E enjte, 28.03.2024, 04:16 PM (GMT)

Kulturë

Pilo Zyba: Tragjedi që luhen çdo ditë

E hene, 31.05.2010, 06:01 PM


PILO ZYBA

 

TRAGJEDI QË LUHEN ÇDO DITË

 

- poemë -

 

(Qëndroj në ballkon.Në kishën përballë disa emigrantë lyejnë me bojë.I veshin kostumin e së sotmes për ta bërë të bukur, por shpirti i saj është i cvetnuar i pa ngjyrë.

Kisha i ngjan një kështjelle të bukur, por koha e ka ngrënë nga brënda.Muret i ka zënë gangrena.Ajo vuan nga reumatizma, lagështira i ka hyrë deri në palcë.Ngrehina e së shkuarës, është në rënie megjithse mundohen ta mbajnë me paterica.E vjetra nuk mund të rinohet, nuk mund të lindë të renë, është e detyruar të bjerë.Skela përballë meje është një skenë.Ajo fillon të luhatet, të tundet.Njëri nga emigrantët i pa siguruar humbet ekulibrin...Skena hapet...Fillon tragjedia).

 

E pashë tek binte e pashë!

Si meteor të shkëputej nga skela

Tek i largohej kupës së qiellit.

Me duart trëndafilë,

Ishte ngjitur të vilte frutet e diellit.

Flladi dilte puhizë nga gojë e tij,

Përkëdhelte flatrat e zogjve

Që të ngjiteshin lart.

Të pushtonin kaltërsitë,

Të shihnin malet, të puthnin yjet.

Të përshëndesnin retë

Që kishin marrë qiellin si karvane emigrantësh.

Një puthje ti dërgonte nënës,

Ishte natë kur iku për të kërkuar dritën.

Mallin e saj shok dhe roje në vëndin e huaj.

Fotografinë e saj pikturën më të çmuar

Në galerinë e shpirtit.

 

E pashë tek fluturonte e pashë !

Kërkonte me duar shokët, qytetarët,

Pronarin, botën ta mbante në zambakët e duarve.

E pashë tek i kërkoi ndihmë diellit.

Sytë i hapi tej mase, për të fotografuar

Për herë të fundit gjithësinë.

Atë çast donte të mërrte në kraharor

Sytë e vajzës, zëmrën e gruas, puthjen e nënës,

Pishat e vëndlindjes.

Burimit nën rrënjën e bredhit,

Ja kishte harruar fytyrën, shijen,

Bukurinë e mërmërimave,

Nën vështrimin e vetullës së hënës.

Ç’i donte gjithë këto ?

Ku donte ti shpinte ?

Ai po binte!

Po binte apo po ngjitej?

Po binte, për tu ngritur në këngë.

Po binte për tu ngritur

Në pjedestalin e madh të vuajturve.

 

Zogjtë mbyllën krahët, ai mbylli sytë.

Një çast, një blic,

Në bebëza mbeti shpresa e fikur,

Ëndërrat e thurura.

Ato dukeshin thellë, thellë,

Në cep të orbitës së syrit që po teretohej.

Nën tingujt e një kambane të largët,

Që binte ndoshta në një botë tjetër.

Nuk ishte në gjëndje ta shpjegonte.

Endërronte apo e shikonte?

E kishte kërkuar kaq vite këtë kambanë lumturie.

E kishte kërkuar mes frutave kur vilte,

Mes betonit dhe llaçit tek mbyllte vrimat e mureve,

Për të mbyllur vrimat e varfërisë, që nuk i mbylli kurrë.

I kërkoi mes ngjyrave të bojrave kur lyente.

Ai nuk e dinte ngjyrën e lumturisë së jetës

Dhe nuk do ta mësojë kurrë.

Pronari i thoshte, ka ngjyrën e djersës,

Formën e lodhjes kur mbulon ballin.

I mbuluar me të dyja,

Ai lumturinë nuk e ndjeu asnjëherë.

Ndjeu shijen e hidhur të bukës, të fjalës,

Vështrimin fyes të syrit prapa qerpikëve tinzarë.

Kujt ti besonte, kujt?

Në fund u bind,

Ajo, ishte e fshehur në shtëpinë e diellit.

Ngriti skelat dhe iu lëshua lartësive.

Shijen dhe bukurinë e saj nuk e voli kurrë,

As dora, as zëmra e tij

– pemë pa fruta, pa fole, pa cicërima.

 

Çdo mëngjes ç’kopsiste kraharorin,

Krahët hapte përballë botës, përshëndeste:

“Mirmëngjes shpresë” !

“Mirmëngjes njerëz”!

“Mirmëngjes Ardhmëri” !

Heshtja i ngulej si thikë në brinjë.

Lodhja dhe fyerja thika të tjera pas shpine.

Ai i mbërthyer në kryqin e vuajteve,

Rendte për të gjetur dritën,

Duke shtërnguar në grushtet e vegjël, shpresën.

 

Të tjerët projektonin rrugë.

Rrugë të së nesërmes.

Rrugë me emrat, Jetë, Kulturë,

Ngrinin ura të ylberta, të harkuara

Vetulla të bukura mbi brigje, për të, pa shtigje.

Një jetë duke dhënë, pa marrë përgjigje.

Shtronte asfalt të ecte mbi të e ardhmja

Të trasportoheshin ilaçet moderne të kohës

Të shërohej sëmundja që kishte pushtuar globin,

Sëmundja e pa shpresë e hakmarrjes

Që kishte trashëguar nga të parët.

Të shërohej fjala mërgim, mall.

Pa ditur a do të ndodhte vallë?

Shtronte rrugë, mbillte lule.

Mijra kalimtarë ecnin mbi rrugët e duarve të tij,

Mbi ëndërrën e shokëve - lëndina në sytë e fëmijëve.

Të gjithë rendin të heshtur, të kërrusur nga pesha.

Në gojët e tyre një dryn i madh, i rëndë,

Ku janë kyçur dashuritë, puthjet, mendimet.

Jashtë ka mbetur vetëm lodhja,

Ajo rëndon mbi supet e tyre,

Mbi supet e kombit,

Mbi supet e gjakosur të globit.

Shtronte pista,

Të fluturonin lajmëtarët e hekurt të shekullit.

Të fluturonin mendimet e lira,

Të familjes së madhe Europiane.

Të fluturojnë këngët, të pushtojnë galaktikat.

Të shuhen gjithë gjuhët e botës,

Njerzit të flasin me zëmra,

Të shuhen armët, të lulëzojnë ndjenjat.

Hakmarrjet mëritë të zhduken si ferrat.

 

E pashë...po po..e pashë.

Atë çast fenerët e qarkullimit u fikën.

Njerzit dhe mjetet humbën radhën e lëvizjes,

Të gjithë i kërkonin falje njëri – tjetrit, pa ditur pse!

Qëndrat televizive humbën figurën.

Radarët thithën rezonanca të pa deshifruara.

Rënia e tij

I prishi botës ekulibrin.

Dielli humbi vështrimin,

Ai hyri i tëri në sytë e tij.

U lëshua ti jepte ndihmë, ta mbante lart,

Por a mund ta mbajnë vetëm duart e tij,

Kur duart e të tjerëve e shtynin?

Mund ta mbajë vetëm ai të ardhmen?

Jo, jo, dhe prapë, jo!

Drita e tij është fener për të ndriçuar rrugën,

Rrugën nga shkojmë, nga ecim.

E ardhmja s’ka krye,

Kur shkel mbi shpatullat e tyre,

Për të hapur rrugën e minierës së floririt për vete.

Nuk mund të ngrihet godina e së ardhmes,

Me gurët e dhimbjes.

Nuk mund të jetojë gjatë në lumturi,

Duke marrë jetë nga jeta e tyre,

Ti bëjë shina për lokomativën e saj të shfrytëzimit.

Mund të quhet kjo epokë e lulëzimit ?

 

Po, po, e pashë !

Këmisha në ngjyrën e pemëve,

U hap, mori formën e krahëve.

Zogjtë zunë cepat e tyre për ta mbajtur lart.

Ai u kthye në shpend grabitqar,

Klithi me një thirrje,

Që i doli nga thellësia e kraharorit.

Zëmërimi kishte pushtuar gjith qënien e tij.

U lëshua të godiste, të grabiste viktimat e tij,

( Në të vërtetë ai ishte viktimë e kohës ).

U lëshua mbi veshët e shurdhër të globit,

Të hante sytë e punëdhënësit,

Të shikonin të tjerët shpellën e gjoksit të tij

Dhe të shokëve të shkallmuar,

Shpresat dhe ëndërrat e tyre rrënuar.

U lëshua me urrejtje grabitqare,

Mbi fabrikën gurthyese të mëditjes,

Mbi teleferikun që mban të lidhur

Brigjet e pabarazisë.

E pashë,

Në çastin e fundit, gjith vuajtjet, fyerjet,

Donte ti mërrte për vete në rrugën e gjatë,

Për ta lënë globin të qetë,

Pa virusin vdekjeprurës të urrejtjes.

 

E pashë, edhe atë e pashë !

Vajzës së tij i ra pena nga dora.

U ngul e mbërtheu fletën e bardhë

Të ëndërrave të saj në tryezën e leximit.

Sytë e të gjithëve i vrau heshtja,

Lulëzimin e buzëqeshjeve ua plagosi shfrytëzimi,

Në rrugën e së ardhmes ranë rrufetë.

Dashuria për dije u lëkund, u venit.

Buka mbeti e kafshur vetëm një herë,

Ndërmjet saj dhe gojës,

U krijua një greminë hidhërimi

Që ndan jetën nga vdekja.

Ky kafshim, një dhëmb i fortë

Në zëmër të padrejtësisë, pasigurisë, frikës.

 

Po...po...e pashë !

Nëna nderte në tel çarçafët e larë,

Të bardhë si pafajsia e saj.

Ata ngjanin me flamurë që valviten për paqen.

Ajo e mira, ua zhvesh leshin deleve,

Me artin e shtizave ua vesh nipave mbesave,

Velënxa ja hedh botës ta mbajë ngrohtë.

Dashuria e saj nuk i njeh interesat,

Ajo është si avulli i bukës së ngrohtë që del nga furra,

Njëlloj për të gjithë.

 

P o...po...edhe ato i pashë !

Lotët e gruas me peshën e globit,

Tek rrokulliseshin nëpër lëndinat e faqeve.

Dy ortekë të mbëdhenj që thyenin pemë,

Zëmra, endërra, duke rënë në humnerën

E pa fund e të thellë të shpirtit.

Pashë duart e saj që përkundin të ardhmen,

Të dridhen, duke situr miellin e mendimit,

Për të ndarë të vërtetën nga ëndërra.

Këto çaste, Ajo, kërkonte të ishte në ëndërr,

Në një ëndërr të përjetshme për të harruar të vërtetën.

E nesërmja e saj shpresë e thyer

Në mokrat e uritura të kohës.

 

E pashë..po..po...e pashë !

Nuk foli, shtërngoi grusht duart,

Shtërngoi dhëmbët,

Dhe u lëshua drejt zëmrës së tokës.

I ra me gjith peshën e trupit të tij,

Me gjithë peshën e urrejtjes grumbulluar prej 18 vjetësh,

Me gishtat e bashkuar si ushtarë pranë njëri tjetrit,

Dy grushte në formën e sferave të mëdha.

I ra globit ta rrëzonte nga orbita e diellit?

Pse i ra barkut të tij të fryrë ?

I ra të dëgjonin planetet e tjerë ?

Apo i ra që mbi të të frynte tjetër erë ?

I ra për ta zgjuar nga gjumi i tij letargjik,

Nga rrotullimi monoton.

I ra ta ndalojë për një çast rrotullimin,

Më pas, të fillojë një rrotullim tjetër,

Me një ritëm më të ngadaltë, jo marramëndës,

Më të sigurtë.I ra dhe heshti, për t’ua lënë

Rrotullimin e ardhshëm të tjerëve.

 

( Unë pulita sytë.Në vënd të duartrokitjeve dhe

muzikës, klithje, qarje. Njerëz që rendin të ngushëllojnë

njëri tjetrin.Rendin të njohin aktorin kryesor.Perdja

mbyllet, tragjedia mbaron.Tragjedi të tjera vijojnë ditëve

në vazhdim).

 



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora