E enjte, 28.03.2024, 09:12 AM (GMT)

Kulturë

Mihal Gjergji: Një jetë njerëzore e prerë në mes

E marte, 01.06.2010, 08:58 PM


Edmond Guci
Edmond Guci
Një jetë njerëzore e prerë në mes

Kushtuar njëzetë e gjashtë vjeçarit Edmond Guci

 

Nga Mihal  GJERGJI

 

Vlora çdo ditë vesh me të zeza nga një nënë. Pothuajse çdo ditë. Ç’të jetë vallë ky mallkim, që e mbajnë mbi shpatulla banorët e këtij qyteti. Mes tyre edhe një labe e ardhur nga fshatrat e Tepelenës, Merjemja. Gjithmonë e gjen duke qarë, veshur kokë e këmbë si nata. Në dhomë mban fotografinë e të birit, djalit të vetëm, Mondit, që ja vranë para disa muajsh. Shikohen sy më sy, ai që prapa xhamit të korrnizës, e kjo e mbështetur te muri, me duart të kryqëzuara... Shkon në varreza bashkë me tri vajzat e saj, ç’mallet me të, i prek baltën sipër trupit, ledhaton mermerin sipër ballit.

E shkreta nënë! Ngrihet çdo mëngjes, shumë herët, gënjen veten, i duket se do ti ngrihet djali nga gjumi e ajo do ta përcjellë në punë. Pastaj ulet dhe fillon vajtimin. Në mbrëmje vonë del te shkallët, shikon orën, sytë i trubullohen, pret ëngjëllin që ti kthehet, beson te ringjallja e Krishtit të saj...E kjo punë vazhdon çdo ditë, mëngjes e mbrëmje. S’i besohet që është ndarë me të vetmin djalë që pati... E vizitojnë miqtë, të afërmit dhe njerzit e saj të gjakut, e duke ikur nga Vlora marrin me vete edhe një dozë të re hidhërimi. U trishtuan edhe rrugicat që i puthte këmba e tij, sa herë që nisej e kthehej nga puna. U pikëlluan qindra e qindra qytetarë që e njihnin dhe respektonin si veten e tyre, sepse ishte model i humanizmit njerëzor, ndaj e përcollën me nderime edhe ditën e ndarjes. Hija dhe fytyra e Mondit i shoqëron ngado, i ndjek prapa, rrugëve të qytetit dhe në ikje. Duket sikur kërkon t’u thotë diçka, mbase pengun që mban me vete për djalin që e la vetëm 40 ditësh e që s’u çmall dot me gëzimin e tij të parë, ishte bërë baba; mbase një fjalë që i ngriu në buzë e s’pati kohë ta thotë, besoj për nusen që e priste në shtëpi, sepse duheshin aq shumë; ndoshta edhe nga që s’pati njeri në momentet e fundit, as motrat, të cilat i la me kokë mënjanë, as nënën të paktën, sepse nënat edhe vdekjen ta bëjnë më të lehtë. Iu prenë në mes ëndrrat e bukura të moshës 26 vjeçare. Ende s’i kishte mbushur 6 muaj dhëndërr, donte edhe një javë.

  mbasditen e 17 korrikut 2009, ora 21.30’, në qëndër të qytetit, mbrapa shkollës “Ismail Qemali”, ishte ulur me katër shokë për të pirë nga një birrë, pas punës së lodhshme që kishin bërë në një servis makinash. Nga pallati përballë lokalit, djalli dërgoi xhahilin, bubën ose “Bubeqin”, siç i flisnin një ish futbollisti të Vlorës. Pa asnjë shkak, pa asnjë arsye,  ai u afrua në pabesi me një thikë të fshehur dhe qëlloi të parin Mondin, pastaj katër shokët e tjerë. Mondi u ngrit, bëri një përpjekje për tu larguar, ashtu i gjakosur të ndizte makinën, por vrasësi i vajti përsëri pas shpine dhe e goditi për vdekje. Kështu të vret pabesia, të vret çmënduria e rrugës. Shokët e plagosur mbase u terrorizuan dhe s’i dhanë ndihmë, mbase...shokët...?!.

Askush s’u afrua t’i jepte një dorë, ndërsa shpirti i tij po dilte nga trupi i shpuar me thika. Ato minuta të tmerrshme matnin thellësinë e honit të zi ku e hodhi fati. Sa të gjata kanë qënë ato çaste, kur buza e zhuritur për një pikë ujë priste bujarinë njerëzore, por më kot. Syri i tij është rrotulluar në kërkim të njerëzve të dashur, ashtu siç dridhet globi nën peshën e dhimbjes, mirëpo s’iu ndodh askush pranë. Banorët e shumtë që ishin në afërsi të vendngjarjes bënin sehir. Asnjë qepenë dyqani s’u ul. Sa pak dashuri ka mbetur në shpirtin njerëzor. Ato minuta matnin edhe paturpësinë e të pranishmëve, të shikuesve, të atyre me të cilët ishte ulur, që me siguri kanë kujtuar atë shprehjen e përsëritur me mijra herë: “ më mirë të qajë nëna e tjetrit sesa imja”.  Ja që ndodh edhe kështu.

Ai që të përgatit arkivolin, nxiton të të ngushullojë, pastaj kujdeset edhe për qivurin, për të qënë në rregull edhe me viktimën edhe me vrasësin. Harron që kështu të rivret përsëri, por i mbytyri s’ka dert nga të lagurit. Edhe policia s’mund të sillej ndryshe nga qytetarët, sepse është pjesë e këtij komuniteti. Ajo erdhi pas pak minutash dhe i lutej vrasësit që të hidhte thikën, e merrte me të mirë, sepse po ta godiste shkeleshin “të drejtat e njeriut”, ndërsa Mondin s’e ndihmoi, s’e shpuri në spital për t’i dhënë ndihmë të menjëhershmë, por mbas gjysëm ore e morën trupin pa jetë dhe e dërguan te urgjenca. E megjithëatë, ajo quhet polici shtetërore.

Indiferenca e këtij shteti është e pamëshirëshme, injoranca e administratës të vret më shumë se varfëria. Mbase kjo ndodh vetëm në këtë qytet bregdetar.  Asnjë zyrtar s’u prononcua, të paktën nga ata të qytetit, që e kishin Edmondin një prej banorëve të nderuar të tyre, sikur vrasja të kishte ndodhur në Irak..., ndërsa mediat e huaja e trasmetuan ngjarjen disa ditë rresht.

Fantazma e krimit  në këtë qytet sikur i lan duart me ujin e kripur të detit dhe gjurmët e tij fshihen e treten ashtu pa e kuptuar, ndërsa fatkeqët, me shikimin drejt qiellit presin ditën e gjykimit të madh duke pyetur:-Përse kështu vallë, përse...??... Një poet nga Kurveleshi, në një nga poezitë e tij shkruan: “ Qan shpendi/ guri e  druri/ i vjetri e i riu/ Si të mos qajë njeriu?!”. Por dhimbja dhe lotët e poetit janë krejt ndryshe, edhe fjalët e tij...Vetëm rapsoditë popullore, mbase vetëm fjalët e shpirtrave të plagosur të nënave, mund t’u japin përjetësinë e legjendës atyre që u kushtohen, kurse në rreshtat e baladave moshat e reja sikur e pranojnë ringjalljen, kanë një vend më të preferuar për t’iu larguar harresës, asaj që mbulon hapësirën e kohës dhe merr me vete çdo gjë. Mbase...

 

 

Agim Shehu - Gjenevë

Buqetë dhimbjeje nga larg

Edmond Gucit

 

Si ta dërgoj së largu pikëllimin

që tek ti të arrijë!?

Kemi Alpet në mes

dhe udhës mund të ngrijë!

 

Ia dhashë një reje të ta sjellë

përmallim prej një poeti...

Nga dhimbja, reja u hollua, u pre

dhe shkriu sipër detit.

 

Ia dhashë erës,

era e këndoi elegji të lirë

dhe e shpërndau në hapsirë.

 

Ia dhashë një fluture të bukur

siç ndodh me amanete...

Ajo e mbështolli në ngjyrat e krahëve

dhe e mbajti për vete.

 

Ia dhashë një ylli të dukshëm mbi Vlorë.

Nga dhimbja ai u ça

e ranë meteorë.

 

E hodha në harkun e një ylberi,

sipër harkut të ta sillte buqetë...

Ylberi e mori

dhe e bëri ngjyrë të tetë...

 

Ti flë si ëngjëll,  aq i ri

mbi vete peshë e  pikëllimit

Tek lot’ i nënës pamja jote

ngjason me faqen e rubinit 

 

 

Gëzim Voda 

Pikëllimi s’ndal me fjalë

Edmond Gucit

 

Drithëron mal’ i Shashicës

Poshtë Kaninës kuja zbret

Ndalin retë e derdhin lotët

Tek një nënë që djalin pret

 

Pllakos heshtja Gjinë e Vlorës

Dallgët prapsen, s’pipëtijnë

Nisen me  klithma pulëbardhat

Se një trim humbi rininë

 

Kush e stisi këtë gjëmë

Pse të ndodhte kjo hata ?!

Një katil shkon i merr jetën

Mondit sa qe bërë baba !

 

Djalë i vetëm, dritë e syrit

“Peri i hollë”, ndaj u këput

Jetën sa e kish filluar

Mortja e mori me ngut

 

E la nënën gojëkyçur

Nuk i thotë më goja: djalë

Shamitë s’ja thajnë lotët

Pikëllimi, s’ndal me fjalë

 

Ngashëren nëna kërcure

I  thotë vetes: “-më, s’të dua”

E pastaj i lutet Zotit:

“Shpjermë tek djali dhe mua”

 

Dhimbje kanë edhe tri motrat

Se vëllai s’u vjen më

S’do t’a kenë ashtu të qeshur

S’do ta puthin një nga një...

 

Nuses re i çahet zemra

Për atë që desh me kokë

Djalin që ja la tek gjiri

Tok me qumësht, pi dhe lotë!

 

Eh, mor ti, i marrë i Vlorës

I  paudhë e i pashpirt

Pse s’tu tha zemra dhe dora

Nga jeta ndave një çift !

 

 

Arben Duka

Deti s’ka aq lotë e valë

Mondit

 

Në Vlorë u përhap mandata

U err dita porsi nata

U nxi dhe e shkreta nënë

Vdekja derën ja kish zënë

 

Djalli këputi zinxhira

Dhe doli nga errësira

Ku mor ku e vuri syrin

Mori Mondin, më të mirin

 

Bien lotët palë–palë

Nëna s’thotë dot asnjë fjalë

Deti s’ka aq lotë e valë

Sepse deti nuk ka djalë !

 



(Vota: 6 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora