E enjte, 28.03.2024, 08:07 AM (GMT)

Kulturë

Vasil Tabaku: Hyrja e pranverës (Përgatiti: Shefqet Dibrani)

E hene, 31.05.2010, 06:54 PM


Përgatiti: Shefqet DIBRANI

 

Vasil TABAKU (10.9.1953). Lindi në Lushnje, në një familje me origjinë nga Gramshi. Pas disa muajsh familja e tij do të transferohet në zonën e Mallakastrës në qytetin e Ballshit, ku e kaloi fëmijërinë dhe rininë. Arsimin tetëvjeçar e kreu në Ballsh, sikurse edhe atë të mesëm në Shkollën e Mesme të Bashkuar “Derivsh Hekali”.

Poeti, shkrimtari dhe publicisti Vasil Tabaku, krijimtarinë letrare–artistike e ka filluar që në bankat e shkollës tetëvjeçare, kurse botimet e para poetike i ka publikuar në vitet e shkollës së mesme, në organet e shtypit letrar të kohës.

Në vitin 1977 ka përfunduar  Studimet e Larta, Fakulteti Gjuhë – Letërsi në Universitetin e Tiranës me rezultate të shkëlqyera, një vit më vonë ka dhënë provimet plotësuese dhe ka kryer edhe Fakultetin e Gazetarisë. Në vitin 1987 ka ndjekur për dy vjet Studimet e Larta pas Universitare në specializimin për skenarist i filmit artistik dhe ekranit televiziv, ku është diplomuar po ashtu me sukses të shkëlqyeshëm. Në vitin 1995 ka kryer trajnim dymujor për gazetari televizive pranë TRT - Ankara, Turqi.

Edhe pse që student botoi librin e parë dhe dhjetëra cikle poetike në gazetat letrare të kohës si dhe shumë artikuj studimor dhe publicistikë, pushtetarët komunist të asaj kohe, nuk i dhanë mundësinë të punonte në ndonjë qendër të zhvilluar apo shkollë qyteti, por “e detyruan?!”në shtator të vitit 1977 të filloj punën si mësues në fshatin Ninësh Mallakastrës gjer në qershor të vitit 1978.

Më pas Vasil Tabakun do ta gjejmë në këto detyra dhe funksione profesionale:

- l978 – 1986, drejtues në Pallatin e Kulturës Ballsh.

- 1986 – 1987, gazetar në gazetën “Drita”, organ i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.

- 1987 – 1993, skenarist i filmit artistik në Kinostudion “Shqipëria e Re”, Tiranë.

-1992 – 1993, kryeredaktor i Revistës “Film” organ i Kinostudios dhe Film – Distribucion.

- 1993 – 1998, gazetar në Radio Televizionin Shtetëror (RTSH), Tiranë.

- 1998, hiqet nga TVSH për shkak të bindjeve të tija politike të djathta, mishëruar edhe në emisionet e tij televizive  si dhe në shumë shkrime dhe analiza të botuara në shtypin e ditës si ”RD“, ”Tribuna Demokratike“, “Republika“, ”Drita“, “Albania“ etj.

- 1998 – 1999, gazetar në gazetën “Liria“, organ  i shoqatës së ish të dënuarve politikë të Shqipërisë.

- 1999 - 2000, gazetar në Radio Kontakt, Tiranë.

- 2000 – 2001, gazetar në TV- ATN – 1, Tiranë.

- 2001 – 2002, kryeredaktor i gazetës „Tirana demokratike“ organ i PD Tiranë.

- 2002 – 2003, kryeredaktor i gazetës “Lajmëtari i Lirisë“ organ i shoqatës për integrim të ish të përndjekurve politikë.

- 2003 – 2004, kryeredaktor i TV – ATN - 1 dhe  Reporter i Radios Ndërkombëtare „IRIB“, komentator politikë në “Radio Nacional”, bashkëpunëtor i gazetës “Bota Sot”në  Zvicër etj.

- 2004 –2005, Vasil Tabaku mbetet  i papunë.

- Që nga viti 2007, Vasil Tabaku punon gazetar në Agjencinë Telegrafike Shqiptare ATSH.

 

SHKRIME, TRAJTESA E PUBLIKIME NË FUSHËN E PUBLICISTIKËS:

Vasil Tabaku, ka botuar rreth 5450 shkrime publicistike, analiza politike, sociale, shoqërore si dhe shkrime te veçanta studimore në fushën e letërsisë, folklorit dhe kritikës letrare, në këto organe: “Drita”, “Zëri i Rinisë”, në revistat: “Nëntori” e “Ylli”. Pas vitit 1991 ka botuar kryesisht në: “Rilindja Demokratike (RD)”, “Tribuna Demokratike”, ”Republika”, ”55”, ”Koha Jonë”, ”Liria”, “Ballkan”, “Sot”, ”Tema”, ”Metropol”, ”Lajmëtari i Lirisë”, ”Drita”, ”Shkodra”, ”Bota Sot” në Zvicër etj. Po ashtu Vasil Tabakun e gjemë me poezi e tregime nëpër gazeta e revista si: “Drita”, “Zëri i Rinise”, “Ylli”, “Nëntori” dhe më pas edhe në: “RD”,  “Republika”, “Drita”, “Tema“ etj.

- Vasil Tabaku është autor i rreth dyzet e pesë dokumentarëve artistik televiziv në TVSH dhe ATN – 1. Ka realizuar me qindra emisione televizive dhe radiofonike në “TVSH”, “ATN – 1”, në “Radio Kontakt”, “Radio Nacional” dhe së fundi edhe në Radion Ndërkombëtare “IRIB”.

 

VEPRAT LETRARE:

1.     Hyrja e Pranverës“, poezi, 1976.

2.    Në të gjitha ditët“, poezi, 1981.

3.    Me këngën time dhe jetën“, poezi, 1987.

4.    Ndërrimi  i epokave“, studime, 1988.

5.    Bota në sytë e mi”, ese, 1990.

6.    Klithmë drite“, poezi,  1998.

7.    Vit i mbrapsht“, ese politike, l998.

8.    Zgjim i dhimbjes“, ese dhe studime social – shoqërore, 1999.

9.    Vështrim i ngrirë”, poezi dhe ese, 2000.

10.  Shqipëria në udhëkryq, apo politika e kryqëzuar?”, studime dhe artikuj politikë, 2001.

11. Shkolla Iraniane dhe Shqipëria”, studime dhe intervista me akademikë dhe personalitete të shquara, 2005.

12. Monumentet e munguara të Demokracisë”, libër eseistiko – publicistikë, 2006.

13. Baleti i drerit të plagosur“, roman, 2007.

14.  “SHKOLLA IRANIANE DHE SHQIPËRIA”, është përkthyer në gjuhën  persishte, Teheran, 2004.  

 

ËSHTË PREZANTUAR:

15. Hasan Hasani: “LEKSIKONI I SHKRIMTARËVE SHQIPTARË 1501 – 2001”, Prishtinë 2003.

16. Ferdinan Laholli: “ANTOLOGJI E POEZISË MODERNE SHQIPE – ANTHELOGIE DER MODERNEN ALBANISCHEN LYRIK”,  Holzminde/Germany, 2003.

 

Përveç kësaj veprimtarie të begatshëm që përmendëm më lart Vasil tabaku ka në proces të finalizimit edhe dy libra, një roman dhe një libër poetik, kurse një pjese e krijimeve poetike i janë përkthyer edhe në gjermanisht, italisht dhe persisht. Ai njehë mirë italishten dhe rusishten.

Vasil Tabaku, jeton në Tiranë.

Adresa elektronike:  vasiltabaku@yahoo.com

 

 

Vasil TABAKU: 

HYRJA E PRANVERËS

    

Vasil Tabaku: „HYRJA E PRANVERËS“, poezi, botoi Shtëpia Botuese “NAIM FRASHRI”, Tiranë, 1976. Redaktor: Ramazan VOZGA. (B.M.) dhe (B.V.) : 891.983-1  T- 12

 

 

HYRJA E PRANVERËS

 

Nga gëmusha e bleruar

U ngrit zogu

Dhe  nga krahët

Shkundi dimrin.

Marsi

Me mijëra manushaqe

Puthi tonën…

Me një lirikë

Pranverën putha edhe unë…

 

Gëzuash pranverë

Afshi yt

Është në çeljen e luleshqerrës

Në biqet e grurit

Dhe bisqet e pemës

Në frymëmarrjen e blerimit

Në receptorin ku telefonon kjo vajzë

Adresën time të largët veriore…

Është në kopshtin e këtyre fëmijëve

Që emrin tënd

Cicërojnë brenda një vjershe.

Frymëmarrja jote pranverë

Është në dashurinë e ushtarit

Që në jakën e kapotës

Mban të çelur një burbuqe

Afshi yt është kudo stinë ripërtëritëse…

 

 

POEZIA E NËNËS

 

Retë dridhen lehtë përmbi hënë

Si shamia jote përmbi thinja

Paske dalë t’më presësh

Paske dalë mok e mira nënë,

Me njërën dorë nga gëzimi

Harruar tek zemra…

 

Paske dalë,

Buza ç’tu dridhka prej mallit…

Ç’mendon ashtu moj e mirë

Ç’mendon?...

Mos valle dhimbjet e ditëve te largëta…

 

Si rrezja

Fijen e njomë të barit

Më rrite

Ngrohtësia jote

U bë dashuria ime…

Puthjet e tua

Ëndrrat e mia

Dhe qumështi yt

Janë vet jeta

Vet dashuria…

 

 

FËMIJËRIA

 

Macja

Që loz

Me lëmshin e kaltër të mbesës

Nuk shthur thjeshtë një lëmsh

Kujtimet e mia zgjidh,

Fijet e jetës

                   Shpleks lehtë-lehtë,

Ditët e para të fëmijërisë…

 

Ditët e para të rritjes,

Këmbët e vrara nga gurët,

Këmishën e zbardhur

Varur në gardh…

Festa e abetares

Rrepa dhe gjyshi i bardhë

Një këngë e sapo mësuar

Tek fluturonte mbi gjithë kopshtin

Një pushkë druri sipër tavolinës

Me inicialet e gdhendura të emrit tim

Dhe një flamur i vogël

Në duart e mia…

U rritëm kaq shpejt…

Po fëmijëria

Më duket sikur

                        Zgjuar,

Gjithë zëra, prapa derës është…

 

Loz macja

Loz edhe mbesa ime Shpresa

Ngadalë lëmshin e kaltër mbledhin

Ngadalë sikur druhen

Mos fëmijërinë time trembin…

 

 

URA E QABESË

  (Baladë)

 

Urë e largët në Lindje

Urë me gurë të mëdhenj

Nxirë si muzgje

Me shpinën shekullore

Kërrusur nga pasha e qindra ushtrive…

Ushtri që dynden drejt Orientit

Mbytur në zheg e pluhur.

Duke mbartur mbi vite

Peshën qiklopike të tragjedive…

 

Bir i Shqipërisë

Kaloi mbi ty

Mbi ty treti rininë

Nën flamuj e klithma të huaja

Poshtë qiellit zhuritës

Të saharasë së vdekjes

 

Urë e Qabesë

Si hyre kështu në këngët tona

Në pikën e lotit të nënave

Në ëndrrat e brishta të vajzave

Në dridhjen e buzëve që thaheshin,

Ndërsa në krahët e grave

Mbetej emri i nizamit pa varr?…

 

Urë e Qabesë

Kënga jote e zezë

Këndohej si himn i dhimbjes

Nën çati prej kashte

Rrënuar nga pritja…

Oh, mallkuar qofshin

Gjithë luftërat e pafund!

Ushtari i varrosur atje larg

Thërriste i trishtuar…

mbeç more shokë mbeç…

 

Eh moj urë e zezë

E zeza urë

Mbi shpinën tënde

Gjithë gunga ngrënë nga ikja

Si deve e gjymtuar në shkretëtirë

Nuk ngrihen më re pluhuri

Nga këmbët dhe arabatë

Ti mbete e varrosur brenda këngëve

Monument dhimbjeje

Por arkitektura jote e shëmtuar

Rishfaqet nga shekulli në shekull

Në imagjinatën e kombeve…

 

 

VLORA

(Baladë)

 

Ecnin, ecnin ata trima

Në luftë drejt Jugut shkonin

Edhe këngën “Vlora... Vlora”

Ndezur epope këndonin.

 

Ndezur epope këndonte

Edhe trimi gunëbardhë

Si ortek zemërimi zbriste

Të rreptët male radhë radhë.

 

Zbriste malet radhë radhë

Në ballë puthja seç i digjte

Puthje vashës atje larg

Si e dashurisë lulëkuqe

 

“Vlora…Vlora…Vlor’ e rrallë”

Ç’janë gjithë këta dasmorë

Me flamur ç’po ndodh vallë,

Deti ç’ka që nxinë moj Vlorë?

 

Oh nxin deti me dushmanë

Mbushur plotë me gjëmime,

lulet janë trazuar me plagë

seç u skuq pranvera ime…

 

tufa lulesh mbi të rënët

një zambak plag’ e Selamit

gunën lart çonin erërat

rënë mbi telat e dushmanit.

 

Rënë mbi telat e dushmanit

Heshtëte zemër e djaloshit

Pushk’ e nxehtë poshtë shkëmbit

Me vështrim përtej detit

 

Me vështrimin lart mbi det

U përkul një çast dielli

“Vlora... Vlora…” çeli buzët

Dhe pastaj përgjithmon’ fjeti

 

Fjeti trimi përgjithmonë

Atje larg e priste vajza

Me një grusht të bukur ëndrrash

Me një grusht ëndrrash të bardha…

 

Po veç shiu me ngadalë

Vinte tej nga perëndimi

E pikonte shkëmb e mal

Lot ’ paprerë hidhërimi

 

Bashkë me emrin e trimit

Stuhi erdhi vetë kënga

U ngrit mbi shiun e pikëllimit

Zjarr gjëmoi : “Vlora… Vlora…”

 

 

VLLJA E TRIMËRISË

 (Kur i thanë Hamkos nënës së njërit prej trimave të Rrapo Hekalit se djali i saj ka rënë në male, ajo hoqi shaminë nga koka dhe nisi një valle që sot në Mallakastër e quajnë “Vallja e trimërisë”)

 

Hankua ish e lehtë si gjethi n’valle

Vajzat pas këngës vinin radhë radhë

Belin e hajthëm këputnin ngadalë

Herë ndezur flakë herë shtruar, shtruar…

 

Çelnin këngët nga gjoks’ i saj

Çelnin zemrat e vajzave për trimat

Plot dashurit’ ua jepnin pastaj

Djemve të fshatit si vetëtimat.

 

 Një dit’ hanko stuhi doli në valle

Degët e çelura rrept tundnin pemët

Gonxhet pikonin lot ngjyrë alle

Ndërsa zi të dridhshme mbanin këngët

 

Larg në male  kish rënë komiti

Pas istikamit kish heshtur një pushkë

Një rrëkezë gjaku nga shkëmbi zbriti

Dhe Flamuri ishte bërë i kuq prush…

 

Hankua e hoqi  të bardhën shami

Mbi supe iu derdhën flokët e bardhë

Mbi dhimbjen u ngrit  stuhi

Në vallen e trimit, gruaja e rrallë…

 

 

VJOLLCA

(Motrës)

 

Vjollca, Vjollca

Thirra tek dritarja e hapur

Dhe prita

Si atëherë të nderje gërshetat jashtë

Të rendnim nëpër kopsht

Në flok

Të të hidhja një grusht me xixëllonja

E gjer në lodhje

Të rendnim me zogjtë…

 

Ti kishe ikur

Rrugëve të jetës

Duke marrë me vete

Mallin tim

Gërshetat e bukur

                            Dhe dashurinë…

Në krahët e lumturisë

Qeshje me zë prej gruaje….

 

Është e vërtetë,

Ti një ditë

Do të ikje

Por nuk duhet të harrosh

Dritaren tonë Vjollca

Dritaren nga shikonim botën…

As kopshtin e vogël

Dhe rrugën tonë prej trëndafilash...

Zërat tanë

Rendin

Me mbresa drite mbi supe

Nëpër hapësirat e qytetit

Që ne të dy

Ndërtonim dikur

Në arkitekturën naive

të imagjinatës sonë…

 

 

GJITHMONË MBETET DIÇKA

 

Gjithmonë

Mbetet diçka mes nesh

Gjurmët e lodhjes

Dhe fytyra e lumturisë

 

Nga një grumbull zhavorri

E gurësh

Mbin një qytet…

 

Mbi egërsinë prej uji

Të një lumi

Ngrihet dritë

 

Mbi ashpërsinë e gjelbër

Të një mali

Mxherrim bukë

 

E mbi vitet që ikin dhe ikin

Lëmë zërin tonë…

 

 

DITA E  NJË SHTATORIT

(Enkelejdës 6 vjeçare)

 

Është i pafund numri i luleve

Emrat e tyre, të panumërt janë

Ashtu si emrat e gjithë fëmijëve

Që sot ulen në bagën e parë…

 

Ngjyrat e luleve janë të shumta

Si ëndrrat tuaja o gjashtëvjeçarë

Aty ku fillon të hedh hapin A-ja

Krahët tuaj, fluturim kanë marrë.

 

Është ngritja juaj e dytë në këmbë

Rrugë e germave që të çon në jetë

Këtej janë nisur të gjithë nga kjo bangë

Të gjithë – heronj  dhe njerëz të thjeshtë…

 

 

PASQYRIM

 

Saranda

Vajzë gazmore

E porsa zgjuar

Para pasqyrës së dridhshme të Jonit

Ri e drojtur

Me agrumet e shpleksura

Tek ia krehin erërat

Me kaktuset e gjelbërt si qerpik

Dhe diellin

Ndalur ngrohtësisht si buzëqeshje

Mbi buzët ku fle puthja…

 

Kështu e pash këtë mëngjes Sarandën

Në pasqyrën e kthjelltë të detit

Portin e vogël

Me anijet ngarkuar me grurë dhe agrume

Dhe pallatet

Tek shtohen

Si çerdhet e pranverës

Rrugët e saj

Si një maratonë ëndrrash

Dhe shkallaret e blerta me gjelbërim

Ndërtuar

Nga dashuria e të rinjve…

 

CH - St. Gallen, 23 maj 2010.

Përgatiti: Sh. Dibrani



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora