E enjte, 25.04.2024, 06:44 PM (GMT+1)

Editorial

Arbën Xhaferi: Lufta e papërfunduar

E merkure, 26.05.2010, 09:58 PM


Lufta e papërfunduar

 

Nga Arbën Xhaferi

 

Në politikë, percepcionet, qofshin ato edhe të gabuara, kanë po aq rëndësi sa edhe të vërtetat, në mos edhe më shumë. Mjeshtëria që formon ose e deformon vetëdijen quhet propagandë. Sa më të zhvilluara janë shtetet aq më shumë shërbehen me propagandë, në varësi nga qëllimet.

 

Me përhapjen e demokracisë në shoqëritë e sapoçliruara nga diktatura e koncepteve moniste, në mënyrë dramatike filluan të shfaqen probleme, sidomos në segmentin e së drejtës që garanton lirinë e fjalës, pra edhe të kritikës.

 

Vlerësimi kritik mori përmasa tmerruese ngaqë, në periudhën e kaluar kjo e drejtë nuk ekzistonte për se (vetvetiu), por buronte nga urdhrat e prerë, nga diktati i autoriteteve, të eminencave gri që e drejtonin shtetin.

 

Dallimi ndërmjet kritikës së asaj kohe dhe kësaj të sotme është te liria. Në atë kohë s'kishte liri, por leje, në trajtë të urdhrit, ndërkaq sot kemi liri të pakufishme, madje edhe liri për shpifje monstruoze. Kjo e fundit shumëfishohet për shkak se interesat janë të tilla.

 

Orteku i kritikave sa vjen zgjerohet, i pushton të gjitha segmentet shoqërisë, duke rrënuar çdo autoritet, historik, kulturor, politik, kombëtar. Një popull që e humb besimin te të gjitha autoritetet, siç ndodhë me shqiptarët, e vë në dyshim qenien e vet, humb vetëbesimin, rezistencën ndaj asimilimit, kështu që përbuzja e vetvetes shoqërohet me adhurimin e tjetrit. Albanofobia manifestohet si grekofili, italofili, turkofili, sllavofili etj. Askush nuk di fundin e këtij procesi.

 

Vandalizmi modern, pa marrë parasysh prejardhjen e tij shfaqet si gjuhë e urrejtjes. Ky lloj i ligjërimit vendos kufij gjithnjë e më të ashpër ndërmjet dallimeve politike, fetare, etnike. Psikologjia e luftës së ftohtë, ndarjet e reja me perde të hekurta riciklohen në plane më të ulëta. Ideja e shoqërisë së hapur funksionon vetëm me botën e jashtme, ndërkaq në relacionet e brendshme shfaqen ndarjet e pakapërcyeshme.

 

Njerëzit, në vend që të merren me zgjidhjen e problemeve, merren me zgjedhjen e fjalëve që kanë efekt sa më rrënues për oponentin, pa marrë parasysh të vërtetën.

Shpeshherë më e vërtetë se vërteta bëhet gënjeshtra, fjalët që paketohen bukur, sipas rregullave të propagandës. Kur suspendohet morali, atëherë gjithçka bëhet e mundshme.

 

Në shoqëritë shqiptare bëhen shpenzime marramendëse për paketime të ofertave politike, saqë këto absurde as që nuk vërehen, ashtu si bie fjala angazhimi i regjisorëve në fushata elektorale!?

 

Si duket edhe politika, ashtu si religjioni më parë, paska zbuluar potencialin tërheqës, të pazëvendësueshëm të teatrit. Por, marketingu nuk është vetvetiu dukuri negative apo pozitive. Duhet bërë dallim ndërmjet instrumentit dhe mesazhit, përmbajtjes së tij.

Aktualisht, në shoqëritë shqiptare kemi të bëjmë me fenomenin introvert të propagandës, të auto-marketingut, përkatësisht me propagandën brenda llojit.

 

Pluralizmin politik shqiptarët e kuptojnë si standard që lejon, parapëlqen konfrontimet e brendshme, ku qartazi çdo gjë vlerësohet sipas efektit elektoral. Meqë jetojmë në një botë, kohë të ndërveprimit të kulturave kombëtare, duhet konstatuar se shqiptarëve u mungon kryesorja: propaganda kombëtare në planin ndërkombëtar.

 

Mungesa e propagandës kombëtare tashmë është bërë e rrezikshme, për shkak se fqinjët tanë, vazhdimisht, me pretekst apo pa të, e intensifikojnë propagandën antishqiptare. Këtë nuk e bëjnë partitë politike, por aparati shtetëror, përkatësisht ekipet profesionale që në mënyrë sistematike nxinë imazhin e shqiptarëve. Skema e tyre tashmë është e qartë.

 

Shqiptarët duhet të paraqiten si antieuropian, anti të krishterëve, racë e huaj, fundamentalistë të rrezikshëm për të sotmen dhe të ardhmen e UE-së, të paftë për ndërtim të shtetit, kriminelë, kontrabandistë, tregtarë armësh, qeniesh njerëzore etj. Me gjasë kjo skemë propaganduese ka bërë efekt edhe te z. Peter Fajt, përfaqësuesi i UE në Kosovë.

 

Në fjalimin e tij mbajtur këto ditë në IIEA, (Instituti për punë ndërkombëtare dhe europiane), Irlandë, ai mes tjerash me dashamirësi sugjeron: "...në Kosovë duhet ndërtuar një identitet solid europian që do të jetë në gjendje ta përqafojë ardhmërinë europiane të Kosovës".

 

Në historinë politike shqiptare nuk ekziston, të paktën një broshurë propagandistike drejtuar kundër popujve të tjerë.

 

Në vitet e '80-ta propaganda serbe merrej me fajësimin e shqiptarëve për shpërnguljen e serbëve nga Kosova Pra, në fazën e parë, në kulmin e propagandës agresive antishqiptare, ata arritën jo vetëm t' i fajësojnë shqiptarët për dhunë të mistifikuar, por edhe ta paraqesin veten si viktimë të një populli "të padenjë".

 

Ky ndryshim i perceptimeve u arrit përmes një agjitimi të egër që vazhdon sot e gjithë ditën. Pastaj u zhvilluan fazat e tjera që synonin dënimin "e agresorit", ndryshimin e statusit të tij juridik në sistem, pastrimin etnik të territorit të tyre "të shenjtë" nga elementi i "huaj". Propaganda serbe fitoi betejën në planin e brendshëm, por e humbi luftën në planin ndërkombëtar.

 

Ekspertët serbë bënë dy gabime të pafalshme:

- nuk morën parasysh kapacitet e përgjithshme, veçmas propaganduese, të faktorëve perëndimorë dhe

- projektin e tyre nacional e kishin hartuar për sisteme moniste, ndërkohë që në skenën historike triumfalisht u shfaq pluralizmi.

 

Koncepti serb i propagandës, i tipit "Lala Kros vetë shkruan vetë vulos" u ngatërrua në valët e pluralizmit. Të shkumuar nga dështimi, tërë inatin e shkarkuan mbi Vatikanin ("Shtetit satanik", siç e quanin), Gjermaninë e bashkuar ("Rajhun III"), UE-në, SHBA-në, kolonën e pestë, sllovenët, kroatët, shqiptarët si dhe serbët antiserbë (mondialistët, kozmopolitët, ateistët, butakët, të shiturit...).

 

Duhet pranuar se serbët dinë rëndësinë e propagandës, prandaj ata edhe sot e kësaj dite shpenzojnë mjete të konsiderueshme për njollosje të shqiptarëve në të gjitha planet. Se sa depërtues janë ata dëshmon edhe filmi dokumentar i RAI 3, i një autori italian, Rikardo Iakone, "La guerra infinita" ("Lufta e papërfunduar").

 

Në këtë dokumentar që këto ditë u shfaq në mediumet serbe, në mënyrë të përsosur janë plasuar gënjeshtrat, akuza të paargumentuara, metoda se si ata, përmes propagandës e afirmojnë të "vërtetën" e tyre. Filmi hapet me ushtimën e bombardimeve të NATO-s kundër caqeve ushtarake serbo-malazeze që ishin në funksion të realizimit të idesë për çrrënjosje sistematike të elementit shqiptar nga Kosova.

 

Në vazhdim jepen tablo të tmerrshme të pasojave të shkaktuara nga bombardimet: njerëz të vrarë, gjëma e grave serbe që i vajtojnë të vdekurit, mallkimet ndaj NATO-s, pastaj objekte të rrënuara dhe shifra "precize" të dëmeve: 82 ura, 121 fabrika, 13 aeroporte, 14 termoelektrana, 20 stacione hekurudhore etj. ose mbi 100 miliardë dollarë dëme të shkaktuara ekonomisë serbe dhe 5oo civilë të vrarë.

 

Pas kësaj sekuence autori parashtron pyetjen: Pse e gjithë kjo? Përgjigjen e shkëput nga një fjalim të presidentit të atëhershëm amerikan, Bill Klinton: "Ne jemi në Kosovë me qëllim që paqja dhe humanizmi të sundojë mbi Kosovën".

 

Për ta përgënjeshtruar këtë pohim të presidentit amerikan, autori, duke ndjekur qëllimin e tij për ta "demaskuar" intervenimin e NATO-s paraqet situatën në Kosovë pas nëntë vitesh.

 

Kjo pjesë e rrëfimit hapet me informatën për vrasjen e një serbi të ri 17-vjeçar, Dimitar Popoviq, nga një shqiptar i cili e paska qëlluar në fytyrë. Këtë sekuencë, autori albanofob, ose gazetari i korruptuar e përfundon me porosinë "duke bërë sehir NATO-ja, shqiptarët bëjnë krime të llahtarshme".

 

Në vazhdim në ekran dalin fotografitë e djaloshit që shoqërohet me ofshamën prekëse të nënës së tij: "Medet, çfarë buzëqeshje kishte". Rrëfimi vazhdon me një deklaratë të një serbi tjetër, i cili porosit: si të kthehemi në Kosovë kur atje në pushtet janë terroristët, vrasësit etj.

 

Vrasja e një vajze të re, Mirjanës, po ashtu në mënyrë se si është paraqitur i pushton ndjenjat e njeriut. Ajo e bukur, e pafajshme vdes me të hyrë në Kosovë nga shpërthimi i një mine që aktivizohet nga distanca, natyrisht nga një shqiptar.

 

Kamera e këtij gazetari profesionist që qartazi nuk ka dilema morale, paraqet dhomën e fatkeqes, që, sipas deklaratës së nënës së saj, nuk ka ndryshuar prej çastit të vdekjes së saj. Pyetja që shtrohet ka porosi politike: Pse erdhët në Kosovë? Dokumentari vazhdon me të dhëna të sajuara statistikore: nga Kosova paskan ikur 221500 serbë.

 

Hapësirë të veçantë autori natyrshëm ua kushton ngjarjeve të vitit 2004, sidomos veprimeve vandaliste të shqiptarëve, kalljes së kishave të shekullit të "XIV-të" dhe asnjë fjalë për shkakun.

 

Pas këtyre tablove të trishta që i paraqesin serbët si viktima, pas konstatimit se NATO-ja gabimisht ka intervenuar dhe nuk ka arritur që ta ruajë paqen dhe humanizmin, autori profesionist për propaganda të kësaj natyre kalon në temën e dytë: Kë e paska mbrojtur NATO-ja?

 

Përgjigja del e logjikshme: një popull të paorganizuar politikisht që s'ka kulturë të shtetndërtimit, që merret me tregti të drogës, të armëve, të qenieve njerëzore, me kërcënime, të pushtuar nga ide fundamentaliste fetare etj.

 

Pastaj gazetari italian, ngjashëm me kolegët e tij serbë, paraqet piramidën politiko-ushtarake të Kosovës, duke i përkufizuar si strukturë mafioze që vrasin çdo kënd që nuk pajtohet me ta dhe askush nuk guxon të dëshmojë. Kosova sipas tij qenka e pushtuar nga një strukturë mafioze që zbaton metodën e omertës, që shqip mund të përkthehet si mbyllje e gojës, frikë nga dëshmia.

 

Për ta përforcuar këtë krahasim me fenomenet që shfaqen në shoqërinë italiane autori e interviston autorin e një libri, "La torre di crani" të Antonio Evangelistit, i cili kishte qëndruar katër vjet në Kosovë si shef i ekipit antiterrorist.

 

Ai pohon çdo konstatim që është në interes të mesazhit propagandistik të autorit. Shqiptarët merren me politikë si mafiozë që likuidojnë ata që nuk i nënshtrohen sundimit të tyre, kryesisht pjesëtarë të një formacioni konkurrues ushtarak, të FARK-ut ose gazetarë dhe policë të ndershëm, ndonëse, në kohën kur është xhiruar dokumentari, as UÇK-ja as FARK-u nuk ekzistonin më.

 

Në fund, ky film tendencioz propagandist i autorit Rikardo Iakone i RAI 3, përmbyllet me një sekuencë e xhiruar në Maqedoni, ku paskan lëshuar rrënjë pjesëtarë të formacioneve të ndryshme paramilitare të veshur me rroba ushtarake, me mjekra karakteristike, që i dallojnë ata si pjesëtarë të formacioneve ushtarake të proveniencës islamiste. Filmi përfundon me klithma në gjuhën arabe.

 

Autori i këtij dokumentari, në intervistën që kishte dhënë mediumeve serbe, këto "të vërteta" i shpalli si zbulim të tij, ndonëse skenarët e këtillë qarkullojnë gati një shekull.

Titulli i këtij dokumentari propagandistik "Lufta e papërfunduar" përputhet tërësisht me politikën, me deklaratat e gjeneratës më të re të politikanëve serbë.

 

Edhe ata thonë se procesi ende s'ka përfunduar, se kurrë nuk do ta pranuakan pavarësinë e Kosovës, grabitjen e një pjese të territorit të tyre, NATO shtetin... që do të thotë se lufta do të vazhdojë dhe se ata gjithsesi do të kthehen në Kosovën e tyre.

 

Për këtë qëllim, ata ende shpenzojnë një shumë të konsiderueshme të hollash për qëllime propagandistike lidhur me përkatësinë e Kosovës dhe jo vetëm kaq. Ata në këtë mënyrë e korrigjojnë imazhin e tyre negativ dhe bartin fajësinë te të tjerët.

 

A kemi ne propagandën tonë kombëtare të kësaj natyre, a mërzitemi nga kanosjet serbe, nga përkeqësimi i imazhit tonë, nga zgjatja e procedurës për inkuadrim në UE? Gjithsesi jo. Indiferenca jonë me këtë rast është shenjë e dobësisë alarmante.

 



(Vota: 12 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora