E premte, 19.04.2024, 02:57 PM (GMT+1)

Shtesë » Shoqëria

Afërdita Dreshaj - dashuria e bukur e Shpat Kasapit

E marte, 20.11.2007, 10:00 PM


Nga Gentian Minga

Një histori rozë që do ta kishte zili çdo vajzë apo djalë. Një modele e suksesshme dhe një këngëtar po kaq i suksesshëm në një lidhje të bukur dashurie, që fshin edhe distancat mes Miçiganit dhe Shkupit. Dy vite janë mjaft për ta mbajtur sekret. Tani, kur të dy ndihen më të pjekur dhe të sigurt, në kulmin e karrierës së tyre, ata pranojnë se më në fund kanë gjetur njëri tjetrin. Një intervistë me Afërditën zbulon jetën prej modeleje dhe sekretin e saj të dashurisë.

Shumë vajza shqiptare ëndërrojnë të jenë në krah të këngëtarit simpatik Shpat Kasapi, por vetëm një miss ka mundur të pushtojë zemrën e Shpatit. Ajo është Afërdita Dreshaj, një ndër modelet e suksesshme shqiptare të Amerikës. Ajo sfilon, pozon në sesione të ndryshme fotografike, reklamon produkte prestigjioze si marka e makinave “Ferrari”, apo shfaqet në kopertina revistash. Është e mahnitshme dhe çdo mashkull do të dëshironte ta kishte këtë bukuroshe në krah.
Por nuk ka më asnjë shpresë për të tjerët. Afërdita dhe Shpati kanë zgjedhur njëri tjetrin dhe prej dy vitesh jetojnë një histori të bukur, ku distancën mes tyre e shkurtojnë avionët.
Asnjëri nuk i trembet largësisë. Njëri jeton në Amerikë kurse tjetri në Maqedoni, por kur ndjenja, besimi dhe dashuria është e fortë të gjitha mund të kalohen.
Kjo lidhje dashurie u mor vesh vetëm pak javë më parë, sigurisht, në formën e një thashethemi, por që në këtë intervistë, Dreshaj e ka konfirmuar vetë. Të dy janë njohur në SHBA, ku Shpati kishte për të dhënë një koncert. Janë pëlqyer dhe kanë krijuar këtë marrëdhënie, të cilën të dyja palët e konsiderojnë të mrekullueshme..

Shpat Kasapi ka deklaruar se "tek Afërdita kam gjetur të ndërthurura shumë vlera. Ajo është e thjeshtë, bujare dhe inteligjente, përpos faktit që është e bukur. Jam i lumtur që karriera e saj po ecën në hapa gjigante në Amerikë, por gëzohem që ajo pati një kontakt profesional me Shqipërinë. Jam fansi i saj numër një!”. Por edhe Afërdita ka gjetur tek i dashuri i saj një njeri me vlerat që e kishte ëndërruar prej kohësh.

Afërdita Dreshaj ka emigruar me familjen e saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku jeton ende sot e kësaj dite me nënën, motrën dhe vëllain e saj. Miçigani është vendi ku u realizua ëndrra e saj, "për t`u shndërruar në një ikonë bukurie". Afërdita është shqiptare nga Mali i Zi. Ajo na rrëfen se nga Shqipëria nuk di shumë gjëra, por ama, dëshiron të di. “Jam e etur për shqiptarizëm” shprehet ajo dhe kjo duket qartë dhe në kontaktet që Dreshaj ruan me vendlindjen e saj. Vetëm pak kohë më parë, ajo mori pjesë në “Miss Shqipëria 2007” një aktivitet organizuar nga producenti Petri Bozo. Të gjithë prisnin që ta fitonte ajo kurorën dhe në fakt, s`kishin gabuar sepse Afërdita gjithsesi, u shpall shoqëruesja e parë e “Miss Shqipërisë”. Publiku dhe gazetarët do të interesoheshin sakaq për të, dhe jo vetëm ata. Një tjetër aspekt i jetës së Afërditës, është lidhja me shqiptarët e njohur dhe të panjohur që jetojnë në SHBA. Ajo është e lidhur me shumë prej tyre, por më speciale konsideron miqësinë me supermodelen Emina Çunmulajn, me të cilën njihej që e vogël sepse të dyja kanë jetuar afër e afër kur ishin ende në Mal të Zi. Fati i bashkoi sërish në tokën e premtuar.

Vetëm ditët e fundit, ajo ka përjetuar një sens të fortë protagonizmi. Përveçse është shfaqur intensivisht në kopertina dhe fletë unike revistash amerikane, ajo ka sfiluar për disa nga emrat e njohura në fushën e modës. 

Afërdita, përshëndetje!

Së pari, dua të shfrytëzojë rastin t`i përshëndes të gjithë lexuesit e revistës “Shqip”, kudo që ndodhen.

Cila është historia e emigrimit të familjes suaj në SHBA?

Nuk është një histori e gjatë... Thjesht ime më kërkonte një jetë më të lehtë, më të pasur dhe më të bukur për ne fëmijët, kështu që kur unë isha vetëm 14 vjeç erdhëm këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Si çdo fillim i ri, gjithçka ishte pak e vështirë, por tani jemi integruar me jetën dhe kulturën amerikane. Jam 21 vjeçe dhe studioj në Miçigan në “Macomb Community College”, sepse aty jemi vendosur me familjen. Në kohën e lirë merrem me sfilata të ndryshme mode dhe pse ky në fakt, mund të quhet njëkohësisht profesioni im. Kam një vëlla me emrin Arbër dhe një motër me emrin Jehona.

A i ruani në SHBA marrëdhëniet me shqiptarë të tjerë? Çfarë raporti keni me Shqipërinë?

Këtu ku jetojmë, ka mjaft shqiptarë. Sa për kontaktet me Malin e Zi, ato i ruajmë ngushtësisht, jemi shumë të afërt me bashkatdhetarët tanë. Minimalisht mundohemi t`i vizitojmë gjatë verës.

Çfarë di Afërdita për Shqipërinë?

Vendlindja ime është Mali i Zi në fakt dhe për historinë e shqiptarëve që jetojnë aty di mjaftueshëm. Sa për Shqipërinë, di të them se bukuria e saj e njerëzit më kanë lënë një përshtypje të mrekullueshme. Isha në Tiranë kur zhvillohej “Miss Shqipëria” dhe rashë në dashuri me këtë qytet, aq sa mezi pres ta shoh sërish. 

Kur të bie rasti të thuash se je nga Shqipëria, si reagojnë?

Shumica e njohin Shqipërinë sepse gjatë kohës së luftës në Kosovë ajo ka qenë përmendur vazhdimisht në lajme. Së fundi, vizita e bujshme e presidentit të ShBA-së Xhorxh Bush në Tiranë, e ka bërë akoma dhe më të njohur vendin tonë për popullin amerikan. Kurse atyre që s`e njohin, u them: “Si ka mundësi që s`e njihni vendin më të bukur në botë?!”

Ç'përshtypje ruani nga konkursi "Miss Shqipëria"?

Ftesën e kam marrë nga vetë organizatori dhe producenti i këtij spektakli, Petri Bozo, të cilin meqë më jepet rasti, e falënderoj për ftesën dhe mikpritjen. U shpërbleva me çmimin e dytë në këtë garë bukurie, ishte kënaqësi shumë e madhe. Të gjitha vajzat ishin të bukura dhe shumë të dashura me mua, më bënë të ndihem e lirë në Shqipërinë që e vizitoja për herë të parë.

Cila ka qenë përvoja jote e parë si modele?

Kur kam qenë vetëm 17 vjeçe, kam bërë sesionin fotografik të parë në jetën time. Që atëherë, fillova të nënshkruaj kontrata me disa agjenci prestigjioze mode, gjë që më dha mundësinë të merrja pjesë në sfilata të ndryshme.

Keni pozuar për “Ferrarin”, apo firma të tjera prestigjioze. Mund të na tregoni diçka më tepër rreth angazhimeve tuaja më të fundit?

Përveç angazhimeve të mësipërme, momentalisht kam filluar vitin shkollor dhe gjithashtu marr pjesë në sfilata e prezantime të ndryshme të modës që zhvillohen në Miçigan. Një artikull në gazetën amerikane “Ambassador” që sapo ka dalë në shitje, përfshin një faqe me foton time dhe flet për pjesëmarrjen time në “Miss Shqipëria 2007”; jam shumë e lumtur që një gazetë amerikane ka shkruar për një gjë të tillë.

Si arrini ta ruani traditën shqiptare në familje?

Traditën shqiptare mundohemi ta ruaj sa më shumë, por për gjellë tipike shqiptare ia lë mamit në dorë. Por festat shqiptare nuk lëmë kurrë pa i festuar. Dhe pse jetojmë larg vendlindjes, me zemër dhe tradita jemi atje.

Si e kanë pritur prindërit zgjedhjen tuaj për t`u marrë me modë dhe a ju ka penguar kjo e fundit me impenjimet në shkollë?

Ashtu si çdo vajzë tjetër dhe mua më ka pëlqyer të merrem me modelim, por nuk e kisha menduar se një ditë kjo dëshirë, do të kthehej në diçka serioze. Ofertë pas oferte, u futa më thellë në këtë biznes dhe u bëra pjesë e tij. Njëkohësisht kam vazhduar studimet, të cilat për mua janë parësore. Për sa kohë arrij t`i bëj të dyja, mami është më se e kënaqur!

Ti je e lidhur me këngëtarin Shpat Kasapi... Si u njohët dhe çfarë të pëlqen tek ai?

Njohja jonë ka qenë dhuratë nga Zoti, para më shumë se dy vitesh. Thjesht, të gjitha gjërat që kërkoj te një mashkull, i kam gjetur te Shpati.

Bezdisesh kur media shkruan rreth jetës tënde private?

Kur dikush shndërrohet në person publik, duhet ta marrë parasysh faktin që gazetarët do të flasin edhe për jetën private. E rëndësishme është të mos shkruhen banalitete dhe të mos sajohen histori. Në jetën time private bëjnë pjesë njerëz që i dua dhe më duan, dhe komente të panevojshme apo thashetheme të ndryshme mund të lëndojnë jo vetëm mua por dhe ata.

Keni thënë se nuk do lidheshit kurrë me një amerikan, por vetëm me një shqiptar...

Është e vërtetë, vetëm djemtë shqiptar më pëlqejnë!

Cila është dieta që ndjek për të pasur një trup aq perfekt?

Për fat të mirë, kam një metabolizëm të shkëlqyer dhe s`më nevojiten dieta.

Çfarë të pëlqen të bësh në kohën e lirë, cili është hobi yt?

Megjithëse nuk kam edhe aq kohë të lirë sa do të kisha dashur, për shkak të angazhimeve me shkollën dhe sfilatat, sërish kohën e lirë që e kam mundohem ta kalojë sa më shumë me familjen dhe shoqërinë.

Si e sheh të ardhmen tënde: femër në karrierë apo me një familje për t`u pasur zili?

Me karrierë dhe me një familje për të ma pasur zili.

Për çfarë i shpenzon më shumë paratë?

Për çfarë mendon se i shpenzon lekët një modele? Për teshat, normale. Më pëlqen shumë të bëj pazar dhe nganjëherë e teproj madje... I prish lekët, por kur duhet di dhe t`i kursej! 

Cili është propozimi më banal që të kanë bërë ndonjëherë?

S`lejoj kënd të më bëjë propozime banale!

Po ai më romantiku?

Propozime romantike bëjnë sa të duash, siç janë për shembull: “Kisha për të pasur diell dhe natën, po të të kisha afër meje”, ose kur isha në Shqipëri më thanë: “Kërkoj nga ti veç një gjë: ta bësh një xhiro me mua, vetëm të më shohin në makinë me ty”. (Qesh) 

Dëgjoni muzikë shqiptare?

E dëgjoj shpesh dhe e dua shumë muzikën shqiptare. Në përgjithësi të gjithë këngëtarët më pëlqejnë, s`mund të veçojë!

Ke dashur thjesht të bëhesh modele apo të bëhesh e famshme?

Fillova si një modele dhe do të shohim se ku do të përfundojë e gjitha kjo... 

PASAPORTA:

Vendbanimi: Miçigan

Datëlindja: 19 korrik 1986

Ngjyra e syve: kafe

Përmasat: 86.5- 61-87

Pesha: 53 kg

Gjatësia: 1.83


Shpati:

 "Tek Afërdita kam gjetur të ndërthurura shumë vlera. Ajo është e thjeshtë, bujare dhe inteligjente, përpos faktit që është e bukur. Jam i lumtur që karriera e saj po ecën në hapa gjigante në Amerikë, por gëzohem që ajo pati një kontakt profesional me Shqipërinë. Jam fansi i saj numër një!”

 Afërdita:

“Njohja jonë ka qenë dhuratë nga Zoti, para më shumë se dy vitesh. Thjesht, të gjitha gjërat që kërkoj te një mashkull, i kam gjetur te Shpati”



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora