E merkure, 21.04.2021, 09:06 PM (GMT+1)

Mendime

Engjëll Koliqi: Letër banorëve të shekullit tim

E shtune, 24.11.2007, 04:44 PM


LETËR BANORËVE TË SHEKULLIT TIM:

MOS KINI FRIKË – BOTA DO TË NDYSHOJË!

Shkruan: Engjëll Koliqi

Engjëll Koliqi
Lecco, korrik – nëntor 2007. – Shumë të dashur fëmijë – vashëza e djelmosha! Shumë të dashur të rinj – vajza e djem! Të dashura zonja e të dashur zotërinj – të zinj e të bardhë, të kuq e të verdhë! Të dashur njerëz të të gjitha kontinenteve, të të gjithë botës! Shumë të dashura motra e të shumëdashur vëllezër!
Nuk jam një person i rëndësishëm, nuk jam një lider kombëtar, politik, fetar… nuk jam një person me pasuri materiale, nuk jam një pretendues i froneve mbretërore, as i kolltuqeve qeveritare, nuk bëj pjesë në masoneri, nuk jam ndojfarë drejtuesi politik, nuk  njoh klanet, nuk i njoh mafitë… Jam një njeri i thjeshtë, një njeri si të gjithë të tjerët, i lindur dhe i rritur në varfëri materiale, por gjithnjë i edukuar dhe i pasur me vlera shpirtërore. Jam një person me një pasuri shpirtërore, plot me dashuri njerëzore, gjithnjë i gatshëm të reagoj, të lëviz, të bëj... gjithnnjë i gatshëm në shërbim të njerëzve, për drejtësi, për të drejta, për paqe dhe harmoni mes njerëzve, gjithnjë i gatshëm të bërtas, të bëj diçka dhe gjithnjë i gatshëm të gjithë njerëzve t’u dhuroj dashuri...!
Këtë letër timen ua kushtoj të gjithë juve, të gjithë njerëzve. Nuk kam një zgjedhje speciale, por u shkruaj të gjithëve, në mbarë universin. Titullin kësaj letre ia kam dhënë duke cituar shenjtin tim të dashur dhe të preferuar - Papën Gjon Pali II (Karol Wojtyla), i cili në papatin e tij të 26 vjetëve e gjysmë, ka pasur si moto dhe si formulë kryesore: mos kini frikë – bota do të ndryshojë! Edhe unë, të gjithëve ju them: mos kini frikë! Të vëhemi të gjithë bashkë në lëvizje, këtë botë ta ndryshojmë – jo me luftëra, nuk e ndryshojmë me gjak, por vetëm duke dhuruar vlera njerëzore dhe rreze të dashurisë! Rreze dashurie kemi të gjithë. T’i japim secili prej nesh një tufë rreze të dashurisë botës dhe ju garantoj – do të ndryshojë shpejt, do të ndryshojë në dobinë tonë...
Shumë të dashura motra dhe të shumëdashur vëllezër, të mos kemi frikë! Të gjithë të flasim dhe të vëhemi në aksion! Me të vërtetë, bota jonë duhet ndryshuar. Të gjithë kemi nevojë për ndryshime! Por, ndryshimet ndodhin, vetëm nëse ne me të vërtetë i duam, vetëm nëse ne me të vërtetë vëhemi në aksion dhe veprojmë, vetëm nëse botës sonë i dhurojmë të gjitha vlerat e bukura të shpirtit tonë! Atëherë, të mos presim më! Të lëvizim menjëherë dhe të gjithë të vëhemi në aksion! Hap pas hapi dhe ia dalim krejtësisht.

Të ngritemi të gjithë e të bërtasim fuqishëm dhe vendosmërisht:
• Industrialistëve – mjaft më me prodhimin e armëve dhe të makinerisë së luftës!
• Diktatorëve – ndaloni dhe mjaft më me tirani mbi njerëzit e thjeshtë dhe të pafajshëm!
• Pushtuesve dhe kolonizatorëve – shporruni nga tokat e të tjerëve dhe lërini popujt dhe njerëzit të jetojnë në paqe, në tokat e tyre!
• Të gjithë liderëve të shteteve dhe të qeverive – mjaft më me urdhëra luftërash!
• Të gjithë gjeneralëve, eprorëve dhe ushtarakëve – mjaft më me avansime dhe me zbatime të urdhërave që shpiejnë në luftëra, në vrasje, në shkatërrime...!
• Kapitalistëve të pasur – mendoni pak edhe për të varfërit dhe duke pakësuar pak luksin tuaj, u jepni të hanë atyre që nuk kanë!

Thjeshtë e fuqishëm të bërtasim: Mjaft luftëra, mjaft vrasje, mjaft shkatërrime...! Nuk duam më të rrjedh gjak njeriu! Bota duhet të rritet në paqe, në harmoni dhe me dashuri! Në këto kushte, edhe ju liderë të shteteve dhe të kombeve do të jeni më të qetë, më të fortë dhe më të sigurtë në pozitat tuaja. Atëherë, na dëgjoni dhe ndalojini të gjitha luftërat!
Duke bërtitur, ju themi njëherë e përgjithmonë: mjaft urrejtjes, mjaft të këqijave, mjaft xhelozive, mjaft intereseve të ndyta...! Duam të rritemi të lirë, në paqe e në harmoni! Atëherë, të mos kemi frikë dhe të bërtasim të gjithë, gjithnjë e më fuqishëm! Kori ynë, me britmat kundër urrejtjes dhe kundër të këqijave e qenieve të panjerëzishme, praktikisht do të bëj muzikën më të bukur të shekullit, një muzikë të dashur në mbarë gjithësinë, një muzikë që përfundimisht ndryshon botën, një muzikë që përfundimishrt sjell në zemrat njerëzore – paqe e harmoni, solidaritet dhe dashuri! Atëherë, të mos ndalemi me muzikën tonë! Gjithnjë e më shumë dhe më fuqishëm t’i këndojmë dashurisë njerëzore, paqes, harmonisë dhe vlerave civilizuese! Të mos kemi frikë! Të këndojmë e të bërtasim të gjithë së bashku, sepse kështu jemi më të fortë dhe do e ndryshojmë botën! Sigurisht, me britmat dhe lëvizjet e përbashkëta, bota do të ndryshojë! Mos kini frikë – bota do të ndryshojë dhe zemrat tona do t’i këndojnë gjithmonë lumturisë – në shekuj të shekujve, deri në amshim! Ashtu qoftë – Amen!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora