E merkure, 21.04.2021, 09:32 PM (GMT+1)

Mendime

Më seriozë me Kosovën

E shtune, 24.11.2007, 08:47 PM


Nga Mero Baze

Për ironi të fatit, Kosova vazhdon të mbetet një problem qiellor në Shqipëri, për të flitet me lehtësinë që të jep biseda për yjet dhe hënën, për të cilët të gjithë thuajse s’dinë asgjë. Me të njëjtën lehtësi kam dëgjuar të flasin për të politikanë të lartë të pozitës dhe opozitës, gazetarë pa pikë haberi se ç’ndodh aty dhe njerëz të zakonshëm. Për shumë kohë kam menduar se kjo është një frymë më e mirë sesa antikosovarizmi i fillimviteve `90, kur për ta flitej si për kolerën, ngaqë shumicës së politikës së majtë dhe gazetarëve iu kujtohej Ibrahim Rugova dhe miqësia e tij me Sali Berishën. Tani s’ka më emocione të tilla, por ka një lehtësi të madhe për të folur broçkulla kudo dhe kurdo që iu jepet mundësia. Por tani jemi para një problemi të ri të ndikimit të Shqipërisë në Kosovë dhe të ndikimit të Shqipërisë në botë për Kosovën. Tashmë, mediat shqiptare shihen dhe shpesh merren më seriozisht se ç’duhen marrë në Kosovë dhe politikanët shqiptarë, sidomos këta të rinjtë që s’kanë haber për Kosovën, merren po ashtu seriozisht nga të huajt, kur flasin broçkulla rreth saj. Kam dëgjuar në mënyrë të përsëritur ministrin tonë të Jashtëm, Lulëzim Basha, të thotë që, nëse Kosova e shpall pavarësinë, ne do ta njohim atë menjëherë. Ky protagonizëm folklorik kam idenë që jo vetëm bie ndesh me historinë tonë me njohjen e pavarësisë së Kosovës, por bie ndesh dhe me koniukturat ndërkombëtare, në të cilat duhet të inkuadrohet qëndrimi i Shqipërisë. Së pari, formalisht, Kuvendi i Shqipërisë i vitit 1991 e ka mbështetur pavarësinë e Kosovës dhe e ka përsëritur këtë me një rezolutë në vitin 1992, pas zgjedhjeve të para në Kosovë, kur u zgjodh presidenti dhe parlamenti i ri. Kemi pasur për dhjetë vjet një përfaqësi të Kosovës në Shqipëri, me kontratë qiraje nga Ministria e Jashtme dhe kemi bërë shumë veprime formale për t’i trajtuar ata si shtet. E di që e gjithë kjo histori tashmë ngjan larg dhe realiteti në Kosovë po ashtu e ka tejkaluar, por ne kemi plot mundësi të jemi të matur që as mos ta fyejmë historinë tonë dhe të Kosovës, as të mos krijojmë problem me politikën ndërkombëtare sot. Nuk është kurrfarë lajmi në botë, nëse Shqipëria e njeh përsëri pavarësinë e Kosovës, pasi besoj ka shumë pak individë në rruzull që na dinë cilët jemi, që të dyshojmë në një gjë të tillë. E rëndësishme është që ne si shtet të lobojmë dhe t’i bëhemi krah SHBA dhe BE për të njohur pavarësinë e Kosovës. Ne nuk kemi arsye të kemi një datë të dytë për këtë çështje. I vetmi lajm i ri që mund të prodhohet është emërimi i ambasadorit të Shqipërisë në Kosovë. Duke bërë rolin e protagonistit të fortë në këtë çështje, bëhemi qesharakë dhe me historinë tonë, dhe me politikën ndërkombëtare.

Së dyti, dje më telefonoi një kolegu im nga Shkupi dhe me një shqetësim që buron nga adhurimi i tyre i tepërt për Tiranën, ishte çuditur nga fjalitë shterpë dhe shpesh konfuze të zëvendëskryeministrit Oketa me faktorin shqiptar në Maqedoni dhe pafuqinë e tij për të deshifruar qëndrimin e shtetit shqiptar për Kosovën nga fjalori i zëvendëskryeministrit para medias maqedonase. E qetësova, duke i thënë se zakonisht, zëvendëskryeministri ynë dëgjon, nuk flet, por as kjo nuk e qetësoi. Po ky zyrtar i lartë, në një takim disa javë më parë me ministren e Integrimit të Hungarisë, tundte kokën në shenjë miratimi për tezën hungareze të zgjidhjes së problemit të Kosovës me konsensus të dy palëve, çka është i fokusuar si qëndrim rus. Nuk është se e bën me të keq. Nuk është se ka diçka me Kosovën, por lehtësia me të cilën shkojnë në takime, kur flitet për Kosovën, është e patolerueshme. Dhe problem është se të huajt, përfshi dhe shqiptarët jashtë kufijve, që nuk e njohin, e marrin seriozisht për zëvendëskryeministër dhe shqetësohen.

Së treti, po ashtu, më bëri përshtypje një emision në Top Show. Disa ish-zëdhënësa të Presidentit të Republikës dhe kryeministrit të Shqipërisë diskutonin për Kosovën si për përrallat që iu ka treguar gjyshja. Ish-zëdhënësi i Rexhep Meidanit arsyetonte rezultatin e zgjedhjeve me çka mbante mend ai nga koha e Meidanit, ish-zëdhënësi i Berishës me si e mendon ai këtë çështje, pa pasur asnjë informacion dhe pa analizuar asgjë reale. Ky stil i të folurit për Kosovën nga njerëz që kanë qenë zyrtarë të shtetit dhe tani punësohen part time si gazetarë, bën shumë dëm, së pari se transmetohet në Top Channel, që është kanali absolut autoritar në Kosovë dhe së dyti, se merren seriozisht si ish-zyrtarë të lartë të shtetit shqiptar, paçka se janë mendjethatë. Lehtësia me të cilën ata flasin në Tiranë, është e kuptueshme, pasi njeriu këtu ndërron kanalin dhe shikon punën e tij. Por, në Kosovë, fatkeqësisht, na marrin seriozisht dhe ne duhet të mendohemi pak sekonda, kur flasim për ta. Duhet të jemi seriozë, se iu kemi rënë në pjesë si shqiptarë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora