E marte, 23.04.2024, 10:31 AM (GMT+1)

Shtesë » Shoqëria

Miss Globe International 2007

E marte, 20.11.2007, 10:11 PM


Bukuria ka emrin Brazil!

Nga Jehona Mesi

Miss Globe International 2007

42 vajzat më të bukura të Botës udhëtojnë nëpër Shqipëri, jo vetëm për të fituar një trofe, por edhe për të shprehur imazhin turistik dhe për t’i dhënë akoma vlerë traditës sonë e për ta përçuar atë gjithandej. Dhe në fund të rrugëtimit, një kurorë për vajzën nga Brazili, si më e bukura vajzë e globit kurorëzuar në Tiranë

Ka qenë mesi i muajit shtator kur në Shqipëri ka shkelur bukuroshja e parë, për t’u pasuar më tej, nga 42 konkurente të “Miss Globe International”. Për të katërtin vit radhazi ato kanë stacionuar në vendin tonë, për një konkurs të përmasave të tilla, ku emocionet nuk i përkisnin një nate të vetme, por një buje që do të zgjaste dy javë. Zhurma për mbërritjen e misseve nisi me jehonën e gazetave dhe televizoneve që lajmëronin ngjarjen e rradhës të bukurisë femëror dhe përfundoi me lajmin për brazilianen me sytë e kaltër, që rrëmbeu kurorën e mbretëreshës për ta marrë me vete në vendin e saj të largët.

Një mbrëmje fatlume për fituesen 18 vjeçare, Helen Cristian da Silva, po kaq edhe për shqiptaren Irsa Demneri, që megjithëse nga themeluesi i “Miss Globe”, me të shkelur në Shqipëri, u cilësua si një ndër vajzat më të bukura të spektaklit, ajo nuk mundi të shpallej missi i kurorës, por gjithsesi u shpall shoqëruese e parë e saj. (Klasifikimi më i mirë që ka mundur të sigurojë Shqipëria në vite).

Për dy javët e qëndrimit në Shqipëri vajzat konkurente kanë arritur të miqësohen me njëra tjetrën, të udhëtojnë në rrugët e kryeqytetit dhe të shkelin pikat më të bukura të Shqipërisë turistike. Grumbulli i madh i vajzave ka qenë për ditë me rradhë edhe grupi i vizitorëve më interesantë nëpër monumentet e rëndësishme të historisë shqiptare dhe të pikave piktoreske që ofron vendi ynë. Një udhëtim i gjatë ky, të cilin presidenti i Deliart Association nuk e kishte programuar ashtu krejt rastësisht.

Petri Bozo, që gëzon dhe të drejtën e organizimit të këtij konkursi ndërkombëtar në Shqipëri, ka pasur një qëllim të qartë që në fillim: promovimin e vlerave të Shqipërisë në sytë e gjithë Botës, e për të ndikuar kështu sado pak në zhvillimin e turizmit shqiptar. 

Organizimi i këtij konkursi nuk ka të bëjë vetëm me imazhin e vajzave të bukura pjesëmarrëse, por me atë çka ato sjellin në Shqipëri dhe përçojnë në vendet e tyre(imazhe të turizmit, albume fotografike, kalendare, kostume kombëtare etj).

Në ndryshim nga vitet e tjera, sivjet bukuroshet nuk kanë pasur si pikësynim jugun e Shqipërisë. Vajzat kanë prekur vendet më të bukura të veriut, duke përfshirë edhe një kalim të shpejtë të bregdetit shqiptar, me stacionimet në Durrës dhe Vlorë.

Gjithçka ka nisur me Lezhën, ku stafi i “Miss Globe është” vendosur në memorialin e Skenderbeut dhe më pas ka udhëtuar drejt Shkodrës së lashtë. Në mbrëmje atje u zhvillua edhe një festë e madhe me maska, çka duket se është shndërruar edhe në një traditë të qytetit verior të kulturës. Në festë vajzat u shfaqën të veshura me kostumet kombëtare të vendit që përfaqësojnë.

Më pas stafi ka udhëtuar drejt luginës së Valbonës dhe mrekullive të kësaj zone. Një bashkëpunim me “Relly Albania” ka sjellë ndoshta atmosferën më interesante të udhëtimit në Valbonë, apo në zona ku edhe pse ende nuk kanë nisur investimet e rrugëve, kanë një bukuri natyrore të jashtëzakonshme. Liqeni i Komanit ka qenë një tjetër hapësirë e përshkruar nga turi i “Miss Globe International”.

Po kaq interesant ka qenë qëndrimi në Tiranë, ndërsa vajzat lëviznin me autobusin “Miss Globe” nga njëra pikë në tjterën dhe përshëndeteshin nga qytetarët. Misset kanë vizituar Galerinë Kombëtare të Arteve, më pas në Muzeun e Pullave Shqiptare. E më tej, e shndërruar gati në një rit, vizita në Muzeun Historik Kombëtar, duke mësuar në këtë mënyrë pakëz nga historia dhe kultura e këtij vendi, të cilin arritën ta njohin duke e vizituar. Kudo ku ato kanë shkelur, ka pasur nga pas shkrepje aparati si kujtimi i bukur për ta marrë me vete.

Në ditët në vijim turi vazhdoi në qytetin e Vlorës, me rrethinat e tij, i cili ofron pa diskutim imazhin më të mirë të turizmit shqiptar dhe një tjetër në qytetin e Durrësit, qytet në të cilin në vitin 2004 u organizua për herë të parë në Shqipëri "Miss Globe International".

Gjatë qëndrimit në Shqipëri vajzat më të bukura të Globit kanë arritur të provojnë një eksperiencë të mrekullueshme, që do ta kujtojnë shumë gjatë. Të bukura, të thjeshta, miqësore, ato me shumë dëshirë janë bërë pjesë e programit të udhëtimit nëpër Shqipërinë e veriut, duke mos hezituar të provojnë kostumet tona kombëtare, ushqimet tradicionale, të kapëcejnë shkëmbinjtë e lumenjve, udhëtimin me traget, shëtitjet me biçikleta, apo të përshëndesin turmat e njerëzve që i shoqëronin me duartrokitje ngado ku kalonin. 

Ndërkohë që ndalesa e fundit u bë në pallatin e Kongreseve në Tiranë, ku një spektakël i përmasave perëndimore, i vuri mbi kokë kurorën më të bukurës vajzë konkurrente, brazilianes Helen Kristian Da Silva. Ky ishte edicioni i katërt i “Miss Globe International”, që zhvillohet në Shqipëri, patentën e të cilit, presidenti i këtij evenimenti bukurie, Charli See, ia ka besuar Shqipërisë deri ne vitin 2009. Për Shqipërinë, realizimi i këtij spektakli është një mundësi e madhe për të shprehur imazhin turistik dhe për t’i dhënë akoma traditës vlera edhe jashtë saj.

Ky ishte udhëtimi në Shqipëri i 42 vajzave më të bukura të Globit, udhëtim që sigurisht do përsëritet edhe pas një viti. 

Miss Globi Ndërkombëtar” është themeluar përpara 34 vjetësh në SHBA nga Charli See dhe është regjistruar në Zyrën e Patentave dhe Karakteristikave në Uashington DC në nëntor të vitit 1973. Për 18 vjet kjo garë është organizuar në Kaliforni dhe më pas, për 12 vjet, është organizuar në Turqi. Kjo liçencë e “Miss Globe Internacional” i përket presidentit të 22 edicioneve të bukura, Charli See, i cili jeton në Hollivud, SHBA.

Këtë vit, ndryshe nga herët e tjera, misset janë fiksuar jo vetëm në aparate fotografike e xhirime kamerash. Me pesë prej misseve, që përfaqësojnë kontinente të ndryshme në këtë spektakël të madh, realizohet një pullë shqiptare. Kështu, ngjarja e madhe ndërkombëtare, "Miss Globe International", do të shpërndahet kudo nëpër botë, edhe si një pullë postare. Vajzat që do të fiksohen në pullë janë përfaqësueset e Shqipërisë, Nigerisë, Venezuelës, Estonisë dhe Singaporit.

5 çmimet e para të "Miss Globe"

Miss Bikini of the World- Gerta Poldver (Estoni)
Miss Bikini Princess of the World- Shqiponja Vlahna (Kosovë)
Miss Bikini Beauty of the World- Irsa Demneri (Shqipëri)
Miss Bikini Girg of the World- Julia Thais Mendoza Quintero (Venezuele)
Miss Bikini Lady of the World- Isabella Sebestyen (Rumania) 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora