E premte, 29.03.2024, 02:17 PM (GMT)

Faleminderit

Skënder R. Hoxha: Azem Shkreli – Poet i mendimit të thellë dhe i universales

E hene, 24.05.2010, 08:59 PM


P Ë R V J E T O R  

 

(Më rastin e mbajtjes së takimeve letrare “Azem Shkreli”, më 24 maj 2010 në Pejë)

 

 POET I MENDIMIT TË THELLË

 DHE I UNIVERSALES

   

SHKRUAN PROF. SKËNDER R. HOXHA

   

1. Në vend të biografisë dhe veprës letrarte   

 

    Poeti dhe prozatori ynë i zellshëm Azem Shkreli u lind në Rugovë të Pejës më 1938. Në vendlindje kreu shkollimin fillor, ndërsa në Prishtinë vazhdoi shkollën e mesme, ku kishte kryer edhe Fakultetin Filozofik, degën e gjuhës dhe letërsisë shqipe. Për shumë vjet ka qenë kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, drejtor i Teatrit Krahinor dhe themelues e drejtor i Kosova Filmit. Vdekja e mori në pranverën e vitit 1997.

     Azem Shkreli ishte mjeshtër i poezisë, por ai shkroi edhe tregime, romane, drama. Ka botuar përmbledhjet me poezi: Bulzat, (Rilindja, Prishtinë, 1960); Engjujt e rrugëve, (Rilindja, Prishtinë, 1963); E di një fjalë prej guri, (Rilindja, Prishtinë, 1969); Lotët e maleve, (Naim Frashëri, Tiranë, 1974); Nga bibla e heshtjes, (Rilindja, Prishtinë, 1975); Vjersha, (Rilindja, Prishtinë, 1977); Pagëzimi i fjalës, (Rilindja, Prishtinë, 1981) ; Poezi, (Naim Frashëri, Tiranë,1984); Kënga e hutinit (Rilindja, Prishtinë, 1986); Nata e papagajve (Rilindja, Prishtinë, 1990); Lirikë me shi, (Lumi, Prishtinë, 1984); Zogj dhe gurë, botuar më 1997. Veprat në prozë: Karvani i bardhë, (Rilindja, Prishtinë, 1961); Sytë e Evës, (Rilindja, Prishtinë, 1965); Muri përfundi shqipeve (Bota shqiptare, Cyrih, 1993; Dramat: Fosilet, (Rilindja, Prishtinë, 1968); Varri i qyqes, (Rilindja, Prishtinë, 1983) e ndonjë vepër tjetër e botuar si e zgjedhur, si dhe përmbledhje poezish që iu përkthyen në disa gjuhë të huaja.

    Që në krijimet e para poetike të Azem Shkrelit u vërejt një talent i fuqishëm, që njëkohësisht shënonte kthesën e parë drejt hapjes dhe modernizimit të poezisë shqipe të Pasluftës. Duke e gdhendur talentin, Shkreli, nga vepra poetike në tjetrën, deri në atë të fundit, “Zogj dhe gurë”, që e la dorëshkrim, u ngjit natyrshëm në kulmet e poezisë së sotme shqiptare, duke qenë edhe si shkollë poetike për shumë krijues që bashkëjetuan me të dhe të tjerë që do të vijnë pas tij. Për këtë, edhe kritika nuk kurseu fjalë dhe epitete ndër më të mirat: Kritiku letrar dhe krujuesi Agim Vinca kishte vlerësuar Azem Shkrelin si “poet idesh dhe gjykimesh të thella”. Ali Aliu, e quajti “mjeshtër i vargut dhe i fjalës poetike”. Studiuesi Robert Elsie tha se “Azemi është poet i mendimit”. U tha se “Azem Shkreli zë vend në krye të poezisë aktuale shqiptare”. U tha edhe shumëçka tjetër… Por, ka edhe shumë të thuhet për këtë shkrimtar dhe për veprën e tij, sepse vepra e Azemit (në poezi e në prozë) është e një shtrirjeje të gjerë motivore e tematike.

    

     2. Lirika e vendlindjes

 

     Vëllimet e para me vjersha, si: “Bulzat” (1960), “Engjujt e rrugëve” (1963), “E di një fjalë prej guri” (1969), e ndonjë tjetër, janë anatomi poetike e portreteve të banorëve legjendarë të maleve, të thadruara me mjeshtëri poetike. Në to vërehet edhe gërshëtimi i përceptimit qytetar të sendeve e sjelljeve që kishte nisur t’i jepë kuptim të ri përvojës së jetës fshatare mes njerëzve të Malësisë së Rugovës me urtësinë dhe mënyrën e tyre tradicionale të jetës. Në këto vëllime poetike, ku lartësohet mendimi i thellë poetik dhe vargu suptil, i kursyer e racional azemian, ndonjë toponim e mikrotoponim i vendlindjes së tij, ndonjë fjalë a frazë e të folmës së krahinës së Rugovës, veçsa i jepin edhe më tepër shpirt e gjak kuptimësisë së ligjërimit poetik dhe frymëzimin e vendosin në djepin ku e ka amën. Kështu, vendlindja, natyra dhe jeriu i Rugovës së Dukagjinit, portreti shpirtëror i tij, do të jenë frymëzimi kryesor i pozisë së Azem Shkrelit të shtrira brenda viteve gjashtëdhjetë. Të këtij frymëzimi dhe realizimi duhet veçuar vjershat: “Dukagjinçe”, “Vdekja e Malësorit”, “Bregu i mollës”, “Lumi”, “Shkëmbi”, e ndonjë tjetër, të ciklit “Dukagjinçe”, ku  “bota e vendlindjes së poetit është e pranishme si botë e njerëzve, si besim dhe parim etik, si ashpërsi dhe krenari, si individualitet i papërsërithsëm me hapësirat e tjera, si filozofi jetësore, si raport ndaj lindjes, jetës, vdekjes, dashurisë, si raport ndaj dasmës dhe festës, ndaj punës dhe natyrës, ndaj zotit dhe, sidomos ndaj fjalës”. Janë këto krijimet letrare që shënojnë edhe kulmin artistik të poetit. Kemi vënë re se që në shkrimet e para të shkrelit, ishte paralajmëruar një individualitet i fuqishëm poetik, i cili do të begatohej, përsosej, fisnikërohej e artikulohej në vazhdimësi dhe sukseshëm.

  Kur të lexohen vëmendshëm poezitë e Azem Shkrelit, e që të imponohen edhe të rilexohen, të preokupon ndjenja se Azemi nuk e kërkonte frymëzimin por frymëzimi e preokuponte atë, nuk e ndiqte ai poezinë por poezia e ndiqte atë, dhe i shtrënguar nga këto rrethana Azemi shkroi vargun që dilte natyrshëm nga shpirti, shkroi vargun origjinal. Ndërsa vetë poeti do të thotë:

 

         “Ç’të bëj me ju

          Të egrat

          Të mlleftat bimë

          Që mbitë në kokën tim” (vj. “Vargje”)

 

    Pavarësisht se a përdor rimën apo jo, karakteristikë e strukturës vargëzuese të Azem Shkrelit është se mendimi, emocioni e rrethana të tjera, nuk i ngulfasin strukturat tërësore të vargut, strofës, frazës, por ato rrjedhin lirshëm dhe arrijnë, jo vetëm efektet estetike por edhe ritmin e përsosur të mendimit poetik. Në tipin e poezisë të cilën e shkroi Azemi, shquhen sensi estetik dhe kultura stilistike që vijnë si begati për poezinë shqipe përgjithësisht.

 

     3. Lirika me motive të ngjizura

 

     Lirika e Azem Shkrelit ka univerz motivor, por më të theksuara janë lirikat atdhetare, lirikat refleksive, lirikat e dashurisë e tj. Po të mëtonim të bënim një ndarje apo diferencim të prerë ndërmjet llojeve të kësaj lirike, në qasjen tonë do të dilte një punë paksa e zorshme, sepse ndjenja pësiatëse, refleksive është e pranishme edhe tek poezitë atdhetare, tek ato historike, intime, tek ato të vendlindjes etj, pra na del një lirikë me elemente motovore të ngjizura të cilat, herë – herë, bashkëjetojnë nga motivi në motiv.

    Kundruar në mënyrë diakronike, ndjenja e atdhedashurisë shtrihet gati në tërësinë e veprës poetike të Azem Shkrelit. Ajo dallohet thekshëm tek frymëzimet poetike të ngjizura nga drama kosovare dhe shqiptare, sidomos të viteve nëntëdhjetë. Ndaj, me të drejtë është thënë se “Azem Shkreli është një nga lirikët më modernë në llojin e poezisë patriotike.. Në këtë tematikë sidomos shquhen dy veprat e fundit të poetit “Lirikë me shi” dhe “Zogj dhe gurë”, ku do të duhej veçuar poezia e lënë në dorëshkrim “Këngë e turpshme”, e që lidhet me ngjarjet e pranverës shqiptare të vitit 1997. Të kësaj lirike kemi edhe vjersha të tjera që na i la Azemi.

    Në rrethin tematik të lirikave refleksive janë ato vjersha që lidhen me caste dëshpërimi dhe caste zhgënjimi poetik nga ligjshmëria e gjithësisë, nga njerëzit etj., siç ndodh tek vargjet e poezive “Ajo që s’e them”, “Pagëzim i fjalës”, “Kafshë e zezë”, “Këngë e vrugët” etj. Ndërkaq, tek poezia “Përshëndetje me miq”reflektohet një dëshpërim e zhgënjim i thellë i ditëve të fundit të poetit.

    Azemi shkroi edhe vargje në të cilat reflektohen besimi dhe shpresa për rregullimin e botës dhe të njerëzve, natyrisht edhe të shqiptarëve, si te “Motive të verdha”. Pastaj në lirikën e vet mendimtare, poeti portretizon kohën e fjalamanëve dhe të heshtakëve aktualë, bartësit e përhershëm të tyre etj., ku Azemi edhe arriti majat e artit poetik.           

  

   4. Proza e Azemit dhe Dyl Mehmeti 

  

    Ndërkaq, krijimtaria prozaike e Shkrelit: roman, tregime, drama, gjithashtu paraqet një kontribut të rëndësishëm të këtij zhanri të cilin e kishte begatuar me tema interesante, ku autori futej edhe sferave të thella të një historie jo të largët, të një historie të kohës së Luftës së Dytë Botërore e të pas saj. Duke rrëfyer historinë e Dyl Mehmetit, në romanin “Karvani i bardhë”, ai përdor rrëfimin e mirëfilltë klasik, me gjakim të zbardhjes së konfliktit tragjik të brendshëm të botës shqiptare. Në këtë kontekst, kryepersonazhi, Dyl Mehmeti, të thuash, edhe për lexuesin edhe për kritikën, ka qenë figurë e pakuptueshme dhe kontraverze deri në versionin e ri të botuar më 1996. Në të vërtetë Dyli edhe pse kishte marrë anë të gabuar, ishte i bindur për drejtësinë e veprimeve të veta. Mbi këtë bazë ai përballet me një dilemë morale dhe mban qëndrimin kundër ndryshimeve,  jo nga bindjet politike por i shtyrë nga uni i tij i ushqyer me qëndresën tradicionale.

    Rëndësia e madhe e romanit “Karvani i bardhë” të Azem Shkrelit qëndronte në rrethanat se në kohën kur u botua (viti 1961), kur ai ishte një gjimnazist i vonuar, letërsia shqiptare që kishte nisur të krijohej në Kosovë karakterizohej me një prozë të dobët dhe me pak poezi, kështu që romani i Azemit doli në ballë të vlerave letrare të kohës.

    Ndonëse, kur flitet apo shkruhet për Azemin, asnjëherë nuk mund të thuhet se kemi përfunduar, sepse vështirë se i kemi thënë të gjitha, por si përfundim të këtij shkrimi meriton të thuhet se “Azem Shkreli shënoi kthesën e parë më të rëndësishme në poezi, ku, krahas cilësisë e zgjeroi spektrin tematik, e subjektivizoi dhe intimizoi heroin lirik dhe çka është me rëndësi, ai solli një ndjesi të re, të mprehtë ndakj gjuhës, ndaj fjalës”. Nga ana tjetër, thyerjen e parë të madhe në letërsinë shqiptare, kosovare, Shkreli e bëri me romanin “Karvani i bardhë” si edhe me tregimet e përmbledhura në vëllimin “Sytë e Evës”, të cilat, në fondin e prozës sonë të shkurtër, zënë vend ndër më të realizuarat.



(Vota: 21 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora