E enjte, 25.04.2024, 04:19 PM (GMT+1)

Faleminderit

“Dy telefonatat në PD para vrasjes së Azem Hajdarit”

E diele, 25.11.2007, 03:34 PM


Ne e paralajmëruam vrasjen e deputetit Hajdari. Grumbulluam të gjithë informacionin e mundshëm dhe madje e njoftuam dhe vetë Azemin, por ndodhi ajo që ndodhi.

LORENC VANGJELI

Nëntë vjet mbas vrasjes së bujshme, ish-shefi i shërbimeve sekrete dëshmon për një nga misteret më të mëdha të tranzicionit, të cilësuar dhe si krimi i shekullit. Eshtë një histori që ngjan në mënyrë rrëqethëse me romanin e Gabriel Garcia Markezit “Kronikë e një vdekjeje të paralajmëruar”, por me një dramë shumë herë më të madhe. Fatos Klosi është njeriu i mistereve të mëdha, profesori i fizikës që u gjend në një vorbull të pazakontë ngjarjesh, pikërisht në atë sferë gjithmonë të errët të veprimtarisë së shtetit, në atë qendër misterioze prej së cilës pushteti ishte një derivat i menjëhershëm i informacionit. Sot mes pushtetit e fjalës dhe të vërtetave të tij Klosi, ndonëse i tërhequr në punët e tij private, ushtron gjithashtu një trysni pushteti tepër të dukshme. Mbas portretit të tij të qetë, ajo çka kumton shkakton shumë trazim dhe është e mjaftë që të krijojë bindjen se të paktën historia e re e këtij vendi, shpesh e kalcifikuar dhe mitizuar, duhet të shkruhet ndryshe. “Që tre ditë përpara vrasjes kishim paralajmëruar edhe strukturat shtetërore, por dhe vetë deputetin Hajdari për atë që ndodhte. Material i klasifikuar nën siglën sekret, ruhet ende në arkivin e SHISH dhe atë të Ministrisë së Brendshme dhe përmend me emër dhe mbiemër vrasësit (të paktën ata që janë konsideruar si të tillë nga gjykata), mjetet që ata do të kishin në dispozicion, por dhe motivin e krimit. Eshtë një material prej gjashtë faqesh, i cili, ndonëse pa vlerën e provës, është përdorur dhe nga vetë gjykata.
Por ky ishte vetëm fillimi, sepse shërbimi i fshehtë kishte mundur të siguronte informacione dramatike për atë që pritej të ndodhte me Azem Hajdarin që katër-pesë javë përpara 12 shtatorit 1998. “Ishte kohë e trishtuar, ne kishim të dhëna bindëse që në shtator 1998 do të ndodhnin trazira në Shqipëri, duke filluar nga Shkodra dhe më pas, do të zbrisnin dhe në Tiranë. Në malin e Cukalit në Shkodër ndodhej një batalion i tërë i armatosur, deri në dy mijë vetë, që mund të rrëzonin rendin kushtetues. Vrasja e Hajdarit u dha të interesuarve një shans për të shmangur Shkodrën dhe për të nisur në Tiranë, atë që do të konsiderohej më pas, një grusht i vërtetë shteti”, thotë Klosi.
Ish-shefi i shërbimeve sekrete nuk akuzon direkt, nuk ka dëshirë të përmendë emra konkretë, por ai kujton se në të paktën dy telefonata me marrës selinë e Partisë Demokratike, janë përdorur terma të tmerrshëm. “Në të parën është interceptuar Bujar Bukoshi, ish-kryeministër në mërgim i Kosovës, që afronte për të ndërhyrë me forcë më 14 shtator me deri 400-500 burra të armatosur dhe në të dytën, një shqiptar-amerikan, i cili kërkonte me ngulm bashkëbiseduesit të tij të tërhiqej. “Askush nuk do të njohë pushtetin tuaj nesër. Tërhiquni! Mos bëni marrëzira!” Klosi thotë se nuk e di se cili ishte zëri misterioz që fliste një shqipe dialektale, por pohon se nga ana tjetër, në selinë e PD-së ishin përgjigjur me bindje. “Shqiptaro-amerikani dallohej qartë që kishte pushtet mbi atë që po fliste dhe në fakt, ndodhi ashtu siç ai këshilloi”, shprehet Klosi. Atëherë, rrjedha e rrëmbyeshme e ngjarjeve ishte e tillë që “detaje” të tilla të humbisnin në harresë dhe të kujtoheshin fare pak. Një hetim gjyqësor me disa raunde dhe me një “batalion” të akuzuarish, u zbeh me kalimin e kohës dhe siç ndodh rëndom në Shqipëri, u arkivua. Të vërteta të tilla, të mjaftueshme që të ndryshojnë historinë e vendit dhe ta shfaqin atë në një dritë krejt tjetër, e bëjnë dhe më të dukshme, errësirën me të cilën politika shqiptare, kryekreje, ka hedhur edhe mbi të shkuarën tonë fare të afërt.
Fatos Klosi është i qetë kur flet. Një kujtesë e pagabueshme e bën të citojë me një saktësi të çuditshme atë çfarë ka ndodhur gjatë pesë viteve të mandatin të tij, të ndërprerë në krye të SHISH-it. Ai flet për marrëdhëniet shpesh të tendosura me tre kryeministrat socialistë, me ish-presidentin Meidanin, por dhe politikën në përgjithësi. E pranon se hija e SHISH-it, qoftë dhe nga trashëgimia e tij e vjetër dhe e re është e rëndë, por e konsideron institucionin si një peng të vazhdueshme të politikës, sidomos të asaj pjese të politikës që ka pasur dhe ka gjithmonë diçka për të fshehur. “Eshtë shumë e vogël kjo botë, thotë ai dhe askënd nuk duhet ta gënjej mëndja se punët e errësirës mbeten pa u marrë vesh. Shpesh ato mund të jenë të fshehta në Shqipëri, por për partnerët ndërkombëtarë, është tepër i njohur sistemi i mëkateve që është ngritur në sistem në Shqipëri. Nga kushdo qoftë, të majtëve dje apo të djathtëve sot. Të huajt i kanë skanuar të gjithë politikanët shqiptarë dhe ato të dhëna, të mbledhura nga shërbimet e tyre sekrete, janë në dispozicion dhe të kancelarive të tyre sekrete, janë në dispozicion dhe të kancelarive të tyre politike”, paralajmëron Klosi. Që beson ende fort se drejtësia, qoftë dhe e pjesshme, do të thotë fjalën e saj edhe në Shqipëri dhe për shqiptarë shumë të njohur. Në një intervistë dramatike për MAPO-n, Klosi dëshmon ekskluzivisht të vërtetat e tij shpërthyese. Por i thotë qetësisht. Si një njeri, tashmë i mësuar me të keqen, me të cilën ai pretendon se luftoi fort gjatë mandatit të tij, të ndërprerë po nga politika. Në fund të bisedës në tryezë mbërrin dhe bashkëshortja e tij, Dorina Klosi. Një grua elegante që në zgjedhjet e saj ka zgjedhur të bëjë jo vetëm gruan simpatike, por edhe luftëtaren agresive në krah të të shoqit. Edhe atëherë, kur pati kurajo të ndeshet drejtpërdrejt me kryeministrin Nano, në kulmin e pushtetit të tij dhe të fitonte deri dhe një betejë ligjore në gjykatë kur e larguan nga puna në administratë, pikërisht sepse kishte pasur besim të thellë te veprimet e drejta të të shoqit. Vetë Klosi flet pak, edhe pse e di mirë se sa më shumë të njohësh, aq më shumë hesht.

Si ndodhi që ju morët drejtimin e SHISH-it?
 
Eshtë një opinioni im, por jo vetëm imi dhe jo vetëm i përmendur në shqip, politika ka rezerva të qarta ndaj SHISH dhe nuk është e interesuar për funksionimin normal të institucionit. Dhe këto rezerva i ka krijuar ajo pjesë e politikës vendimmarrëse që ka gjëra për të fshehur. Por në vitin 1997, ashtu si dhe sot, bëja pjesë në atë radhë të gjatë shqiptarësh optimistë dhe idealistë që shpresonin të bënin diçka ndryshe. Kur ish-presidenti Meidani, miku im i fakultetit të Shkencave, firmosi dekretin me emrin tim, ish-kryeministri Fatos Nano më kërkoi vetëm një gjë: “Mundesh t`i ndryshosh SHIK-ut (siç quhej atëherë) atë nam të keq që ka trashëguar nga e shkuara dhe nga koha kur e drejtonte Gazidede? Nëse e bën një gjë të tillë, do të kemi të gjithë sukses”, më tha atëherë dhe unë besoj se ndryshimi i imazhit të institucionit ishte nga sinjalet e para që shërbimi do të riformatohej ndryshe. Më pas, shërbesat që institucioni i ka bërë vendit, nuk do të nguroja t`i konsideroja të paçmueshme.

Keni pasur mbështetje në atë punë nga politika zyrtare e kohës?

Përgjithësisht kam pasur, por ka ndodhur dhe që të gjendesha, për kombinime fatkeqe rrethanash, i vetëm përballë të gjithëve që i kam pasur të gjithë kundër. Janë disa momente gjatë të cilave kam qenë deri dhe përballë dy prej kryeministrave socialistë, që drejtuan me radhë vendin. Për të përmendur të parin Nanon, që më kërkoi dorëheqjen mbas ngjarjeve të shtatorit 1998 dhe u armiqësua përfundimisht me mua, kur tentoi të zgjidhej president në vendin e Meidanit në 2002. Pak kohë më parë, në maj të atij viti, në një interpelancë me kryeministrin Majko, kur ngjarjet rrodhën deri në një votim të fshehtë në Kuvend për fatin tim, munda të marr vota të majta dhe një paketë votash të tilla nga e djathta. Kjo gjë krijoi, madje legjendën urbane që unë mund të kontrolloja një pjesë të votave të djathta. Dhe pikërisht këtë rezervuar votash, që në të vërtetë nuk e kisha, më kërkoi Nano t‘ia vija në dispozicion në funksion të zgjedhjes së tij në krye të shtetit. Por çarja e madhe dhe e pariparueshme me të ndodhi kur Nano mendoi se unë qëndroja mbas një emisioni televiziv që kishte hedhur dyshime mbi atë vetë dhe bashkëshorten e tij. Edhe pse e kisha thënë zyrtarisht, edhe pse kështu u provua edhe më pas, që SHISH nuk dispononte asnjë dokument të këtij lloji, dëmi njerëzor dhe zyrtar ishte bërë. Po kështu me Majkon. Në fillim kishim marrëdhënie mjaft të mira dhe unë isha entuziast për bashkëpunimin me të, por në një moment të caktuar, u gjenda i akuzuar prej tij në një mënyrë të habitshme. Të gjithë kërkesat e mia për të bërë sqarimet e nevojshme u refuzuam dhe mbërritëm në pikën kur Majko kërkoi me insistim largimin tim nga detyra. Mandatin e tij të dytë si kryeministër, falë dhe kohës që kishte kaluar, por dhe perceptimi tjetër që ai pati për shërbimin, pata marrëdhënie shumë më të qeta. Kurse me Metën kam bashkëpunuar në mënyrë mjaft më të qëndrueshme.

Shpesh është përmendur që shërbimi ka pasur një rol të veçantë edhe gjatë krizës së Kosovës? Cili është komenti juaj?

Fatkeqësisht, filozofia bulevardeske, flet më shumë ai që nuk asgjë, është tepër e dukshme në Shqipëri. Nuk dua të flas mbi këtë temë, por di të them me siguri dhe përgjegjësi të plotë se shërbimi ka kryer në mënyrën më të mirë të mundshme, në bashkëpunim me shërbimet partnere ato detyra që nuk shkelnin ligjin, por dhe që i viheshin në shërbim një çështje që ishte sa patriotike, po aq dhe detyruese në një vështrim shumë më global e gjeostrategjik. Ndërsa drejtimet e tjera të punës së SHISH, sidomos ato që kishin të bënin me luftën kundër terrorizmit, jam i bindur se sot dhe nesër, janë të afta të krijojnë krenari për shqiptarin e thjeshtë, që paguan për këtë strukturë.

Të kthehemi dhe njëherë në ngjarjet e shtatorit 1998, çfarë roli ka pasur SHISH në atë periudhë?

Eshtë një nga periudhat më të komentuara, por dhe më të mistifikuara të veprimtarisë së shërbimit. Dua të them se në datën 8 shtator, (informacionet e para i kemi dhënë që katër pesë javë më parë) edhe zyrtarisht kemi paralajmëruar strukturat shtetërore dhe vetë deputetin e ndjerë Azem Hajdari për atë që pritej të ndodhte. Sinjalet e para i kishim marrë nga Tropoja. Për të qenë më të qartë duhet të rindërtohet dhe njëherë tabloja e asaj kohe. Në Tropojë kishte dy grupime armiqësorë me njëri-tjetrin, që me zhargonin e politikës mund të themi që ishin të majtë dhe të djathtë. Të parët e konsideronin Hajdarin si të përzierë në një vrasje të ndodhur në Tropojë dhe kishin vendosur të hakmerreshin. Fillimisht menduan se ishin vetëm fjalë dhe paralajmërime, por më pas gjërat nisën të bëhen shumë më serioze, kur nisëm të marrim informacione se ata po organizoheshin në mënyrë konkrete. Po caktoheshin njerëz dhe po grumbulloheshin mjete. Nuk ishte e thjeshtë të mbërrihej deri në vrasjen e një deputeti nga më të njohurit e vendit si Azemi, ndaj për vrasësit e tij nuk ishte punë e lehtë. Atëherë ne u bëmë shumë më të vëmendshëm. Paralajmëruam strukturat shtetërore, por dhe vetë Azemin dhe e theksoj, këtë e kemi bërë që katër-pesë javë përpara se të ndodhte atentati. Më ka mbetur e ngulitur në mëndje një intervistë e Azemit, vetëm një javë përpara se të vritej kur për herë të parë SHISH falënderohej prej tij për punën serioze që po kryente. I mësuar me kërcënime të tilla Azemi, edhe pse i paralajmëruar prej nesh, nuk është se i dha shumë rëndësi kohët e para këtij kërcënimi, por ai nisi të shqetësohej seriozisht kur mësoi se dhe një pjesë e politikës mund të ishte e interesuar për vdekjen e tij.

E cilës anë të politikës?

Asaj të djathtë.

Jeni i sigurt?

Krejt i sigurt.

Në çfarë mënyre paralajmëruat strukturat që ju thoni?

Ka një material të klasifikuar e përfundimtar që ndodhet ende në arkivat e SHISH e Ministrisë së Brendshme, por jo vetëm aty, që përshkruan me emër, në pjesën më të madhe të autorëve të atentatit, planifikimin e lëvizjeve të tyre në drejtim të Tiranës dhe lëvizjet e tyre nëpër Tiranë, pikat e kontaktit e kështu me radhë. Eshtë një material tepër i rezervuar që u vu dhe në dispozicion të Prokurorisë kur hetoi vrasjen. Fatkeqësisht ndodhi ashtu siç e kishim paralajmëruar. Ne dinim që më parë se në shtator po përgatitej të bëheshin trazira në Shqipëri, duke filluar nga Shkodra e për të përfunduar në Tiranë. Vrasja e Azemit e përshpejtoi këtë skenar.

Çfarë pritej të ndodhte në Shkodër?

Në rrethana të tjera dhe për motive të tjera do të kishte një si kon të përmbysur si në ngjarjet e ‘97, që nisën nga Vlora dhe përfunduan në Tiranë. Ishte planifikuar të sulmohej dhe të merrej përsëri, për të tretën herë komisariati i policisë së Shkodrës, të merrej Shkodra dhe më pas, ajo lëvizje të merrte edhe Tiranën.

Sa e mundur do të ishte një gjë e tillë?

Në malin e Cukalit në afërsi të Shkodrës kishim identifikuar deri në dy mijë vetë të armatosur që do të bënin bërthamën e kësaj lëvizjeje. Atje bënin dhe stërvitje. Po tregoj një detaj, tek ata mbërritëm duke u nisur nga furrat e bukës ku furnizoheshin. Konsumonin shumë. Vrasja e Azemit e ndryshoi dhe përshpejtoi këtë skenar. Një pjesë e tyre mbërritën në Tiranë që të nesërmen e atentatit tragjik.

Mendoni se ditën e funeralit u konsumuan elementët e një grushti shteti në vend?

Kjo është një temë tepër e gjerë dhe shumë e komentuar. Unë i kam bërë komentet e mia prej kohësh. Dua të nënvizoj diçka krejt tjetër. Në atë kohë janë interceptuar një numër telefonatash me pritës të thirrjes, seli e Partisë Demokratike. Në të parën është interceptuar Bujar Bukoshi, ish-kryeministër në mërgim i Kosovës, që afronte “për situatën” e 14 shtatorit deri në 400-500 burra të armatosur dhe në të dytën, një shqiptaro-amerikan, i cili i kërkonte me ngulm bashkëbiseduesit të tij të tërhiqej. “Askush nuk do të njohë pushtetin tuaj nesër. Tërhiquni! Mos bëni marrëzira!” Klosi thotë se nuk e di se cili ishte zëri i shqiptaro-amerikanit. Unë besoj fort se ai ishte një nga arsyet e forta që ndalën precipitimin në skaje shumë më tragjike të historisë. Mund të kishte pasur edhe zhvillime krejt të pamendueshme. Ajo që na bënte atëherë shumë përshtypje ishte se folësi nga PD-ja tregohej shumë i bindur ndaj këshillave të bashkëbiseduesit. Fatmirësisht ashtu dhe ndodhi.

Mendoni se është zbardhur e vërteta e plotë e atyre ngjarjeve?

Vetëm pjesërisht.

Megjithëse ju pohoni se keni paralajmëruar ngjarjet, sërish institucioni juaj është vënë nën akuzë po për këto ngjarje. Pse ka ndodhur kështu?

Sepse mënyra më e mirë për të mbrojtur mëkatet, është të gjesh gjetkë mëkatarët. Ky parim u tentua të vihej në lëvizje atëherë.

Për të ndryshuar temë, nuk ju duket se një parim i tillë vihet në funksionim edhe në luftën e shpallur nga të gjitha qeverisjet në vend kundër korrupsionit?

Kështu ka ndodhur me të majtët, kështu po ndodh dhe me të djathtët. Nuk po them ato të dhëna që për shkak të detyrës mblidhte shërbimi, por dua të nënvizoj diçka krejt tjetër. Politikanët aktivë në Shqipëri janë improvizuar në harkun e pak ditëve në dimrin e vitit ‘90. Me pak përjashtime janë po ata individë që u përmendën për herë të parë në atë kohë. Të jemi konkretë. Partnerët ndërkombëtarë ishin shumë të interesuar të dinin se cilët ishin këta njerëz, nga vinin dhe ku shkonin. Dhe për të bërë një gjë të tillë, hynin në lojë shërbimet e tyre inteligjente. Të jeni i bindur, se kjo është një botë shumë e vogël dhe është praktikisht e pamundur që të fshihen “kundravajtje”, si ato që kanë të bëjnë me korrupsionin, transfertat e parave të pista në banka të huaja, të lidhjeve të krimit me politikën. Shërbimet e huaja kanë një skaner të përkryer për cilindo aktor të rëndësishëm të politikës së vendit. Edhe sot, brenda ditës ata dinë se çfarë ndodh në një mbledhje qeverie. Madje dinë dhe se në funksion të kujt grupimi shkon ky apo ai vendim i këshillit të ministrave. Zakonisht janë ato vendime që merren në minutën e fundit të mbledhjeve të tilla.

Dhe pse mendoni se nuk ka një reagim publik nëpërmjet kanaleve të tjera të këtyre të vërtetave prej disponuesve të tyre?

Nuk më takon mua të përgjigjem. Ndoshta gati-gati u leverdis një gjë e tillë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora