E enjte, 28.03.2024, 12:38 PM (GMT)

Kulturë

Nuhi Ismajli: Pikëpamje dhe vlerësime të paqëndrueshme për letërsinë e traditës

E hene, 31.05.2010, 06:59 PM


Pikëpamje dhe vlerësime të paqëndrueshme për letërsinë e traditës

 

Nga Nuhi Ismajli

   

Periudha më e hershme e njohur e letërsisë shqiptare, e njohur, më tepër, si letërsi e hershme shqiptare, është periudha më pak e studiuar e letërsisë shqiptare dhe, jo rrallë, gjer më tash, edhe e keqinterpretuar dhe e vlerësuar joobjektivisht, për shkaqe të ndryshme.

Por, në kohë të fundit, vlerat e ndryshme dhe, veçmas, vlerat letrare të saj, po ndeshen jo veç me problemin e keqinterpretimit e të vlerësimit joobjektiv, por edhe të mohimit të tyre tejet absurd.

Padituria, në radhë të parë, por, jo pak, edhe paragjykimet e ndryshme, sikur edhe në rastin e mohimit të vlerave të tjera të çmuara të popullit shqiptar, janë shkaqet e mohimit edhe të vlerave të çmuara të letërsisë sonë të traditës, si dhe të mendimeve e vlerësimeve të rëndësishme për to.

Kështu, letërsia shqiptare e humanizmit po shpallet tejet e rrezikshme dhe kërkohet që të cungohet, para se t’i jipet lexuesit; letërsia shqipe e shek. XVI-XVII, po quhet “teologji”, pa farë vlere letrare dhe po kërkohet largimi i saj nga tekstet dhe mësimi në institucionet arsimore. Edhe mendimi mjaft kompetent për to po shpallet i pavlefshëm dhe, në emër të ritrajtimit dhe të rivlerësimit, po kërkohet ridizajnimi dhe rikomponimi i tyre. Pra, po kërkohet, jo ajo që kërkon dhe është detyra e shkencës së letërsisë: të njohë e të paraqesë pamjen, natyrën, karakterin dhe vlerat e vërteta të tyre, po krijimi i një pamjeje, një imazhi tjetër, joobjektiv, sipas qejfit personal dhe sipas asaj që kuptimisht shprehin fjalët ridizajnim dhe rikomponim.

Ithtarët e ridizajnimit e të rikomponimit të letërsisë së hershme, të njohur, shqiptare, përveç mohimit të tërësishëm dhe kërkesës absurde për cungimin e përjashtimin e saj nga vlerat e letërsisë shqiptare, nuk thonë asgjë të re dhe origjinale.

Ata mbështeten në pikëpamjet dhe vlerësimet e mëhershme, të paqëndrueshme e kundërshtimore, dhe i paraqesin ato si pikëpamje e rivlerësime të reja. Për letërsinë shqipe të shek. XVI-XVII dhe letërsinë e bejtexhinjve, siç dihet, kemi mjaft pikëpamje e vlerësime të paqëndrueshme e kontradiktore, qëndrime joparimore etj.  

Kështu, autori i njëjtë, në veprën e njëjtë, njëherë pohon se letërsia shqipe e shek. XVI-XVII, nuk ka vlerë artistike dhe se është letërsia e bejtexhinjve ajo që shquhet për vlerën artistike dhe me të cilën fillon letërsia shqipe, por, një rast tjetër, kur flet për autorët e shek. XVI-XVII, flet për vlera të mëdha artistike të tyre. Në një rast tjetër, autori i njëjtë, nuk pranon si vlera të vërteta letrare kombëtare as letërsinë shqipe të shek. XVI-XVII, as letërsinë e bejtexhinjve dhe si fillim të vërtetë të letërsisë kombëtare shqiptare merr letërsinë e Rilindjes.  

Kështu, ridizajnuesit dhe rikomponuesit e sotëm të letërsisë shqiptare të traditës, të cilët fjalët: “ridizajnim” dhe “rikomponim”, gabimisht i marrin si sinonime të fjalëve ritrajtim dhe rivlerësim, mbështeten në pikëpamjet e vlerësimet e gabuara dhe në qëndrimet joparimore të “studiuesve”, sipas të cilëve, letërsia shqipe e shek. XVI-XVII, nuk ka vlera letrare, sepse në veprat e kësaj letërsie vërehet qëllimi i autorëve e i veprave të tyre, se në to ka përmbajtje fetare, kurse letërsia e bejtexhinjve, si letërsi, të cilën ata e vlerësojnë gabimisht, si letërsi pa përmbajtje fetare, është letërsia e vërtetë, me të cilën fillon letërsia shqipe.  

Por, pikëpamjet dhe vlerësimet e vjetra të ithtarëve të ridizajnimit e të rikomponimit të letërsisë shqiptare, të shoqëruara me kërkesat e tyre të reja dhe origjinale, për mohimin e tërësishëm, cungimin, gjymtimin dhe përjashtimin e vlerave të rëndësishme të letërsisë shqiptare të traditës, meritojnë të shqyrtohen e të vlerësohen seriozisht. 

       

Pikëpamjet dhe vlerësimet për letërsinë shqiptare të humanizmit

 

Letërsia shqiptare e humanizmit, në kohë të fundit, po vlerësohet negativisht dhe po kritikohet e mohohet, pa të drejtë, për shkak të ndikimit të saj nga fryma e humanizmit evropian; për shkrimin e saj në latinisht dhe me alfabet latin; për shkak se, siç thuhet, i ka shërbyer ideologjisë dhe rrymave të  huaja (“ndikuese”); për shkak se, siç thuhet, vlerat letrare të saj dalin gjithnjë në shkallën e dytë; për shkak se, siç thuhet, kjo letërsi ka një ngjyrim të theksuar emocional, ideologjik e urrejtjenxitës dhe nuk i bën nder kulturës e letërsisë sonë, as estetikës e filozofisë, pasi flet për vrasje e prerje të shqiptarëve nga turqit dhe, e cila, ”me mendimin urrejtjenxitës” të saj, ndikuaka keq në formimin e lexuesve, prandaj u dashka censuruar, hequr, cunguar dhe lënë vetëm disa tekste të pakta të saj, në minilibra, etj.

Për të parë se sa pohimet e mësipërme për letërsinë shqiptare të humanizmit s’kanë të bëjnë fare me dijet për letërsinë, se janë jo veç të paqëndrueshme, po edhe tejet qesharake, nuk duhet shumë dituri për letërsinë.

Pra, nuk duhet shumë dituri për të parë, se ndikimi i letërsisë shqiptare të humanizmit nga fryma e humanizmit evropian, nuk e zhvlerëson atë, jo vetëm sepse ndikimi i një lëvizjeje të madhe kulturore, letrare e filozofike, siç ishte humanizmi, është i një rëndësie të veçantë dhe, i cili, nuk do të mund të reflektohej kurrë negativisht, po edhe për faktin se ndikimet në letërsi janë të natyrshme e të rëndësishme dhe asnjë letërsi nuk krijohet e izoluar nga të tjerat. Nuk janë zhvilluar të izoluara nga ndikimet e jashtme, siç dihet, as periudhat tjera të letërsisë shqiptare dhe kjo ka të bëjë me shfrytëzimin e natyrshëm të përvojave të të tjerëve, pra ka të bëjë me vlera dhe jo me të meta, për të cilat u dashka ta zhvlerësojmë e mohojmë letërsinë tonë.

Letërsia e humanizmit shqiptar u shkrua në latinisht, mbase, edhe qëllimisht, ngase ajo ishte gjuhë e madhe e kulturës, artit e diturisë, në të cilën autorët shqiptarë dashtën të dëshmoheshin para elitës së lexuesve botërorë dhe, që, përmendoret e kujtimeve kombëtare shqiptare t’i linin, jo veç për shqiptarët, po për gjithë botën. Pohimi zhvlerësues për ndikimin e letërsisë shqiptare nga humanizmi evropian, bëhet edhe më qesharak, para vlerësimit të lartë që i bëhet ndikimit të letërsive të Lindjes në letërsinë e bejtexhinjve.           

Shkrimi i letërsisë shqiptare të humanizmit me alfabetin latin, gjithashtu, nuk paraqet kurrfarë të mete. Përkundrazi, ky alfabet, i cili u vu në bazën e alfabetit të sotëm të shqipe, ishte alfabeti më i përshtatshëm për shkrimin e saj.    

Letërsia shqiptare e humanizmit ishte, dhe e tillë mbetet, e tëra, në shërbim të botës shqiptare, në shërbim të mendimit, filozofisë, ideologjisë, mendjes dhe ndjenjave më  të çmuara kombëtare.

Humanistët shqiptarë, në veprat e tyre me temë kombëtare, përjetësuan historinë shqiptare të shek. XV, me të gjitha dëshirat, synimet, idealet, pësimet dhe heroizmat. Veprat e tyre u bënë një model krijues për botën dhe frymëzuese të idealeve më të çmuara kombëtare e njerëzore.

Pa kategorinë e tragjikës, e cila përbrenda saj ngërthen heroikën, dhe emocionalitetin e tyre, veprat e humanistëve shqiptarë nuk do të ishin aq madhështore dhe me aq ndikim tek lexuesi. Pa këto elemente nuk do të spikateshin aq madhërishëm e mira dhe e keqja, njerëzorja dhe jonjerëzorja, e bukura dhe e shëmtuara.

Pra, tragjikja në veprat e humanistëve shqiptarë, e përjetësuar në mënyrën më mjeshtërore, duhet të merret si vlerë e shquar artistike. Ndryshe, në historinë njerëzore nuk ka ndonjë shembull ku thuhet ose kërkohet që njerëzit ta duan pushtuesin dhe robërinë, që të akuzohet dikush pse urren pushtuesin dhe robërinë ose që, pushtimin dhe robërinë, t’i marrë si dhuratë, apo t’i këndojë “dhuratat” e tij.

Prandaj, si vepra të autorëve të mëdhenj shqiptarë (autorë, që, të tjerët i kanë adhuruar dhe, madje, kanë synuar edhe t’i përvetësojnë !), në të cilat përmes trajtave të përsosura artistike, ndër të tjera, edhe nëpërmjet kategorisë së tragjikës, lartësohet liria kombëtare e njerëzore dhe ku urrehet pushtuesi e robëria, vrasja, gjenocidi etj., janë vepra që zgjojnë ndjenjat më fisnike njerëzore; janë nderi i kombit dhe me vlerë të madhe edukative, jo veç në planin artistik, estetik, po edhe në atë moral, njerëzor, kombëtar etj.

Emocionaliteti e tragjikja e letërsisë shqiptare të humanizmit, sikundër edhe ndjenjat e urrejtjes kundër pushtuesit dhe robërisë, të shprehura në të, nuk do të ishin të pëlqyera vetëm për të tjetërsuarit, shërbëtorët e pushtuesit e lakmuesit e dhuratave të tij.

Prandaj, cungimi, gjymtimi e mohimi i këtyre veprave, siç kërkohet të bëhet, s’do të ishte tjetër, përveç se shembulli më i tmerrshëm i dhunës e barbarizmit më të egër mbi artin dhe kulturën kombëtare e njerëzore.

 

Pikëpamjet dhe vlerësimet për letërsinë shqipe të shek. XVI-XVII

 

Siç u tha më lart, lidhur me letërsinë shqipe të shek. XVI-XVII, edhe më parë, janë shprehur pikëpamje e vlerësime kundërshtimore. Sipas disa pikëpamjeve e vlerësimeve, janë vënë në dukje vlerat e ndryshme të kësaj letërsie, por sipas disa pikëpamjeve e vlerësimeve të tjera, ajo është vlerësuar negativisht dhe janë mohuar vlera të ndryshme të saj, ndër të cilat edhe vlera letrare. Vlerësime të tilla negative vërejmë në historitë e ndryshme të letërsisë, në shkrimet e ndryshme dhe në tekstet e tashme shkollore.

Mohuesit e sotëm të letërsisë shqipe të shek. XVI-XVII, të cilët kërkojnë ridizajnimin dhe rikomponimin e saj nga zeroja, mbështeten në pikëpamjet dhe vlerësimet e mëhershme negative për të.

Prandaj, sipas pikëpamjeve dhe vlerësimeve të tyre, që janë edhe pikëpamje e vlerësime (më të paargumentuarat, më të paqëndrueshmet dhe më negativet), të shprehura më parë, letërsia shqipe e shek. XVI-XVII, 

është vetëm letërsi e përmbajtjes fetare, apo, më saktë, është literaturë me përmbajtje vetëm fetare, teologji; nuk ka materje letrare, sepse përmbajtja e saj është përmbajtja fetare, e cila nuk mund të jetë përmbajtje letrare; nuk ka vlerë letrare, sepse ka përmbajtje fetare, pra është “vetëm teologji”, se brenda saj ka më shumë teologji se sa estetikë apo filozofi dhe se, për të fituar statusin letrar, duhet të lirohet nga fryma fetare; është letërsi e vlerave tepër të varfëra estetikisht e letrarisht, të cilat dalin gjithmonë si vlera të shkallës së dytë; është letërsi, apo, më saktë, literaturë e mjegullës semantike e ideore; është letërsi, apo literaturë, veprat e së cilës e shkruan e u botuan si tekste të shërbesave në funksion propagande, nën influencën e organizatës së krishterë të Romës, Propaganda de Fide; ishte letërsi, apo literaturë në shërbim të ideologjisë dhe rrymave të tjera ndikuese etj.

Pikëpamjet dhe vlerësimet e tilla për letërsinë shqipe të shek. XVI-XVII, janë tepër të paqëndrueshme, sepse ka argumente të shumta e të pamohueshme, të cilat dëshmojnë se ajo është krijimtari e krijuar edhe për qëllime letrare dhe me vlerë të madhe letrare, dhe një letërsi kombëtare shqiptare e mirëfilltë, e frymëzuar nga kërkesat e vendit, kërkesat kombëtare shqiptare dhe në shërbim të përbërësve më të rëndësishëm të identitetit kombëtar.

Kështu, nga studimet e deritashme, është mjaft mirë e ditur se letërsia shqipe e shek. XVI-XVII, veç përmbajtjes fetare ka edhe përmbajtje jofetare, sepse në të trajtohen mjaft edhe tema atdhetare, politike, filozofike, e natyrës, e dashurisë etj.

Përmbajtja fetare, tek mohuesit e letërsisë shqipe të shek. XVI-XVII, vlerësohet si materie joletrare dhe mirret si argument për të mohuar vlerën letrare të saj, por pa treguar se përse përmbajtja (“materia”) fetare nuk mund të jetë përmbajtje e veprës letrare.

Përmbajtja fetare, e cila, për nga natyra, është e afërt me mendimin filozofik dhe pjesë e botës shpirtërore e emocionale, e shprehur përmes figurës dhe stilit të fuqishëm, ashtu siç është e shprehur edhe në veprat e njohura shqipe të shek. XVI-XVII, nuk mund të thuhet se nuk është edhe materie letrare.

Se përmbajtja fetare nuk mund të thuhet se nuk mund të jetë përmbajtje (materie) letrare, tregojnë veprat e shumta të letërsisë botërore dhe veprat e shumta të letërsisë shqipe, me përmbajtje fetare, llojet e shumta letrare më përmbajtje fetare, të letërsisë botërore e shqiptare, dhe trajtimi i tyre si vepra letrare nga dijet teorike- dhe historiko-letrare.

Në letërsinë botërore, me përmbajtje fetare, janë krijuar shumë vepra letrare llojesh të ndryshme, madje edhe vepra si epe, romane, etj., dhe askush nuk i ka kontestuar as përjashtuar nga thesari i vlerave letrare. Përkundrazi, mjaft prej atyre veprave vlerësohen si kryevepra të letërsisë botërore.

Në letërsinë shqipe, me përmbajtje fetare, janë shkruar shumë poezi, poema, romane, vepra të ndryshme dramatike, epe.  

Mjaft vepra të autorëve të mëdhenj shqiptarë (De Rada, Naimi, Fishta, Asdreni, Lasgushi etj., etj.), i përshkon religjioziteti, por askush, për shkak të kësaj, veprat e tyre nuk i quajti vepra joletrare.

Vetë “Bibla”, vepra bazë e krishterimit, në historinë e letërsisë botërore, vështrohet edhe në aspektin letrar. Teorikë të mëdhenj letrarë botërorë vazhdojnë ta vështrojnë “Biblën” edhe nga aspekti letrar. Edhe vepra bazë e islamizmit, “Kur’ani “ , në historinë e letërsisë botërore, është pjesë e vlerësimeve letrare etj.  

Si as për vlerën letrare të letërsisë shqiptare të humanizmit, as për vlerën letrare të letërsinë shqipe të shek. XVI-XVII, nuk mund të thuhet se është vlerë e shkallës së dytë. Artistikja kërkohet në veprat e ndryshme, të cilat si mjet të shprehjes kanë gjuhën, pavarësisht nga qëllimi i autorit dhe qëllimet e veprës. Veprat e rëndësishme të krijuesve të mëdhenj nuk mund të jenë të zhveshura nga dëshira e autorit për të shkruar bukur dhe për të tërhequr receptuesin.

Meqë çdo krijues synon shkrimin e bukur, efektin tek receptuesi, kurse për një synim të tillë ndikues në receptuesin shquhen pikërisht shkrimet fetare, receptuesi i veprës, nuk ka obligim të kufizohet nga qëllimi i shkrimtarit e qëllimi i veprës. Ai mund të shikojë edhe përtej tyre, në atë që përmbajtësisht reflekton vepra, si dhe në realizimin e në efektin e saj shprehës.

Edhe për kriteret e sotme të letërsisë, letërsia shqipe e shek. XVI-XVII është letërsi. Madje, çuditërisht, veprat e kësaj letërsie, me përzierjen llojore të shkrimeve e të ligjërimeve, korrespondojnë shumë në shkrimet e sotme postmoderniste, të cilat në veprën letrare integrojnë tekstet e llojeve dhe stileve të ndryshme.  

Shkrimtarët shqiptarë të shek. XVI-XVII, gjatë shkrimit të veprave të tyre, gjuhën, stilin e formësimin artistik nuk e kanë pasur në plan të dytë, po në plan të parë. Buzuku e dëshmon këtë edhe me prozën e tij poetike, me rrëfimin e rrjedhshëm të prozave të ndryshme, me ritmin e poezisë së tij, me figuracionin poetik dhe, përgjithësisht, me strukturën gjuhësore të veprës së tij.

Lekë Matrënga ftesën besimtarëve ua bën përmes poezisë, pra shkruan poezi. P. Budi, P. Bogdani, L. Bogdani etj., shkruajnë poezi, si dhe ndonjë prozë, me vlera të pamohueshme letrare. F. Bardhi mbledh dhe boton proverbat dhe përshëndetje të ndryshme etj. Të gjitha këto krijime të vërteta letrare, me vlera të mëdha artistike (moderniteti i poezisë së P. Bogdanit nuk mund të injorohet as nga përqasja me modernitetin e poezisë së sotme ) duhet të jesh tejet injorant në fushën e letërsisë për t’i mohuar, apo për t’i shpallur si joletërsi.

Studiues të mëdhenj, me kompetencë shkencore, kanë theksuar vlerën artistike të krijimeve të letërsisë shqipe të shek. XVI-XVII, prandaj s’është fare serioze që për të të thuhet se është tepër e varfër estetikisht e letrarisht.

Prandaj, siç u tha edhe më parë, qëllimet e autorëve dhe qëllimet e hartimit të veprave, pra, as qëllimet fetare, si një nga qëllimet e veprave të letërsisë shqipe të shek. XVI-XVII, nuk duhet të na pengojnë të shohim objektivisht edhe vlerën letrare të tyre. Receptuesi as që duhet të marrë parasysh qëllimin e autorit dhe të veprës, gjatë shqyrtimit të vlerës artistike të një vepreje. Vlerën letrare mund ta gjejmë edhe tek veprat, të cilat shkruhen, në radhë të pare, për qëllime joletrare, por që autorët me aftësinë dhe qëllimin e tyre që të shkruajnë bukur dhe të tërheqin lexuesin, duke i shkaktuar kënaqësi estetike, i kushtojnë qëllimisht kujdes shprehjes së tyre artistike.  

Letërsia shqipe e shek. XVI-XVII  nuk është letërsi e mjegullt për nga semantika dhe idetë. Aq më pak ky konstatim mund të thuhet në shkallën e tashme të njohjes së saj.

Shkrimi i letërsisë shqipe të shek. XVI-XVII (latimi i prozës, formësimi i vargjeve, shkrimi i poezisë, përdorimi i figurës etj.), dëshmon se ajo u shkrua edhe për qëllime arti e jo veç si literaturë për qëllime fetare.

Krijimet letrare shqipe të shek. XVI-XVII ishin rezultat i frymëzimeve shpirtërore e intelektuale të vetë autorëve të tyre, si dhe i rrethanave dhe i nevojave kombëtare të vendit, dhe jo rezultat i propagandës së Romës, siç është thënë, jo vetëm në kohën e fundit. 

Konfiskimi i veprave (siç mendohet se ka ndodhur me ekzemplarin e vetëm të njohur të veprës së Buzukut), vështirësitë e botimit të veprave, siç dihen mirë, mosbotimi i disa veprave në Romë, por në ndonjë qytet tjetër të Italisë etj. , tregojnë se ato, në radhë të parë, ishin vepra të frymëzuara nga bota shqiptare.

Prandaj, edhe letërsia shqipe e shek. XVI-XVII, nuk mund të thuhet se i shërbeu ideologjisë e rrymave ”ndikuese”, të huaja, po pikërisht kërkesave dhe synimeve shqiptare. Ajo qe letërsi e inkuadruar në përpjekjet e popullit shqiptar për të ruajtur dhe zhvilluar vlerat esenciale të kombit dhe të identitetit shqiptar. Prandaj, me të drejtë, studiuesi Selman Riza, vlerën kombëtare të veprave të autorëve të letërsisë shqipe të shek. XVI-XVII, e pati çmuar aq shumë, sa vlerën kombëtare të punës së Buzukut, e pati krahasuar me atë të Skënderbeut (“Kundrejt lavdisë së Gjergj Kastriotit në historinë e popullit shqiptar qëndron madhëria e Gjon Buzukut në historinë e kulturës shqiptare” (S. Riza: “Pesë autorët më të vjetër në gjuhën shqipe”, “Toena”, 2002, f. 54 ).

Si edhe për veprat e letërsisë shqiptare të humanizmit, për të cilat u kërkua që të cungoheshin e të gjymtoheshin, para se t’i jipeshin lexuesit, edhe për letërsinë shqipe të shek. XVI-XVII, në kohë të fundit, për shkaqe tejet banale u kërkua që të përjashtohen nga tekstet mësimore dhe nga mësimi në shkolla. Ndër të tjera, përjashtimi i saj u kërkua, sepse, siç thuhej: është e tëra teologji; i takon së kaluarës; se sot shija letrare dhe këndvështrimi kritik kërkojnë një letërsi tipike që do të mund t’i shërbejë vetëm shijes estetike e asaj filozofike pa ngjyrime fetare.            

Shkaqet për të cilat kërkohet përjashtimi i letërsisë shqipe të shek. XVI-XVII, nga tekstet dhe mësimi në shkollë, janë banale, sepse, siç u pa, letërsia shqipe e shek. XVI-XVII nuk është e tëra teologji, arti nuk vjetrohet, kurse ndjeshmëria dhe gjykimi i sotëm letrar nuk kufizohen vetëm në veprat esencialisht letrare, po edhe në çdo tekst tjetër të shkruar bukur, i cili ka mundësi të zgjojë ndjenjën gjuhësore e estetike.

 

Pikëpamjet e vlerësimet për letërsinë e bejtexhinjve

 

Mohuesit e letërsisë shqiptare të traditës, idhtarë të ridizajnimit e të rikomponimit të saj, që nga zeroja, nuk e njohin as letërsinë e bejtexhinjve, apo letërsinë alamido, prandaj edhe për këtë letërsi shprehin pikëpamje të gabuara dhe e vlerësojnë gabimisht atë dhe mendimin e rëndësishëm për të.

Sipas tyre, letërsia e bejtexhinjve është letërsi pa përmbajtje fetare dhe, pikërisht për këtë, sipas tyre, ajo duhet konsideruar “një art i pastër”, një letërsi e mirëfilltë dhe letërsi me të cilën fillon letërsia shqipe, sepse, sipas tyre, ajo edhe “komunikon direkt me autorin e saj në gjuhën shqipe”.

Letërsia e bejtexhinjve, nga mohuesit e letërsisë shqiptare të traditës, çmohet për ndikimet e saj nga letërsitë e Lindjes, për dallim nga qëndrimi i tyre ndaj letërsisë shqiptare të humanizmit, të cilën e kritikojnë e mohojnë, për shkak të ndikmit të saj nga letërsi të tjera etj.

Letërsia e bejtexhinjve, siç është e ditur kaherë dhe siç dëshmojnë veçmas studimet e kohëve të fundit, ka frymë të thellë fetare. Kështu, po të marrim parasysh pikëpamjet e mohuesve të letërsisë shqiptare të traditës, si letërsi me përmbajtje fetare, as letërsia e bejtexhinjve nuk do të duhej të quhej letërsi, që është gabim, sepse vlera letrare e një vepre, nuk varet nga prania apo mosprania e përmbajtjes fetare në të. Por, pohimi se letërsia e bejtexhinjve është letërsi laike dhe për këtë me të fillon letërsia shqipe është i paqëndrueshëm.

Se letërsia shqipe fillon me letërsinë e bejtexhinjve nuk mund të thuhet as duke u mbështetur në pohimin se ajo “komunikon direkt me e saj në gjuhën shqipe”.

Në bazë të veprave të njohura shqipe dhe vlerave të tyre, letërsia shqipe nuk fillon me letërsinë e bejtexhinjve, po shumë kohë më parë. Ajo komunikon shqip me lexuesin e saj, pa dyshim, me prozën poetike të Buzukut dhe me shumë tekste të llojeve të ndryshme letrare të veprës së tij; komunikon me poezinë e L. Matrëngës, me poezinë e Budit, me provarbat e F. Bardhit, me poezinë e L. Bogdanit e të P. Bogdanit etj.

Tekstet e bejtexhinjve nuk shquhen për përdorimin e shqipes. Në to janë përdorur shumë barbarizma (orientalizma), aq sa për leximin e tyre kërkohen fjalorët. Për një të metë të tillë, e cila është rrjedhojë e arsimimit e formimit gjuhësor e kulturor të bejtexhinjve, respektimit të kërkesave të poetikës orientale, po edhe rrjedhojë e mosnjohjes së shqipes dhe e mungesës së ndërgjegjes gjuhësore të tyre (me ndonjë përjashtim), kanë qenë të vetëkritikuar, duke filluar me Nezimin, ose të kritikuar, duke filluar me Naimin, për të vazhduar me vërejtjet gjuhësore, nga gjithë studiuesit seriozë të tyre.  

Ithtarët e ridizajnimit e të rikomponimit të letërsisë shqiptare, që nga zeroja, apo të mohimit te letërsisë shqiptare të traditës, ndërrojnë qëndrimet lidhur me vlerësimin e dukurisë së ndikimeve në letërsi. Një kriter ata e kanë për letërsinë shqiptare të humanizmit, një tjetër kriter për letërsinë e bejtexhinjve. Përderisa ndikimin e letërsive të huaja në letërsinë shqiptare të humanizmit e konsiderojnë të dëmshëm, për çka letërsia shqiptare e humanizmit quhet letërsi në shërbim të ideologjive e rrymave të huaja (“ndikuese”), letërsi me ngjyrim të theksuar emocional ideologjik e urrejtjenxitës etj., ndikimet e letërsive të Lindjes në letërsinë e bejtexhinjve, ata i konsiderojnë të rëndësishme, pa marrë parasysh se ndërmjet këtyre ndikimeve ka dallime rrënjësore.

Kështu, nëse ndikimi i humanizmi evropian në letërsinë e humanizmit shqiptar ishte një ndikim kulturor i një një lëvizjeje të madhe filozofike, kulturore e letrare, e cila, si e tillë, nuk mund të reflektohej negativisht në botën shqiptare, ndikimet në letërsinë e bejtexhinjve, nuk ishin thjesht vetëm ndikime letrare e kulturore, po edhe ndikime politike e ideologjike të pushtuesit osman, i cili, përmes rrethanave të krijuara dhe imponimeve të tij, synonte njëjtësimin e shqiptarëve me vetveten. 

Së këndejmi, është i paqëndrueshëm pohimi, sipas të cilit, letërsia shqiptare e humanizmit ishte letërsi e rrezikshme në pikëpamje ideologjike, letërsi në shërbim të një bote tjetër dhe e dëmshme për edukimin e njeriut, në vend se këto të meta të shihen pikërisht në letërsinë e bejtexhinjve.

Ithtarët e ridizajnimit e të rikomponimit të letërsisë shqiptare, që nga zeroja, apo mohuesit e saj, ndonëse kërkojnë të çmohet letërsia e bejtexhinjve, vetë dëshmojnë se nuk janë njohës të saj, as të mendimit e vlerësimit për të. Kështu, lexojmë se të tillët (të vetëquajturit “kritikë”, pa një vepër të mirëflltë kritike letrare), kërkojnë që, tani e tutje, në qendër të interesimit të studiuesve të jetë vlera letrare e letërsisë së bejtexhinjve, pa ditur se, gjithnjë, në qendër të interesimit dhe vlera që është theksuar e çmuar më së shumti, nga studiuesit e kësaj letërsie, ka qenë pikërisht vlera letrare.

Po ashtu, nga mosdija, dhe nga mosnjohja, emra të mëdhenj të studiuesve të letërsisë së bejtexhinjve konsiderojnë ata që më së paku janë marrë me këtë letërsi (p.sh. E. Çabej, F. Konica, S. Hamiti), kurse studiuesit e mëdhenj të saj, si autorë të shkrimeve që lënë shumë për të dëshiruar.

Kërkesat për ridizajnimin apo rikomponimin e letërsisë shqiptare të traditës, që nga zeroja, përkojnë me qëndrimin e luftën e pushtuesit osman kundër popullit shqiptar e kulturës së tij, si dhe me pikëpamjet dhe synimet e ithtarëve të sotëm, për harresën e identitetit të dikurshëm shqiptar dhe krijimin e një identiteti të ri.



(Vota: 9 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora