E enjte, 28.03.2024, 09:35 AM (GMT)

Editorial

Valon Kurtishi: Edhe njëherë për flamurin shtetëror të IRJ të Maqedonisë

E hene, 31.05.2010, 10:30 PM


Edhe njëherë për flamurin shtetëror të IRJ të Maqedonisë

 

Nga Valon Kurtishi

 

Para dy ditësh në vendin më të dukshëm brenda hapësirës së stacionit policor të Tetovës (ish sekretariati i punëve të brendshme), u vendos një flamur gjigand i Ish republikës jugosllave të Maqedonisë apo flamuri shtetëror aktual i vendit. Vendosja e flamujve të tillë të mëdhenj në pika kyçe gjithandej teritorit shtetëror, si në autostrada, pozita apo vende më të dukshme në kryeqytet dhe në qytetet tjera, pika më të larta në kodra e male, në institucione të ndryshme publike etj, është pjesë e projektit qeveritar që ka për qëllim ngritjen e vetëdijes kombëtare të sllavishtfolësve etnikë si dhe potencimin e fuqishëm të karakterik njëetnik sllav të vendit.

Përveç ngritjes së vetëdijes së zvetënuar kombëtare, vendosja e këtillë vend e pavend e flamujve etnikë maqedonas bën pjesë në atë strategjinë konstante të kësaj qeverie për ngritjen e tensioneve etnike në atë masë sa i duhen asaj për të shantazhuar faktorin ndërkombëtar me mundësinë e ndezjes së ndonjë konflikti në vend, për të siguruar kështu integrimin në BE pa plotësimin e kritereve të vendosura nga Komisioni i BE. Mëtej dhe kjo më shumë psikologjike, vendosja e këtillë e flamujve gjigandë duhet tu tregojë shqiptarëve dhe gjithë të interesuarve të tjerë se kush është bartës i sovranitetit shtetëror, kush ka pushtet real dhe e kush bën ligjin këtu.

 

Për së jashtmi, aksioni i këtillë synon provokimin e Greqisë fqinje e cila është sfiduar tashmë edhe në forma tjera si emërtimi i disa veprave publike me emra të diskutueshëm për nga origjina etnike. Greqia nga ana tjetër gjithashtu njihet për përdorimin dhe keqpërdorimin e këtyre formave të imazherisë publike. Edhe vendi fqinj është i mbushur vend e pavend me flamuj të mëdhenj kombëtarë dhe me kisha e kryqe ortodokse të cilat të shpërndara gjithandej vendit, ia ulin vlerat dhe rënojnë autoritetin që duhet ketë një institucion i rëndësishëm fetar si kisha ortodokse. Sekularizmi i komunistëve jugosllavë apo ateizmi zyrtar në ish RSFJ, nuk ka lejuar në të kaluarën këtë çoroditje fetare greke të aplikohet edhe në Maqedoni, kurse Gruevski nga ana tjetër nuk posedon asete financiare të realizojë edhe këtë metodë të provokimeve fetare. Megjithatë, insistimi për ndërtimin e një katedraleje të madhe ortodokse mbi themelet e shtëpisë së Nënë Terezës në qendër të Shkupit vërteton edhe këtë formë provokimi të pasuesve të besimeve tjera që ekzistojnë në këtë vend.

Përtej aksioneve të këtilla propagandistike, çështja me flamurin shtetëror apo zyrtar të këtij vendi duhet të hapet urgjentisht, pasi zgjidhja aktuale është e papranueshme për popullin shqiptar këtu. Duke krahasuar zgjidhjen e aplikuar për flamurin shtetëror të Ish republikës jugosllave të Maqedonisë si dhe karakterin dyetnik të këtij vendi me disa shtete tjera europiane, shohim se forma e këtushme është krejtësisht jashtë standardeve dhe praktikave të Bashkimit Europian. Ka vetëm 5 (pesë) shtete në Europë të cilat zyrtarisht kanë përbërje shumëetnike të popullsisë. Janë Bosnja e Hercegovina, Zvicra, Belgjika, Estonia dhe Letonia. Greqia është një republikë diktatoriale nacionaliste e cila nuk njeh shumësinë e saj etnike edhepse reth 40% e vendit nuk është me origjinë etnike greke. Edhe një rast sui generis është aplikuar në Republikën e Kosovës, ku megjithë përbërjen monoetnike shqiptare me reth 95% nga numri i përgjithshëm i banorëve, vendi definohet me kushtetutë si shumëetnik. Por zyrtarisht, vetëm 5 shtetet e sipërpërmendura mund të meren si shumëetnike.

 

Në Bosnjë e Hercegovinë ndarja etnike e popullsisë është si vijon: Boshnjakë 48%, sërbë 37% dhe kroatë 14%. Duke u bazuar në këtë përbërje, vendi ka adoptuar një flamur shtetëror i cili është krejtësisht neutral në aspekt të identifikimit kombëtar të tre grupeve etnike që bashkëjetojnë atje. Belgjika e cila banohet nga 59% flamanë holandishtfolës, 40% valonë frëngjishtfolës dhe 1% gjermanë etnikë, e ka flamurin plotësisht neutral nga aspekti etnik. Konfederata helvetike apo Zvicra ka përbërje të përzier etnike ku dominon komuniteti gjerman me reth 73% të numrit të përgjithshëm të popullsisë, francezë me reth 21%, italianë 6,5% dhe komuniteti i vogël retoroman me 0,5% të popullsisë. Edhe flamuri shtetëror i shtetit zvicerian nuk përmban në vete asnjë element etnik të asnjë prej katër kulturave autoktone dhe historike aty.

Estonia dhe Letonia janë histori krejt të veçanta dhe të ndryshme nga rastet e mësipërme. Në Estoni dhe në Lituani përveç shumicave autoktone historike të estonezëve dhe letonezëve me një shumicë relative të popullsisë prej 70 % dhe 60% respektivisht, banojnë edhe komunitete kolonësh rusë të vendosur aty në kohën e okupimit të këtyre dy vendeve të vogla nga Rusia cariste dhe ajo sovjetike. Kolonët rusë në Estoni janë 25,6 e popullsisë aktuale të këtij vendi përkundrejt 70%estonëve autoktonë, kurse kolonët rusë në Letoni bëjnë 27,52 përkundrejt shumicës relative prej mbi 60% të letonëve poashtu autoktonë.

 

Duke pasur parasysh historinë më të re të këtyre vendeve si dhe diskriminimin, deportimin dhe gjenocidin e ushtruar nga Rusia cariste dhe BRSS komunist mbi këta dy popuj, si dhe duke pasur parasysh kolonizimin e planifikuar të këtyre teritoreve me rusë etnikë e cila politikë ka pasur për qëllim ndryshimin e dhunshëm të strukturës etnike të popullsisë së këtyre dy shteteve dhe shkatërimin total të kulturës estoneze dhe letone, këto dy republika sovrane me miratimin e komunitetit ndërkombëtar kanë vendosur për flamuj shtetërorë flamujt kombëtarë të tyre. Kjo do të thotë që flamuri shtetëror i Estonisë dhe Letonisë me gjithë prezencën relativisht të konsiderueshme të kolonëve rusë në këto dy vende, nuk mund të pranohet të jetë neutral nga ana etnike për shkak të argumenteve që i dhamë më sipër. Pikërisht shkaku i historive diametralisht të kundërta të këtyre dy republikave baltike nga njëra anë dhe Fyromit nga ana tjetër, nuk mund të aplikohet zgjidhja e atjeshme për simbolet shtetërore të Maqedonisë ballkanike.

 

Pra, nga këta shembuj shihet qartë se asnjë shtet në Europë me përqindje të përafërta të përbërjes etnike si kjo e IRJM, nuk i ka shpallur me automatizëm simbolet kombëtare të një grupi etnik si simbole shtetërore të shtetit ku banojnë në numër të madh edhe grupe tjera etnike që nuk identifikohen asesi me ato simbole. Nga ana tjetër, këtu në Ish republikën jugosllave të Maqedonisë flamuri përfaqësues i një grupi etnik, ai sllavomaqedonas është shpallur me automatizëm flamur shtetëror. Flamuri shtetëror i përfaqëson gjithë elementet etnike këtu, që nuk janë vetëm sllave por një pjesë e madhe është shqiptare etnike.

 

Sipas mendimit të analistëve dhe demografëve seriozë shqiptarë dhe të huaj, shifrat e përkatësisë etnike të qytetarëve të këtushëm publikuar nga nga Enti shtetëror i statistikës në vitin 2002, nuk pasqyrojë asesi realitetet etnike dhe demografike të vendit. Në këtë regjistrim të manipuluar të organizuar menjëherë pas agresionit ushtaraako-policor sllav të vitit 2001, numri i shqiptarëve etnikë është reduktuar ndjeshëm në disa forma të cilat i kemi shpjeguar në një shkrim tjetër dhe nuk duam ti përsërisim këtu. Mendimi i konsoliduar dhe shumë shkencor për numrin e shqiptarëve të këtushëm është ai që i afrohet numrit prej 35 deri 40% të banorëve të Fyromit. Kjo është shumë mundur kur të kihen parasysh të a.q “turq’ dhe “torbeshë” të cilët nuk janë gjë tjetër pos shqiptarë të pastër etnikë të manipuluar nga regjistruesit sllavomaqedonas dhe nga agjenturat anadollake për të ndryshuar përkatësinë e tyre kombëtare dhe për tu regjistruar si “turq” apo si “maqedonas myslimanë”. Këtu bëjnë pjesë edhe një numër i shqiptarëve ortodoksë dhe katolikë të futur në mënyrë krejtësisht arbitrare tek rubrika e maqedonasve etnikë.

Duke i pasur parsysh këto numra të popullsisë këtu, vijmë në përfundimin logjik që flamuri kombëtar apo simboli etnik i sllavëve të këtushëm nuk mund të jetë njëkohësisht edhe flamur shtetëror i këtij vendi në të cilin 40 % e popullsisë është etnike shqiptare.

 

Përtej arsyetimeve, përsiatjeve, dhe aksioneve të këtilla megallomane të vendosjes së flamujve të mëdhenj të maqedonasve etnikë në hapësira publike, çështja me flamurin shtetëror të këtij vendi është shumë e rëndësishme për ta lënë të kalojë vetëm me artikuj gazetareskë, reagime të shoqatave joqeveritare apo me klithma të pasinqerta partiake të cilat humbin në shkretëtirën e krijuar nga makineria shtetërore sllave këtu. Duhet ndërmarë iniciativa ligjore që flamuri shtetëror të ndryshojë dhe të pasqyrojë realitetin etno-kulturor të vendit. Shembujt për këtë në gjithë Europën tonë të madhe të përbashkët janë të shumtë. Duhet vullnet dhe seriozitet i shoqërisë shqiptare për të realizuar këtë. Përndryshe, nëse flamuri shtetëror i gjithë qytetarëve të Maqedonisë vazhdon të jetë flamuri etnik i maqedonasve etnikë, atëherë do të kemi probleme të vazhdueshme dhe mosrespektim të këtij simboli nga më shumë se gjysma e banorëve të këtij vendi. Në perspektivë kjo si dhe një numër i çështjeve tjera vitale si gjuhët zyrtare, do të kontribuojnë në mënyrë të paevitueshme në shpërbërjen definitive të Fyromit si shtet.



(Vota: 9 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora