E enjte, 16.07.2020, 06:22 PM (GMT+1)

Kulturë » Muzikë

Djemtë e Detit: “Si na përjashtoi Gjebrea nga gara”

E shtune, 24.11.2007, 08:21 PM


Admirina Peçi

Djemtë e Detit
Për pesë vjet kanë qëndruar larg skenës, të mbyllur mes tingujve në studio. Grupi "Djemtë e Detit" ka zgjedhur "Këngën Magjike" për të provuar sërish konkurrimin. Por kanë provuar zhgënjimin. "Në udhëkryq", kënga e tyre me tekst të Timo Fllokos, nuk ka mundur të ngjitet në Pallatin e Kongreseve. Në internet janë lajmëruar se janë përjashtuar në gjysmëfinale. Genti Demaliaj, solisti i grupit ka zgjedhur të reagojë. Ai shprehet se asgjë nuk është transparente në këtë festival, e madje aludon se çmimet janë të paracaktuara. Demaliaj hedh akuza ndaj Ardit Gjebresë, duke e quajtur festivalin "Kënga Magjike" të familjarizuar e të kthyer në një monopol. Në intervistën e mëposhtme ai shpjegon këtë përplasje, por edhe punën drejt një albumi që së shpejti do të dalë në treg.

Kënga juaj është eliminuar nga festivali "Kënga magjike" dhe ju reagoni ndaj kësaj. Mendoni se ka prapaskena?

 Ne kemi marrë pjesë në shumë festivale dhe më vjen keq që duhet të flas për një artist me pretendime si zoti Ardit Gjebrea. Por mendoj se ai ka realizuar festivalin më magjik ku unë kam marrë pjesë ndonjëherë, por në botën e iluzionistëve dhe jo në botën e këngëve. Madje do ta konsideroja një festival personal dhe familjar të zotit Gjebrea dhe miqve të tij. Jam jashtë mase i çuditur. Kam marrë pjesë me kënaqësinë më të madhe, kam menduar se kishim sjellë një këngë të mirë dhe përjashtimi ishte rezultati. Jam i sigurt se pjesëmarrja ime në Pallatin e Kongreseve do të rrezikonte çmimet, të cilat janë ndarë që më përpara në këtë festival.

Mes kujt janë ndarë?
 
Çmimet ndahen mes dy kompozitorëve miq të tij, mes Armend Rexhepagiqit dhe Flori Mumajesit. Edhe më parë më kanë thënë që ka një listë të gatshme, por nuk e kisha besuar.

Cilët kanë vendosur për këngët që do të përjashtoheshin?
 
Na kanë thënë se votimi është bërë përmes AMC-së, por si mund ta besoj unë se këto janë rezultatet konkrete. Unë nuk mund të kontrolloj dot asgjë. Miq të mi më telefonuan pasi kishin parë në internet se ishin skualifikuar. Kënga u eliminua në gjysmëfinale dhe unë mendova se është një gabim në internet. Më pas e verifikuam dhe një veprim i tillë më duket amatoresk. Madje në një emision televiziv ai ka deklaruar se kanë konkurruar 270 këngë dhe kanë fituar 54. Por nga këto 54 këngë, 10 janë të një kompozitori dhe një pjesë e mirë e atyre të mbeturave e kompozitorit tjetër. Ndryshimi i vetëm është që Rexhepagiqi ka preferenca serbe dhe tjetri ka preferenca turbo-orientale. Në konkurrim kanë mbetur vetëm 40 këngë pas eliminimit të 14 të tjerave, mes të cilave ishte edhe kënga e "Djemtë e Detit".

Tentuat të merrni shpjegime nga zoti Gjebrea?
 
I bëra një telefonatë për të kuptuar nëse bëhej fjalë për ndonjë gabim ose jo. "Më vjen keq i dashur, por kënga nuk ka kaluar", - ishte e vetmja përgjigje që mora. Me Arditin si personazh kam dashur të luaj rolin e fisnikut, pavarësisht se unë mendoj e madje jam i sigurt se ai nuk ka dëshirë që në këtë vend të ketë këngëtarë dhe grupe të mirë. Nuk do rivalitet, pavarësisht se është producent e jo pjesëmarrës. Për të mjafton të mos ketë rrotull njerëz që e shqetësojnë me praninë e tyre dhe me këngët që sjellin. Kjo nuk është hera e parë që e tregon.

Ku e bazoni këtë konstatim?
 
Unë nuk gjej emrin e ndonjë artisti shqiptar ndaj të cilit Arditi flet me konsideratë të veçantë, përveç miqve të tij.
Pse keni zgjedhur "Kënga Magjike" për t'u kthyer në konkurrim pas disa viteve mungesë?
Pas "Mikrofonit të Artë" të vitit 2002, ku morëm edhe çmimin e parë, nuk morëm më pjesë në festivale. Janë 5 vjet mungesë. Kënga ishte një baladë dashurie e titulluar "Në udhëkryq", me tekst të Timo Fllokos. Muzika dhe orkestrimi janë realizuar nga Valentin Duka. Tashmë ne bëjmë muzikë tonë, kemi fansa që na ndjekin dhe e dimë se çfarë duhet të sjellim për ta. Kam marrë shumë telefonata dhe mesazhe urimi për këngën dhe nuk ekziston asnjë lloj mundësie që ajo të jetë përjashtuar nga një juri. Aty mund të jetë vetëm një juri fantazmë që përbëhet nga persona inekzistent. Çdo gjë është bërë nga komandanti i stafit, prezantuesi, menaxheri, iluzionisti, Gjebrea, jam shumë i sigurt për këtë.

Po Timo Flloko si e priti përjashtimin?
 
Shumë i çuditur. Reagimi nuk ishte vetëm për tekstin, por për këngën në tërësi. Nga njëra anë më vjen mirë që tashmë nuk konkurroj me njerëz, ku përveç një pakice të vogël, nuk janë profesionistë. Duhet të na thuhej që në fillim nëse kishin vendosur që të ishte një festival me drita të kuqe.

Ç'doni të thoni me drita të kuqe?
 
Nëse kishin vendosur të bënin një festival ku një grup gocash të zhvishen e të vishen, duhet ta dija që në fillim, edhe pse kjo nuk ka lidhje me këngën. Keqardhja më e madhe është që Gjebrea deklaron në emisionin "Deja vu", se duhet të mbyllen stacionet televizive që transmetojnë muzikë të vjedhur, të kopjuar, ndërkohë që bën një festival po të tillë. Atëherë ai duhet të gjejë vetveten. Më vjen keq që ai nuk është aspak transparent dhe festivalet që organizon i ka monopolizuar. Këngët janë në fazën e paraqitjes, pa kaluar në atë eliminatore dhe Gjebrea deklaron se më të pëlqyerit janë Aurela Gaçe, Elvana Gjata, Leonora Jakupi, Jehona Sopi etj. Kjo nuk është aspak profesionale dhe nuk ndodh që në një festival producenti apo muzikanti të stimulojë ndikime.

Ka pasur reagime nga të përjashtuarit e tjerë?
 
Këtë nuk mund ta them. Di vetëm që një nga emrat që u tërhoq nga ky festival është edhe këngëtari Pirro Çako, i cili nuk konkurroi fare. Por unë reagoj kundrejt eliminimit për këngën dhe jo vet faktit. Nuk kam bërë këngë për çmime, por për auditorin. Unë kam bërë këngë për auditorin. Kur veprohet me të padrejtë, kur ndërtohet një festival në bazë të interesave vetjake dhe të miqve, atëherë më mirë të më thuhet se jam në vendin dhe festivalin e gabuar se sa të vihem në garë me pseudoartistë.

Jeni penduar që morët pjesë te "Kënga Magjike" dhe nuk provuat diku tjetër?

Nuk jam penduar për të vetmen arsye, sepse kam marrë shumë telefonata dhe kam pasur shumë mbështetje. Por ka ardhur koha që në Shqipëri të mbyllen monopolizimet dhe manipulimet në festival. Njerëz që ndryshe janë e ndryshe hiqen nuk duhet të vazhdojnë më të ndërtojnë muzikën shqiptare.

Në tregun e muzikës dëgjojmë mijëra këngë, nga më të ndryshmet. Ju duket vetja pak Don Kishotë që ngulmoni në idealet e tuaja?

Unë mendoj që është më mirë të kesh 10 njerëz të saktë që dëgjojnë me kënaqësi muzikën tënde se sa të komercializohesh. Për mua muzika nuk është modë. Muzika është shpirt dhe kjo do jetë fazë kalimtare. Ne kemi vuajtur për të krijuar imazhin e "Djemve të Detit". Fillimet normalisht kanë qenë me ndikime perëndimore si të gjithë, por mendoj që tani kemi gjetur veten dhe muzikën tonë e do t'i përmbahemi asaj gjithë kohës.

Si është procesi juaj krijues?
 
Kemi një kompozitor me të cilin bashkëpunojmë e shkëmbejmë mendime. Mendoj se është më mirë që fillimisht të krijohet muzika e në bazë të saj të bëhet teksti. Shumicën e teksteve të albumit që kemi duke përfunduar i kam shkruar unë, por kemi edhe bashkëpunime të tjera, siç ishte ai me Timo Fllokon.

A mund të jetosh me muzikë sot?
 
Është e vështirë, por mund të thuhet se mbijetohet me albume, me koncerte, me aktivitete dhe angazhime në lokalet e natës.

Aty i kaloni netët?
 
Kam punuar dikur nëpër pub-e, por tani jemi duke punuar për përfundimin e albumit dhe na ka marrë kohë. Ndoshta më vonë.

Deri ku jeni me realizimin e albumit?
 
Jemi pothuajse në këngën e fundit dhe shpejt do të jetë në treg. E kemi titulluar "Epos" dhe mendoj se është me interes kur tregon se ky grup i përket këtij vendi, bazohet në motivet e tij, ka kitara që luajnë në formë lahute etj.

Keni mbaruar një shkollë aktrimi, ndërkohë që gjithë kohës jeni marrë me këngën...

Mendoj që ndikon shumë në interpretim. Teatri me muzikën bashkohen në faktin që mesazhi përcillet me fjalë dhe është fjala dhe loja shpirtërore që infiltron te publiku. Sa më i vërtetë të jesh, aq më shumë përjetohet.

Si janë ditët e zakonshme të Gentit?

Deri tani kemi qenë duke përfunduar albumin dhe pjesa më e madhe ka qenë puna në studio. Një pjesë i rezervohet takimeve me shokë e miq, kafenetë dhe ndonjëherë dhe pub-et.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora