E enjte, 28.03.2024, 01:35 PM (GMT)

Editorial

Engjëll Koliqi: Pse lejoni agresion të ri të Serbisë në Kosovë?!

E hene, 31.05.2010, 07:04 PM


Gjaku i dëshmorëve dhe i heronjve na thërret:

 

PSE LEJONI AGRESION TË RI

TË SERBISË NË KOSOVË ?!

 

Mitrovica: që nga kjo urë Serbia komandon mbi trojet tona, në Kosovë
Mitrovica: që nga kjo urë Serbia komandon mbi trojet tona, në Kosovë
Kuvendi i Republikës së Kosovës, do të duhej që urgjentish të debatojë mbi agresionin e ri të Serbisë në Kosovë dhe të nxjerrë një rezolutë speciale, në mbrojtje të vendit dhe të Kushtetutës. Ish Komandant Gjarpëri – sot Komandant Kryeministri – Hashim Thaçi, bashkë me ministrin e mbrojtjes (e ashtuqura forcë e sigurisë) – Fehmi Mujota atë të brendshëm – Bajram Rexhepi dhe atë të jashtëm – Skënder Hyseni, apo edhe me mbarë kabinetin qeveritar, së paku si akt moral e patriotik ndaj kombit e atdheut, duhet të ofrojnë dorëheqje dhe kështu ta dridhin diplomacinë ndërkombëtare, që nga UNMIK-u, e EULEX-i e deri në BE në Bruksel e në OKB në Nju Jork. Ata do të duhej të japin dorëheqje dhe t’u thonë EULEX-it e UNMIK-t – ju që po i jepni çdo ditë konçesione Serbisë, tani e tutje ballafaqohuni vetë me ta, se ne më kështu s’mund të durojmë te jemi vetëm kukulla marioneta. Me këta hapa historikë, ata do të vënin një vulë të re mbi historinë vendimtare të kombit tonë dhe do t’i përngjanin Nënë Terezës, e cila – për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës – në shkurt 2007, në Washington – në manifestimin “Lutjet e Mëngjesit” u përgjunj para Presidentit Rugova dhe ia puthi dorën, duke iu drejtuar ish Presidentit Klinton dhe të tjerëve, që të ndërhyjnë pa vonuar dhe ta shpëtojnë e ta çlirojnë përfundimisht popullin e Saj. Ora e historisë na troket në zemër dhe na thotë se është koha për ndërmarrje historike. Atëherë ç’po presim?!

 

Shkruan: Engjëll KOLIQI

 

            Në historinë tonë kombëtare kanë ndodhur e po ndodhin shumë ngjarje të tmerrshme e edhe shkatërruese. Shkatërrimet janë përsëritur nëpër vite e nëpër shekuj. Të këqijat më të mëdha popullit tonë i kanë ardhur në shekujt që kemi qenë në çizmen turko-otomane dhe serbo-sllave. Në këto vitet e fundit, që shumëkush i quan të lirisë, ato të këqija po na i servon diplomacia çoroditëse e intereseve dhe e këndjeve, që te ne po zyrtarizohet dhe po bën ligjet e jetës dhe të lëvizjeve tona, nën maskat e quajtura UNMIK dhe EULEX. Kështjella jonë qeveritare dhe të gjithë ata që janë ulur në kolltuqet kryesore të institucioneve të Republikës së Kosovës, në vitet e fundit po tregohen si argatë të devotshëm të UNMIK-ut dhe EULEX-it, në kryqëzimin e intereseve sllavo-mafioze mbi trojet tona. Mbase është e pabesueshme dhe vështirë mund të kuptohet, por rrethanat dhe zhvillimet mafioze të itereseve pansllaviste në botën e sotme tregojnë gjithnjë e më haptas se fitili i minave që po shpërthejnë mbi trojet tona dhe mbi kombin tonë, po ndizet që nga Moska dhe duke kaluar nëpër Beograd, po nxehet e po shpërthen në çdo stinë, për të mos thënë edhe çdo ditë. Viktima dihet – për të mos thënë gjithmonë, në shumicën absolute të rasteve jemi ne. Për të mos “shitur mend” shumë e për të mos numëruar këtu shumë raste, po ndalem vetëm në pikat aktuale të jetës sonë kombëtare e shtetërore:

           Edhe sot shpreh dyshimin e bazuar se ish presidentit Rugova i ishte përgatitur sëmundja vdekjeprurëse në laboratore ndërkombëtare, vetëm për shkak të kokëfortësisë së tij dhe të mosbindjes në lojërat diplomatike konform intereseve kriminele serbosllave mbi trojet tona. Po të jetonte Ai, kurrë nuk do të kalonte i ashtuquajturi plani Ahtisaari që po na dëmton haptas, e as ky farë flamuri shtetëror, pa simbole kombëtare e me shenja të atij plani absurd. Po të ishte Ai gjallë, mbase njohja ndërkombëtare e shtetit të Kosovës do të vononte edhe pak, por ajo do të kurorëzohej me sovranitet të plotë e jo vetëm me demagogji diplomatike.

           Si rezultat i lojërave diplomatike të ndërkombëtarëve, dirigjuar nga diplomacia serbiane, historikisht kriminale, pjesëmarrja e Kosovës në konferencën e Bashkimit Europian me pjesën e Ballkanit që pretendon të integrohet aty, do të jetë shumë diskutabile – konform shijeve të diplomacisë mafioze të Beogradit, duke evituar të gjitha publikimet që shprehin përkatësinë shtetërore të pjesëmarrësve. Mendoj, do të ishte akt i mirëfilltë kombëtar-patriotik, që do të mbetej vulë e fortë në historinë tonë bashkëkohëse kombëtare, dorëheqja eventuale e Ministrit Skënder Hyseni, me arsyetimin se ai është ministër i jashtëm i një shteti dhe nuk mund të përfaqësohet më si qen endacak i shefit të UNMIK-ut Lamberto Zanier. Me këtë gjest patriotik, Z. Hyseni do të shkaktonte një tërmet të fortë në diplomacinë ndërkombëtare, deri në kulmin e OKB-së dhe sigurisht që bota diplomatike do të na rikthehej me kutin e arsyes e problemet tona do të trajtoheshin e do të zgjidheshin në dobi tonën e jo ende në shërbim të intereseve serbosllave.

           Dje jemi dëshmitarë të epizodeve shumë të rrezikshme, që madje dukeshin edhe qesharake në Mitrovicë, ku haptas, madje edhe me bekim të ndërkombëtare e falë reagimeve absurde të qeveritarëve tanë, mund të themi se po bëhet një agresion i ri mbi Kosovën, nga ana e Serbisë. Atje ende vazhdojnë të realizohen zgjedhje të organizuara nga një shtet fqinj, me pretendime agresioni e kryemistri ynë, as ministri i mbrojtjes (që për hir të shijes serbosllave, nuk quhet ministër i mbrojtjes, por ministër i forcës së sigurisë), as ministri i punëve të brëndshme, nën kompetencat e të cilëve është mbrojtja e sovranitetit e të kushtetutshmërisë dhe të rendit, në çdo pëllëmbë të vendit. Serbët e atjeshëm, sigurisht edhe të viseve të ndryshme të Serbisë, organizuar nga qeveria e Beogradit, me pretendime agresioni, i janë kundërpërgjigjur protestave paqësore të shqiptarëve, duke shtënë me armë zjarri. Këta dy ministra, as kryeministri nuk kanë lëshuar, së paku asnjë deklaratë kundër atyre akteve lufte e agresioni, në tokën tonë, në vendin tonë, në shtetin tonë, që ata e komandojnë dhe e përfaqësojnë. Dorëheqja e tyre, në këto rrethana vendimtare historike, do të ishte një akt i madh patriotik në dobi të çështjes sonë kombëtare.

 

Ky ishte agresion klasik: serbianët e kishin ndezur Mitrovicën
Ky ishte agresion klasik: serbianët e kishin ndezur Mitrovicën
Duke pasur parasysh rrethanat aktuale me shurdhërinë së diplomacisë ndërkombëtare dhe adaptimit të saj shijeve agresive serbosllave, mbase do të ishte një akti historik e një hap shumë patriotik dorëheqja kolektive e qeverisë së Republikës së Kosovës, me vërejtje shumë serioze EULEX-it, BE-së, SHBA-ve dhe OKB-së dhe me alarmim të pjekur politik mbi gjendjen dhe rreziqet e krijuara mbi tokat tona. Me aktin e dorëheqjes kolektive të Qeverisë sonë, të gjitha qarqet ndërkombëtare do të mobilizoheshin shumë seriozisht dhe do ta kinin shumë vështirë të vazhdojnë me këso lojëra e kombinime shumë të rrezikshme diplomatike e politike mbi kurrizin tonë e mbi fatin e të drejtën legjitime të jetës sonë të lirë e demokratike. Kështu do t’ua impononin qendrave vendosëse ndërkombëtare, që në vend të diplomacive eksperimentale dhe shumë të rrezikshme, në hapsirat tona të mbjellin dhe të kultivojnë demokracinë e vërtetë.

 

Në këto çaste shumë të ndjeshme dhe vendimtare për fatin e kombit tonë dhe karshi këtyre rrethanave shumë absurde, gjithnjë e më fuqishëm nga amshimi na vjen zëri i dëshmorëve dhe i heronjve tanë, që na thërret për veprim të menjëhershëm dhe guximtar. Na thërret zëri i dëshmorëve dhe na kërkon përvajshëm që të mos shkelim mbi gjakun e tyre. Ata kanë luftuar dhe janë flijuar për lirinë e vërtetë dhe për paqe të qëndrueshme e demokraci të mirëfilltë të popullit. Ne, nëse vazhdojmë të sillemi konform insistimeve absurde ndërkombëtare, që në emër të njëfare paqeje relative na bëjnë të përtypim edhe tragjedi kombëtare, atëherë mbi shpirtin tonë do ta marrim përgjegjësinë e shkatërrimit të vlerave dhe të tokave tona kombëtare. Këtë nuk do të na e falin kurrë dëshmorët, as historia, por do të jemi të dënuar rëndë për shekuj të shekujve.

 



(Vota: 9 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora