Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Mikel Gojani: Osman R. Gashi - Emër që do të mbetet në gjurmët e artit tonë

| E enjte, 20.05.2010, 10:00 PM |


Me rastin e 30-vjetorit të vdekjes së krijuesit, dramaturgut dhe piktorit të mirënjohur Osman R. Gashi (1943-1980)

 

EMËR QË DO TË  MBETET NË GJURMËT E ARTIT TONË

 

Nga Mikel GOJANI

 

Osman R. Gashi emër i njohur i artit, kulturës dhe i letrave shqipe, i mbushi 30 – vjet që ai vërtet i ka munguar  jetës kulturore, letrave dhe artit tonë në përgjithësi në Klinë, Kosovë dhe hapësirat shqiptare. Mungesa e tij la varfëruar këtë mjedis në fushën e kulturës dhe të artit në përgjithësi.

 

Rruga jetësore dhe e veprimtarisë së Osman R. Gashit

 

Osman R. Gashi u lind me 18 prill të vitit 1943 në fshatin Çabiq të komunës së Klinës. Ishte ndër të rinjtë e rrallë që në atë kohë mori rrugën e arsimit e të edukimit.  Shkollimin fillor e kreu në Cerovik e Ujëmirë (fshatra  afër vendlindjes), më 1960 regjistrohet në shkollën e mesme të artit në Pejë. Pasi kryen shkollimin e mesëm punon si mësues në shkollën fillore “ Zenel hajdini” të Ujëmirit. Më pastaj kreu Shkollën e Lartë Pedagogjike – drejtimin e Artit Dramatik dhe atë të Artit Figurativ. Ka punuar si aktor në teatrin e pakicave në Shkup. Pastaj ka punuar mësues dhe veprimtar i kulturës në Gllogoc, kurse prej vitit 1969 kthehet në Klinë në shtëpinë e kulturës “Jehona e Dukagjinit” e cila po këtë vit ishte ndërtuar dhe me këtë emër u emërtua pikërisht nga Osmani.  Punoi me shumë grupe amatore pranë kësaj Shtëpie të Kulturës, duke bërë regjinë e shfaqjeve teatrale në Ujmir, Klinë, Kjevë, Gllogoc etj, ndërkohë ai bashkëpunonte edhe me  Teatrin e Gjakovës, me “Kosovafilmin”, si dhe me shumë asociacione tjera të kulturës në nivel kosovar dhe jashtë. Ka organizuar shumë shoqëri kulturo-artistike, e manifestime të tjera të rregullta kulturore, siç ishin ato komunale, të cilat mbaheshin pikërisht në muajin maj, pastaj Solemnitetet e Fshatrave të Kosovës, që mbaheshin për çdo vit në  Klinë, ndërkohë që ishte pjesëmarrës i rregullt, me shfaqjet e veprimtaritë tjera kulturore, në manifestimet e atëhershme që mbaheshin në Prizren, Prishtinë, apo në vise të vise tjera të ndryshme të ish-Jugosllavisë, si në Kroaci apo Slloveni.

Një kohë ishte drejtor i shkollës fillore “Adem Bajrami” të Kijevës.

Puna e tij krijuese si aktor teatri dhe si regjisor i shfaqjeve teatrale ishte e palodhshme. Ai la prapa vetës një veprimtari të pasur regjisoriale prej mbi njëzet shfaqjesh. Do të mbetën në kujtesë shfaqjet “Plaku i maleve”, “Nita”, , “Shtatë shaljanët”, “Me pushkë e penë”, “Mulliri i Kostë bardhit”, “Hamalli”, “Të pamposhturit” etj. La shumë vepra të botuara dhe në dorëshkrim. Edhe në fushën e pikturës ka lënë  vepra të çmuara.

 

Poezia që buron nga shpirti

 

Me krijimtari letrare Osman R. Gashi merret që nga vitet ’60 duke u paraqitur me poezi e me krijime tjera në gazetat dhe revistat të kohës, si “Rilindja” “Zani i rinisë”, “Jeta e re”, “Bota e re”,  të Prishtinës, si dhe “Jehona” dhe “Flaka e vëllazërimit” të Shkupit.

Ka botuar dy vëllime me poezi: “Heshtja pastë ndjesë” (1979) dhe “Vetëm një emër” (1980), në botim të klubit letrar të qytetit të Klinës. Vëllimi me poezi “Vetëm një emër” ka dalë nga shtypi pikërisht ditën kur autori varrosej në vendlindjen e tij në Çabiq.

Në dy përmbledhjet që i ka botuar Gashi dëshmon se është krijues i mëvetësishëm si për mënyrën  e vështrimit e të perceptimit të dukurive të shqiptimit të ndjenjave e të mendimeve, ashtu edhe për shtjellimin e tekstit. Brenda dukurive që ngërthen në kohë ai e dallon, pra e shpreh të veçantën, atë që i bën atij përshtypje më shumë, mirëpo mund t’u bëjë edhe të tjerëve. Me fjalë të tjera, ai i vështron dhe i shpreh dukuritë duke i vërejtur nga ato kënde e ato cilësi, nga mund të thuhet më shumë dhe të depërtohet më thellësisht në qenësinë e tyre. Ajo që këtij vargu të këtij krijuesi i jep vulën e mëvetësisë, të origjinalitetit e të rëndësisë kryesore është se të veçantën e dukurive e të ndjenjave Gashi e mbërrin ta konkretizoj nëpërmjet strukturës gjuhësore poetike të pasur, të cilën e shtjellon në mënyra të ndryshme, nëpërmjet saj shpreh dhe krijon të pazakonshmen, ku poeti paraqet thellësinë e botës e të gjerave, të jetës e të fatit njerëzor.

Në poezinë e Gashit kapërthehen tablo të jetës së s njeriut tonë, me katrahurat e saj  dhe të bukurën. Ai në vargun e tij shqipton atë që e ndjen në thellësinë e shpirtit të tij dhe është tronditje për të. Vargu i Gashit është i gjallë dhe me plot natyrshmëri poetike.

 

Veprimtaria dramatike e Osman R. Gashit

 

Krijimtaria letrare e Osman R. Gashit përfshin edhe katër drama: “Hamalli” (1977) “Tri fytyrat” (dorëshkrim), “Yll e varr vetie”, (monodramë në dorëshkrim) dhe “Dy lindje (1964), botuar në vazhdim në “Flaka e vëllazërimit”.

Publicisti, Prend Buzhala, studiues i thellësishëm i jetës dhe veprës së Osman R. Gashit, duke folur vlerat e artit dramaturgjik të këtij dramaturgu, thotë se  tema e dramës “Dy lindje” ka pasur aktualitetin e saj: aksionin e mbledhjes së  armëve të paqena, tragjikja e mbërthyer në vorbullat të historisë e triumfit përballë tragjikes. Autori me plot besim shprehet me gojën e një personazhi, që del si anticipim kohësh:”Mos u friko për kremten e kësaj toke. Të huajt, ashtu si kanë ardhur, ashtu edhe do të shkojnë”. Te “Dy lindje titulli simbolizon pritjen e Lindjes së Tretë që nis shtegtimin, kurse te “Hamalli” shprehet hapur artikulimi i akuzës sociale: edhe pas Luftës së Dytë Botërore vazhdon jeta e rëndë, familja dekompozohet, jeta tradicionale konfrontohet me format moderne të gjallimit, individi goditet e shthuret shpirtërisht, kurse familja që mbërthehet në kontrastin social e ekzistencial përballë destruksioneve të shoqërisë së huaj, arrin ta marr fytyrën e saj e të ngritët si një feniks nga hiri ku u dogj! Prapë vetëbesim i pathyeshëm! Ky vetëbesim është një fill i kuq i kësaj krijimtarie. Ndërsa monomodrama “Yll e varr vetmie” vë në kornizat e kohës e në horizontin e saj të errët njeriun që lufton me vetveten, i cili sillet e pështillet rreth piramidës së pse-hut; individi është në kërkim të hapësirës së lirë e të lirisë, në kërkim të heqjes së maskës djallëzore, për t’u kuptuar, më në fund cila është e vërteta, thotë Buzhala.

 

Bota shpirtërore edhe përmes vijave

 

Botën e tij shpirtërore Osman R. Gashi e shpreh edhe për mes vijave. Talentin prej një krijuesi të  veçantë Gashi e dëshmon edhe në fushën e pikturës, të grafikës e të vizatimit. Gjatë rrugës së tij krijuese Gashi ka pasur një varg ekspozitash individuale në Zagreb, Shkup, Prishtinë, Klinë etj.  Me vlera të veçanta veçojmë pikturat, “Ndryshku i kullave, “Guri i shpuar, “Legjendë”, “Fshatarja”, “Heshtja që djeg” etj.

Të gjitha këto piktura në vete sikur ngërthejnë botën tonë si kolektivitet. Ato përmbajnë një mesazh të fuqishëm dhe domethënës që do t’i qëndrojnë kohërave.

Kështu, krijuesi, aktori dhe njeriu i artit e i kulturës, Osman R. Gashi, është një emër i shquar, i cili gjithherë do të mbetet në gjurmët e letrave të artit e të kulturës sonë në përgjithësi.