugurimit të Kolegjit ARSAKELJO ?  Përse ?  U trembet demonstratave eventuale çame !
Po qeveria jonë ?  Në vënd t’u qëndrojë pranë refugjatëve tanë në Greqi, t’i ftojë të votojnë në Atdhe, etj. me mosinteresimin e saj praktikisht i shtyn të marrin kartën e homogjenitetit greke e cila në të ardhmen u a siguron edhe pasaportën greke, e me të edhe qarkullimin e lirë nëpër Europë pa viza ambasadash !(?) 
Po ndërkombëtarët ç’bëjnë ?
- Sh.B.A.-të, si edhe historikisht, e mbështesin pavarësin’e Kosovës.  
- Rusët, edhe ata si në të kaluarën historike, simpatisë ndaj serbëve u shtojnë pragmatizmin e tyre në gjëndjen aktuale, (lidhur me tendencën e shkëputjes ish republikave sovjetike nga Moska), dhe Putini deklaron qartë :
“... Për hapësirën post – sovjetike ka shumë rëndësi që zgjidhja e problemit Kosovë mos të bëhet i shkëputur ...” sepse kësisoji Kosova do të quhej rast precedent e të merrej pastaj për shëmbull nga të gjitha ish republikat sovjetike si ligjërim i kërkesave të tyre  për pavarësí !
Pra, ku jemi e ku shkohet ?  Si gjithmonë vëndet e vogla nëpërkëmben nga interesat e të mëdhenjëve, kjo e para.   Kurse drejtuesit e vëndit tonë meazalla se po nxjerrin mësime nga e kaluara dhe pikë orientimi të kenë atdhedashurínë dhe përkushtimin që patën krijuesit e Shtetit Shqiptar !   Kjo edhe e keqja më e madhe e jona !   U ka mbetur goja tek shprehja ... të hyjmë në Europë !   Përse, mos jemi në Afrikë ne ?   E keqja është se përgjatë diktaturës i u ra fyellit për dyzet’e shatë vite me radhë lidhur me internacionalizmin proletar e ajo periudhë kohore gjysëmshekullore e shojti krenarínë tonë kombëtare !
Prandaj jam i mendimit se orientimi më i dobishëm i shtetarëve tanë duhet të jetë t’i  nuhasin e pastaj edhe t’i shfrytëzojnë sa më në interes të kombit rrethanat kur interesat tona kombëtare përputhen me ato të më të mëdhenjëve !  
Për këtë qëndrim kanë nevojë sot Shqipëria, Kosova si edhe problemi çam, përbërësit e problemit të përgjithshëm kombëtar ! 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora