E premte, 29.03.2024, 11:38 AM (GMT)

Editorial

Sami Repishti & Tonin Mirakaj: Fjalë që lëndojnë - Fjalë që damtojnë

E enjte, 20.05.2010, 08:59 PM


FJALË  QË LËNDOJNË -  FJALË    DAMTOJNË

 

Fjalët e pavend me të cilat  Dom Anton Kqira akuzohet të ketë shqiptue (dhe ai nuk i ka mohue por pranue burrenisht, dhe kërkue falje botënisht) janë shprehje të daluna në momente dëshprimi, ashtu si bame edhe na: “Dreqi ta marrë!” “Këta janë horra, fundëria e populli shqiptar!“ e tjera, kur ndigjuem se të rij shqiptarë mobilizohen nga terroristë me vra ushtarë amerikanë, bash në kampin, ku para nji dekade u strehuen dhe, u ushqyen qindra refugjatë kosovarë të hjedhun jashtë votrave të tyne nga agresioni serb në Kosovë. Ose, kur 50 shqiptarë rekrutohen nga Al Kaida me luftue kundër Amerikës në Afganistan, kur organizatat bamirese të Arabisë Saudite mbjellin vner e urrejtje për Amerikën në mes të shqiptarëve, apo kur termeti shkatërron Haitin e interpretohet sikur ashtë nji dënim i Zotit për luftën kundër terrorizmit në Irak dhe Afganistan - siç shkruente gazeta “The Sunday Times” e Londonit, pak ditë ma parë.

 

Nga Sami Repishti & Tonin Mirakaj

 

Ridgefield, CT. - Kohët e fundit, mjetet e informimit shqiptar kanë botue thanje, deklarata, interpretime dhe gjykime që, për mendimin tonë, njollosin emnin e mirë të shoqenisë, dhe prestigjin e shtetit shqiptar.

 

Shprehje të nji momenti deshprimi ose deklarata të bame, ndoshta për qëllime te  llogarituna politike, kanë krijue nji konfuzion mendor në mesin e lexuesve shqiptarë. Kjo gjendje e padëshirueshme u randue shumë me keqinterpretimet, qoftë nga paaftësia, qoftë nga qëllimet e errta, të elementëve që, të mshehun mbas të ashtuquejtunave “parime” nuk hezitojnë me shpërthye, në formë e në dendësi të damshme, “në mbrojtje” të njenës apo tjetrës ideologji, me frymën e zemrimit ose të

hakmarrjes, e sidomos me qendrimin e patundun se “teza” e tyne ashtë teza e vetme e vërtetë.

 

Nji qendrim i këtill vetëkënaqsie, ose nji qendrim i këtill prej gjykatsi suprem ashtë në vetevete nji qendrim i gabuem. Askush nuk ka të drejtë të reklamojë të vertetën absolute, - si fashistët e komunistët - nji qendrim ky që i ka kushtue shumë popullit e vendit tonë të shumëvuejtun.

 

Na lejoni këtu të persërisim thanjen e nji akademiku amerikan, kur këshillonte studentët e tij në Universitetin Princeton, Neë Jersey. Ai thonte se, edhe kur të jeni plotësisht të bindun se keni të drejtë mbi nji subjekt diskutimi, mendoni për nji minutë, se ndoshta 1% mund të jeni gabim. Kjo pikë dyshimi në mendjen tuej nuk do të lejojë të baheni fanatik. Nji fjalë e urtë, nji keshillë me vend për të gjithë ne.

 

Këtu e kemi fjalën për shprehjen e gabueme të nji njeriu të mirë, qëllimi i jetës së të cilit ka qenë, dhe mbetet, pasunimi i vetëvetes dhe i të tjerëve me dashuni për krijesën e Zotit, (the brotherhood of man) dhe shpërndamja e këtij pasunimi tek të gjithë.

 

Ky njeri, që na kemi pase fatin me njohë shumë vjete ma parë, dhe që për ne përfaqeson nji nga figurat e ndrituna të bashkesisë sonë shqiptaro - amerikane, quhet Dom Anton Kqira, famullitar i Kishës Katolike Shqipare “Shën Pali” në Detroit, MI.

 

Ky personalitet fetar në fshatin Glogjan të Kosovës njihej si prifti që vizitonte shtepitë e bashkëfshatarëve myslimane për festat e tyne, kujtohej atje si shembull i naltë bashkëjetese fetare, simbol i mirëkuptimit dhe tolerancës, dhe atdhetar i palëkundun në luftën për liri të popullit kosovar dhe Pavarësi të Kosovës.

 

Na i lejojmë vetës me folë kështu, sepse e njohëm për së afërmi këtë shërbestar të Kishës Katolike Apostolike Shqiptare dhe të Atdheut shqiptar. Me te biseduem, qamë hallet tona, vizituem qeveritarët në Ëashington, D.C. dhe së bashku u lutem që Amerika e Madhe e Bujare të Kethej Syte Kah Kosova e Martirizueme, atje ku populli vuente si gjarpni nën gurin serb, ku jeta e shqiptarit nuk vlente asnji pare, ose bahej e padurueshme në votrën e vet e të parëvet tij.

 

Fjalët e pavend me të cilat  Dom Anton Kqira akuzohet të ketë shqiptue (dhe ai nuk i ka mohue por pranue burrenisht, dhe kërkue falje botënisht) janë shprehje të daluna në momente dëshprimi, ashtu si bame edhe na: “Dreqi ta marrë!” “Këta janë horra, fundëria e populli shqiptar!“ e tjera, kur ndigjuem se të rij shqiptarë mobilizohen nga terroristë me vra ushtarë amerikanë, bash në kampin, ku para nji dekade u strehuen dhe, u ushqyen qindra refugjatë kosovarë të hjedhun jashtë votrave të tyne nga agresioni serb në Kosovë. Ose, kur 50 shqiptarë rekrutohen nga Al Kaida me luftue kundër Amerikës në Afganistan, kur organizatat bamirese të Arabisë Saudite mbjellin vner e urrejtje për Amerikën në mes të shqiptarëve, apo kur termeti shkatërron Haitin e interpretohet sikur ashtë nji dënim i Zotit për luftën kundër terrorizmit në Irak dhe Afganistan - siç shkruente gazeta “The Sunday Times” e Londonit, pak ditë ma parë.

 

Natyrisht, qetësia dhe meditacioni i mirefilltë janë dy viktimët e para në raste të këtilla të skajshme. Si rrjedhim, nji perfundim logjik nuk ashtë i mundun. Humbet gjakftohësia, ashtu si ngjau me priftin tonë të nderuem. E quejmë “të nderuem” sepse në demonstratën e 12 Qershorit 1998, para Shtëpisë së Bardhë në Ëashington, D.C. dhe para nji turme prej ma shumë se 1.000 bashkëatdhetarësh, ky prift katolik elektrifikoi masat e shqiptarëve me përshkrimin e gjendjes së randë që mbretënonte në trojet shqiptare të pushtueme nga serbët e Millosheviqigt, e pyeti:

 

“…Deri kur do të duroni Serbinë, Z. President (Clinton), të luej me fatin e popujve të pambrojtun? Unë i lutem Administratës amerikane të ndihmojë popullin shqiptar të Kosovës dhe të trojeve tjera të pushtueme që të realizojne të drejtat e tyne për vetëvendosje!” (Illyria, #639, 14-16 Qershor 1998, f.9)

 

Ashtë nji prift katolik që lutet për nji popullsi 90 përqind myslimane. Mendoni! Gjeni nji shembull tjetër në botën e qytetnueme që krahasohet me këtë fisnikëri. Ashtë ky prift katolik, që udhëton në Rambouillet (France) në ditët vendimtare të Shkurtit dhe Marsit 1999, me delegacionin e Këshillit Kombëtar Shqiptaro - Amerikan (NAAC) e në shoqëni të kongresmenëve amerikanë, Elliot Engel and Sue Kelly, që takon Ambasadorin Chris Hill, e zyrtarë të Departmentit të Shtetit, dhe këshillon anetarët e delegacionit kosovar: Rugova, Thaçi, Surroi dhe Qosja. Këthehet në Detroit me shpresë, e ushqen shpresën edhe tek të tjerët. Gjithëherë për Kosovën e martirizueme!

 

Incidenti fatkeq i Dom Anton Kçirës, ka qenë dhe mbetet nji akt i vetmuem dhe nuk ka asnji arsye të trumbetohet ashtu si fatkeqsisht ngjau para pak kohe. Ndoshta sepse emni i priftit tonë ka jehonë të madhe, peshon shumë në mendjet dhe zemrat tona, e zen edhe nji vend nderi në rreshtin e udhëheqësve të bashkësisë sonë. Sidoqoftë, na nuk mohojmë se duhet dënue akti, ashtu si ashtë denue nga vetë aktori.

 

Fjala e tij nuk përfaqeson popullsinë katolike, qendrimin e mentalitetin e kësaj popullsie, dhe padyshim nuk mund të jetë qendrimi politik i nji kleriku, që i ka kushtue jetën binomit “Fe e Atdhe”, e që ka fitue zemrat e qytetarëve që e njohin e mbajnë kontakt me te. Ashtu si na!

 

Arsyeja për nji digresion të këtill ashtë reagimi primitiv, qëllimkeq dhe shumë i rrezikshëm që ndoqi këtë incident. A jemi me të vërtetë kaq te mbrapshtë sa që të krijojmë situata të këtilla që damtojnë imazhin tonë në vend dhe në botë? Individë -ose grupe- u ngritën në kambë, sikur të kishin marrë urdhën nga komanda. E filluen sulmin e pa parim dhe shkatërrimtar.

 

Këta individë, ose grupe, kane nevoje per perkrahje publike qe ata nuk e kane dhe qe as e meritojne, nji perkrahje te cilen nuk mund ta fitojne me mjete te ndershme dhe logjike. Prandej, ata shfrytezojne kete “gabim te paqellimte”. Kete “lapsus linguae”. Dhe ajo qe shumezon disa here damin e shkaktuem ashte nxitja qe rrjedh nga mjetet e papergjegjeshme te informimit, tue lejue qe njerez te paafte, dhe pa autoritet moral, te ngrihen ne piedestalin e “udhe-rrefyesit”, te keshilltarit, dhe te “patriotit”.                                                      

 

*  *  *

 

Ashtë shumë lehte me shkatërrue atë që kemi ndërtue për shekuj me rradhë; në këtë rast. Bashkëjetesën fetare, jo thjeshtësisht tolerancën, por bashkëpunimin e ngushtë e të përditëshëm. Ashtë shumë e vështirë të ndërtohet, e sidomos të ri-ndërtohet. Shqiptarët kanë nji histori të gjatë dhe nuk duhet ta harrojmë atë, asnjiherë!

 

Na jetojmë sot në nji botë, ku shoqënia njerëzore, ashtë në nji gjendje fluide, në nji fluks që ka “harrue” rrugën e se kaluemes, e qe nuk ka “gjetë” ende rrugën që duhet ndjekë. Shekulli XX ka qenë shekulli ma gjakatar që njohim, shekulli i holokaustit nazist dhe i gulagëve komunistë. Shtetet janë shue, te tjere kane linde, me ose pa vullnetin e tyne, sikur nji dorë e mshehtë të drejtojë fatet e miljonave të pazashëm. Shqiptarët e dinë mirë këtë histori sepse janë shkelë, shtypë e shfarosë pa meshirë, pa mbrojtje, pa faj.

 

Në të vërtetë, ajo që i jep historisë sonë karakterin e sajë tragjik ashtë pikërisht fakti se kemi qenë te pafajshëm, dhe pa miq- viktimë e nji bote pa ndjenja dhe pa mend…!

 

Për nji kombinacion fatlum të rrethanave, sot kemi nji shtet shqiptar të pavarun, nji Kosovë Republikë të Pavarun, nji pakicë shqiptare në Maqedoni që ka mundësi zhvillimi, dhe popullsi shqiptare në Mal te Zi e Kosovën Lindore (Lugina e Preshevës), që kanë guximin me u organizue për sigurimin e të drejtave që u përkasin. Hapësina shqiptare në Ballkan - afër shtatë miljonë - ashtë sot në fermentim të plotë që premton nji zhvillim ma të madh, e ma të plotë.

 

Kauza kombëtare shqiptare ecën ne rrugë të mbar. Nji lëvizje për bashkim kulturor kombëtar po rritet çdo ditë nëpërmjet arsimit dhe institucionëve tona akademike. Nji afrim ekonomik bashkë-kombëtar rritet çdo ditë, dhe mundësia e nji pranie të përbashkët në gjiun e Europës së Bashklueme, ashtë sot nji andërr që guxojmë të ushqejmë, dhe që shpresojmë të realizohet. Me prishë balancën e nji ecje kaq premtuese ashtë ma shume se faj: ashtë nji krim, që duhet pengue dhe dënue nga të gjithë.

 

Nji dënim të këtill meriton fushata shkatërrimtare, që lekunde bazat e bashkëpunimit ndërfetar, dhe humbja e oportunitetit dhe e konfidencës sonë në të ardhmen tone do të  ishte nji tragjedi kombëtare me rrjedhime të pa parashikueshme!

 

E kaluemja jonë nuk ka vdekë e nuk mund ta vorrosim; ajo ashtë e gjallë e ushqen - ose duhet të ushqejë - të tashmen që jetojmë, e të ardhmen që shpresojmë me ndertue. E kaluemja ashtë mësuesja jonë. Ajo siguron vazhdimësinë e rrugës sonë!

 

Kjo egërsi që po tregohet sot me incidentin Kçira dhe kjo prirje me harrue të kaluemen na frikësojne shumë! Dhe kjo frikë na kujton nji tjetër fenomen që ngjau këto ditë në Shqipëri. Mbas takimit Berisha - Nano në restaurantin e Vjenes, shtypi shqiptar filloi spekulimet rreth mundësisë se nji marreveshje politike për promovimin e ish-kryeministrit socialist Nano në rolin e presidentit të ardhëm të Shqipërisë. E gjithe kjo kur në Shqipëri ky post i nalte mbahet nga Dr. Bamir Topi, i njohun si nji demokrat që respekton Kushtetuten e vendit.

 

Këto mbrapaskena dhe manipulime politike në kurriz të Presidentit legal Dr. Topi dobësojnë pozitën e tij, dhe bajnë kryemjen e funsksionit tij ma të vështirë se sa duhet, tue ulë autoritetin e Presidencës në dam të mbarëvajtjes shtetnore. Nji shkallëzim i këtill ngjet vetëm në “banana republics”, ku presidentët ngritën e zbritën simbas dëshirës së koorporatave grabitçare ose kaporionëve të grupeve politike, që ndajnë shtetin e pushtetin në dam të popullsisë dhe në përfitim të tyne vehtiak. Nji shkallëzim i këtill, sidomos në Shqipëni, ku mungesa e autoritetit shtetnor përseritë skenat makabre të kryengritjes leniniste të vitit 1997, krijon premisat e mos-stabilitetit politik, të konfuzionit ekonomik e të trazimeve shoqënore për atdheun shqiptar.

 

Shteti, pavarësisht nga të metat e tia, ashtë nji domosdoshmeni imperative për të gjithë, e sidomos për shqiptarët, mungesën e të cilit e kanë pague shumë shtrenjte. Sot, kemi nji president, dhe është Dr. Bamir Topi, dobësimi gratuit, ose i kalkuluem, i Presidentit Topi dobëson shtetin shqiptar.

 

Nji shtet i dobët, në nji shoqëni shqiptare të tronditun nga diktatura e kuqe pesëdhjetë vjeçare dhe vështirësitë e nji tranzicioni të pafat në demokraci, asht ba objekt i manovrimeve të demagogëve politikë, që premtojnë gjithçka e që sjellin vetëm diktaturë ose shkatërrim.

 

Ashtë kjo Shqipëria që dëshirojmë?

 

Rezultati i nji atmosfere të këtille në Shqipëri ashtë dalja nga skena e intelektualëve të zhgënjyem, të pafuqishëm, pothuejse të tradhëtuem. Intelektualët e mirëfilltë janë zakonisht “të angazhueme” të lidhun me nji ideal, nji ideologji, ose nji projekt madhor për ripertrimjen dhe riformimin e shoqënisë dhe shtetit. Ata marrin përsipër barrën e zadhënësit të interesit publik, dhe mbrojtjen e popullit të thjeshtë kundër forcës së organizueme të shtetit uzurpues, ose forcave dominuese, kryesisht në sektorin ekonomik. Sot, kur masat lexojnë ma shumë se kurdoherë ma parë, e ushqehen nga televizioni e interneti çdo ditë, çdo orë e çdo minut, ata janë salla ndigjimi për intelektualët, dhe rrisisn aftësinë e tyne me influencue opinionin publik.

 

“Fjalët kanë rrjedhime!” deklaroi këto dite ish Presidenti Clinton, kur foli për ata që sulmojne egërsisht Presidentin Obama. Albert Camus, na qorton se: “Idete e gabueme përfundojnë në gjakderdhje, por me gjakun e ‘të tjerëve’” (jo të atyne që i përhapin). Sot në Shqipëri flitet “lirisht” jo për mungese frike, por për mungesë përgjëgjsie morale dhe politike.

 

Kjo atmosferë e helmueme nuk do të kalojë pa rrjedhime! Përpjekjet e mjeteve mediative me sensacionalizue takimin Berisha - Nano në “restaurantin e Vjenës” dhe spekulimet në kurriz të Presidentit të Shqipërisë janë të këtij lloji, ku mungon përgjëgjsia dhe ku përplasjet sjellin dam për të tjerët, jo për ata që i nxisin dhe përfitojnë materialisht.

 

Le të mos harrojmë të kaluemen tonë! Ashtë e jona  ashtu si ashtë dhe duhet të respektojmë! Këtë mund ta themi kur bahet fjalë për rastin e Dom Anton  Kçirës  mungesë përgjegjsie nga ana e kritikëve -, ashtu edhe për mungesën e përgjegjsise nga qeveritarët dhe gazetarët në Shqipëri në rastin e Presidentit Topi.

 

Kjo mungesë nuk sjellë asgja të mirë, veçse konfuzion ma të madh, disekuilibrim dhe eventualisht ngjarje të rrezikshme, që shpesh herë zhvillohen aq shumë e aq keq sa që perfundojnë me gjakderdhje.

 

Shqiptarët nuk duhet të harrojnë vitin tragjik 1997!

 

Maj, 2010

 



(Vota: 18 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora