E marte, 19.03.2024, 08:40 AM (GMT)

Udhëpërshkrim

Në qytetin e delvinjotëve

E marte, 20.11.2007, 08:23 PM


Shkruan: Ben Andoni

Delvina
Delvina është shumë më afër sesa mendohet, kur zbret qafën e Muzinës. Të duhet, që fill në një xhep si të padukshëm, ku gjendet një tabelë që e paralajmëron atë, të kthehesh. Më pas, pak kilometra të ndajnë nga ish-nënprefektura e njohur, që dikur ka pasur një kryeministër, ministra, shumë intelektualë dhe madje...edhe një patriark. Por, kanë kaluar shumë, nga ajo kohë, kur këtu ecej normalisht- ndërsa rruga e sotme është shumë larg përfytyrimit, që mund të kenë njerëzit. Rruga e vjetër është shkatërruar, ndërsa shiu që rrëshqet nga bokërimat- i ngacmon dhe më shumë plagët, që janë mbjellë në rrugë. Ka gjelbërim në këtë fund vjeshtë, ndërsa shpatet e maleve- i kanë ‘përzënë’ me kohë pemët. Një shpat i tërë i djegur të qëndron si sfinks në krahun e majtë të rrugës. Naimi, që është guida jonë, ka po ashtu vite, që nuk ka qenë në këtë vend. Por, mban mend se një pjesë e madhe e pronave në qytet është pronë e gjyshit të tij. Në fakt, Kardhikaqin nuk e njeh. Në krahun e djathtë, katarakti i Kardhikaqit, që zbret furishëm, dhe papritmas nga malet- të befason. Ndalojmë dhe e shikojmë. Kudo po të hedhësh sytë në këtë qetësi- ke vende ku mund të fshihesh, që t’i shpëtosh mërisë së motit. Peizazhi i mrekullueshëm plotësohet nga Bistrica e bukur dhe e kthjellët, që rrjedh poshtë. Fushat janë braktisur, ndërsa atje ku kanë qenë ndoshta vreshta, tash ka zbrazëti. Pa fund zbrazëti...Pak minuta më vonë, po i afrohemi Delvinës.

Në qytet

Delvinës i afrohemi nga sipër, ndërsa kulmi i një minareje- të tërheq të gjithë vështrimin. Njeriun e parë në qytet do e gjejmë pranë një punishte vaji. Hap një vijë, për të liruar ujin. Kur na shikon që fotografojmë, bën pas. Është i ngeshëm. Pa fund. Dhe lopatën e kap me shumë naze. “Ç’bën”-e pyesim. Na shpjegon teknologjinë e zbrazjes së ujit, sikur do zbrazë vetë Bistricën. Në fakt, e kap veten që po bëhet qesharak. Na tregon, pak me më shumë sinqeritet se është emigrant dhe është kthyer për ca kohë këtej. Po merret me diçka dhe se këtu nuk ia vlen...por se ai po punon me ca miq në këtë punishten e vajit. Ka shumë të tilla, e pyesim. Jo aq-na e pret. “Këtu nuk rrihet një sekondë”, shpjegon 30 vjeçari, që duket bajagi mirë fizikisht. Kur i afrohesh nga sipër Delvinës, habitesh pse duhet të ekzistojë ky qytet kaq ‘i fshehtë’. I ngjan pak Peqinit në kërthizë të Shqipërisë, për shkak të indiferencës së tij. Por, njerëzit mbeten shumë miqësorë. Çdo njeri që pyet është i predispozuar që të tregojë indikacionet kryesore në qytet. Po çfarë qyteti?! Besoj se me këmbë mund që ta përshkosh më shpejt. Delvina nuk është më shumë. Madje, tashti, duhet të jetë pak më e madhe. Gjithsesi, pak rrugë, dhe shume pastërti. Çuditërisht punohet në rrugë. Jo ndonjë gjë e madhe, por në këto ditë të ngarkuara me shi dhe të zymta, dikush e shikon të arsyeshme të punojë...Një polic rri në qendër të qytetit, ku të merr malli të shikosh ndonjë makinë.

Mes njerëzve

Kur kthehemi nga një kthesë drejt bashkisë së qytetit, ata janë të vetmit, që na bëjnë shoqëri. Janë rreth gjashtë veta, ulur në lokalin e një burri, që punon pa u ndalur dhe krasit. Ndërsa ulemi kuptojmë se Burrat punojnë në pyjore dhe në harkun e minutave që qëndrojmë, kemi marrë vesh të gjithë thashethemnajën e qytetit. Në fakt, puna duhet të jetë rreth një blloku të stërvjetër hipoteke, që e mban dikush dhe që bën muhabet me burrat. Janë të ardhur nga një fshat dhe flitet për troje. Burrit, që mban bllokun, tash gati i grisur dhe i stërvjetër, i flasin njëkohësisht, disa bujq-qytetarë. Që duket se i dinë punët bajagi mirë. “Vemë 200 dhi dhe 20 lopë..1 dhi sa është- e ke 300 lek. 100 dhi dhe...Këto bëjnë 80. Kullotë është”, dëgjojmë mjegullazi. Është një Pazar açik, që s’nënkupton asgjë, për ne që nuk e dimë. Dimë se janë të varfër dhe se përpiqen, por kaq. Në fakt, të gjithë burrat në Delvinë janë të veshur mirë dhe po aq mirë të ushqyer dhe kjo mjafton të dish se punët nuk janë kaq keq. Ankimet vazhdojnë.... Kjo deri, sa të vijë kryetari i Bashkisë, që është duke u marrë me një punë projekti për fëmijët. “Po vi!”-flet shkurt nga celulari i tij.

Pak histori

Në të njëjtin vend, në ditët e tij rreth fundit të shekullit të XVII-të, Evlija Çelebiu e përshkruan kështu qytetin: Themeluesit e parë të Delvinës janë (Ispanja) spanjollët. Më vonë, venedikasit e shtinë në dorë me djallëzi. Kaloi në duart e sulltan Bajazitit, përsëri ra nën sundimin e të huajve dhe përsëri u mor nga sulltan Sulejmani, kur erdhi të mësyjë Korfuzin. Pushtimin e Delvinës ai ia ngarkoi Ajaz Pashës, shqiptar nga gjaku.
Delvina është sanxhak (prefekturë) më vete në vijaletin e Rumelisë. Sanxhaku i saj ka një shpërblim të caktuar nga sulltani, që është 157,132 akçe (600 akçe=1frang ar). Ajo ka 24 ziamete dhe 155 timare . Ajo ka allajbeg dhe Çeribash (komandant divizioni e kryeushtar). Në kohë lufte nxjerr sipas ligjit 2200 ushtarë. Ka një gjyqtar kadi me 180 akçe shpërblim, kryemyftiun (Sheh Islamin), qehajanë e spahinjve, komandantin (serdarin) e jeniçerëve, komandantin (dizdarin) e kështjellës dhe ushtarët e tij, subashin e qytetit, tagrambledhësin (bazhdarin) e Bashkisë, qehajanë e qytetit, nëpunësin e financës dhe nëpunësin e haraçit.

Në qytet

Delvina e sotme, (dhe këtë kemi mundësi ta shijojmë pak më vonë), kur të na lerë kryetari, shtrihet në këmbët e kështjellës, që është në kodrën me të njëjtin emër. Është vetëm 16 kilometra nga Saranda dhe në vitin1990 i është larguar gati një e treta e banorëve të saj në emigracion. Në vitin 2004, në qytet kishte vetëm rreth 4200 banorë. Qyteti i gjithë është në një shpat, ku rrinë bashkë një xhami dhe një kishë. Janë rrënojat e kështjellës dhe shumë pranë është Foinike. Shteti shqiptar nuk ka bërë shumë për qytetin, ndërsa ata janë të detyruar që të ikin. Kuptohet, se ‘armiku’ i saj më i madh ka qenë Saranda, që duket se e ka tërhequr të gjithë vëmendjen për vete. Aq i ashpër është karshillëku i dy qyteteve, sa ndeshja Butrinti me Delvinën në futboll kthehet në jetë a vdekje. Në Mesjetë, në kohët e dikurshme, ka qenë pjesë e Despotatit të Epirit. Një familje, e cila më vonë do kishte emrin Delvina, ka sunduar qytetin. Më 1354 mendohet se Mehmet Ali Pasha Delvina ka qenë zot i qytetit dhe kështjellës. Në shekulli e XVII-të, popullsia ishte konvertuar, ndërsa pjesa ortodokse kishte mbetur në fshatra, ku edhe sot ende gjenden shumë rrënoja kishash. Deri në luftën e Dytë Botërore, referuar literaturës zyrtare- flitet se ka pasur një komunitet të vogël hebrenjsh, nga Spanja- që kishin ardhur gjatë sundimin osman dhe kishin lidhje me hebrejtë e Janinës. Duket se e gjitha kjo vjetërsi u shkon shumë shtëpive me tiparet e vjetra arkitektonike. Është një nga sfidat e kryetarit të bashkisë, që mendon t’i kthejë në identitet, për të treguar peshën e qytetit të tij. Po fondet? Presin. Shpresojnë. Po luftojnë. Në ditët tona, këto shtëpi, ku dominojnë ornamentimet e thjeshta të gurit, kulmet e qarta, portiqet disi të larta dhe oborret e brendshme janë gati të ngjitura me njëra-tjetrën. Ngjan si kohë e largët ajo, kur Çelebiu i përshkruan të 100 shtëpitë e Delvinës, që qëndronin aq larg sa edhe ishte distanca që kapte shigjeta. Ose, më saktë, që britmat kushtrimore të një shtëpie që e sulmonin kusarët, nuk mund të dëgjohen nga banorët e shtëpisë fqinjë. Pak e çuditshme për serenitetin që na predikon vetë Çelebiu. Ka tri shkolla fillore, tri teqe, një hamam, tre hane, ndër të cilët më i mirë është hani i Memi Pashës. Ka dhjetë kroje, ujë e ajër të mirë, ndërtesa të bukura. Lagjja e Lakes, e cila është në një gropë, është shumë e stolisur. Më poshtë është lagjja e Gjin Aleksit, e veshur krejt me vreshta e kopshte. Në këtë lagje, në një vend të lartë, ndodhet ndërtesa e gjyqit..
Me një zyrtar të bashkisë përshkojmë pak një nga lagjet e vjetëra. Ka ornamentimin klasik të shtëpive të gurit dhe duket se shkolla e ndërtimtarisë është e njëjtë. Një rrugë që e përshkon sipër -kalon në mes të shtëpive të vjetra. Janë ruajtur portat e rënda, ato që dikur ka parë dhe vetë Çelebiu. Portat i ruajnë disa nga harqet e gurit, kurse duhet shpjeguar se përshtatja e shtëpive, të duket nga dritaret e vjetra, që tashmë janë zënë krejt me gur. Në të gjitha shtëpitë ka rezervuarë uji. Por, këta banorë që dikur ishin në mes të limonave, portokalleve, fikut, ullirit, shegës e selvisë dhe që zbukurojnë kodrat dhe vreshtat nuk janë më shumë. Sot, përveç kopshtijeve private, fushat nuk janë ato të dikurshmet. Nuk ka kush të punojë. Më keq akoma, vreshtat që bënin verën e mirë të Delvinës, tashmë po kthehen në iluzion. Banorët e qytetit të vogël i ka mbërthyer ethja e globalizmit. Të ikin dhe të kenë sa më shumë gjëra, por pa punuar.
Pak kohë më pas, kur vjen kryetari i bashkisë, duket se sfidën më të madhe e ka me ndërrimin e këtij lloj perceptimi. “Po përpiqem t’u tregoj se duhet të vijnë në vendin e tyre. Po mundohem të jem transparent, që të gjithë ta ndiejnë veten mirë. E di që është e vështirë..”, shpjegon burri i ri, që ka bërë shumë në pak muajt që është në krye të bashkisë. “Jemi të varfër,-më thotë një banor. Aq sa nuk e merr me mend. Përveç emigracionit nuk ka asnjë shpresë dhe këtë qytet e mban vetëm emigracioni”. Njësoj, si në të gjithë Shqipërinë, që vetëm ankohen. E kuptoj tashmë sfidën e kryetarit të ri të bashkisë, që për fat i ka marrë dhe një premtim për ndihmë Zotit Berisha dhe që po përpiqet të ngjallë kureshtjen për qytetin. “Do të mundohem që t’i marr qeverisë demokratike edhe investime të tjera”. Ka bërë ndriçimin e rrugëve dhe respektin për disa nga figurat e qytetit. Por, edhe evokimi, duket se nuk mjafton..

Si jetojnë

Jetën duket se e sigurojnë me urtësi dhe paqe. Tregtinë dhe fitimin e bëjnë me ullirin e vajin që e shesin nëpër krahinat e tjera. Ngjyra e fytyrës: si populli dhe paria, i madh e i vogël, plak e i ri, e kanë fytyrën të kuqe, sepse të gjithë merren me dëfrime, paçka se janë një tufë luftëtarësh të rreptë e disi alkoolikë.” Unë dua t’i kthej, na thotë kryetari- dhe më përmend iniciativën e dy mini-fabrikave të vajit dhe një të verës. Një rrobaqepësie..”. Dua që Delvina të banohet dhe të marrë emrin e qytetit të dikurshëm. E di se është e vështirë, por do të luftoj”. Në rrugët e ngushta të qytetit të vjetër, besojmë se Delvinës do t’i duhet ende shumë punë. Ajo ka mbetur ashtu e fjetur dhe një zonjë e bukur, që e ka vështirë të zgjohet nga zhvillimi i sotëm aq i shpejtë. Burrat, që flasin për troje, kur dalim nga kryetari, nuk janë më. Janë aty pari. Kuriozitetin, ai që është i zoti i bllokut, na e rrëfen thjesht: Nuk besonin dhe ua tregova...Na gënjen. Bëjmë sikur e besojmë. Nuk e dimë sesa ka rënë burrëria në këtë vend nga dikur. Por, dikur që këndej, ka qenë kryeministri i qeverisë së parë shqiptare pas vitit 1920. Sulejman Delvina do të mbetej shembulli i burrit të mençur dhe të ekuilibruar. Jo më kot, Dhurimi, po mendon që t’ia vendosë bustin në sheshin e qytetit. Ma tregon, teksa e ka strehuar tek zyra e sekretares. “Nuk është ende ok, por do e shikoni vetë”, na sqaron.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora