E enjte, 28.03.2024, 12:54 PM (GMT)

Përjetësi » Kripa

Reshat Kripa: Letër ambasadorit amerikan

E enjte, 27.05.2010, 08:59 PM


Letër ambasadorit amerikan

 

            Para disa ditësh parlamenti shqiptar hodhi poshë kandidaturën e zotit Vangjel Kosta për në Gjykatën e Lartë, propozuar nga Presidenti i Republikës. Lidhur me këtë, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zoti John Withers, lëshoi një deklaratë ku citonte se ky ishte një veprim politik.

            U habitëm jashtë mase për një deklaratë të tillë. Në një kohë kur në Washington është ngritur një përmendore për viktimat e komunizmit, një deklaratë e tillë ne, viktimave të asaj diktature, na la një përshtypje të hidhur. Këtë e them se gjithmonë kemi patur besim se Shtetet e bashkuara të Amerikës do të jenë përkrah nesh në luftën kundër mbeturinave të komunizmit, pasi ishte politika amerikane ajo që i dha fund sundimit të kësaj diktature të egër, se ishte pikërisht ky synimi ynë gjatë gati pesedhjetë vjetëve robëri komnuiste.

            Në këto kushte e ndiem veten mjaft të fyer. Na u duk sikur përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës harroi të vrarët tanë për liri dhe demokraci, harroi të burgosurit dhe të internuarit tanë që u ngritën burrërisht kundër totalitarizmit, duke patur besimin e plotë në përkrahjen që do i jepnin Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

            Nisur nga të gjitha këto, Kryesia e Shoqatës Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë Demokratë të Tiranës më ngarkoi të shkruaj një letër për ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zotin John Withers. Këtë e letër e nisa më datën 25 maj 2010. Jemi në pritje të përgjigjes së tij. Është e drejta e tij nëse do të denjoj të kthejë përgjigje.

            Më lejoni të paraqes letrën drejtuar ambasadorit:

 

            I nderuar zoti ambasador!

 

            Ju drejtohem në emër të Shoqatës Antikomuniste të Përndjekurve Politikë Demokratë të Tiranës për disa probleme të politikës shqiptare që kanë dalë në skenë kohët e fundit.

            Në këto çaste të vështira që po kalon vendi ynë, ne konstatojmë se shtresa e jonë, shtresa e ish të përndjekurve politikë nga rregjimi komunist, ka mbetur jashtë vëmendjes së politikës shqiptare. Ju informojmë se shoqata e jonë është përfaqësuesja e 6.023 të pushkatuarve me dhe pa gjyq, 1.065 të vdekurve nëpër burgjet e tmerrshme të diktaturës, 17.300 të burgosurve politikë, 260 të sëmurëve mendorë si pasojë e terrorit, 22.000 familjeve të internuara për motive politike dhe 9.000 të vdekurve nëpër kampet e internimit.

Si e tillë  ajo, që në ditët e para të themelimit të saj, i ka vënë vetes si detyrë përfshirjen e kësaj shtrese në jetën politike, ekonomike dhe shoqërore të vendit tonë. Por për këtë ka hasur në pengesa të pallogaritëshme.

Në radhë të parë pengesat kanë ardhur nga përfaqësuesit e Partisë Socialiste. Këtë ata e kanë treguar në shumë raste që, në rast se nuk ju bezdis, më lejoni t’ju a radhis. Në miratimin e Rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë në mbështetje të Rezolutës  Nr. 1481 (2006) të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës dhe  në miratimin e Ligjit Nr 9831 datë 12.11.2007 “Për dëmshpërblimi, e ish të dënuarve politikë të rregjimit komunist” si dhe në Ligjin Nr. 10111 datë 12.11.2007 Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin Nr. 9831 datë 12.11.2007 “Për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë të regjimit komunist”, deputetët socialistë braktisën sallën e parlamentit duke u treguar haptazi kundër rehabilitimit të plotë të kësaj shtrese.

Por,   me   keqardhje,   ne  konstatojme  se  edhe  nga  krahu  i  djathtë  i  politikës

shqiptare shpesh herë kanë ndodhur fenomene aspak të pranueshme prej nesh. Kështu mund të përmendim dekorimin nga ana e Presidentit të Republikës, zotit Bamir Topi, të disa prej figurave përgjegjëse të terrorit komunist në vendin tonë. Këtu përmendim dekorimin e ish prokurorit të rregjimit komunist Skënder Breca që çoi në ekzekutim tre intelektualë shqiptare, Xhelal Koprenckën, Fadil Kokomanin dhe Vangjel Lezhon. Po ashtu dekorimin e Njazi Jahos dhe Fatmira Laskajt që ishin shkaktarët e pushkatimit të Tom Ndojës dhe Sokol Sokolit në të ashtuquaturën revoltë të kampit të Qafës së Barit në vitin 1984. Nuk e dimë nëse kjo është vepër e zotit President apo e këshilltarëve të tij, sidoqoftë është një vepër e dënueshme, sidomos tani kur Këshilli i Europës dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkojnë dënimin e krimeve të regjimit komunist. Të gjitha këto veprime na lenë një shije të hidhur në ndërgjegjen tonë.

Lidhur sa thamë më lart, nuk na erdhi aspak mirë kur dëgjuam prononcimin tuaj se gjoja hedhja poshtë e kandidaturës së zotit  Vangjel Kosta për në Gjykatën Kushtetuese nga ana e Kuvendit të Shqipërisë qenka politike. Nuk e dimë ku jeni mbështetur që e bëtë një deklaratë të tillë, por ne nuk duam që një kandidaturë si ajo e Fehmi Avdiut që ishte përgjegjësi kryesor në varjen në litar të poetit Havzi Nela në vitin 1988, të zëvëndësohej me një tjetër ish pjesmarrës në gjyqet politike. Ne jemi për hapjen e të gjitha dosjeve të regjimit komunist, pa asnjë përjashtim. Jemi për një pastrim rrënjësor të administratës publike nga mbeturinat e ish regjimit komunist.

Pikërisht për këto parime kemi luftuar në kohën e diktaturës. Pikërisht këto parime kërkojmë të mbrohen edhe sot. Gjthmonë kemi patur besim te Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për ne ajo ka qenë simbol i lirisë dhe demokracisë.

Personalisht jam dënuar qysh në moshën fëminore për motive politike. Isha vetëm 15 vjeç kur u detyrova të provoja prangat e rënda të burgut komunist. Megjithatë gjithmonë kam patur besimin se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të ishin gjithmonë pranë shtresës së të përndjekurve politikë dhe për këtë isha i detyruar të duroja torturat e sigurimsave të zinj. Këto janë mendimet e mia dhe të shtresës që unë përfaqësoj. Në rast se e shifni të arsyeshme jam i gatshëm  të bisedojmë për të gjitha temat e ngritura më lart. Mbetem me besim në personin tuaj dhe institucionin që përfaqësoni. Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kemi ndjerë gjithmonë pranë çështjes tonë dhe këtë besim vazhdojmë ta ruajmë.

 

Me respekt!

Reshat Kripa

Kryetar i Shoqatës Antikomuniste të Përndjekurve Politikë Demokratë të Tiranës



(Vota: 16 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora