E enjte, 25.04.2024, 01:40 AM (GMT+1)

Shtesë » Shoqëria

Çili, çile dollapin!

E shtune, 24.11.2007, 09:37 PM


Ka kaq shumë veshje dhe aksesorë, sa as ajo nuk di të bëjë një inventar të saktë. Ama nuk përton aspak të pozojë me më të preferuarat e saj, Dhe të tregojë zgjedhjet e sezonit të ri të dimrit. Shumë të ndryshme nga ato që jemi mësuar t’ia shohim në skenë. Sepse vajza e spektakleve pëlqen elegancën. Nuk e dinit? As ne.

Nga Klaudeta Skënderasi

Nëse i kërkon që të të nxjerrë rrobat, këpucët, aksesorët për t’i fotografuar, kjo do të ishte gjëja më e thjeshtë për këdo tjetër, vetëm për Çiljetën jo. Dhe kjo nuk ndodh sepse nuk ka dëshirë, por sepse do të ishte një lodhje e vërtetë zbrazja e rreth tetëdhjetë kutive me këpucë e sandale, shkarkimi i dhjetëra varëseve me rroba, zbrazja e po aq kutive plot me aksesorë. Në shtëpinë e Çiljeta Xhilagës vetëm veshjet nuk mund të numërohen. Vetëm dje ka blerë dy pallto, dy funde, një kostum, dy xhaketa… Sezoni i ri sapo ka trokitur dhe kjo për të do të thotë blerje dhe vetëm blerje. Të veshë rrobat e sezonit të kaluar? Kjo nuk mund të ndodhë. E meqë Çiljetës i pëlqen që për çdo stinë të pasurojë gardërobën me veshje të reja, përfundimi s’mund të jetë gjë tjetër veçse një pushtim kokë e këmbë i shtëpisë ku ajo jeton bashkë me prindërit. Rafte të mëdhenj plot me veshje e këpucë i përkasin vetëm asaj.

Nuk është nga ato që lënë kokën pas modës. Nuk e gjen thuajse kurrë duke shfletuar revista për të parë tendencat më të fundit të sezoneve të modës. As duke pyetur poshtë e përpjetë se ç’ngjyrë është këtë vjeshtë në modë, si kanë ndryshuar prerjet e fustaneve, ç’modele këpucësh kanë pagëzuar stilistët. Në gardërobën e Çiljetës ligji bëhet vetëm prej saj. Moda është ajo që i shkon dhe pikë. “Nuk ndikohem nga tendencat e modës. Për mua, ajo që më përshtatet dhe më shkon është moda më e mirë. Sigurisht që ka elementë që më tundojnë, por jo të më prishin mendjen deri në atë pikë sa të vesh edhe gjëra që nuk më kanë pëlqyer kurrë”. Në fakt kjo është e vërtetë. Mund ta dëshmojë kushdo që e ka parë të paktën njëherë në skenë, të paktën njëherë nëpër evenimentet e kryeqytetit apo qoftë edhe në rrugë. Për të, këto janë moment e që ndryshojnë shumë nga njëra-tjetra dhe detyrimisht veshja që i përket njërës nuk ngjan me tjetrën. “Veshja për mua është një nga gjërat më të rëndësishme, prandaj nuk mund ta lë jashtë vëmendjes për asnjë moment. I jap çdo rasti rëndësinë e duhur, prandaj gjatë ditës jam më së shumti e veshur shumë thjesht, kurse në skenë gjithçka ndryshon”.

E përditshmja

Mos u çudisni, por gjatë paraditeve Çiljeta u dorëzohet pa kushte xhinseve dhe atleteve, streçeve apo tutave, që e bëjnë 100 për qind sportive. Një grim i lehtë, flokët më së shumti të mbledhura dhe ndonjë aksesor shumë i thjeshtë. Takat e larta dhe veshjet e rënduara nuk kanë fatin t’i qëndrojnë në trup në përditshmërinë e saj. I pëlqen më shumë që të ndihet rehat dhe përveç kësaj di ta ndajë mirë një ditë të zakonshme nga një rast i veçantë. Për të mos folur pastaj për skenën.

Skena

Këtu pamja ndryshon me 360 gradë. Ekstravagancë me shumicë dhe një guxim që rrallë e provojnë vajzat e skenës. Por me Çiljetën ndryshon puna. Sepse të qenit goditëse është një nga armët e saj më të forta, që nuk ngurron ta përdorë sidomos në skenë. Është vendi që i lejon të gjitha: transparencën, shkëlqimin, ekzibicionizmin… Ua lë në dorë më së shumti stilistëve imazhin e skenës. Dhe ata, duke i njohur mirë shijet e saj, i shtrohen punës për të krijuar ca veshje tunduese, që  nuk ndodh t’i porosisë tjetër klient veç saj.

Mbrëmja

Në gardërobën e Çiljetës, krahas bluzave të tylta, minifundeve, gurëve e teminave, ka edhe kostume serioze, të mbërthyera deti në grykë, pantallona e pallto deri në fund të këmbëve. Është momenti kur Çiljeta ia lë vendin finesës dhe sensuales. “Në përgjithësi ky është stili im i vërtetë, pavarësisht se në skenë jam shumë ekstravagante”. Por sigurisht gjithçka e përshtatur sipas natyrës së saj, që nuk mund të bëjë dot pa copat goditëse, ngjyrat që bien në sy, modelet joshëse.

Për sezonin e ri i ka marrë masat: dizenjo “animal print”, ngjyrë e kuqe dhe e zezë, detaje të arta dhe kombinime peliçesh. Nuk ka shumë që ka shijuar shopping-un e radhës. Dhe sigurisht ka harxhuar jo pak para. “Në përgjithësi më ndodh që të harxhoj vërtet shumë për veshjen time. Nuk mund të rri dot pa blerë këpucë dhe sandale. Janë të preferuarat e mia”. E duket se është vërtet kështu. Janë të të gjitha llojeve: elegante, chic, sportive, ekstravagante, me lule, me gurë, me rripa dhe të të gjitha ngjyrave, duke filluar që nga më të çmendurat e deri tek ato më seriozet. E nëse mes atij ylberi nuk është e vështirë të kuptosh se cilat janë ngjyrat e saj të preferuara: e zeza, e florinjta, e kuqja, e bardha. Ashtu siç nuk është aspak e vështirë për të kuptuar se e ke prekur në pikën e saj më të dobët: veshja. E kur vjen puna këtu, ajo është gati të pozojë me orë të tëra para aparatit, të provojë të gjitha veshjet, të performojë me ide të çmendura dhe të provojë të zbrazë varëset e rrobave dhe kutitë e këpucëve. Ndonëse kjo është nuk është aspak e lehtë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora