E shtune, 03.12.2022, 02:03 AM (GMT)

Faleminderit

Bedri Tahiri: Snajperisti sypatrembur

E enjte, 27.05.2010, 09:00 PM


 

Në 11- Vjetorin e rënies së dëshmorit Hamdi Brahim Sheremeti dhe të Betejes së Koshares

 

SNAJPERISTI  SYPATREMBUR

 

Nga Bedri TAHIRI

 

Dëshmorët, siç dihet botërisht,  janë bazament i lirisë. Ata nuk nuk lotohen, por këndohen dhe përkujtohen.  Kështu e kanë kuptuar edhe prindërit e dëshmorit Hamdi Sheremeti nga Ashlani, të cilët prej kohësh jetojnë në Shipol të Mitrovicës. Ditë më pare, ata, bashkë me shumë familjarë të tjerë vajtën në Koshare dhe i përkujtuan  bijtë e bijat e tyre, gjaku i të cilëve shkriu gurët e mallkuar të kufirit vëllandarës.

Dhe, unë që preokupim kryesor kam ndriçimin e figurave kombëtare, sikur i kisha ngelur borxh këtij djaloshi, i cili la luksin e Gjermanisë dhe mësye frontet e luftës, andaj, një ditë, bashkë me mikun tim e kushëririn e dëshmorit, z. Behram Sheremeti, trokitëm në derën e kësaj familjeje, pikërisht në prag të 11- Vjetorit të rënies së Tij heroike në Koshare të Alpeve Shqiptare.

Meqenëse i ati, Brahimi, gati iu kishte dorëzuar lëngatës ogurzezë, gjitha informacionet dhe materialin e nevojshëm për portretizimin e luftëtarit të lirisë i morëm nga e ëma, një malësore që kurrë askush nuk ia pa pikën e lotit, nga zonja Sanije dhe nga motar e tij, Selvija. Ajo dhembjen për djalin e ndryen thellë në zemër dhe qëndron shumë krenare pasi një pjesë të gjakut të vet ia dhuroi Lirisë që sot po e gëzojmë. Nga ai kuvendim i shtruar ngeshëm doli ky shkrim modest, që, sado pak, bile moralisht, familjarët të ndjehen të lehtësuar shpirtërisht...

 

Frymëzimet e para

 

Në kilometrin e 12-të përtej Vicianës së lashtë, në shpatijet lindore të vargmalit Qyqavica, shtrihet vendbanimi kodrinoro- malor me emrin Ashlan, ku përherë bashkëjetuan tok: bujaria, mikpritja, burrëria e trimëria. Moteve të vështira, mysafiri më i nderuar e më i respektuar i odave të tij ishte Azem Galica me bashkluftëtarë. Aty, në çdo kohë, gogësiu kënga e grykëhollave, duke kulmuar në luftën e fundit të UÇK-së.

Ashlani në dokumentet e shkruara përmendet në defterin kadastral osman të vitit 1455 të Vilajetit Vëllk dhe përbëhet  nga lagjet: Kurtaj, Ramoshi, Hyseni, Gjakaj, Shyti  (Islami), Sheremeti, Karaça (Bajrami) dhe Pllana. Mikrotoponimet më karakteristike janë: Përroni i Gjelbët, Suku, Rapuha, Lugu i Loshit, Surdovi,  Vorret e Shkreta, Kroni i Sokolit, Zhigina, Ujët e Sokolave, Përroni i Davidit, Leskova etj.(Dr, Jusuf Osmani: Vendbanimet e Kosovës- Vushtrrria, Prishtinë, 2005, f. 97).

Dhe, nga ky lokalitet me një pozicion të përshtatshëm  strategjik e luftarak, dolën luftëtarë që ia zbardhën fytyrën kombit e atdheut. Në mesin e tyre shquhet edhe dëshmori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hamdi Ibrahim Sheremeti (1976- 1999).

 

Hamdi Sheremeti erdhi në këtë botë më 3 korrik 1976, në qytetin Helibron të Gjermanisë. Në fakt, rrënjët e familjes së tij të shpiejnë në Ashlan të Vushtrrisë, por, kishte kohë që kishin zënë vend në Shipol të Mitrovicës. Prindërit e tij, Brahimi dhe Sanija, bijë e Asllan Kalludrës nga Pirçi, i cili u dallua në betejat kundër çetnikëve të Drazha Mihajloviqit në mbrojtjen e kufirit verior, patën tetë fëmijë: katër djem: Feriti, Mexhiti, Shaipi e Hamdiu dhe katër vajza: Feridja, Selvija, Syzana e Igballja.

Mirëpo, fëmiu i gjashtë, Hamdiu, ishte më i dalluari. I urtë, i sjellshëm, besnik dhe mjaft i interesuar për historinë kombëtare. Shumë veti i kishte trashëguar nga i gjyshi, Smajl Sheremeti, i cili ishte luftëtar i dalluar i Shaban Palluzhës dhe i Ballit Kombëtar. Mësimet e para i mori në Shipol, ku u dallua si nxënës kureshtar, ndërsa ato të mesmet në Gjermani. Lidhja e tij me Kosovën e frymëzonte, andaj edhe pse jetonte në dhe të huaj mendjen dhe zemrën i mbante këtej ku më e shtrënjta e kësaj bote- LIRIA.

 

 

Veprimtari i palodhur

 

Djaloshi ashlanas me kohë e kishte kuptuar se liria është më e shtrënjtë se jeta. Edhe si fëmijë lodrat e tij më të preferuara kishin qenë armët e ndryshme, ndërkaq filmat që i lënin përshtypje ishin ata luftarak. Gjithmonë kishte dëshirë të identifikohej me heronjtë që luftonin për drejtësi, për liri dhe paqe. Shquhej edhe në sportet luftarake si boksier dhe shahist i talentuar.

Për gjashtë vjet sa jetoi dhe punoi në gjermani, asnjëherë nuk pushoi së vepruari për çështjen kombëtare. Nuk kishte protestë a demonstratë që organizohej atje e ku ai të mos të gjendej në radhët e para. Për këtë kishte përvojë edhe nga Kosova. Kur u vra Selman Vojvoda tek Ura e Gjakut në Mitrovicë fati e kishtë mëshiruar nga mortja e zezë për një fije floku. Ç’është e vërteta, një plak nga Buroja e Drenicës, e kishte shmangur nga plumbi  që i përbiroi nën sqetull dhe ishte plagosur vetë.

Hamdiu dhe familja e tij Lëvizjen për çlirim kombëtar e ndihmonin edhe me forma të tjera, duke i kryer të gjitha obligimet materiale që kërkoheshin në atë kohë nga mërgimtarët. Duke punuar si përkthyes pati mundësi t’u dilte në ndihmë shumë të rinjve shqiptarë që për shkak të rrethanave politike e ekonomike detyroheshin të kërkonin strehim jashtë vendlindjes.

 

Drejt fronteve të luftës çlirimtare

 

Mirëpo, të gjitha këto nuk i mjaftonin trimit zemërzhuritur për trojet tona të robëruara. Plasja e luftës në Kosovë hapi plagë të reja në shpirtin e tij të paqetësuar. Që kur UÇK-ja doli hapur në Kosovë ai kishte zënë të ushtronte artin luftarak, me qëllim që një ditë të kthehej në frontet e luftës çlirimtare.

Dhe, momenti erdhi. Apeli i Shtabit të Përgjithsëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për mobilizim në luftë kundër barbarisë serbe, Hamdiun e gjeti të gatshëm. Më 27 mars 1999, bashkë me djalin e axhës, Qerim Sheremetin dhe me shumë bashkëluftëtarë nga Gjermania nisën për në Shqipëri. Në hotel “DRENICA” të Gani Kapitit pushojnë, ushqehen, regjistrohen, uniformohen dhe marrin drejt Alpeve të larta Shqiptare. Pasi, për dy javë rresht ushtrojnë nëpër qendrat stërvitore ushtarake, në Kalimash, dhe japin betimin e UÇK-së, hyjnë në Frontin e Koshares, që është ndër betejat më të përgjakshme për thyerjen e kufirit shqiptaro- shqiptar.

Hamdi Sheremeti shpejt u dallua si luftëtar i zoti i këmbësorisë në kuadër të Brigadës 138 “AGIM RAMADANI”.  Sukseset e tij shkëlqenin për çdo ditë. “Aty ku është Hamdiu nuk kam nevojë ta kthej kokën, seps përvoja dhe trimëria e tij gjithmonë do të ngadhnjejnë. Aty përherë është fitorja”. Kështu shprehej komandat Skënder Rexhahmetaj. Nisur nga kjo trimin e sistemojnë në Njësitin e Intervenimit dhe paskëtaj në Njësitin e Snajperistëve të Batalionit të Tretë. Snajperi i tij amerikan 12.5, të ciln ia kishte dhuruar vetë komandant Rrustem Berisha, u bë tmerr për armikun e pabesë.

 

Dita kobtare

 

Dhe, ditët rridhnin lumë. Gurët e kufirit të mallkuar shkrinin një nga një nga gjaku i njomë i trimave tanë. Hamdiu me shokë po çanin përpara. Ata trima të zgjedhur po ecnin drejt vdekjes pa ia pasur fare frikën.

Agoi edhe dita e 24 majit 1999. Lulëkuqet kishin  çelur nën dëborë. Ato paralajmëronin pranverën e vërtetë. Hamdiu me një vullnetar gjerman kishte vajtur në pikën e vrojtimit të Njësitit të Komandant “Sheqerit” (Hysen Berishës), duke depërtuar thellë në pozicionet e armikut dhe asnjë plumb nuk u shkonte huq. Kënga e snajperit të tij përzihej me këngën e bilbilit mbi Shkëlzen. Armiqtë ishin strukur si minjtë brenda në tanksa e autoblinda. Topat e tyre villnin zjarr papushuar. Një granatë e mallkuar godti edhe gjoksin e hapur të snajperistit syptarembur. Gjaku i tij i valë ujiti shkrepat e thepisur. Snajperi i tij pushoi këngën.

Dhe,  edhe njëherë nga ato maja shikoi përpara, andej ku po agonte ditë e bardhë, e, para se t’i mbyllte sytë përgjithmonë pëshpëriti: “Thuajeni nënës mos të qaj për mua, por lë ta gëzojë lirinë...” Është interesant të ceket se në ato çaste  dramatike ka qënë duke incizuar drejtpërdrejtë reporteri Milaim Zeka.

Të nesërmen, më 25 maj 1999, trupi i tij u varros me nderime të larat ushtarake në Varrezat e Dëshmorëve në Koshare.

 

Djalë si Hamdiun nuk bën më nëna!

 

Për çudi, edhe lufta i ka befasitë e veta. Në Betejen e Koshares ngjau një koinçidencë: Nga i njëjti fshat (Ashlani) e nga e njëjta lagje (Sheremeti) ishin dy luftëtarë me emër e mbiemër të njëjtë (Hamdi Sheremeti) e që nuk njiheshim mes veti. Që të dy, kur kanë marrë përshëndetje përmes shokëve, kanë reaguar ashpër, duke i marrë si tallje qesëndisëse. Edhe lajmërimi për rënien e dëshmorit i ka shqetësuar njësoj të dy familjet.

Hamdi Kajtaz Sheremeti, luftëtar i cili, që në grupet e para kishte shkuar në Shqipëri për armatim, i plagosur në ofensivën e 22 shtatorit 1998 në Ashlan, të Gurët e Bardhë, me copën e granatës në këmbën e majtë, vajti në Gjermani dhe pasi u shërua, edhe pse ato ditë i dolën letrat e qëndrimit, u kthye aty ku e thërrsite zëri i atdheut, në front dhe, sot, kur e përkujtojmë kushëririn dhe bashkëluftëtarin e tij rrëfen:

Djalë si Hamdi Brahim Sheremetin nuk bën më nëna. Me të jam njoftuar në Koshare, në kazermë. Kur më tha një shok të ka përshëndetur Hamdi Sheremeti, reagova keq dhe e mora si një tallje. Edhe ai kishte reaguar njësoj, mirëpo shpejt u vërtetua se ajo ishte e vërtetë. Ai kishte lindur në Gjermani dhe nuk njiheshim më parë. Ishte trim i pashoq dhe nuk dinte çka është frika. Roli i tij ishte i vështirë, ai ishte diversant dhe u paraprinte aksioneve tona luftarake. Ditën kur u vra, unë isha në pozicionet e Rrasës së Zogut me eprorin tim, Esat Krasniqin (Komandant“MJEKRRA”). Atë natë kufomën e tij e kam ruajtur deri të nesërmen kur e kemi varrosur me ceremoni fetare e me nderime ushtarake. Edhe pas luftës jam ndër të parët që e kam vizituar varrin e tij dhe kam vënë lule të freskëta në nderim të dëshmorit...”

 

Ndërkaq, bashkëluftëtari tjetër i tij, djali i axhës, Qerim Sheremeti, me të cilin ka jetuar dhe vepruar më shumë, ka kujtime të shumta për të, por kësaj radhe po i shkëpusim këto:

Unë e Hamdiu jemi ndër të parët që u nisëm për Shqipëri. Kur zbritëm në Durrës, një natë qëndruam në Qendrën e rekrutimit në hotel “DRENICA”. Aty i plotësuam formularët, darkuam, fjetëm, pushuam dhe pasi  veshëm uniformën e UÇK-së vazhduam drejt kufirit. Në Kalimash gjetëm komandant Hilmi Kodrën ku ushtruam dhe u stërvitëm plot dy javë. Kur jemi nisur për front, shkonim si në dasmë, duke kënduar. Tetë ditë kemi qëndruar në vendin Shkoza pa futur trohë buke në gojë. Hamdiu ishte trim dhe strateg i mirë. Ishte shumë i përgatitur dhe bashkë me gjermanin lëviznin përgjatë gjithë vijës së frontit.  Snajperët dhe minat e tyre i shkaktonin armikut humbje të mëdha. Rënia e tij në fushën e nderit qe një humbje e madhe gjithë luftëtarët e lirisë...” 

 

Nderimi dhe respektimi

 

Pas çlirimit dëshmori Hamdi Sheremeti mori shumë Mirënjohje e Dekorata, nga të cilat veçojmë: Dekoratë nga Brigada 138 “Agim Ramadani”, nga  Zona Operative e Dukagjinit, nga Qeveria e Përkohshme e Kosovës- Ministria e Mbrojtjes, nga Shoqata e familjeve të Dëshmorëve etj. Paskëtaj një rrugë në Mitrovicë mban emrin “Hamdi Sheremeti”.

Heroizmi dhe trimëria e Hamdiu ka frymëzuar edhe penat krijuese. Kështu Mevlude Shkreli ia ka kushtuar një vjershë nga e cila shkëpusim këto vargje:

 

Amanet po ua la

Nënë e motra mos me qa

Mos me qa motrat e mia

Shumë e shtrenjtë qenka Liria!

 

Hamdiun e pata djalë më të mirin. Me të isha e lidhur fort dhe kur u ktheva në Kosovë me tha: Mos më lërë pa nënë! Kjo kur më kujtohet ligështohem. Edhe kur ia pata gjetur një vajzë të bukur për nuse, me refuzoi, duke më thënë se nuk martohem pa u çlirua Kosova! Por, jo, të gjithë ata që u vranë për këtë ditë ishin djem të nënave, andaj edhe unë bëhem e fortë...Veçse unë e pata më lehtë, sepse me kohë e dija orientimin e djalit dhe kurrë nuk e pengova. Gjaku i tij i qoftë falë lirisë së Kosovës!”- përfundon nënë Sanija, duke na përcjellur sipas zakonit deri tek dera e oborrit.

Tek kthehesha në shtëpi me vete meditoja:

- Vallë, a kemi bërë sa duhet për ata që dhanë jetën për LIRI?!!!

Sigurisht, jo! Ata meritojnë më shumë. Të 114 varret në Koshare, edhe pas 11 vjetësh, presin e presin dorën e përkujdesjes. Ashtu presin edhe Varrezat e Dëshmorëve në Polac të Drenicës. Ashtu presin e presin edhe gjetkë...

Një shenjë jo e mirë për fatin e ardhmërisë sonë, sepse nuk thuhet kot: Kush nderon historinë, krijon ardhmërinë!



(Vota: 15 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora