E merkure, 30.09.2020, 11:56 PM (GMT+1)

Kulturë » Kinema

Në lëkurën e Eduardit

E premte, 23.11.2007, 09:16 PM


Shpreson që emocionet që njerëzit i shfaqën gjatë shfaqjes së filmit të jenë të sinqerta.
Shpreson që ‘Eduard’ të nominohet për Oscar. Për Express flet Eshref Durmishi, aktori
kryesor në filmin greko–gjerman ‘Eduard’, i regjisores greke, Angeliki Antoniou.

Nga Milot Hasimja
milot.hasimja@gazetaexpress.com

Kryeprotagonisti i ‘Eduard’, Eshref Durmishi. / Foto: Astrit Ibrahimi.

Prishtinë, 22 nëntor — E ka pranuar vrasjen e bërë dhe tashmë vuan dënimin me burg. Megjithëse, jeta e tij është vënë edhe në shirit filmik. Filmi mban emrin e tij, ‘Eduard’. Personazhi për të cilin bën fjalë filmi është shqiptari nga Shqipëria, i cili është duke vuajtur dënimin për vrasjen që e kishte bërë në Athinë. Edhe tregohet në film po kjo gjë. Personazhin e Eduardit në ekran të madh e sjelli një aktor kosovar, Eshref Durmishi. Filmi bën fjalë për një jetë shumë të vështirë dhe me plotë kthesa të një refugjati shqiptarë në Greqi, jeta e të cilit sjell emocione shumë prekëse edhe në familjen e tij në Shqipëri, por edhe në burgjet shqiptare, sidomos ato të para vitit 1997. Filmi ‘Eduard’ e ka pasur premierën edhe në Greqi, ku kritikat për të kanë qenë të mira, sidomos ato për lojën e aktorëve, përfshirë në këtë rreth edhe aktorin Durmishi, i cili luan rolin kryesor. Ndërkohë, ‘Eduard’ tashmë ka nisur edhe një garë, atë të nominimit për Oscar. Se do të ndodhë kjo gjë Durmishi është optimist, edhe pse për t’u kuptuar definitivisht duhet pritur mesi i janarit, kur në Los Angelos do të sqarohet e tëra. Reagimet që vijnë nga Prishtina pas shfaqjes së filmit në KinoStudio, ishin të mira, ndërkaq Durmishi shpreson që emocionet e përjetuara gjatë projeksionit të paktën të jenë të sinqerta. “Po deri më tani, në shumë festivale ku kemi udhëtuar reagimet ishin të mira. Mund të përmendi, për shembull, se në Festivalin e Selanikut, ku filmi e ka pasur premierën, njerëzit nga kinemaja dilnin duke qarë”, pohoi Durmishi. Ai tregoi se kur e kishte pranuar rolin, nga regjisorja e filmit kishte kërkuar, gjegjësisht shprehur dëshirën, që ta takonte Eduardin e vërtetë. Mirëpo, më vonë Durmishi kishte ndërruar mendje dhe e kishte krijuar Eduardin vetë, në kokën e tij. “E krijova Eduardin që unë e kam parë, andaj nuk kisha dëshirë më që ta takoja, sepse u frikësova se mos po më krijoheshin probleme. Është ndryshe kur e krijon një imazh për dikë dhe kur e sheh atë. I frikësohesha kësaj dhe dëshiroja që Eduardi të ishte ashtu siç unë e kam krijuar”, tha Durmishi. Durmishi pranon se ka qenë shumë e vështirë të jesh në lëkurën Eduardit të vërtetë, duke e ditur se nëpër çfarë peripecish kishte kaluar. “Gjatë një darke me regjisoren në Tiranë, ajo më tregoi disa gjëra për Eduardin. E di se kam qarë rreth një orë për E duardin e vërtetë. Prandaj, të hysh në lëkurën e tij s’ka qenë aspak e lehtë. Kjo, ngase Eduardi njëmend ka kaluar mes përmes ferrit”, tregon Durmishi. Ndërkohë, meqenëse filmi ‘Eduard’ po provon të nominohet për Oscar, Durmishi duket të jetë optimist se do t’ia dalë. “Nëse bazohemi në kritikat që kanë ardhur në drejtim të tij, atëherë kemi shanse edhe të mira që të nominohemi”, pohon ai. U rekomandon të gjithë atyre që në fillim kanë pasur skepticizëm për filmin, që të hapin zemrën dhe të mendojnë më gjerë, e jo vetëm shkurt dhe para syve. “Atyre njerëzve që kanë pasur skepticizëm do t’ju kisha thënë diçka shkurt. Te rrisin zemrën dhe kokën dhe mos të mbesin zemërngushtë, sepse do  keshtu gjithmonë do të mesin ashtu si janë”, përfundoi ai.

FAMU PËR ‘EDUARD’

"Jam i impresionuar nga shumë pjesë të filmit. Më vjen shumë mirë që këtu jam pranë aktorit kryesor, sepse aktrimi i tij ishte shumë i mirë. Për mua ishte shumë e rëndësishme që të shihja edhe një regjion të botës përmes këtij filmi. Ishte interesante për të parë një skenar të ardhur nga Çekia, përkatësisht nga shkolla FAMU", theksoi Pavel Jech, nga FAMU.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora