E marte, 19.03.2024, 07:29 AM (GMT)

Sport » Futbolli Shqiptar

Vdes futbollisti Besian Idrizaj

E hene, 17.05.2010, 08:57 PM


Besian Idrizaj (1987-2010)
Besian Idrizaj (1987-2010)
Zemra e futbollistit kosovar, Besian Idrizaj pushoi së rrahuri të shtunën. Talenti 22 vjeçar, i cili pat veshur edhe fanellën e Liverpoolit gjatë karrierës së tij, humbi jetën pas një sulmi në zemër. Ai pati kolapsuar dy herë në fushë gjatë vitit 2008.

 

Nga Herolind Beqaj, Express

 

Futbollisti kosovar, Besian Idrizaj është i vdekur. 22 vjeçari ka vdekur të shtunën, në apartamentin e prindërve të tij në Linz të Austrisë, pas një sulmi në zemër, njoftoi portali austriak nachrichten.at.

 

Vëllai i tij, Qerimi, e ka vërejtur i pari tragjedinë dhe i pashpresë është përpjekur t’ia shpëtojë jetën Besianit. Por, ishte shumë vonë.

 

“Besiani është i vdekur. Për momentin nuk mund të them asgjë tjetër”, ka thënë Qerim Idrizaj për nachrichten.at

 

Gjatë karrierës së tij prej futbollisti, Besian Idrizaj kishte kolapsuar dy herë në fushë. Në shkurt të 2008-ës, sa ishte pjesë e klubit Wacker Innsbruck, kosovari ishte alivanosur në fushë gjatë ndeshjes kundër Sturm Graz.

 

Ndërsa Idrizaj kishte humbur vetëdijen edhe në muajin nëntor në një ndeshje miqësore sa ishte pjesë e ekipit austriak Lask Linz, kur kolapsoi dhe u dërgua menjëherë në spital.

 

Besian Idrizaj ka lindur më 12 tetor 1987 në Baden bei Wien, afër Vjenës. Ai e filloi karrierën në vitin 2003 me ekipin LASK Linz, ku shënoi tri gola në 35 paraqitje.

 

Paraqitjet e tij të mira tek ekipi nga Linzer Stadion bënë që ai të zgjidhej “Futbollisti i ri më i mirë” në Austri, ndërsa kjo iu shpërblye me transferim në Liverpool në vitin 2005. Ai kurrë nuk luajti me ekipin e parë të Liverpoolit, përpos një ndeshjeje miqësore, kur pati shënuar tri gola për 26 minuta.

 

Më pas pati disa eksperienca si huazim në ekipet nga Championship, Luton Town (2006/07) dhe Crystal Palace (2007/08). Më pas, në janarin e vitit 2008, ai u huazua sërish te klubi austriak Wacker Innsbruck.

 

Idrizaj, i cili e ka prezantuar përfaqësuesen U-21 të Austrisë 12 herë, ishte pjesë e klubit amator FC Eilenburg, i cili garon në ligën inferiore gjermane (Oberliga Sud).

 

Për një periudhe të shkurtë ishte pjesë edhe Blackburn Rovers, para se të transferohej në Swansea City në verën e vitit 2009.

 

Ndërsa së fundi, Idrizaj ishte shprehur i gatshëm ta veshë fanellën e Kombëtares shqiptare. Këtë dëshirë sulmuesi kosovar ua pati shprehur drejtuesve të Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF).



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora