E merkure, 24.04.2024, 06:32 PM (GMT+1)

Editorial

Valon Kurtishi: Pse protesta për drejtësi dhe çka më tutje?

E merkure, 19.05.2010, 09:59 PM


Pse protesta për drejtësi dhe çka më tutje?

 

Nga Valon Kurtishi

 

Javën e kaluar Këshilli i organizatave shqiptare, një bashkim vullnetar i 42 organizatave joqeveritare shqiptare nga IRJ e Maqedonisë organizoi një marsh protestues në kryeqytetin e vendit, Shkup. Mitingu kaloi i qetë dhe pa asnjë incident të vetëm për të cilin ishin të interesuar dhe kishin paralajmëruar që më parë një numër i madh i faktorëve të këtushëm vendimmarës. Për shkaktimin e ndonjë incidenti të përmasave më të mëdha ishin të interesuara edhe qarqe të jashtme të cilët gjithmonë përpiqen të shkaktojnë tensione e konflikte të panevojshme në këtë pjesë të Europës. Në raste të caktuara ka pasur lëshime si disa fyerje në baza etnike apo prishje të qetësisë publike, mirëpo këto ishin të pakta dhe janë të paevitueshme në grumbullime të tilla masive ku parakalojnë individë të ndryshëm dhe shtresa të llojllojshme shoqërore. Marshi filloi para Gjykatave, për të vazhduar më vonë para Kuvendit, Qeverisë dhe për të përfunduar përsëri para ndërtesave të Gjyqësorit ku edhe filloi. Qytetarët dolën në numër të kënaqshëm duke shprehur qartazi mbështetjen e tyre për çështjet e ngritura nga organizatorët që janë edhe probleme jetike të komunitetit tonë në IRJM. Dalja e tyre masive tregoi se populli kërkon zgjidhje urgjente në rrugë të drejpërdrejtë për zgjidhjet e munguara nga institucionet e këtij vendi. Marshi në fjalë ishte dhe një fitore e madhe për qytetarinë shqiptare të Shkupit së cilës pas një periudhe të gjatë kohore iu dha mundësia për të shprehur lirshëm dhe pa frikë ndjenjat veta kombëtare dhe pakënaqësitë nga diskriminimi i madh dhe i kudondodhur që u bëhet nga institucionet shtetërore të këtij vendi.

 

Një numër i politikanëve dhe analistëve të këtushëm e shtruan pyetjen në lidhje me arsyeshmërinë e daljes në rrugë në këto rrethana të acaruara të marrëdhënieve ndëretnike dhe krizës ekonomike si dhe parashtruan një mori të argumenteve pse nuk duhet të protestohet pikërisht në këtë momente. Madje zëdhënësi shqiptar i qeverisë maqedonase menjëherë pas protestës doli para kamerave dhe deklaroi disi i lehtësuar se në marsh “nuk pati numër të madh të pjesëmarësve” dhe me këtë shqiptarët treguan se janë për “zgjidhje institucionale të problemeve të tyre”.

Nga ana tjetër, protestën e kanë përkrahur shumica e opinionistëve shqiptarë, e shoqatave joqeveritare, patriotëve, figurave publike, qytetarëve të rëndomtë e madje edhe e politikanëve të veçantë të cilët sinqerisht apo jo ishin aty dhe e shprehën revoltën e tyre në rrugë. Pjesë e përkrahjes ishte edhe Lëvizja Vetëvendosje nga Prishtina e cila dha sinjal të fuqishëm me letrën e dërguar deri te gjithë mediat dy ditë para fillimit të marshit në fjalë. Tani nga këto kundërthënie “pro et contra” të protestës në fjalë, dalin një shumësi e pyetjeve të cilat do të përpiqemi ti shtjellojmë më gjerësisht në vazhdim.

 

1. Pse protesta në rrugë si formë veprimi shoqëror?

 

Shoqëritë demokratike njohin forma të ndryshme të veprimit apo aksionit politik dhe në përgjithësi atij social. Njihen lloje të ndryshme të demokracisë të cilat i kategorizon shumë mirë Xhovani Sartori në “Edhe njëherë për teorinë e demokracisë”. Ka edhe një libër interesant nga David Held “Models of Democracy” i cili shtjellon shumë mirë temën e njëjtë. Këtu ne nuk mund të analizojmë një çështje aq të gjerë dhe komplikuar si demokracia dhe format apo modelet e saj. Megjithatë, duhet ti përmendim dy forma vendimmarjeje apo dy modele demokracie në shoqëri të ndryshme: atë të demokracisë së drjtpërdrejtë dhe asaj përfaqësusese. Demokracia e drejpërdrejtë është aplikuar më tepër në vetë fillesat e organizimeve të tilla si në qytet-shtetet antike greke dhe aplikohet edhe sot e gjithë ditën për çështje të caktuara në konfederatën helvetike apo në raste tjera të veçuara anë e mbarë globit. Institutet e referendumit ose plebishitit janë relike nga e kaluara të demokracisë së drejtpërdrejtë. Sot nuk ekzistojnë kushte dhe mundësi teknike për të zbatuar në praktikë këtë lloj demokracie. Për arsye thjesht praktike dhe racionale sot zbatohet demokracia përfaqësuese e cila ka mandatin dhe është në shërbim të qytetarëve votues. Megjithatë, në momente të caktuara, kur klasat politike që kanë këto mandate janë të bllokuara në vendimmarjet e tyre apo keqqeverisin dhe shpërdorojnë besimin e popullatës, ekzistojnë forma alternative, shumë të drejta, legjitime dhe demokratike për të shprehur pakënaqësinë ndaj rjedhës së ngjarjeve në shoqëri. Një nga këto forma që përfshihen në kategorinë e demokracisë së drejtpërdrejtë është edhe protesta popullore. Pikërisht për këto arsye ne themi se protesta është formë institucionale e zgjidhjes së problemeve të shumta me të cilat përballen sot shqiptarët këtu. Formë demokratike dhe legjitime e veprimit politik është edhe bojkoti parlamentar të cilin e kanë aplikuar si strategji të përkohshme parti të ndryshme parlamentare në këtë vend. Kjo sa i takon aspektit akademik të çështjes.

 

Nga ana tjetër, çështjet për të cilat shqiptarët dolën në rrugë ishin të shumta. Një shumësi e veprimeve të Gjyqësorit, Qeverisë dhe Kuvendit i kanë lënë shqiptarët të dëshpëruar dhe të pashpresë për gjetjen e drejtësisë në vend. Gjyqësori nuk është në gjendje në asnjë rast të vetëm të lirohet nga kthetrat e politikës ditore maqedonase. Rastet e Sopotit, Brodecit apo Hagës e pasqyrojnë shumë mirë këtë. Edhe përkundër treguesve të qartë, fakteve e dëshmive të shumta, përfundimeve të komisioneve parlamentare, deklaratave të faktorëve të ndryshëm deri tek ish ambasadorë të NATO-s apo ish kryeministra e ministra të vendit, nuk mund të bindin asesi gjyqësorin e Shkupit për të dhënë verdiktin lirues për shqiptarët e arrestuar dhe dënuar për këto raste. Madje ën katër rastet e Hagës njëra degë e pushtetit, gjyqësori tenton të dalë mbi degën tjetër të pushtetit: parlamentit !?. Shihet qartë se Gjyqësori vazhdon me praktikën e proceseve të montuara politike karakteristikë për periudhën e ish Jugosllavisë socialiste.

 

Politikat diskriminuese, mënjanuese, përjashtuese ndaj shqiptarëve kanë vazhduar me një hov të paparë deri sot. Diskriminimi i tmershëm ndjehet dhe është i pranishëm kudo, në qeverisje, arsim, shkencë, ekonomi, art, me një fjalë në të gjithë sferat e jetës shoqërore në vend. Bllokimi i marrëveshjes së Ohrit, ngushtimi i përdorimit të flamurit kombëtar, gjuhës shqipe, politikat asimiluese gjuhësore të ministrisë së arsimit, enciklopedia antishkencore dhe raciste e ASHAM, projekti etnocentrik “Shkupi 2014”, injorimi total i kulturës shqiptare, ndarja disproporcionale e buxhetit dhe diferencat e mëdha në investime publike mes zonave të banuara me shqiptarë dhe sllavë në vend, si dhe një numër i madh i ligjeve dhe veprimeve të tjera kundër shqiptarëve këtu, ishin arsye që gjithë bashkë të jemi pjesë aktive e marshit për drejtësi. Gjithë bashkë kërkuam për herë të fundit drejtësi dhe vetëm drejtësi nga tre degët e pushtetit të këtij vendi supozojmë demokratik: gjyqësorit, legjislativit dhe ekzekutivit. Kërkuam që e vërteta dhe vetëm e vërteta të dalë në shesh. Organet shtetërore dhe gjithë ata që janë të interesuar për zhvillimet politike në këtë vend e morën qartë mesazhin e fuqishëm se shqiptarët në këtë vend nuk janë të kënaqur me gjendjen aktuale dhe duan ndryshime radikale në vendimmarje.

 

2. Çka mëtutje?

 

Klasës politike shqiptare në përgjithësi dhe partisë politike shqiptare sot në pushtet në veçanti, i mbetet tani të materializojnë këtë kapital të rëndësishëm politik të popullit shqiptar. Nëse Qeveria, shumica sllave në Kuvend dhe Gjyqësori monoetnik dhe i korruptuar vazhdojnë të injorojnë edhe mëtutje kërkesat shumë të drejta, demokratike dhe transparente për lirimin e të burgosurve të Sopotit, Brodecit, mosprocesuimin e rasteve të Hagës nga Gjykatat vendore, zgjidhjen e statusit të ish ushtarëve si dhe familjarëve të dëshmorëve të UÇK, zbardhjen e fatit të personave të zhdukur nga policia dhe ushtria maqedonase që nga viti 2001 e në vazhdim si dhe nëse nuk ndërpritet diskriminimi institucional i shqiptarëve këtu në të gjitha pikat që i preku protesta në fjalë, atëherë mbetet që të shqyrtohen forma alternative veprimi për të ardhur deri tek rezultati i dëshiruar. Edhe në ditët pas kësaj proteste gjendja e sigurisë dhe ajo politike mbetet e rëndë dhe mjaft e tensionuar pa sinjale të një qetësimi të afërt. Vrasjet e disa ditëve më parë në të cilat shihet qartë se është implikuar vetë shteti maqedonas nëpërmjet policisë dhe shërbimeve sekrete si dhe acarimi i përgjithshëm ndëretnik nuk janë sinjale të mira për të ardhmen e këtij vendi.

 

Ne si shoqëri civile shqiptare dhe si Këshill i organizatave joqeveritare do të propozojmë për partitë tona politike si dhe për shoqërinë në tërësi forma tjera veprimi. Këto do të jenë metoda kushtetuese, ligjore dhe demokratike për të aritur avancimin e pozitës politike të shqiptarëve të këtushëm si dhe demokratizimin e gjithmbarshëm të marrëdhënieve shoqërore në këtë shtet. Sektori civil si korektor i përhershëm i pozitës dhe opozitës shqiptare dhe armik i reptë i qarqeve nacionaliste sllave do të japë kontributin e tij të pazëvendësueshëm për kauzën tonë nacionale këtu. Kjo mbetet të shihet nga rjedha e ngjarjeve si dhe nga përgjigja që do tu japë politika qeveritare çështjeve të hapura në vend.



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora